Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pragu zgjedhor dhe kostoja demokratike

Fatkeqësisht si në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri ndryshimet në sistemin zgjedhor dhe kodin ligjor përkatës bëhet vetëm kur afrohen zgjedhjet ndërkohë që në periudhën mes dy zgjedhjeve reforma elektorale neglizhohet tërësisht nga debate publik. Një ndër çështjet më të diskutuara në rastin e Kosovës është padyshim pragu zgjedhor i lartë prej 5% i cili u vendos i tillë për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2007. Në Shqipëri pragu është formalisht i ulët, mirëpo duke patur parasysh ndarjen e vendit në 12 zona zgjedhore atëhere pragu natyror (me përjashtim të Tiranës dhe Fierit) del të jetë shumë më i lartë duke e rritur shumë koston e hyrjes së një aktori të ri politik në vend.

Mesatarja e pragut electoral në vendet e Evropës është pak më shume se 4 % dhe vetëm 5 vende kanë prag më të lartë se 5% . Këto vende janë Turqia (10%), Lihtenshtajni (8%),  Rusia (7%), Gjeorgjia (7%) si dhe Moldavia me 6%. Marrëdhënia mes pragut të lartë elektoral dhe zhvillimit të demokracisë është diskutuar dhe analizuar prej kohësh dhe është vënë re një lidhje shkak pasojë mes pragut dhe cilësisë së demokracisë. Kjo është arsyeja pse sipas rezolutës 1547 të vitit 2007 (58) të Këshillit të Evropës, rekomandohet që demokracitë nuk duhet të kenë prag më të lartë se 3% në zgjedhjet parlamentare në mënyrë që të lejohet përfaqësimi i maksimumit të opinioneve. Sipas kësaj rezolute përjashtimi i grupimeve të ndryshme të qytetarëve prej të drejtës për t’u përfaqësuar politikisht nëpërmjet pragu të lartë zgjedhor është dëmtuese ndaj demokracisë. Sipas kësaj rezolute është e nevojshme që të gjendet një ekuilibër mes përfaqësimit të qytetarëve dhe efikasitetit në parlament apo qeverisje dhe pragu 3% është ideal në këtë aspekt.

Arsyeja kryesore përse duhet që të ulet pragu lidhet padyshim me shtimin e pluralizmit dhe konkurrencës në sistemit partiak. Më e mira për Kosovë do të ishte që të kthehet në 3% siç ka qenë në vitin 2004 për partitë dhe mundësisht të lihej në prag natyror për kandidatët e pavarur. Ndërsa për ta ulur këtë prag Shqipëri do të duhej të hiqej dorë nga proporcionali rajonal duke vendosur një zonë të vetme kombëtare zgjedhore ose së paku duke ulur numrin e zonave zgjedhor enga 12 në 6.

Pragu më i ulët shton konkurencën dhe inkurajon ripërtëritjen e elitës politike inkurajon më shumë parti dhe kandidatë të rinj të këtyre që të marrin pjesë në lojën politike. Pragu i lartë i dekurajon futjen në garë dhe minimizon konkurrencën politike në vend. Mund të hamendësohet se ka figura publike apo të rinj të talentuar që do të donit të donin të angazhoheshin në politike mirëpo nuk mendojnë se partitë ekzistuese i përfaqësojnë më së miri qëndrimet apo synimet e tyre politike. Këta individë do të mund të formonin subjekte të reja politike mirëpo friksohen nga ky veprim sepse shanset për të kapërcyer pragun dhe për t’u futur në parlamnet janë të vogla me pragun 5% sikurse është dëshmuar nga rasti i Partisë reformative ORA në 2007 apo Frymës së Re  në 2010.

Nga ana tjetër ulja e pragut do të shtonte edhe demokracinë e brendshme partiake sepse fraksionet apo zërat ndryshe brenda partisë do mund ta kërcënonin lidershipin e partive të mëdhaja me rrezikun e skizmët, pra shkëputjes dhe formimit të një partie nga e para. Ka pasur raste që ky impakt shumë domethënës sikurse ndodhi me rastin e Lidhjes Demokratike të Dardanisë (LDD) apo NISMA të cilat duke u shkëputur nga partia mëmë ia kanë dalë që të kapërcejnë pragun prej 5%. Mirëpo në përgjithësi ky prag konsiderohet tepër i lartë deh shpesh këto zëra ndryshe detyrohen të heshtin apo konformohen me shumicën e partisë ku janë sepse mundësia për të bërë një skizmë të suksesshme është shumë e ulët. Nëse mundësia për të pasur një shkëputje të suksesshme është e lartë atëhere edhe lidershipi i partive do të detyrohej që të tregohej më gjithpërfshirës dhe tolerues e mirëkuptues sepse mundësia e këtyre fraksioneve për të bërë më shumë presion brenda partisë do të shtohej ngaqë kërcënimi do ishte më real dhe efikas. Kjo konkurencë e shtuar do të kishte impakt të drejtpërdrejtë në rritjen e cilësisë së përfaqësimit politik dhe frymës së debatit të brendshëm në partitë ekzistuese.

Kuptohet që shtimi i konkurrencës politike jo vetëm rrit cilësinë e ofertës politike që i jepet publikut por njëherazi rrit edhe pjesëmarrjen në politikë. Ka studime konkrete që dëshmojnë se sistemi elektoral proporcional kombëtar me prag të ulët është më i përshtatshmi për të shtuar daljen në votime. Pjesëmarrja në votime në Kosovë ka pësuar një rrënie të ndjeshme brenda një dekade duke vajtur nga 51.11% në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 në 42.63% në vitin 2014. Kuptohet që kjo përqindje duhet të jetë de facto më e madhe kur të flitet për rezidentët pasi diku tek 1/3 e listës së votimit duhet të jetë e përbërë me shtetas të Kosovës që gjenden në mërgim, mirëpo tatëpjeta në pjesëmarrje është më së reale. Për të krijuar një ide të trendeve ndërkombëtare të daljes në votime duhet patur parasysh që gjatë viteve 1990-2001 mesatarja e daljes në votim në Evropën Perëndimore ishte 78%, në Oqeani 79%, në Amerikën Qendrore dhe të Jugut 69%, në Amerikën e Veriut dhe Karaibe 65%, në Afrikë 64% ndërsa në rajonin tonë, pra në Evropën Qendrore dhe Lindore ka qenë 72%.

Në aspektin e deformimit të votës duhet përmendur edhe se një prag i lartë bën që votat për partitë që nuk e kapin dot përqindjen e kërkuar të shkojnë dëm dhe ekzistojnë disa raste të çuditshme ku deformimi i votës ka marrë përmasa të jashtëzakonshme. Kështu për shembull në zgjedhjet parlamentare të Rusisë në vitin 1995 mbi 45% e votave shkuan tek parti të cilat nuk kanë kaluar pragun gjë që do të thotë se pothuaj gjysma e vullnetit të popullit ngeli i papërfaqësuar në parlament. E njëjta gjë ndodhi në Turqi në vitin 2002 kur partitë që s’kapërcyën dot pragun morën 45% të votave ndërkohë që Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) me vetëm 34.3% të votave siguroi 363 vende në parlament që përbëjnë 66% të 550 vendeve që ka Mexhlisi turk. Mirëpo duhet thënë që ironikisht ky deformin nuk shkon detyrimisht në të njëjtin drejtim, kështu për shembull në zgjedhjet parlamentare të vitit 2007 Erdogani shtoi përqindjen e votave dhe mori 46.6% të votave ama ato u përkthyen në 341 deuptetë pra më pak vende ë parlament, E njëjta tendencë ndodhi në zgjedhjet e vitit 2011 ku AKP triumfoi me 49.8% të votave ama numri i deputetëve ra në 327.

Në rastin e Kosovës janë dhjetëra mijëra votat e votuesve të Kosovës të cilat shkojnë dëm si pasojë e partive që nuk e kalojnë pragun, sikurse ndodhi me votat e shumta të partisë ORA në 2007, FER-in në 2010 apo AKR-në 2014. Për të matur këtë lloj deformimi të votës përdoret një tregues i disporpocionalitetit apo shpërpjestimit që quhet indikatori Gallagher me vlera nga 0 deri në 100 dhe ku sa më e ulët vlera aq më e ulët është niveli i deformimit apo shpërpjestimit ndërsa sa më e lartë që të jetë aq me i lartë ky nivel. Në vitin 2004 kur Kosova ishte ende me një prag prej 3% ky indikator ishte vetëm 1.78 që tregon se rezultati zgjedhor siguronte një përfaqësim shumë proporcional të votave dhe deformimi ishte minimal. Mirëpo kur e llogarisim këtë indeks në zgjedhjet pasardhëse me prag 5% ky indikator rritet ndjeshëm dhe bëhet 4.4 pra rritet më shumë se dyfish niveli i disproporcionalitetit.

Një ndër argumentet që përdoret nga studiuesit e fushës kundër një pragu shumë të ulët është frika e prishjes së stabilitetit politik në vend nëpërmjet rritjes së fragmentizimit të sistemit partiak.  Mirëpo indikatorët që përdoren për të analizuar instabilitetin politik nëse përllogariten për Kosovë tregojnë se nuk ka ndonjë tendencë apo rrezik të mirëfilltë që të ketë një tronditje të sistemit partia apo përmbysje realitetit politik Kosovar.

Një ndër indikatorët që përdoret në këtë fushë për të matur nivelin e copëzimit apo fragmentizimit të sistemit partiak është indikatori i numrit të partive efektive. Ky indikator nuk llogaritë numrin e partive me sy të lirë pra cilat janë siglat partiake të pranishme, por i mat ato hipotetikisht duke  përllogaritur peshën relative të partive. Nëse numri efektiv i partive, pra indikatori i fragmentimit do të ndikohej nga ndryshimi i sistemit zgjedhor, atëhrë pritshmëria do ishte që me rritjen e pragut dekurajohet fragmentimi dhe ky numër do të vinte në ulje.  Ky numër përllogaritet ose përkundrejt peshës së votave që parti të ndryshme marrin në proces zgjedhor ose përkundrejt numrit të deputetëve që ka në parlament.

Duhet thënë që përllogaritja është bërë qoftë në këtë rast por edhe në rastin e mësipërm të indikatorit Gallagher, mbështetur në votat e partive të komunitetit shqiptar si dhe në 100 ulëset e Kuvendit të Kosovës. Duke ditur që 1/6 e ulëseve të parlamentit janë në dorë të pakicave si pasojë e diskriminimit pozitiv ndaj pakicave të cilat vetë marrin shumë pak vota. Për shembull në vitin 2010, 8 ulëse shkuan tek parti të pakicave që secila më vete nuk mori më shumë se 0.5% të totalit të votave në nivel shtetëror.  Pra nese edhe partitë e pakicave do të përfshiheshin në llogaritje, do të dilte një rezultat që më shume se sa mat impaktin e sistemit të zgjedhor reflekton garancitë kushtetuese apo masat afirmative ndaj pakicave.

Rasti i Kosovës tregon që treguesi i fragmentimit jo vetëm që nuk është ulur pas vendosjes së pragut të lartë në vitin 2007, por madje është rritur lehtë. Kur matet pesha specifike e partive në vota del se në zgjedhjet parlamentare të vitit 2004 me prag zgjedhor 3% numri efektiv ishte  3.32 ndërsa në zgjedhjet e vitit 2007 ky numër vajti 4.88 ndërsa në 2010 vajti 5.02. Parë brenda legjislativit numri efektiv ishte 3.08 në vitin 2004 ndërsa në 2007 dhe 2010 ishte respektivisht 4.19 dhe 4.36.  Kjo do të thotë që jo vetëm që nuk u ul fragmentimi, por pati një rritje të ndjeshme të fragmentimit pra rritja e pragut zgjedhor nuk mund të konsiderohet si ndonjë masë efikase kundër fragmentimit në rastin e Kosovës. Në përgjithësi këto shifra janë të arsyeshme e jo të ekzagjeruara kur ky indikator krahasohet me vende të tjera që kanë një sistem proporcional kombëtar, pra edhe tendenca e fragmentimit mund të duket e vogël.

Një tjetër indikator që flet për stabilitetin apo institucionalizimin e sistemit partiak është ai i volatilitetit apo luhatshmërisë së votave. Për ta matur volatilitetin pra lëvizshmërinë e votave prej një partie në një parti tjetër, përdoret indeksi Pedersen. Në vendet e e tranzicionit ku sistemi partiak nuk është konsoliduar sa duhet kuptohet që ky indeks është i lartë, ndërsa në demokracitë e zhvilluara sjellja elektorale është më e stabilizuar dhe indeksi Pedersen është më i ulët. Në rastin e Kosovës ky tregues del 12.4% që është relativisht i ulët krahasuar me vendet në tranzicion dhe flet për një stabilitet të lartë të votuesve. Në vendet post-komuniste të Evropës Qendrore dhe Lindore indikatori Pedersen është  mesatarisht  27.1,  në Amerikën Latine 21.4, në Evropën Perëndimore 7.7 ndërsa në Shtetet e Bashkuara të Amerikës është 4.5. Me pak fjalë duke llogaritur treguesi i volatilitetit në Kosovë së bashku me një indikator fragmentimi jo të madh flasin për një tendencë drejt institucionalizimit të sistemit partiak dhe konsolidimit të sjelljes elektorale.

Padyshim që këto janë tendenca që mund edhe të ndryshojnë në një kohë të dytë, ka pasur vende të tjera që kanë pasur sisteme partiake edhe më të konsoliduara se ky i Kosovës dhe rrethana të caktuara kanë bërë që të ketë ndryshime thelbësore. Mund të ndodh të vij një lider karizmatik si Berluskoni në vitet 90-të e të krijojë një parti fituese nga e para. Ose mund të ketë kriza ekonomike si kjo botërorja që në Greqi ka nxjerrë një parti krejt të re në fuqi si Syriza ndërkohë që ngjashëm ka cënuar dy-partitizmin spanjoll duke nxjerrë Ciudadanos dhe Podemos.

Megjithatë për momentin mund të thuhet që sistemi partiak është relativisht i institucionalizuar dhe kjo do të thotë që kostoja potenciale e cënimit të uljes së pragut sipas të gjitha gjasave është minimale. Nga ana tjetër përfitimi do të ishte maksimal pasi do të shtohej konkurrenca ndër-partiake por edhe brenda partive, do të nxitej rritja e pjesëmarrjes në politike dhe ripërtëritja e elitës si dhe do të ulej deformimi i votës.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.