Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Prej Detit Jugor të Kinës e deri në Kosovë

Lufta e Parë Botërore filloi me një krismë në Sarajevë. Edhe pse vrasja e Princit Austriak, Arkidukës Ferdinand, në vitin 1914 ishte më shumë nxitje që solli në sipërfaqe lëkundjet e atëhershme gjeopolitike, nuk mund ta nënvlerësojmë faktin që kjo ngjarje u priu dhe ndikoi në një seri keqkalkulimesh të ndërlidhura që eksploduan në konflikt të përgjakshëm global.

Këtë muaj, SHBA-të për herë të parë dolën me qëndrimin e qartë se nuk i njohin si legjitime shumicën e pretendimeve të Pekinit mbi Detin Jugor Kinez. Ky deklarim (edhe pse jo i papritur) ka mundësi të jetë më i rëndësishëm në definimin e rendit global se Lufta Tregtare apo edhe Epidemia COVID-19. Për këtë arsye, ia vlen që të eksplorohen më tutje efektet e kësaj politike Amerikane edhe përtej rajonit e kontinentit aziatik.

Pretendime konkurrente rreth pjesëve të Detit Jugor të Kinës kanë Kina, Vietnami, Filipinet, Malajzia dhe Brunei. Më të rëndësishmet për nga pesha janë ato kineze, të cilat nuk janë të qarta përtej nëntë vijave të deklaruara në vitin 1947 e që shkojnë deri në 1200 milje nautike larg territorit kinez, dhe më afër se 200 milje nautike nga territori i Malajzisë, Filipineve dhe Vietnamit.

Sipas ligjit ndërkombëtar, secili shtet ka të drejta sovrane deri 12 milje nautike larg territorit, dhe të drejta ekskluzive ekonomike deri 200 milje nautike.  Në vitin 2016, Tribunali i Gjykatës së Përhershme për Ndërmjetësim në Hagë kishte vendosur kundër pretendimeve të Kinës, ndërsa Pekini vazhdon të mohojë vendimin.

Rëndësia e Detit Jugor të Kinës është e shumëfishtë, por t’i përmendim dy arsye kyçe që ndërlidhen direkt edhe me audiencën në Ballkan e Kosovë.

Konflikti

I pari është roli që ky det mund të luajë në nxitjen e ndonjë konflikti të izoluar mes ndonjërit prej shteteve përreth dhe Kinës, si dhe përfshirja e mundshme amerikane. Nëse kemi ekonominë e dytë në botë, Kinën e cila pretendon të drejta mbi detin, lundron flotën ushtarake me potencial që të bllokojë lundrimin e flotave tjera ushtarake ose komerciale, ndërsa në anën tjetër ekonomia e parë e cila nuk i njeh si legjitime veprimet kineze dhe do të lundrojë për të siguruar lëvizjen e lirë të anijeve, kjo paraqet mundësinë më reale për një konflikt të drejtpërdrejtë mes dy fuqive.

Një konflikt i tillë edhe mund të evitohet. Por, nëse ndodh mundësitë janë më të larta që të jetë i izoluar ku p.sh. në vend se të përfshihet direkt flota Amerikane ajo ndihmon shtetet sikur Filipinet në konfrontimin e armatosur me flotën Kineze. Edhe pse, çfarëdo forme që do të merrte një luftë e tillë menjëherë do të krijonte një krizë më të madhe në skenën ndërkombëtare. E kemi parë tani p.sh. se si mosbesimi mes SHBA-ve dhe Kinës në mënyrën se si është menaxhuar pandemia, shkaktoi nismën për tërheqje të Uashingtonit nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Ndërsa pakënaqësia e SHBA-ve ndaj menaxhimit të Organizatës Botërore Tregtare në trajtimin e kërkesave ndaj keqpërdorimit të rregullave nga ana e Kinës shkaktoj rrënjë drastike të përkrahjes Amerikane për këtë organizatë. Shumë kritikë e cekin qasjen e Presidentit të SHBA-ve Donald J. Trump në marrjen e këtyre vendimeve, mirëpo po ashtu shumica pajtohen se kriza e sistemit ndërkombëtar është strukturale dhe më e thellë.

Me konflikt të mundshëm në Detin Jugor të Kinës, një krizë edhe më serioze mund ta kaplojë  organizatën e Kombeve të Bashkuara përgjithësisht.

Ndërkohë kemi mjaft shqetësim nga shtetet aleate sikur Gjermania dhe Korea Jugore rreth diskutimeve për zvogëlimin e trupave ushtarake e mundësisht tërheqjes amerikane (edhe nëse fillimisht më shumë simbolike.) Të mos harrohet, një temë e tillë është diskutuar edhe rreth prezencës ushtarake në Kosovë. Të gjitha shpresat janë se nuk ndodhin disa gjëra të këqija në mënyrë të ndërlidhur: lufta në Azi, zbehja e mëtutjeshme e OKB-së dhe rikonfigurimi i trupave amerikane në Evropë ndër tjera e shoqëruar me tërheqje nga Kosova. Por, ilustrimi i një krisme në Sarajevë flet sa një mijë fjalë se si kombinimi i disa ngjarjeve negative thuajse papritur mund ta ekspozojë botën e rajonin drejt destabilizimit – ndërsa, padyshim, edhe Kosovën ndaj rrezikut ekzistencial si një vend i pambrojtur përballë Serbisë.

Çka duket si një ngjarje e largët në Azi, duhet të përcillet me kujdes nga Qeveria e Kosovës, për t’u përgatitur për skenarë të tillë të padëshiruar, por të mundshëm.

Tregtia

Rreth 80% e tregtisë ndërkombëtare transportohet përmes ujit, ndërsa 60% e saj kalon nëpër Azi. Një e treta e tregtisë ndërkombëtare kalon nëpër Detin Jugor të Kinës duke shërbyer si kanal kritik për qarkullimin e mallrave të shkëmbyera nga Kina, Japonia dhe Korea Jugore të cilat varen në ngushticën e Malakës, që ndërlidh Detin Jugor të Kinës dhe Oqeanin Paqësor me Oqeanin Indian. Këto statistika theksojnë rëndësinë ekonomike të Detit Jugor kinez duke shpjeguar gjithashtu arsyen e interesimit kinez e amerikan, por edhe të fuqive tjera.

Një konflikt në Detin Jugor të Kinës nuk është në favorin e Kinës. Rreth 40% e tregtisë kineze kalon përmes atyre ujërave dhe konflikti do të shkaktonte dëme drastike ekonomike. Mirëpo mundësia e përballjes së armatosur nuk mund të evitohet ngase siguria është mbi gjithçka dhe shpeshherë shohim lëvizje që në aspektin ekonomik nuk kanë kuptim (sikur lufta tarifore e tanishme) mirëpo parë nga këndvështrimi i sigurisë kombëtare interesat tjera janë dytësore. Në një konflikt të mundshëm, edhe nëse nuk do të ndikonte në krijimin e një krize më të madhe institucionale sikur zbehja apo zhbërja e Kombeve të Bashkuara, tregtia mund të prekej për periudhën sa zgjat kriza, e cila do të ndikonte në rritje të çmimeve për arsye se, ndër tjera anijet do të duhej të lundronin përmes kanaleve tjera me rrugëtime më të gjata, sigurimet e mallrave do të ngriheshin, luftërat tarifore do të përshkallëzoheshin edhe më tej, dhe të gjitha rrethanat do të shkaktonin rënie ekonomike (e cila në vetvete historikisht ka ushqyer nacionalizëm, luftë, e rënie të mëtutjeshme ekonomike.)

Edhe pse tani gjendemi në një periudhë e cila shpesh po quhet deglobalizim, njerëzimi asnjëherë nuk ka qenë më i ndërlidhur. Në vitet që vijojnë do të ketë rajonalizim të mëtejshëm të prodhimit, rritje të konkurrencës mes Perëndimit dhe Kinës etj. Por, globalizimi nuk zhbëhet. Globalizimi vetëm do të zhvillohet me karakteristika tjera.

Kjo nënkupton se ndërlidhja ndërkombëtare do të vazhdojë edhe në periudha konflikti, dhe se shtetet do të jenë edhe më të varura në njëra tjetrën se ato në vitin 1914, 1945 por edhe 2001 kur Kina ju bashkëngjit Organizatës Tregtare Botërore. Me këtë kontekst në mendje, çka ndodh në Detin Jugor të Kinës padyshim se do të ketë ndikim ekonomik e edhe politik në Ballkan dhe Kosovë.

Ndërsa, Kosovës i mbetet përgjegjësi urgjente të fillojë të shikojë përtej betejave të brendshme politike e rajonale në mënyrë që të mos befasohet një mëngjes kur shtyllat e sistemit ndërkombëtar mund të kenë ndryshuar në mënyrat më të çuditshme.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.