Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Popullizmi: Të flasësh me zemrën e turmave!

Credit: Pierre Bamin on Unsplash.

Identiteti dhe manifestimi i tij brenda ideologjive të mëdha, rëndom shfaqet i ngurtë, i vrullshëm dhe delirant. Vetëm liberal demokracia i shndërron identitetet në aksesorë jorelevantë në jetën e qytetarit.

Ashiqare gjendjet e ekzagjeruara identitare, rëndom shfaqen si popullizëm, për t’u rritur shpeshëherë në komunizëm dhe fashizëm. Gustav Le Bone te “Psikologjia e popujve dhe e turmave” është i saktë, kur thotë se sa më gjatë kohë të zhvillohen demagogjitë populliste për aq kohë ato merren si të vërteta nga turmat. Sepse, sipas këtij autori, gjatë këtij përpunimi përjashtohet arsyeja. Kur nderkohë, idetë i janë nënshtruar përpunimit të ngadalshëm, fuqia e tyre është mjaft e konsiderueshme, sepse ARSYEJA nuk ka tutje pushtet mbi to. Le Bone vëren së turmat nuk binden kurrë me prova, por me pikëpamje dhe autoriteti i këtyre pikëpamjeve varet nga joshja që zotëron ai qe i thotë ato.

Popullizmi si gjendje euforike identitare e sociale shfaqet si simptomë deliri dhe turmës “ia siguron” jo të mundshmen por të dëshirueshmen, qoftë edhe me kushtin e përplasjës shoqërore. Në këtë sens, Jan – Werner Müller tek “Ç’është popullizmi?” thotë se polarizimi nuk përmban problem për popullistët, është një mjet për ta siguruar pushtetin. T’u mëshosh fort retorikave kundër “sunduesve të vjetër” dhe “elitave të korruptuara”, askush s’pyet për rezultatin final, porse të gjithë ekzaltohen – gjatë evokimit për dëshirat e tyre të ndrydhura – duke u dhënë turmave atë që duan, përafërsisht ky është popullizmi.

Popullizmi konsiston në të folurit me shpirtin e turmave, porse nga prizmi kushtetues është i rrezikshëm, prandaj burrat dhe gratë e shtetit duhet t’ia mbajnë anën mbrojtjës së kushtetutshmënisë dhe jo të njejtësohen me turmat, me trurin në muskuj! Në kontekstin kosovar, popullizmi përthith të gjitha energjitë kombëtare, duke i dhënë vendit vetëm mjerim.

E majta dhe popullizmi

Rreshtimi mas ideologjisë së të majtës revolucionare është shprehje e një gjendjeje tensioni të përhershëm dhe ankthi – si përkatësi identitare dhe politike – që mobilizon në frikë nga persekutimi permanent, nga mospasja, nga armiqtë  e jashtëm e të brendshëm; nga liberalizmi, globalizimi, e ndonjëherë edhe nga fuqi të padukshme.

Idetë dhe aktivitetet politike nga e djathta ose e majta, e që kanë për qëllim të marrin mbështetjen e njerëzve të rëndomtë, në teori quhen popullizëm. Popullizmi nuk ka zgjidhur asnjë problem të popujve e shteteve, porse shumë sosh i ka shpënë në luftë civile dhe shkatërrim.

T’u japësh mbështetje shqetësimeve emotive të njerëzve të zakonshëm, kjo domethënë ta shpiesh shtetin në qorrsokak, duke e legjitimuar paligjësinë dhe ndonjëherë duke e suspenduar Kushtetutën.

Duke qenë se konstituimi shpirtëror në kontekstin e shoqërisë kosovare, është bërë nën postulatet e Kanunit të Maleve, në oda dhe nën diktatin e patriarkalizmit e autoriteteve supreme, betimet e pleqve të fiseve, është e qartë se në fund të fundit popullizmi identifikohet me etnopsikologjinë dhe folklorin, prandaj është ‘teknikë’ e lehtë dhe efektive për manipulimin e masave.

E djathta dhe popullizmi

Nacionalizmi është sëmundje: gjendje nervoze dhe paranojake identitare – frikë nga zhbërja etnike – që shpesh manifestohet si popullizëm, e që mund të degradojë në trajta ekstreme si fashizmi.  Fashizmi shpreh stërkeqjen e rendë të kësaj sëmundjeje!

Nacionalizmi është kiç nga ana estetike thoshte shkrimtari Danilo Kish.  Nacionalizmi është paranojë kolektive dhe individuale – pra semundje – kurse nacionalisti është i padishëm dhe  inferior ndaj tjetrit/tjetres, por dhe moralisht i lig…

Shoqëria kosovare po dëshmohet e paaftë me u përballë me vetën, me të kaluarën, prandaj ka marrë arratinë duke rënë gjithnjë e më dendur viktimë e politikave paranojake, izolacioniste dhe vetshkatërruese të atyre që në emër të mbrojtjes së Kosovës përpiqen për ta konsoliduar pushtetin e turmave! Etnonacionalizmi (si nacionalizëm lindor) që ka shpërthyër në diskursin publik, veçmas në rrjetet sociale dhe, ç’është më e liga, në majat e pushtetit si dhe në Kuvendin e Kosovës, ku kercënohet verbalisht opozita si zgjatim i “regjimit të vjetër” dhe media si dezinformatorë e ndonjëherë të ndërlidhura me “agjenturat të huaja”, po e cënon kohezionin dhe emancipimin shoqëror.

Kthimi në gjendjen natyrore me armët ”jonatyrore” 

Mendja e instrumentalizueme kriminale nuk e projekton më përjashtomin, vrasjen e tjetrit/tjetres, për arsye diversiteti, feje a ideologjie tjetër, por nga frika e njejtësimit me tjetrin/tjetren, shkrirjes dhe humbjes së tipareve identitare të paraardhësve.

Francis Fukuyama paralajmëronte se ‘njerëzit e mbramë’ të historisë mund të ‘zmbrapsën në revolucion’, jo prej nevojës, por prej pakënaqësisë me përparimin.

Ky është fundi i tregimit.

Kosova ishte parajsë e të ndryshmëve të ngjashëm në liri, barazi e vllazëri, deri më 14 shkurt 2021, kur u shfaq ‘homo naturalis’ i konceptit voltairéan, i pakënaqur me përparimin. Ai bëhet përjashtues ndaj atyre që i kishte pandehur për armiq, i frikësuar përgjatë rritjes dhe edukimit të tij, se do t’u përngjajë pikërisht atyre!

Qytetërimi po e përjeton fundin e kulturës – bashkëjetesën në diversitet – nga frika e njëjtësimit dhe humbjes së cilësive supremaciste dhe identitare përballë dhe ndaj kulturave tjera, karshi numrave të vegjël, madje edhe përballë globalizimit. Kjo narrativë politike për tjetrin si armik i progresit, shquhet për nga demagogjia.

According to Giovanni Sartorit, demagogu u bën thirrje turmave, duke bërtitur se populli ka gjithnjë të drejtë.

Por, parimi demokratik nuk e mbështet këtë absurditet. Sipas këtij parimi, populli është sovran edhe në të drejtën për të gabuar. Dhe nëse populli e ka të drejtën të gabojë, nuk do të thotë se duhet ta shtysh të gabojë. Në anën tjetër, Raymond Aron vlerëson se historia që tregon partia – është e vërtetë në vija të trasha – është e një vërtetësie sipërore ndaj së vërtetës materiale dhe fakteve.

Po qe se themi se qeveritë paraprake kanë bërë aq të këqija dhe nëse është përligjur ndryshimi, me një votë plebishitare, duhet ditur po ashtu se sërish dikush duhet “ta bëjë xhandarin” (ushtrimin e dhunës legjitime) dhe barometrin e tregut, e të menaxhojë dhe shpërndajë pasuritë kombëtare, paranë publike.

Publikimi i të dhënave të shpenzimeve si kompensim për udhëtim të disa deputetëve, që jetojnë me vite në Prishtinë, (si anëtarë të “rojtarit të qesës” siç e cilëson Sartori Kuvendin) ndër të cilët kishte edhe deputetë që i përkasin Lëvizjës Vetëvendosje, dëshmoi se edhe ata që proklamojnë ndryshimin jo gjithmonë janë të kujdesshëm me paranë publike.

Aron paralajmëron se duhet të kalojë shumë kohë që të shërohen të këqijat që lë prapa një revolucion, madje edhe në rastin kur ky revolucion ka shëruar të këqijat e regjimit të rrëzuar. Kur rrëzohet një regjim i ligjshëm, atëherë fatin e përbashkët e merr në dorë një grup njerëzish, pa profil të spikatur, (vendin e kleptokracisë e zë kakistokracia) madje herë-herë një njeri i vetëm. Kësisoj, forcat e ndryshimit, si këto kosovare, gjithnjë ndërtojnë dhe i japin legjitimitet popullor një lideri (i cili është “flijuar” sepse i ka rënë shpesh të kalojë nëpër burgjet e regjimit) që në të shumtën është një lider me prirje populliste dhe autoritariste.

Franz Neumann, duke iu përgjigjur pyetjes se çfarë e mban masën së bashku, thotë se “shpirti i masës” është i padëshmuar, mirëpo masa ka nevojë për identifikim afektiv me liderin-hipnotizues, pra masat e frikësuara nga e panjohura bëhen tok rreth atij që ua premton shpëtimin – parajsën në tokë – pas gjithë atyre vuajtjeve.

Nëse analizohet gjendja aktuale në Kosovë, del e saktë teza e Neumannit se atje ku në politikë ndodh identifikimi afektiv me liderin, masa dhe lideri e krijojnë një imazh historik thua se fatkeqësia që e ka goditur masën, është e nxitur nga ndonjë komplot i njerëzve ose ndonjë grupi të caktuar kundër bashkësisë (në rastin e Kosovës, perëndimorët, Hashim Thaçi me “Klanin Pronto”, Isa Mustafa si rilegjitimues i tij, pastaj koalicioni PAN-i etj.)

Liberal demokracia e shtyn në margjina popullizmin

Liberal demokracia është gjendja më normale e shprehjës identitare: Kur s’ke nevojë me u shprehë fare për identitetin, sepse nuk ta kërkon askush! Të jetosh me tjetren/tjetrin pa u trazuar dmth. ta mësosh syrin dhe mendjën me diçka të ndryshme nga vetja. Pra siç thotë Fareed Zakaria, thelbi i politikes së demokracisë liberale është ndërtimi i një rendi social, të fortë, kompleks e jo të dominuar nga një ide e vetme.

Liberal demokrati është i duruar, jo vetëm tolerant, ai është i mësuar të jetojë me të dallueshmën. Samuel Huntington e sheh liberal demokracinë si një virtyt publik, jo i vetmi, dhe, marrëdhëniet e demokracisë me virtytet dhe veset tjera publike mund të kuptohen vetëm nëse demokracia ndahet qartazi nga karakteristikat e tjera të sistemeve politike.

Uniformiteti i mendimit – veçmas për historinë dhe figurat kombëtare – është i ngulitur thellë në psikën e kombëtaristit, bariun dhe profesorin i shquan narrativa e njëjtë identitare, mendësia uniforme për idenë e kombit unik, gjuhës së unisuar dhe sëfundi edhe për nazifashizmin si “shpëtimtar” të shqiptarëve, pa e kuptuar se fashizmi nuk mund të jetë i mirë me raste dhe i keq kur shfaqet larg nesh dhe nuk prekë interesat tona direkt.

Prandaj, për Giovanni Sartorin, liberaldemokracinë nuk e bëjnë të tillë vetëm zgjedhjet e lira por të pasurit opinion secili zgjedhës. Ai shprehet se zgjedhje të lira pa opinion të lirë nuk shprehin asgjë.

Ne themi se populli duhet te jetë sovran, shkruan Sartori, po një sovran qe s’ka gjë në dorë, qe s’ka ç’të thotë, që nuk ka opinion të vetin, është vetëm një ratifikues i thjeshtë, ai as nuk mund të quhet sovran.

Epilog

Shoqëria kosovare duhet të kujdeset që të sigurojë kohezionin, duke mos rënë në kurthin e popullizmit dhe të një “lideri të vetëm” sado ‘i popullit’ dhe popullor të përceptohet nga turmat, sepse edhe Stalini ishte një nga ta. Qeverisje e popullit, nga populli, per popullin – fraza e Linkolnit, lehtësisht mund t’i përshkruhet Stalinit, ose secilit lider të ideologjive të mëdha. Sartori vëren se qeverisja staliniste ishte e popullit në kuptimin krejt të lejueshëm gramatikor: se ai e qeveriste popullin. E vështirë të hidhet poshtë se qëllimi i tij ishte të qeveriste për popullin: dhe në mendjen e Stalinit, kjo qeverisje mund të ishte edhe nga populli, sepse, sipas tij, ai dhe populli ishin një, se “vullneti i përgjithshëm qeveriste nepërmjet vullnetit te tij.

Nëse vërtet njerëzit nuk kanë arritur deri në atë pikë sa t’u mungojnë rastet dhe shkaqet për t’u vrarë me njëri-tjetrin, siç vëren Aron – nëse toleranca lind nga dyshimi, atëherë le të mësojmë të dyshojmë – për modelet dhe për utopitë, që të kundërshtojmë profetët e shpëtimit dhe lajmëtarët e katastrofave.

Për të synuar humanizimin e politikës, Neuman mendon se duhet mësyrë që ta pengojmë demagogun të shfrytëzojë frikën dhe apatinë.

Pra, ne nuk guxojmë të heshtim!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.