Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Profesione për gratë

“Çka do të thotë të jesh grua? Ju siguroj që nuk e di. Besoj që as ju nuk e dini. Nuk besoj që do ta kuptojë ndokush derisa ajo ta ketë shprehur veten në të gjitha artet dhe profesionet në dispozicion për shkathtësitë e njeriut.” Virginia Woolf, 1931

Jeta publike dhe profesionale zotërohet nga burrat, dhe gratë janë gati tërësisht të përjashtuara nga tregu i punës. Mungesa e vullnetit politik dhe qeveritar për të investuar në programe të qëndrueshme të punësimit, dhe barrierat kulturore vazhdojnë të jenë ndër faktorët kyçë që gratë ngelin në shtëpi në rolin pasiv dhe të mbivlerësuar të nënës dhe gruas. Me fjalë të tjera, pastruese dhe shërbëtore pa pagesë.

Mundësitë në  dispozicion për gratë  për t’u qasur në treg të punës, për t’u pavarësuar ekonomikisht apo për të mbajtur familjen janë tejet të pakta. Kjo na bën që mundësitë për zhvillim karriere apo profil profesional për gratë, t’i konsiderojmë lukse për një grup të caktuar të grave, sidomos atyre më të reja në moshë, që kryesisht jetojnë në zona urbane, dhe atyre me karakteristika të tjera të “pranueshme kulturore” qoftë imazhi i një gruaje bashkëkohore pa shami apo pa kufizime fizike (ang:able-bodied).

Sipas një hulumtimi në vend, del që numri i grave të angazhuara në fusha të ndryshme në tregun e punës në Kosovë është tejet i vogël në krahasim me atë të burrave. Gati në të gjitha fushat (me përjashtim qepjen dhe kultivimin e pemëve), gratë janë të nënpërfaqësuara, madje edhe atëherë kur kanë arsimim apo kualifikim më shumë se burrat. Hulumtimi në fjalë mes tjerash dëshmon se sa shumë ka nevojë të investohet në shkathtësitë punuese të grave e burrave, dhe përmbysje të pikëpamjeve konservatore të ndarjes gjinore të punëve dhe profesioneve.

Ka shumë teori e praktika suksesi të ofruara nga ekspertë/e për t’i integruar gratë në tregun e punës. Por sidomos në tejkalimin e barrierave që kultura patriarkale i prodhon, mësimet nga librat emancipues të shkrimtares së shkathët dhe vizionare, Virginia Woolf, janë të vlefshme. Ato më kanë ndihmuar që personalisht të lirohem nga barriera të tilla në këtë Kosovë të vogël dhe të izoluar.

Në fjalimin e saj “Profesione për gratë” në vitin 1931, Woolf fillimisht e pranon se është e vetëdijshme që është grua e privilegjuar dhe mundësitë e saj për t’u avancuar profesionalisht nuk i gëzojnë gratë që qëndronin para saj duke e dëgjuar fjalimin në fjalë. Por prapëseprapë, janë dy pengesa që ajo mendon se ia zënë rrugën pothuajse secilës grua pavarësisht profesionit. Ato pengesa janë ende relevante, ende të pranishme dhe mjaft serioze, por pengesa që me një shtytje sado të vogël, gratë mund t’i tejkalojnë edhe vetë.

E para: Vraje “engjëllushen e shtëpisë”. Sipas poezisë së poetit anglez Coventry Patmore më 1854, “engjëllushja e shtëpisë” është vetë gruaja; sinonim me ‘harenë shtëpiake’. Woolf shpjegon se “engjëllushja” është  modeli tipik që mbillet thellë në ‘nënvetëdijen tonë femërore’. Ajo është jashtëzakonisht e hijshme; i dhemb shpirti për të tjerët, mund të jetë çkado pos egoiste; shkëlqen në artin e vështirë të jetës familjare; sakrifikohet çdo ditë; nuk ka mendim apo dëshirë të vetin por preferon të bashkëndjejë me të tjerët. Mbi të gjitha, është e çiltër; kur skuqet duket edhe më e hijshme.

Për të vlerësuar veprat e shkrimtarëve (burra) përmes shkrimeve me të cilat Woolf ka filluar karrierën e saj të bujshme letrare, asaj i është dashur ta vrasë këtë fantazmë e cila e udhëzonte që në vlerësimet e saj të jetë e butë, të lajkatojë, të mashtrojë, dhe assesi të mos e marrin vesh të tjerët të vërtetën e hidhur: që ajo mendon. “Pasi që e vrava rëndë, thotë Woolf, nuk më mbeti tjetër pos të punoj, të mendoj e të kultivoj shkathtësitë e shkrimit”. Por, e rrënjosur thellë në vetëdijen e saj mbetej brenga se çka do të thonë burrat për një grua që e thotë të vërtetën për pasionet e saj dhe për vetë mendimet e saj. Kjo ishte pengesa e dytë që Woolf (në kohën kur e ka mbajtur këtë fjalim), e pranoi se nuk kishte arritur ta tejkalojë plotësisht.

Deri para 40-50 vitesh, ndërprerja e shkollës ka qenë realitet për shumicën e vajzave përderisa për djemtë jo; problem i pranishëm ende, ndonëse në rrethana të tjera. Roli shërbyes ka qenë e vetmja shkathtësi që mbetej për vajzat të kultivojnë; ta shpenzojnë energjinë trupore e ta shterrin trurin nga pasiviteti i detyruar mendor. Si të vogla, ne mësohemi të kujdesemi për të tjerët; t’ia qesim kafenë babit, t’ua shtrojmë bukën vëllezërve apo ta pastrojmë tavolinën pasi që ata të ngopen, dhe trajnohemi t’u shërbejmë mysafirëve me shkathtësi e hijeshi; “ule dorën”, më kujtohet këshilla e grave të familjes që me zë të ulët më pëshpëritnin kur i shërbeja kafetë me tabakë mysafirëve. Ky rol i mjeshtëruar për t’i shërbyer dhe kënaqur të tjerët (edhe atëherë kur mësojnë e vijojnë shkollën me sukses) ende shërben si mjet miratues për përmbushje të rolit të vajzës.

Në të gjithë institucionet dhe sektorët e punës në Kosovë, jo vetëm që dominon prania e burrave në pozitat më të larta, por rrjetëzimi mes tyre po ashtu ngulmon.Studime të ndryshme pohojnë se ndër mënyrat më efikase për të gjetur punë dhe mbajtur pozita udhëheqëse është përmes rrjetëzimit, shpesh atij joformal me shokë apo të njohshëm duke ofruar informacione, burime, përkrahje dhe shkëmbime favoresh. Përderisa një grua mund ta humbë vendin e punës (apo të shkëputet nga puna për një kohë) për shkak të shtatzënisë dhe lehonisë, ajo shumë shpejt zëvendësohet me dikë tjetër (grua apo burrë). Por burrat mbesin në pozita e vende të caktuara pune, krijojnë stabilitet e kontakte, lëvizin e negociojnë, dhe në kombinim me rolin superior që e gëzojnë në familje e shoqëri ata e shohin veten Zot edhe në vende pune.

Qëndrime dhe praktika të tilla patriarkale, të kultivuara në mënyrë aktive dhe strukturore, i bën burrat si grup shoqëror që të mos dyshojnë në kapacitetet e tyre mendore e profesionale, t’i gëzojnë ato që i fitojnë dhe të mburren çdo herë e më shumë. ‘Engjëllushet e shtëpisë’ në anën tjetër, janë nën pikëpyetje të vazhdueshme (nga vetë ato dhe të tjerët) nëse e meritojnë një pozitë të caktuar pune, një rrogë të rregullt e të qëndrueshme apo mundësi për ngritje kapacitetesh dhe promovim.

Rebelimi te ne vjen në nivel personal dhe për ato të cilat nuk kanë zë dhe ende përvetësojnë tipare të dëmshme që buron nga zëri i rrejshëm i ‘engjëllushes së shtëpisë’. Të gjithë këta burra në krye të institucioneve qeveritare dhe atyre joqeveritare në vend nuk i gëzojnë këto pozita se janë të gjithëdijshëm apo se janë më të mirë se ne. Ata po vazhdojnë të luajnë lojën shekullore me plot privilegje mashkullore përderisa ne gatuajmë për ta, ua pastrojmë shtëpinë, ua rrisim fëmijët dhe kujdesemi për prindërit e tyre.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.