Do ta fillojë këtë diskutim me dy pohime. Së pari, përkundër problemeve me sistemin tonë arsimor dhe mundësive të kufizuara të të rinjve dhe profesionistëve për të avancuar në fushat e tyre përkatëse, shikuar nga pikëpamja historike, mund të thuhet se shoqëria kosovare asnjëherë më parë nuk ka pasur një sasi e cilësi të krahasueshme të të shkolluarve dhe profesionistëve të fushave të ndryshme të dijes. Megjithkëtë, dhe së dyti, mund të thuhet se në shoqërinë tonë ndjehet një krizë e intelektualit. Pra, kemi një numër të të shkolluarve dhe profesionistëve të trajnuar dhe me përvojë në fushat e specializimit të tyre, por megjithkëtë, nuk kemi intelektualë, domethënë profesionistë me përgatitje teorike dhe përvojë praktikë në fushat e profesionit të tyre që e përdorin edhe jashtë fushave përkatëse në betejat politike për ndonjë kauzë publike. Nga vjen kjo krizë?
Vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar në Kosovë përbëjnë një periudhë të frytshme për intelektualët. Atëbotë, kishim një kauzë të madhe: çlirimin kombëtar, që linte në hije të gjitha çështjet tjera politike e kulturore, si, bie fjala, problemet e identitetit, gruas, shkencës, artit e fesë. Në atë kontekst, intelektuali asociohej me çështjen e madhe ose universale të çlirimit kombëtar. Në mesin e intelektualëve të tillë u shquan Ukshin Hoti, Fehmi Agani, Ibrahim Rugova, Rexhep Qosja, e tjerë. Kjo shpjegon, pjesërisht, edhe përse sot nuk ka intelektualë të tillë. Sot, meqenëse nuk ka një kauzë universale që mund të lë në hije çështjet tjera që ziejnë në kazanin shoqëror, nuk është mjedis i frytshëm për intelektualë të tillë universal. Në vend të kësaj, e tëra çfarë mund të shpresojmë në këto rrethana janë intervenime nga specialistë të fushave të veçanta që do të zhvillojnë betejat lokale në fushat specifike të specializimit të tyre. Në këtë kontekst, përpjekja e dikujt për t’u imponuar si intelektual universal, dmth që flet në emër të të gjithëve ose të një kauze të madhe, është e pashpresë.
Para kësaj periudhe, në sistemin monist jugosllav, intelektuali ishte në shërbim të ideologjisë zyrtare titiste që nuk e duronte pluralizmin. Pretendohej se teoria marksiste e materializmit historik kishte zbuluar ligjin e dinamikës shoqërore e politike dhe se ky narrativ i madh që kaplonte në shpjegimin e tij ombrellë tërë problemet kulturore e politike, intelektualët ideologë që e promovonin atë i vishte me një siguri shkencore. Natyrisht, me rënien e këtij narrativi të madh, intelektualët u zhveshën nga kjo siguri dhe, kësisoj, edhe inteligjencia e tillë ra.
Në shoqërinë post-komuniste dhe pas pushtimit serb, instancat apo hapësirat ku krijohet dija dhe mësohen të vërtetat janë më të shumta dhe më të diversifikuara: universiteti, forumet qytetare, institutet hulumtuese, mediat, platformat në internet, botuesit e librave, forumet dhe kompanitë e prodhimit artistik, shoqatat, strukturat politike, etj. Mirëpo, për fat të keq, politika mbizotëron të tjerat dhe i zë frymën shoqërisë civile dhe diskurseve që krijohen e mund të krijohen në to. Ajo imponohet me arrogancë si autoriteti më i lartë i dijes edhe falë hapësirës që i japin mediat. Por, në një shoqëri të emancipuar, politika nuk mundet me qenë e autoritet i dijes. Ajo, për nga natyra e saj, si fushë e veprimit dhe jo e mendimit, është një fushë ku, në radhë të parë dhe mbi të gjitha, nuk synohet arritja tek e vërteta në vete dhe për hir të saj, por synohen të vërtetat që janë në funksion të veprimit pragmatik dhe që, mbi të gjitha, sigurojnë rritjen dhe forcimin e fuqisë politike.
Si ilustrim jo tipik, por, gjithsesi, si rrjedhojë e logjikshme e tendencës mbizotëruese të diskursit politik, shohim se çfarë ka ndodhur prej se pushteti ka pretenduar autorizime mbikushtetuese gjatë pandemisë së Covidit: në gjendjen e jashtëzakonshme të pandemisë, pushteti që është mbi ligjin, ndaloi arsimin, kulturën, fenë, sportin e argëtimin: shkollat e universitetet, teatrot e muzetë, galeritë e panairat e librit, festivalet e koncertet, kishat e xhamiat. Pushteti e lejoji vetëm politikën dhe “zëdhënësit” e saj, televizionet: u ndërruan qeveritë, u bënë marrëveshjet “historike” dhe në televizion u analizuan zhvillimet politike ps kurrfafrë kufizimi. Me një fjalë, pushteti mbylli shoqërinë qytetare dhe e forcoi shoqërinë politike. Nuk do mend, se në kushte të tilla, autorititet i dijes priret të dominohet nga politika që gjithnjë e më tepër ngushton hapësirën për instancat tjera ku krijohet dhe përhapet dija.
Veç kësaj, kemi një kategori të re që duke u shërbyer me mundësitë që i ofron pluralizmi medial, veçanërisht televizioni e interneti, synon të imponohet si autoritet i dijes, por pa pasur përgatitje profesionale për këtë. Të tillët janë të ashtuquajrit “analistë” a “opinionistë” që ftohen në debate televizive dhe shkruajnë kolumne në portale a gazeta elektronike. Problemi me “analizat” e tyre është se, në të vërtetë, nuk janë analiza, por opinione. Në shoqëri të lirë e të hapur, të drejtë në opinion ka çdokush, por amplifikimi që media (televizioni, sidomos) ia mundëson opinioneve të tyre, në dëm të opinioneve të të tjerëve, është abuzim me pushtetin medial. Pse duhet që opinion i dikujt të paraqitet si më meritor të shprehet në televizion se i të tjerëve?!
Rrjedhimisht, ajo çfarë rezulton nga kjo nuk është opinion publik, dmth që vjen nga publiku, por opinione (që kushedi se nga burojnë) që servohen e imponohen në publik me fuqinë e mediave. Pra, është manipulim me opinionin publik. Tjetër gjë është nëse ato me të vërtetë kishin me qenë analiza të bazuara në studime të mirëfillta dhe të formuara nga njohuri specialistësh. I papërfillshëm është numri i atyre analistëve në studiot e debateve televizive që ftohen aty sepse kanë njohuri të thella për atë që flasin, ose në sajë të përgatitjes së tyre profesionale ose në sajë të studimeve a hulumtimeve që i kanë kryer për ato çështje.
Për të përmbledhur, intelektuali është në krizë. Në vend të kësaj, kemi politikanët që imponohen si autoritete të dijes, duke dominuar dhe ngushtuar hapësirën e burimeve alternative të dijes nga shoqëria civile, si dhe të ashtuquajturit “analistë” që në mungesë të përgatitjes teorike ose përvojës, ose të dyjave bashkë, pretendojnë të kryejnë punën e intelektualit. Mirëpo, mungesa e kompetencës shkencore teorike dhe praktikës profesionale, që kishin me qenë themele për krijimin e pikëpamjeve të reja racionale, plotësohet me paragjykime e qëndrimet emocionale që në televizion artikulohen si gjykime dhe dikotomi në mes “heronjve” e “tradhëtarëve”, “pro-amerikanëve” e “antiamerikanëve” e të ngjashme.