Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse e si të flasim për problemin e fesë

Pak ka tema që nxisin debate më të zjarra në hapsirën tonë publike sesa feja dhe raporti i shoqërisë multifetare dhe shtetit laik me të. Shoqëria jonë ka nevojë për integrimin e studimit të fesë e fetarizmit dhe çfarëdo që lidhet me to në programet studimore dhe hulumtuese, që të zbulojë se cili është problemi me fenë. Programe të tilla që kishin me u drejtu nga institucionet akademike dhe hulumtuese, ishin dashtë të shtrojnë pyetjet më të rëndësishme e të ngutshme vijuese: përse e si po kthehet feja, në ç’trajta po kthehet ajo, cilat janë efektet e këtyre trendeve, si dhe në përgjithësi, çfarë mund të ndihmojnë perspektivat historike, antropologjike e sociologjike në kuptimin e fesë, e të ngjashme.

Feja është kthyer fuqishëm si praktikë private e publike si dhe në debatet publike në shoqërinë tonë. Dhe jo, kur them “fe” nuk e kam fjalën veç për Islamin, sado që në këtë diskutim Islami na del si më relevant, jo vetëm për peshën sociologjike që ngre fakti se myslimanët janë shumicë në shoqëri, por edhe për arsye tjera që kanë të bëjnë me problemin e “Islamit radikal” në kontekst të “luftës kundër terrorizmit e radikalizmit islamik”. Kjo ka zgjuar interesimin e gazetarëve, komentuesve medialë e hulumtueseve. Kthimi i fesë dhe fetarizimi i individëve dhe I shoqërisë është një fakt i pamohueshëm. Në fakt, këtë e mohon vetëm kush do të mbyllë sytë para realitetit.

Feja, pra, po kthehet. Por, kthimi i fesë per se nuk është problem. Andaj, këtë prirje nuk duhet gjykuar a priori. Problemi është se feja i vjen personit si pako e plotë me shumë gjëra në të që nuk i ka kërkuar. Dhe kjo nuk duhet me na zënë të papërgatitur. Na duhet rini e edukuar dhe e kulturuar, interesimi dhe entuziazmi i të cilëve nuk do të përdoret nga prozelitizmi fetar për të injektuar tek ata ide anakronike e ideologji prapambetëse, si për shembull se krejt përgjigjet, ose ato më kyçet për çështjet jetësore, etike, politike e madje shkencore, janë në libra të shenjtë dhe/ose në korpusin interpretues të tyre nga shekujt e kaluar.

Pse të flasim për fenë–Rimendimi i traditës fetare si emancipim shoqëror

Nuk ka emancipim të shoqërisë pa debat rreth fesë. Hapi i parë dhe i pashmangshëm drejt emancipimit kalon nëpër kritikën e fesë. Përse? Sepse tranzicioni nga një shoqëri tradicionale në një moderne, nuk ka me ndodhë pa u përballë shoqëria me të kaluarën e saj dhe pa e vështruar traditën e saj kulturore në sy. Nuk do mend se në atë të kaluar dominonin strukturat dhe kultura tradicionale ku feja zinte vend të rëndësishëm, në mos qendror. Mu për këtë, sado që segmente të rëndësishme e me peshë të shoqërisë, që nga elita politike, intelektualë, establishmenti kulturor dhe të rinj urbanë janë të kudopranishëm e dominantë në sferën publike, shoqëria e gjerë nuk ka me ba asnjë hap progresiv pa i rimendu vlerat dhe idetë tradicionale përfshirë këtu edhe ato fetare.

Popujt europianë kanë nisur etapën e re të zhvillimit të hovshëm kulturor e politik të Iluminizmit, vetëm pas rimendimit të guximshëm të fesë dhe dogmës kishtare gjatë periudhës së Rilindjes europiane (Renesansës) në shekullin XIV. Popujt myslimanë kanë ngecur në këto aspekte, sepse u mungon incentiva dhe guximi për t’u përballë në mënyrë kritike me trashëgiminë fetare. Edhe ato shoqëri myslimane që deshën ta tejkalojnë problemin fetar me anë të imponimit të modernizmit dhe sekularizmit në popull, si modernistët turkë, nuk korrën suksesin e dëshiruar. Po kështu, shoqëritë shqiptare në shtetet komuniste që “problemin e fesë” e adresuan përmes ndalimit ose kufizimit të fesë dhe kontrollit të autoritetit fetar nga strukturat e pushtetit politik dhe establishmenti socialist, pas rënies së këtyre strukturave, njerëzit natyrshëm iu kthyen fesë.

Feja vazhdon të mbetet një forcë reale dhe empirikisht e pamohueshme në shoqëri, në sferën dhe debatet publike. Ky është një fakt sociologjik që nuk mund të mohohet; pranimi i këtij fakti është pikënisje e çdo debati a kritike të fesë. Karshi këtij realiteti faktik, ekzistojnë dy qëndrime të gabuara. Njëri do ta injorojë këtë fakt, ndonëse kjo po bëhet gjithnjë e më e pamundshme. Qëndrimi tjetër e pranon këtë fakt, por si zgjidhje të “problemit” propozon mohimin e fesë dhe fetarisë në publik dhe kufizimin e saj vetëm në privat. (Madje, ndonjëherë edhe duke e përbuzur fetarinë edhe si çështje personale ose private!) Mirëpo, kjo është e gabuar. Të thuash se feja është çështje private, duke nënkuptuar se ajo duhet të mbahet si besim ose praktikë sekrete ose gati sekrete nga persona e grupe fetare është e pakuptimtë. Së paku empirikisht, feja nuk është vetëm private. Si mund të jetë çështje private një gjë që pashmangshëm reflektohet tërthorazi ose shfaqet drejtpërdrejt në praktikën publike! Por, siç kam argumentuar në një artikull, një qëndrim i tillë është problematik edhe normativisht, pasi që bie në kundërshtim me parimin e shekullarizmit që mundëson pluralitetin e sferës publike në të cilën garantohet shumësia e opinioneve ndaj të cilave shteti mban qëndrim asnjanës.

Qëndrimi i matur është ai i cili e pranon dukurinë e fetarisë si fakt sociologjik, e respekton si pjesë të pluralitetit moral e botëkuptimor në shoqëri demokratike e pluraliste dhe ka kurajë të angazhohet në debat e kritikë të fesë dhe dukurisë së fetarizmit dhe trajtave të saj. Nuk është e nevojshme që në një shtet laik çështja e fesë dhe fetarizmit të adresohet si dukuri e veçantë, duke ofruar zgjidhje speciale për të. Feja nuk është rast special, por duhet të shihet në kuadër të lirive të besimit dhe pluralizmi moral të garantuara në një shtet demokratik e pluaralist. Me një fjalë, në një shoqëri liberale feja duhet të shihet si një pjesë në mozaikun e filozofive jetësore, botëkuptimeve (Weltanschauung) dhe mënyrave të jetës (lifestyle).

Si të flasim për fenë–Të folurit mbi fenë si interes i shoqërisë së gjerë

Të folurit mbi fenë nuk është monopol i klerit a organizatave fetare, por temë me interes për tërë shoqërinë. Është në interes të shoqërisë së gjerë që feja t’i nënshtrohet një shqyrtimi publik në mënyrë që të sfidohet justifkimi i çdo lloj absurditeti që përligjet nga kleri ose komuniteti i besimtarëve në emër të vlerave e besimit fetar. Pretendimi i klerit ose I studiuesve laikë se vetëm teologjia merret me fenë, nuk është i saktë. Në të vërtetë, feja, domethënë dukuria fetare, historia, besimet, vlerat, ptaktikat, tekstet e interpretimet fetare, anjëherë nuk kanë qenë objekt shqyrtimi ose studimi vetëm i teologjisë ekskluzivisht, por edhe i disiplinave tjera të dijes: filozofisë, antropologjisë, sociologjisë, psikologjisë, filologjisë, semiotikës, historisë, arkeologjisë.

Andaj, as kleri nuk ka të drejtë të pretendojë monopolin e të folurit mbi fenë, e as studiuesit e shkencave shoqërore dhe humane nuk kanë përse të ngurrojnë të studiojnë fenë dhe aspektet e praktikës fetare. Ngurrimi i tyre vetëm sforcon pretendimin e klerit për monopol mbi të folurit për fenë. Natyrisht, angazhimi i studiuesve në këtë debat nuk bëhet me qëllim që shkencat të pretendojnë monopol mbi studimin e fesë, aq më pak me qëllim për të imponuar një model se si duhet të jetë feja “e drejtë” dhe “e vërtetë”, por thjesht që të ofrohen gjetjet shkencore dhe t’i kontribojnë debatit tashmë të pranishëm për fenë. Ndryshe, ndërmarrja shkencore kishte me u degjeneru në një sistem të mbyllur të dijes që më tepër i përngjan dogmës sesa dijes sistematike e të hapur.

Një debat i tillë mbi fenë kishte me i përfshi në dialog studiuesit dhe klerin bashkë. Kjo kishte me i mundësu klerit të pasurojë njohjen për dukurinë e fesë duke mësuar nga gjetjet shkencore, ndërsa vetë diskutimin mbi fenë kishte me e pasuru me prurjet nga tradita diverse e teologjisë që kleri i ofron në diskutim. Mirëpo, që studiuesit shkencorë kanë të drejtë dhe duhet të përfshihen në debatet për fenë dhe dukurinë fetare, nuk domethanë që ata të ndikohen aq shumë nga diskursi klerikal, sa të reagojnë vetëm ndaj ideve që burojnë nga ky diskurs, pa qenë në gjendje të artikulojnë e të hapin shtigje të reja hulumtuese pavarësisht nga diskursi klerikal. Nuk ka gjë të qortueshme në hetimin dhe demaskimin e absurditeteve logjike, sofizmave e demagogjive në ligjërimet fetare. Ama, të reflektohet për çështje e problematika fetare vetëm si reagim ndaj ligjërimit klerikal, tregon vobektësi mendimi dhe mjerim ideor. Një aktivitet i tillë intelektual i përngjan mendimit teologjik, ngaqë sikurse mendimi teologjik që mendon përmes teksteve të dhëna dhe jo pavarësisht prej tyre, edhe ky lloj mendimi mendon përmes klerit dhe diskursit fetar, e jo pavarësisht prej tyre. Ky mendim përmes klerit të fut në grackën e pranimit, pa e vërejtur, jo vetëm të parashtrimit të temës, por edhe të logjikës argumentuese. Sado që ti mund ta kundërshtosh qëndrimin apo arsyestimin e kundërshtarit, yshtesh që këtë ta bësh brenda një kornize të njëjtë logjike e argumentuese me kundërshtarin.

Me një fjalë, me mendu mirëfilli mbi dukurinë fetare nënkupton me e çliru mendimin nga orientimet e klerit dhe me mendu pavarësisht nga parashtrimet e tyre, qofshin ata edhe opozitarë apo të moderuar. Përndryshe, të reagosh ndaj çdo të dytës deklaratë të klerit, vetëm tregon varfërinë imagjinare e ideore dhe paaftësinë për të çelur shtigje të reja tematike e argumentuese. Falë kësaj, ne hala kena mbetë duke u orvatur më kot t’i përgjigjemi pyetjeve të kota dhe të diskutojmë pa fryt rreth temave të parashtruara gabimisht, si për shembull, nëse osmanët na çliruan apo pushtuan, duke e fetarizuar kështu diskutimin për një çështje shumëdimensionale dhe duke e parë atë vetëm nga prizmi i lojalitetit e solidaritetit fetar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.