Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Presidenti dhe pamundësia e konsensusit

 

Tre vite më parë, më 26 shkurt, Kuvendi i Kosovës zgjodhi Hashim Thaçin President të Republikës së Kosovës. Ai kishte fituar me 71 vota në rrethin e tretë, pasi që në dy rrethet e para nuk ia doli të sigurojë dy të tretat e votave të deputetëve. Zgjedhja e tij u kundërshtua ashpër nga partitë opozitare që dy herë radhazi kishin ndërprerë seancën duke hedhur gaz lotsjellës. Për këtë arsye nga disa ai është quajur edhe “President i gazit”. Pra që në start, ai ishte përballur me një ambient të polarizuar dhe të tensionuar politik ku komunikimi dhe bashkëpunimi do të ishte i vështirë. Në këto kushte, arritja e marrëveshjeve të gjera ishte gati e pamundur dhe e rëndë.

Vetëm të kujtojmë marrëveshjen për demarkimin e kufirit me Malin e Zi që ishte nënshkruar nga z. Thaçi gjatë kohës sa ai ishte Ministër i Punëve të Jashtme! Tensionet ishin rritur, gazi ishte bërë normalitet në seancat parlamentare, kurse gjasat për unitet ishin gati zero. Cilat janë shkaqet për këtë mungesë uniteti? Sa është fajtor vetë Thaçi dhe a ka faktorë strukturorë dhe dinamika objektive që e vështirësojnë krijimin e një boshti politik që bashkon politikëbërësit në vend?

Çfarë dihet sigurt është se gjatë kohës së tij si President, zoti Thaçi nuk ka arritur në asnjë moment ta unifikojë skenën politike. Ai nuk ia ka dalur që të ushtrojë në praktikë funksionin e tij si bashkues i spektrit politik. Kjo ka ndodhur për dy arsye kryesore. E para, gjatë kohës sa ai ka qenë Kryeministër i vendit, por edhe më herët, është njohur si partner i papërshtatshëm politik nga partitë dhe akterët tjerë politikë. Në mesin e akterëve tjerë politikë ky fakt ka akumuluar një mosbesim gjithnjë e në rritje për të. Duke qenë themelues dhe udhëheqës i PDK-së për shumë vite, prapavija dhe e kaluara e tij partiake ende i bën hije të madhe aktivitetit të tij aktual politik. Ai ende perceptohet si bashkudhëheqës i PDK-së dhe kjo ia pamundëson atij që të krijojë lidhje mbipartiake me akterët politikë. Ai perceptohet si përfaqësues i një pjesë të veçantë dhe jo i tërësisë së përbashkët.

Madje, kohëve të fundit ai ka pasur edhe përplasje me kryetarin e PDK-së, Kadri Veselin. E dyta, Presidenti Thaçi ka punë me një spektër politik çdo herë e më të fragmentuar. Partitë e mëdha dikur, tani janë duke u zvogëluar, kurse partitë e vogla dikur, tani po rriten. Në këtë moment partia e parë pritet t’i ketë diku 25%, ndërkohë që vendi i dytë, tretë dhe katërt pritet t’i kenë 15 deri 23%.  Dikur partia e parë në vend kishte afër 50%, pastaj afër 35%, ndërkohë që tani ka rënë në 25%. Skena politike është duke u bërë më komplekse dhe më heterogjene. Secila parti ka axhendën dhe vizionin e vet dhe në këtë shumësi pikëpamjesh është e vështirë të gjesh emërues të përbashkët praktikë për të gjithë këta akterë.

Pastaj skena politike tani është shumë më e polarizuar sesa në kohën e Presidentëve Atifete Jahjaga, Ibrahim Rugova dhe Fatmir Sejdiu. Në mandatin e tij të parë, Presidenti Rugova ishte bërë President me marrëveshje gjithëpërfshirëse. Në mandatin e tij të dytë nuk ishte zgjedhur me unanimitet, por formimi i Ekipit të Unitetit për negociatat e Pavarësisë në Vjenë, i mundësoi që të bëhet faktor unifikues politik. Presidenti Fatmir Sejdiu e trashëgoi këtë klimë derisa u dorëhoq për shkak të shkeljes së Kushtetutës. Ndërkohë që Presidentja Atifete Jahjaga luajti rol unifikues, por më pasiv, për shkak që ishte shumë e afërt me ShBA-të, dikur një faktor vendimtar i unitetit. Gjatë kohës së Presidentit Thaçi në krye shtetit ka pasur më së paku unitet.

Ardhjes së Thaçit në ulësen e Presidentit i parapriu ngërçi politik i krijuar pas zgjedhjeve të vitit 2014, kur LDK, VV, AAK dhe NISMA formuan një bllok politik për t’ia pamundësuar Hashim Thaçit që të fitojë mandatin e tretë si Kryeministër i Kosovës. Pas 6 muajve bllokadë, LDK-ja braktisi VLAN-in dhe u bashkua me PDK-në për të formuar koalicion qeverisës. Pjesë e marrëveshjes ishte edhe votimi i zotit Thaçi për President. VAN-i kishte bërë përpjekje të mëdha për ta ndaluar një gjë të tillë. Pjesë e masave të tyre ishte edhe gazi lotsjellës dhe molotovët jashtë ndërtesës së Kuvendit. Pra shihet se që nga fillimi, Thaçi nuk respektohej si figurë unifikuese. Klima e krijuar ato ditë është ende e pranishme, ndërkohë që dialogu me Serbinë vetëm se e ka thelluar atë. Këto dallime nuk i zbutë as fakti që zoti Ramush Haradinaj është Kryeministër i një Qeverie të formuar nga AAK dhe partia e dikurshme e Presidentit Thaçi, PDK-ja. Pra as koalicionet qeverisëse nuk po ia dalin ta shtendosin situatën e tensionuar. Politikat e konsensusit kanë humbur hapin.

Kjo vërehet edhe në procesin aktual të dialogut, proces i monopolizuar nga Presidenti. Kjo i ka tëhuajsuar pjesërisht partitë politike dhe një qasje e tillë ia ka pamundësuar zotit Thaçi që të shndërrohet në një forcë gravitacionale rreth së cilës mund të grumbullohet spektri politik. Kosova tani nuk ka Ekip të Unitetit dhe në dialog po futet e pabashkuar dhe me shumë këndvështrime, që jo vetëm se janë të ndryshme, por edhe janë të kundërta. Por një gjë e tillë nuk ndodh vetëm për shkak të karakterit përçarës të Presidentit, por edhe për shkak të një relievi politik gjithnjë e në ndryshim. Kosova po përballet me një spektër gjithnjë e më të fragmentuar dhe më të polarizuar, ku partitë politike janë më agresive dhe pa konstruktivetin e nevojshëm, sidomos në këtë periudhë të ndjeshme për vendin.

Pra mungesa e një uniteti politik nuk e ka një shkaktar dhe nuk është trafik i njëanshëm që niset nga Zyra e Presidentit dhe mbërrin tek partitë politike, por ka shumë shkaktarë dhe është trafik i dyanshëm, ku polarizimi prodhohet edhe në Zyrë të Presidentit, edhe tek partitë politike. Lajmi i keq është që asnjë parti në Kosovë nuk e ka një kandidat që mund të jetë gjenerator i unitetit. Ne vetëm jemi futur në politikën e disensusit, ku akterët politikë nuk orientohen drejt arritjes së një marrëveshjeje të gjerë ndërpartiake dhe ndërinstitucionale, por priren ta shohin fushën politike si një luftë të përhershme të blloqeve për hegjemoni. Dëmi më i madh nga kjo është që edhe institucionet që duhet të gjenerojnë unitet nacional, do të bëhen gjithnjë e më shumë instrumente të luftës për dominim. Urat e kulturës pluraliste janë djegur. Tani kemi mure që ushqejnë antagonizma. Këto mure janë garancë se bllokadat dhe ngërçet politike do ta shoqërojnë gjatë shoqërinë kosovarë dhe nuk do të ketë president që do të mund t’i shmangë lehtë.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.