Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Politika si vendimmarrje dhe shpërndarje burimesh

Politika është vendimmarrje dhe shpërndarje burimesh. Vendimet e mëdha dhe të rëndësishme si dhe shpërndarja e mirëqenies materiale dhe jomateriale në një shoqëri demokratike nuk bëhen në mënyrë arbitrare. Për këso vendimesh dhe këso shpërndarjesh po aq sa nevojitet konsensus, po aq nevojitet kompromis. Shteteve autoritare nuk iu duhet fort as njëra as tjera, për shkak se politikat publike bëhen pa publikun por në emër të tij, kurse shteteve demokratike ju duhet edhe njëra edhe tjera, per shkak se zëri publik është zë politik.

Është njëfarë common sensi në shkencën politike se politika ka të bëjë me marrjen e vendimeve që janë të obligueshme për të gjithë në një shoqëri të dhënë. Megjithatë, vendimet më të vështira politike janë ato që nuk merren kurrë. Me fjalë të tjera, edhe mosvendimmarrja është vendimmarrje. Rrjedhimisht, politika ka të bëjë me atë se çfarë vendimesh duhet të merren në një shoqëri poaq sa edhe me çfarë vendimesh nuk duhet të merren në një shoqëri. Kosova ka nevojë për vendimmarrje strategjike që e shumon dhe fuqizon të mirën publike, shërbimet publike, standardin jetësor, transportin publik, shëndetësinë dhe arsimin, ekonominë dhe punësimin. Kosova, po ashtu, ka nevojë që të merr vendime jopopuliste, të vështira e shpeshherë të papëlqyera nga masat, që të ecet përpara, në mënyrë që gjeneratat e ‘nesërme’ të mos i trashëgojnë problemet e së ‘djeshmes’.

Në anën tjetër janë do vendime që s’duhet të merren nga lidershipi politik kosovar. Dy janë me rëndësi strategjike. E para, nuk duhet të merren aso vendime që e zhbëjnë shtetin dhe, e dyta, aso vendime që e zhbëjnë ekonominë. E para dhe kryesorja: nuk duhet të merren vendime që e deformojnë shtetin e Kosovës, rrezikojnë partneritetin rajonal e ndërkombëtar, gërryejnë sovranitetin, dhe defunksionalizojnë vendin. Kjo mosvendimmarrje mundëson që Kosova të trajohet si shtet, dhe jo si entet hibrid e kalimtar, as shtetëror dhe as joshtetëror. Rihapja e temës së statusit të Kosovës dhe negociimi i sërishëm i organizimit të brendshëm territorial të Kosovës mbetet një prej rreziqeve më të mëdha, derisa Kosova nuk anëtarësohet plotësisht në OKB, NATO, BE me mekanizma tjerë rajonal e ndërkombëtar.

E dyta, nuk duhet të merren vendime që e deformojnë ekonominë dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Kosovës. Në Kosovë është privatizuar ekonomia, por nuk është zhvilluar shoqëria. Janë shitur asetet më të rëndësishme të vendit, por papunësia ka mbetur e lartë. Shumëçka është privatizuar, duke përfshirë këtu edhe tokat bujqësore. Kanë mbetur vetëm edhe pak asete publike që do të mund të përdoreshin nga gjeneratat e ardhshme. Kjo politikë nuk është në përputhje me konceptin e zhvillimit të qëndrueshëm, i cili koncept qysh nga raporti i Bundlant-it i vitit 1987 ka të bëjë me përmbushjen e nevojave të gjeneratës aktuale, por pa ia mohuar zhvillimin gjeneratave të ardhshme. Duke shitur çdo gjë dhe me çdo çmim, duke privatizuar çdo gjë dhe pa asnjë kusht, Kosovës jo vetëm që i është kërcënuar zhvillimi aktual por edhe ai potencial. Kosova ka nevojë për politika publike që e zhvillojnë atë në mënyrë të balancuar, gjithëpërfshirëse, ku jo vetëm tregtia e privatizimi vihen në fokus, por, parasegjithash, jeta e njeriut, dinjiteti e arsimimi i tij, shëndetësia e ambienti. E kjo kërkon politika të drejta.

Politika duhet t’i kthehet drejtësisë dhe drejtësia duhet t’i kthehet politikës. Institucionet publike duhet të jenë të drejta, të paanshme dhe t’i shërbejnë të mirës së përgjithshme. Siç na njoftojnë D. Acemoglu dhe J. A. Robinson, shtetet dështojnë për shkak të institucioneve ekstraktive. Sipas këtyre autorëve ka një lidhje sinergjike mes institucioneve ekstraktive politike dhe atyre ekonomike. Institucionet ekstraktive i mundësojnë elitave të grumbullojnë pasuri dhe pushtet përmes riprodhimit të pabarazisë qytetare dhe pasurisë pushtetore. Për dallim nga institucionet ekonomike dhe politike ekstraktive, ato inkluzive e shpërndajnë pushtetin në shoqëri dhe “e kufizojnë ushtrimin arbitrar të tij”. Për ta bërë më të qartë këtë dallim, këta autorë, pos tjerash, na njoftojnë me një shembull të sjellur nga Zimbabve. Në janar të vitit 2000 një bankë pjesërisht shtetërore kishte organizuar një lotari për klientë që kishin mbajtur pesëmijë ose më shumë dollarë të Zimbabvesë në llogarinë e kësaj banke. Shkëlqësia e tij, Presidenti i Zimbabvesë, Robert Mugabe, njeriu fatlum, ‘fare rastësisht’, e kishte fituar lotarinë e kësaj banke në vlerë prej 100 mijë dollar zimbabveanë. Ky është një shembull ilustrativ i institucioneve ekstraktive ku korrupsioni bëhet krejtësisht transparent.

Fatmirësisht se Kosova nuk ka pasur dhe nuk ka kryeministra dhe presidentë aq fatlum që të fitojnë ndonjë lotari vendore. Fatkeqësisht, miq dhe familjarë politikanësh kanë përfituar drejtpërdrejt nga paraja publike e Kosovës, duke udhëhequr dhe monopolizuar industrinë e sigurimeve të automjeteve, privatizuar ndërmarrje dhe toka bujqësore, apo fonde tjera. Mugabët tonë luajnë në një ligë tjetër, pra më pak të avancuar se ajo e Zimbabvesë, por një fakt mbetet i pashlyeshëm: ata kanë përfituar pasuri dhe pushtet jo për shkak të aftësisë e ndershmërisë, meritokracisë e paanshmërisë politike, por pikërisht për shkak të të kundërtave të tyre.

Politika është shpërndarje e burimeve të mangëta, ka shkruar prej kohësh Harold Laswell në librin Politika: Kush merr çka, kur dhe si. Por kjo nuk nënkupton kush grabit çka, kur dhe si. Pasuria dhe pushteti, mirëqenia e siguria, statusi dhe prestigji, të gjitha janë burime të kufizuara në çdo shoqëri dhe këto burime tw mangëta duhet të shpërndahen në mënyrë të drejt. Politika është dhe duhet të mbetet një fushëveprimtari etike dhe fisnik. Politika duhet të ketë në qendër dinjitetin e qytetarit dhe duhet të zhvillohet mbi premisat e këtij dinjiteti. Një politikë e tillë nuk e sheh dinjitetin e njeriut si mall tregu. Pra, nuk e sheh as Kosovën si mall tregu dhe as qytetarët si klient të këtij ‘tregu politik’. Një politikë vizionare duhet ta trajtoj Kosovën si pronë të qytetarëve të saj, dhe jo pronë e bastione partiake. Politika e bastioneve dhe e rajoneve e ka ‘bastionizuar’ zhvillimin e Kosovës. Partitë politike ende i shohin komunat si bastione të vogla dhe Kosovën si bastion të madh. Investojnë në bastitonet e tyre, aty ku i kanë numrat. Për shkak se qytetarët i shohin si numra votash, politika është shndërruar në matematikë mashtrimi elektoral. Kjo ka prodhuar një situatë politike me dallime të thella dhe pabarazi zhvillimore nga një komunë te tjetra.

Studimin e Baliqit ‘Politikat Publike dhe Qeverisja’ provoj ta lexojë në këtë frymë.  Pra, si një ftesë dhe hyrje teorike dhe metodologjike jo vetëm për të zgjeruar njohuritë për politikën publike, por edhe si një instrument intervenues për ta analizuar politikën vendore. Studimi, pos një kapitulli të veçantë, nuk merret drejtpërdrejt me rastin e Kosovës. Kjo nuk e bën më pak të dobishëm studimin në fjalë, për faktin se qasjet dhe teoritë e politikave publike të skicuara në studim do të mund të përdoreshin si instrumente praktike për të studiuar politikat publike në Kosovë. Literatura në gjuhën shqipe për studimin e politikës publike dhe qeverisjes është e varfër dhe ky studim e pasuron debatin, por edhe fjalorin akademik brendashqiptar për këto çështje. Meqenëse politika publike ka të bëjë si me shpërndarjen e burimeve materiale dhe simbolike ashtu edhe me veprimet apo mosveprimet e qëllimshme të autoriteteve qeverisëse, debati i përnjëmendtë që duhet të zhvillohet në Kosovë duhet të jetë debati mbi politikat publike dhe opsionet më të mira për realizimin e së mirës dhe shërbimeve publike. Studimi i Baliqit i kontribuon këtij debati dhe ofron instrumente se si duhet edhe formulohen edhe të zbatohen politikat publike në konsultim me publikun. Ky libër nuk duhet të lexohet vetëm nga studentët dhe studiuesit e shkencës politike. Teknikat, metodat, qasjet teorike dhe modelet e shtjelluara në këtë libër duhet të lexohen, analizohen dhe përdoren edhe nga organizatat hulumtuese që merren me analiza të politikave publike, por edhe nga aktorët vendimmarrës e politikbërës.

_______

[Ky shkrim është lexuar me rastin e promovimit të librit të Bekim Baliqit, Politika Publike dhe Qeverisja (KAS, Prishtinë, 2017, 317f.)]

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.