Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse Bashkimi Europian nuk mund të bëjë politikë të jashtme

Udhëtimi i Josep Borrell-it në Moskë vërtetoi gjendjen e mjerueshme të politikës së jashtme europiane, e cila është pa kahje dhe pa strategji. Duke filluar me Gjermaninë, shtetet anëtare duhet të mendojnë përtej interesave të tyre kombëtare.

Gjatë katër viteve të fundit, Bashkimi Europian pati mundësinë e rrallë të fillojë të veprojë strategjikisht. Pastaj, presidenti amerikan Donald Trump, i cili po çmontonte lidershipin global amerikan, kishte vetëm përbuzje për BE-në, NATO-n, marrëdhëniet transatlantike, dhe institucionet shumëpalëshe.

Çfarë mundësie mund të ishte kjo për europianët që të provojnë të mbushin zbrazëtirën ndërkombëtare të krijuar nga administrata e Trump-it. Përkundrazi, ata e çuan dëm këtë mundësi. Duket sikur ata preferojnë ta kritikojnë, për të mos thënë përqeshin adminsitratën amerikane – në vend se të mobilizojnë përkrahjen publike në Europë, për të ndërtuar një politikë të jashtme më strategjike të BE-së. Kjo është çfarë është munduar dhe ka dështuar ta bëjë presidenti francez Emmanuel Macron.

Vizita e kryediplomatit Josep Borrell në Moskë më 4-6 shkurt vërtetoi këtë gjendje të mjerueshme të politikës së jashtme europiane. E mjerueshme sepse i mungon kahja dhe strategjia. Shumica e shteteve anëtare, e veçanërisht Gjermania, nuk shohin interes që t’i japin Borrell-it autoritetin që i duhet për të krijuar një politikë të fortë të jashtme. Paraardhësit e tij kanë qenë në të njejtën pozitë të dobët, falë kryeqyteteve të Europës.

Nuk është çudi që pas kthimit nga Moska, Borrelli u shfaq defanziv në blogun e tij. Krahasuar me të, deklarata e ministrit të jashtëm rus Sergei Lavrov qe me vetëbesim, gati me përçmim. Kjo bëri të kuptohej se kryediplomati i Europës udhëtoi në Moskë me valixhe të zbrazët.

Pas vizitës që përfshiu një konfrencë  të përbashkët shtypi disi “agresive”, menjëherë pas përjashtimit të tre dimplomatëve të BE-së nga Rusia, Borrell-i shkruante se “autoritetet ruse nuk deshën të shfrytëzonin mundësinë për të pasur një dialog më konstruktiv me BE-në. Ndonëse jo krejt e papritur, kjo është për keqardhje… [dhe] ne do të duhet të mendojmë për pasojat.”

Megjithatë, e kundërta është e vërtetë. Moska e di se çfarë do nga BE-ja: një marrëdhënie që bazohet në qasje veç e veç me secilin shtet anëtar – që është pikërisht mënyra se si p.sh. bën politikë të jashtme, ekonomike dhe tregtare me Gjermaninë.

Në anën tjetër, BE-ja dhe shtetet anëtare – së bashku – nuk e dinë se çfarë dialogu ose marrëdhënie duan me Rusinë. Qendrimi i Gjermanisë është posaçërisht enigmatik.

Si udhëheqëse e vendit më të rëndësishëm të BE-së, kancelarja gjermane Angela Merkel ka autoritetin t’i japë Europës politikën e jashtme për të cilën ka aq shumë nevojë. Por Merkel nuk është stratege. Po të ishte ashtu, do ta përdorte gazsjellësin Nord Stream 2 si forcë negociuese me Moskën.

Kjo mungesë e të menduarit strategjik nuk do të ndryshojë nën administratën e presidentit amerikan Joe Biden, e cila po lëviz me shpejtësi në fushën e politikës së jashtme. Përkundrazi, dhe kjo i referohet përsëri Gjermanisë, ajo do të ndryshojë vetëm atëherë kur Berlini të bëjë kapërcimin nga të mbrojturit e interesave kombëtare në të mbrojturit e interesave europiane dhe të dhënit autoritetin që i duhet BE-së që të projektojë një politikë të jashtme të fortë e të përbashkët, të tillë që kombinon interesat me vlera.

Kështu siç është, edhe përbrenda BE-së, Gjermania po e bën të kundërtën. Merkel mund ta kishte përdorur ndikimin e saj të konsiderueshëm në Partinë Popullore Europiane (EPP), bllokun politik në Parlamentin Europian që përfaqëson partitë konservatore, që të përjashtojë partinë Fidesz që qeverisë me Hungarinë.

Po, Fidesz është suspenduar. Por, ende bën pjesë në EPP. Megjithëkëtë, dëmi që ka shkaktuar lideri i saj, kryeministri hungarez Viktor Orban, mbi demokracinë, ndarjen e pushteteve, mediat, lirinë akademike, dhe shoqërinë civile të Hungarisë që prej vitit 2010 –duke ia hedhur ndërkohë pa therrë në këmbë – dëmton vlerat dhe interesat e BE-së si të tërë. Vendet si Polonia dhe Bullgaria tash e dinë se edhe ato mund t’ia hedhin lehtë duke minuar sundimin e ligjit dhe duke thelluar korrupsionin.

Paaftësia për të mbrojtur kolektivisht interesat dhe vlerat përbrenda BE-së ka reperkusione në politikën e jashtme. Kjo çon ujë në mullirin e Kinës, Egjiptit dhe Rusisë – mes të tjerave – liderët e të cilave vërejnë dobësitë e BE-së në politikën e jashtme. Kjo u mundëson atyre të ndjekin interesat e tyre me qeveritë individuale europiane.

Përkundër “brengosjes së thellë” rreth burgosjes së liderit rus të opozitës Alexei Navalny, apo tentimvrasjes me substancë kimike, apo sulmeve kibernetike ruse ndaj parlamentit gjerman, apo kërcënimeve të Kinës për vendosje të embargos ndaj vendeve të BE-së që e kritikojnë hapur shtypjen e demokracisë në Hong Kong, apo represionin në Bellorusi, përgjigjet e Europës nuk kanë qenë as për së afërmi serioze.

Fakti se liderët e institucioneve të BE-së nuk kanë arritur të kundërshtojnë forumin 17+1, ku takohen rregullisht Pekini me një grup vendesh të Europës Qendrore, Lindore dhe të Ballkanit, për të promovuar interesat ekonomike, është shembull i përsosur i politikës së suksesshme kineze ‘përçaj-e-sundo’ në Europë.

Gjithashtu është shembull i përsosur për atë se si 12 shtetet anëtare të BE-së të përfshira në këtë format, kanë shkelur me dy këmbë vlerat e BE-së. Kur vjen puna te mbrojtja e vlerave themelore, bëhet gjithnjë e më vështirë për Brukselin që të merret me Pekinin – siç tregon marrëveshja e fundit e investimeve BE-Kinë. Vlerave nuk u jepet rasti.

Asnjë prej të lartpërmendurave nuk e bën më të lehtë rolin e Borrell-it.

Në fund të blogut të tij, ai shkruan: “Ngujimi prapa mureve dhe thirrja e të tjerëve prej atij pozicioni nuk do të sjellë siguri më të madhe për BE-në, ”duke shtuar se “ne do të përballemi me sfida, përfshi takimin e të tjerëve në vendet e tyre, tamam atëherë kur shpalosen ngjarjet negative…”

Ka të drejtë. Megjithatë, kjo me siguri do të thotë me siguri të udhëtosh i pajisur me strategji që kombinon vlerat, interesat, dhe qëllimet e përbashkëta. Deri më tash, interesat kombëtare në Europë nuk kanë lejuar të ndodhë kjo. Vështirë se kjo do të ndryshojë.

***

Artikulli origjinal në Carnegie Europe, më 9 shkurt.

***

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.