Reagim ndaj shkrimit.: Disfatat e pushtetit, fitoret e popullit, me autor Armend Mazreku, 03 shtator 2016 në Sbunker.
Që në fillim dua ta theksoj se nuk jam njohës i problematikës së shumë përfolur, demarkacionit, e aq më pak i demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi. Mirëpo, e di saktësisht se një problematikë e tillë është ekskluzivisht fushë e profesionistëve. Por, pse demarkacioni është bërë maja e iceberg-ut, e që ka bllokuar (mos të themi paralizuar) gati një vit punën e Kuvendit të Kosovës dhe jo vetëm, ka të bëjë me problemin midis partive, (edhe shumë inatçor madje), sesa midis ekspertëve. Nëse do të ishte problem ekspertësh, se ata paskan vendosur gabimisht apo me ndonjë qëllim të caktuar në favor të Malit të Zi, kjo do të duhej të zgjidhej mes ekspertëve fushës adekuate dhe gjithashtu në relacion me Kuvendin, pra me/nga deputetët.
Mirëpo, rruga që ka marrë problematika e demarkacionit, në fakt nuk është se do ta zgjidhë këtë çështje. Mosprocedimi në kuvend, pra, tërheqja e tij nga ana e qeverisë nuk është dhe nuk mund të cilësohet si “fitore e popullit”, siç shprehet Armendi. “Tërheqja është momenti më i vështirë në kohë lufte”, thotë shkrimtari Milan Kundera, por në rastin e tërheqjes së demarkacionit nga rendi i ditës nuk nënkupton se u rrëzua demarkacioni përfundimisht, por se do të procedohet në ditët në vazhdim.
Po ashtu vërejtja ime apo mospajtimi im me shkrimin e Armendit Disfatat e pushtetit, fitoret e popullit, konsiston edhe në diskursin që Armendi përdor, kur tenton që tërheqjen nga rendi i ditës ta paraqesë si fitore të popullit. Pra, një diskurs i tillë ku oscilohet me kategorizime si ‘fitoret e popullit’, është peshkim në ujërat populliste. Ç’është e vërteta edhe po ta ndiqnim një diskurs të tillë siç ndjek Armendi në këtë shkrim, atëherë lirisht mund të themi se një parti politike ose një grup i partive nuk e përbëjnë tërësinë e një populli. Thirrja në popull është diskursi që thërret në dhunë, e që shoqërisë kosovare nuk i duhet.
Prandaj, realisht të gjitha partitë politike në vend, çdo politikë të tyre, çdo veprim të tyre politik e kanë konsideruar dhe e konsiderojnë (qëllimshëm) si fitore të popullit. Pra, kjo mënyrë populliste është e përshtatshme për shoqëritë e pakonsoliduara (siç jemi ne), sepse një formë e tillë e të bërit politikë prek emocionalisht dhe si e tillë është shumë lehtë e keqpërdorshme (gjë që është bërë dhe bëhet vazhdimisht po me këtë synim madje).
Po ashtu lehtësisht mund të konkludojmë se jo çdo fitore e partive politike, pozitës dhe opozitës, mund të përkthehet në ‘fitore të popullit’. Një shembull konkret për këtë do të ishte se nuk mund dhe nuk duhet të konsiderohet fitore e popullit nëse në zgjedhjet e ardhshme do të fitonte prapë ky koalicion qeverisës, sikur që, po ashtu nuk mendoj se do të duhej të konsiderohej fitore e popullit po qe se në zgjedhjet e ardhshme do të fitonte opozita aktuale. Këtë e them për faktin se as pozita, e as opozita nuk kanë treguar se janë të interesuara që ta zhvillojnë dhe forcojnë shtetin, por secila në llojin e vet ka dëshmuar se është thjesht një rrezik për shtetin dhe qytetarin e vendit. Madje, në rastin tonë, nuk duhet që të shpresojmë në ‘fitoret e popullit’, sepse aty ku ka fitore të popullit, ka cenim të lirisë individuale, dhe aty ku ka cenim të lirisë individuale, ka vetëm humbje. Andaj thirrja në popull, në ‘fitoret e popullit’ është klithje në pamundësi për të realizuar objektivat në rrugë normale dhe legale.
Përveç kësaj edhe Armendi si shumë të tjerë, i kritikon deri në përqeshje ata që njihen si; analistë, opinionistë, por edhe gazetarët etj., që për çështje të ndryshme japin mendimet e tyre. Këta të fundit kritikohen e përqeshen ose edhe lavdërohen e qe besa edhe bëhen pjesë e strukturave të ndryshme politike, varësisht sesi flasin, sepse diskursi, apo mentaliteti i krijuar nga partitë politike tek ne është i atillë që secilin e kategorizon në dy rafte të paravendosura, ose ‘me ne’ ose ‘kundër nesh’. Në një pozicion të tillë gjykues është edhe Armendi, kur thotë: “Pothuaj në linjë të njëjtë mendimi, si zakonisht, u shfaqën njashtu analistët, opinionistët dhe gazetarët tanë mendjendritur.” Andaj, vargjet populliste nuk na i zgjidhin problemet që kemi, e tëra që mund të bëjnë këto vargje, është të na e mjegullojnë edhe më shumë pamjen. Për këtë ne duhet të mendojmë se tjetri edhe mund të mos pajtohet me ne, madje madje edhe t’mos mendojë sikur ne për çështje të ndryshme, e edhe për demarkacionin.
Sa për koalicionin qeverisës aktual në vend, dhe për keqqeverisjen e tij, pajtohem me Armendin, mbase mendoj se ky koalicion dhe partitë politike kosovare në përgjithësi janë përgjegjëse për instalimin e një mentaliteti të tillë të të bërit politikë, ku kauza e tyre dhe e vetmja me gjasë, të mbetet vetëm pushteti. Aktualisht klima e krijuar në vend nga politka, është rënduar mjaft. Mbase, edhe gjithë kjo etje e shfrenuar për pushtet ka bërë që demarkacioni si një problematikë pothuajse inekzistente të bëhet kauzë politike.
Për fund, unë mendoj të kundërtën e asaj që e potencon Armendi. Që nga shpallja e pavarësisë, vendi nuk pasur regres më të madh deri në problematikën e demarkacionit. Përgjegjës për këtë stagnim nuk është vetëm koalicioni qeverisës, por të gjitha partitë politike pa përjashtim. Andaj, mendoj se kjo ‘disfatë’, siç i referohet Armendi, e partive politike për moszgjidhjen e problemit të demarkacionit është saktësisht humbje për shtetin dhe shoqërinë në përgjithësi.
Për shkak të mosefikasitetit dhe papërgjegjshmërisë së kësaj klase politike, humbësit më të mëdhenj jemi ne, qytetarët e këtij vendi. Ky vend dhe kjo shoqëri nuk ka nevojë për parti politike të paafta dhe politikanë egoistë e inatçorë, por për parti e politikanë të përgjegjshëm. Tani për tani me këto parti politike jemi të paalternativë.
Lexoni edhe:
Armend Mazreku “Disfatat e pushtetit, fitoret e popullit”
Krenar Gashi “Jam shqiptar e kosovar”
Jusuf Thaçi “Kosovarizmi jo-shqiptar vs. Kosovarizmi brendashqiptar”
Armend Mazreku “Kombi, kombëtarja dhe përfaqësuesja”
Abit Hoxha “Kombëtarja apo Përfaqësuesja”