Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse Hannah Arendt është filozofja e së sotmes

Portrait of German-born American political theorist and author Hannah Arendt (1906 - 1975), a cigarette in hand, as she leans across a table, 1944. (Photo by Fred Stein Archive/Archive Photos/Getty Images)

Artikulli origjinal në The New Statesman

E formuar gjatë persekutimin nazist, filozofia politike e Arendt-it po rigjallërohet në kohët tona të turbullta.

Kur në maj të vitit 1940 Hannah Arendt u dërgua në kampin e përqendrimit në Gurs, në jugperëndim të Francës, ajo bëri më të mirën ç’mund të bëhet kur kurthohesh në një makth të realitetit: lexoi – Në kërkim të Kohës së Humbur të Proust-it, Mbi Luftën të Clausewitz-it dhe, me padurim, tregimet e Georges Simenon-it. Sot njerëzit po e lexojnë Arendt-in për të kuptuar predikamentin tonë aq të çoroditur.

Menjëherë pas inaugurimit të Trump-it, kryevepra e vitit 1951 e Arendt-it Origjinat e Totalitarizmit [The Origins of Totalitarianism] hyri në listën e bestsellerëve në SHBA. Që atehërë, copëza të vogla të paralajmërimeve të saj për jetën politike pas-të vërtetës kanë vorbulluar mediat sociale. Arendt-i, dikur “emigrante e paligjshme” (fjalët e saj), historiane e totalitarizmit, analiste e banalitetit të ligësisë administrative dhe avokuese e fillimeve të reja politike, është bërë mendimtarja politike e parapëlqyer për epokën e dytë të brutalitetit fashist.

Nuk janë vetëm kundërshtarët e nacionalizmit të djathtë që po e rizbulojnë veprën e saj. Partia e ekstremit të djathtë në Gjermani, Alternativa për Gjermaninë (AfD), është përpjekur të zbukurojë prentendimet e saj për studime serioze me ca gjysma citatesh nga Arendt-i. Misioni intelektual i AfD-së, në rast se nuk e keni marrë me mend, është që të krijojë “qartësi dhe transparencë” në diskursin publik. Na tërheqin vëmendjen me maturi ata se pushteti, sipas Arendt-it, “bëhet i rrezikshëm tamam aty ku mbaron publiku”. Pushteti, thotë gjithashtu Arendt-i, bëhet i rrezikshëm kur elitat kapitaliste bëhen njësh me bandat, kur racizmit i lejohet të marrë në dorë institucionet e shtetit, dhe kur vetmia e lënduar e të jetuarit në një shoqëri të atomizuar e pa fakte, i bën njerëzit të kërkojnë pa krye çfarëdo miti me xixa që do t’u bëjë shoqëri.

Është e vërtetë që Arendt-i e donte hapësirën publike të politikës për qartësinë e shëndoshë që i jepte bashkëjetesës. Është e vërtetë poashtu, se ajo kërkonte republikë politike të bazuar në interesin e përbashkët. Për këto dy arsye, do të duhej ta lexojmë sot. Por përkushtimi i saj ndaj pluralitetit nuk është ftesë për nacionalizmin. Arendt-i e donte politikën që të bëhej në dritë, ashtu që të mund të shohin njëri tjetrin ashtu siç jemi. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se duhet të pranojmë çfarë është dukshëm shkatërrimtare për vetë politikën, por duhet të pranojmë se çfarë na duket e neveritshme ekziston në realitet – dhe pastaj ta rezistojmë.

Po të ketë gjë të cilën e kemi mësuar këto dy vjetët e fundit është se realiteti ynë politik nuk është ai që e kishim menduar dhe kurrsesi ai të cilin do të donim ta kishim. Sepse kohërat në të cilat jetoi ajo ishin poaq të errëta, të dhunshme, të paparashikueshme, dhe ngaqë qe e zgjuar, diligjente dhe punëtore, Arendt-i qe e zonja në të menduarit shpejt dhe me përpikmëri rreth paprecendetëve politikë e moralë. Kishte mosbesim për analogjitë e thjeshta, mendonte se precendentët historikë nuk qenë mënyrë e mirë për të kuptuar të papritshmen, dhe në vend të kësaj praktikoi atë që e quajti “të mendosh pa parmakë.” Nuk është aq si Kasandra nga një kapitull më i hershëm i historisë që ajo ka mësime për ne sot, sa si mendimtare politike e të parehatshmes dhe të vështirës.

***

Të menduarit është qendrore për tregimin e jetës së Arendt-it. E lindur më 1906 në Konigsberg (vendlindja e Kant-it), fëmijë shumë i dashur i prindërve majtistë dhe e zgjuar para kohe, ajo pat shumëçka për të menduar që herët. Fillimisht qe i ati, sifilizi i tij dhe rrëshqitja në çmenduri deri në vdekje kur ajo ishte veç shtatë vjeç, e ndërroi botën që mendoi se e njihte dhe e bëri të çuditshme e të pasigurt. Pastaj erdhi antisemitizmi që e përjetoi gjatë sharjeve në këndin e lojërave dhe ndërgjegjësimi i shpejtë se në mërinë e fëmijëve merrnin pjesë shumë prej të rriturve përreth saj. E ëma e mësoi që kur sulmohesh si hebre duhet të mbrohesh si hebre.

Të menduarit qe mbrojtja e parë e Arendt-it kundrejt botës së çuditshme. Por, të menduarit do të ishte gjithnjë më shumë se diçka që e bën me mendje; kjo do të do ishte mënyra e saj e të qenit në botë. Ky qe mësimi që e mori prej mësuesit dhe dashnorit të saj, Martin Heidegger. Arendt ishte vetëm 18 vjeç kur, më 1924, takoi Heidegger-in në Universitetin e Marburgut.  Nuk ka shumë të ngjarë (siç sugjerojnë disa) që të kenë qenë veshjet e tij tradicionale ose mënyra se si i mbantë skitë mbi sup që e shtynë të flinte me të, por ajo iu bind me pasion argumentit të tij se ne mendojmë, ekzistojmë e dashurojmë përmes fjalëve. “U takuam”, thotë më vonë ajo, “pëmes gjuhës gjermane.”

Fjalët kishin vlerë të madhe për Arendt-in edhe ngaqë mendojmë me to edhe ngaqë e bëjnë të mundur bashkëjetesën. Ajo shkroi në tre gjuhë dhe lexoi e mendoi në së paku gjashtë sosh. Siç do të thoshte në gjermanisht, nuk është gjuha që është çmenduri. Por, me të arritur të njëzetat e saj, njerëzit filluan të çmenden, madje edhe ata që ishin në rregull nga mendtë që i konsideronte miq u tërhoqën nga realitetit politik gjithnjë e më i pahijshëm drejt opozitës së heshtur. Si hebreje, Arendt-i nuk e kishte luksin e “emigrimit të brendshëm”, dhe për pjesën tjetër të jetës së saj mendoi – dhe luftoi – që të kthehej në botën që, në një moment, e sfidoi edhe të drejtën e saj për të ekzistuar.

Të menduarit i shpëtoi jetën Arendt-it më shumë se njëherë. Studimet e hershme të historisë politike europiane i hoqën iluzionet rreth aftësisë së Të Drejtave të Njeriut për të mbrojtur këdo prej dhunës që gufon kur shemben institucionet politike. Kur erdhën kohët e errëta, ajo u bëri ballë si duhet.

E arrestuar nga Gestapo më 1933 për shkak të studimit të propagandës antisemite, shpejt vuri re se ishte kapur nga një fillestar i ngathët, dhe thjesht e mashtroi me fjalë për t’iu shmangur burgut. Kur në vitin 1940, komunitetit të saj prej refugjatësh në Paris, i erdhi kumtimi që të gjithë gratë “armike-të huaja” pa fëmijë të mblidheshin në Velodrome d’Hiver për t’u deportuar, ajo qe një prej të paktave me guximin që të shihte më të keqen. Ajo iku nga kampi i përqendrimit në Gurs në mes të kaosit të pushtimit gjerman – ata që qëndruan u deportuan për në Aushvic – Birkenau. Me t’i përdorur dredhinat që kishte mësuar nga Simenon-i, ajo i mashtroi autoritetet, duke i bërë të mendojnë se të shoqin tashmë ia kishin arrestuar.

Maturia politike e Arendt-it u formua në ato vende të cilat AfD-ja me shokë i sheh si problematike: komunitetet e imigrantëve, mes rrugicave të refugjatëve, mes të dobtëve, të mallkuarve, vetëmohuesve. Ajo u vetëshpall paria, term që e huazoi nga mendimtari radikal hebre Bernard Lazare, i cili kishte mësuar nga Çështja Dreyfuss e Francës se asimilimi nuk të mbronte prej racizmit. Pariat refugjatë, pohonte ajo, qenë “pararoja” të popujve të tyre, dhe Arendt-i ndjehej krenare që ishte mes tyre.

Siç e dinë shumë mirë aktivistët refugjatë të së sotmes, për brezin e Arendit-it ishte mund i madh t’i bësh njerëzit të kuptojnë, se çfarë po ngjante nuk ishte thjesht fat i keq për të tjerët, as problem humanitar për t’u menaxhuar, por në thelb, diçka transformative. “Me sa duket, askush nuk do të dijë se historia bashkëkohore ka krijuar forma të reja të qenieve njerëzore – të llojit që dërgohen në kampe përqendrimi nga armiqtë dhe në kampe internimi nga miqtë e tyre,” shkruante më 1943, në esenë e bukur por të hidhur të titulluar “Ne Refugjatët” [We Refugees]. Deri atëherë, Arendt-i ishte arratisur nga Europa për në Nju Jork, dhe po fillonte të zinte vendin në atë që shumë shpejt do të bëhej një prej grupeve më të rëndësishme të shekullit 20-të, përfshirë Hans Jonas-in, Irving Howe-n, Robert Lowell-in, dhe Randall Jarrell-in, Mary McCarthy-n dhe WH Auden-in.

Një fotografi e famshme  e vitit 1944 nga një tjetër refugjat hebre, Fred Stein, kap intensitetin e Arendt-it – dhe bukurinë – në ato vite: ajo përkulet para në profil, duke vështruar vendosmërisht drejt së ardhmes, me cigaren mes dy gishtave të gjatë dhe hirin gati sa s’shkundet. Arendt-it i pëlqente duhani po aq sa miqtë, rregullisht dhe thellësisht.

E padurueshme me famën intelektuale dhe dyshuese ndaj qëndrimeve publike, Arendt-i mbajti vetveten dhe miqtë afër gjatë pjesës së dytë të jetës së saj. Ajo vdiq më 1975, pas një darke mes miqsh. Kjo shoqërueshmëri ishte po aq vetëmohuese dhe politike sa edhe personale. “Lloji i ri i qenieve njerëzore” të saj nuk qenë vetëm viktima të persekutimit nazist. Refugjatë hebrenj, si të tillët sot në jugun global, konsideroheshin të tepërt prej çdokujt, “bërllogu i tokës”, siç i përshkruante Arthur Koestler dhe miliona të tjerë që shkelnin të njëjtat shtigje refugjatësh si Arendt-i. Edhe më herët se të bëhej i qartë tmerri i plotë i kampeve të përqendrimit, Arendt-i kishte pikasur se bota “nuk gjente gjë të shenjtë në lakuriqësinë abstrakte të të qenit njerëz”. Ende nuk ka gjetur.

Kjo nuk ishte vetëm për shkak se njerëzit qenë bërë joempatikë dhe të ndyrë si pasojë e propagandës në masë, por ishte gjithashtu pasojë e organizimit të botës sipas kombeve shtete. Kur një person zbohet nga vendi, thoshte ajo, ai përjashtohet prej të gjithë vendeve, “që do të thotë se në fakt përjashtohet nga i gjithë njerëzimi”.

Të drejtat e njeriut qenë të pambartshme. Ky ishte lajm i keq veçanërisht për ata që e gjenin veten si pengesë për establishmentin e shteteve nacionaliste etnikisht të pastra, siç ngjau me hebrenjtë dhe pakicat e tjera, kur Europa u nda në kombe shtete të reja pas Luftës së Parë Botërore. Kjo i ngjau përsëri palestinezëve më 1948. Për Izraelin, Arendt-i qe e brengosur por e kthjellët. Si “gati të gjitha ngjarjet e tjera të shekullit 20,” shkruante ajo, “zgjidhja për çështjen hebreje prodhoi thjesht një kategori tjetër refugjatësh, arabët, duke e rritur kështu numrin e njerëzve pa shtetësi e pa të drejta për 700,000 deri në 800,000.”

Vetëm një organizatë politike pa nacionalizëm, ose e tillë që t’i tregojë vendin nacionalizmit, mund të garantojë “të drejtën” që secili të “ketë të drejta” – të flasë dhe të njihet si pjesë e një komuniteti. Pashtetësia e saj e mësoi se ne krijojmë njerëzimin tonë, së bashku, përmes miqësisë, bisedës, veprimit dhe, mbi të gjitha, politikës. “Ne e humanizojmë atë çfarë ngjan në botë dhe përbrenda nesh vetëm duke folur për të, dhe kur flasim për të, mësojmë si të jemi njerëz,” tha më vonë.

***

Hannah Arendt raportoi për gjykimin e Adolf Eichmann-it për The New Yorker

Ajo e dinte gjithashtu se ishte e vështirë të jesh njeri në kohëra jonjerëzore dhe me raste edhe e pamundur. Njerëzve u pëlqen ta vënë gishtin te gabimet e Arendt-it rreth kësaj çështjeje dhe, siç ngjan më shumë mendimtare, seç është një masë e madhe ankesash rreth gabimeve të saj kur është puna te burrat. Është e vërtetë se të dy burrat në fjalë ishin nazistë: shefi i administratës i vrasjeve në masë Adolf Eichmann, për gjykimin e të cilit në Jeruzalem ajo raportori në The New Yorker, që ndërseu skandal me analizën e saj të përmbajtur të banalitetit të së ligës moderne; dhe Heidegger-i, që iu bashkua Partisë Naziste më 1933 dhe i cili u bë, me ndihmën e tyre, rektor i Universitetit të Frajburgut. Heidegger-i ishte një nazist oportunist, megjithatë s’kishte dyshim se ishte antisemit. E kuptueshme që Arendt-i u revoltua; më pak e kuptueshme është se më vonë ajo ia fali.

Ç’është e vërteta, Heidegger-i të cilin Arendt-i do ta linte të rikthehej në jetën e saj, si shumë burra tjerë nostaligjikë për atë që ishin dikur, qe një tip narcisisti që e quante atë “drurin” e tij dhe që mitologjizonte të kaluarën e tyre. Magjepsja disi e çuditshme me lidhjen e tyre ka minimizuar rëndësinë e marrëdhënies me bashkëshortin e saj të dytë, shumë të mençurin e të dashurin Henrich Blucher. Vërtet, Blucher-i ishte i dashur edhe për gratë e tjera, përfshirë shoqet e saj, por edhe këtu Arendt-i ishte realiste. Blucher-i kujdesej për presjet e saj dhe gjithnjë e shihte me admirim. Në e fali Heidegger-in në fund, këtë e bëri ngase ai kishte nevojë për të më shumë sesa ajo për të.

Eichmann, në anën tjetër, dallohej për mungesën totale të vetëreflektimit kritik. I zënë nga Mossad-i në Argjentinë, nazisti SS i cili udhëhoqi deportimin e hebrenjve të Europës drejt kampeve të vdekjes, u gjykua më 1961. Arendt-i ishte e vendosur që ta shihte këtë “makth të gjallë” në fytyrë. Çfarë gjeti në kabinën e qeltë në dhomën e gjyqit, qe sall një burrë i sëmurë e i paaftë që të dërdëlliste gjë tjetër pos klisheve. Shumë e kanë akuzuar se e kishte kuptuar gabim Eichmann-in. Faktet tregojnë se ai kishte ditur shumë mirë se çfarë bënte: ai ishte padyshim njeri i keq. Megjithatë, Arendt-i asnjëherë nuk tha që Eichmann-i ishte sylesh i patëkeq; në vend të kësaj, ajo tha me ironinë e saj karakteristike, se ai qe “thjesht” dhe katastrofikisht pa mendim. Ajo “thjesht” i referohet pamendueshmërisë së shkujdesur, jo krimit.

Të menduarit, thotë Arendt-i, është bashkëbisedim dy-në-një që e bëjmë në kokat tona gjatë gjithë kohës, dhe askush nuk do të dialogojë me një vrasës – përveç njerëzve si Eichmann-i. Kjo është domethënia e banalitetit të së ligës. Është kjo pamendueshmëri që të lejon të mos marrësh parasysh pasojat morale të asaj çfarë bën kur zbaton një sistem të ri transporti për fabrikimin e njerëzve në kufoma. Eichmann-i qe një tip i ri krimineli për shekullin 20 – jo thjesht vrasës gjenocidal por armik i njerëzimit meqë ai nuk mund, dhe nuk do të mendonte prej pikëvështrimit të askujt tjetër pos vetvetes.

Nuk ishte dredhia satanike, por pamendueshmëria e kotë që i dënoi aq shumë njerëz deri në mjerim, vuajtje dhe vdekje. Kjo është ajo që Arendt-it iu duk vërtet e paprecedentë në kohën e saj. Një shoqëri e atomizuar e nxitur nga masmediat, e kombinuar me buroktratizim gjithnjë e më barok të jetëve tona, e ka bërë të mundur këtë. Vazhdon të jetë kështu.

***

AfD-ja nuk e ka gabim kur thotë se pushteti bëhet i rrezikshëm kur nuk duket se ka mbetur ndonjë llogaridhënie publike. Por pikërisht në të tilla momente, mëson Arendt-i, na duhet që të mendojmë politikisht, që të rezistojmë popullizmin: “Kur secili spastrohet pa menduar nga ajo çfarë bëjnë e besojnë të tjerët, ata që mendojnë shfaqen prej ku janë fshehur sepse… [të menduarit] bëhet një lloj veprimi.”

Arendt-i i shkroi këto fjalë në 1971. Skandali i Letrave të Pentagonit shpërtheu në fillim të atij viti. Vitin tjetër erdhi Watergate-i, dhe eseja e cila po lexohet nga shumë njerëz, “Të gënjesh në politikë” [Lying in Politics]. Gjithmonë ka pasur rrena në politikë, shkruante ajo; ajo që ishte e re dhe e rrezikshme për republikën amerikane nuk ishin rrenat, por situata në të cilën rrenat janë bërë të padallueshme prej së vërtetës. Pa bazë arsyetimi, faktet shkapërderdhen si murmuritjet e narcisistit të fundit, dhe ajo që dukej e pamundur – fëmijë në kampe, paraburgime të gjata, nacionalizëm i pagdhendur e i pamend – bëhet e mundur sërish.

Si të rezistohet? Si të vihet të menduarit në veprim? Një tjetër ese e Arendt-it ka të bëjë më mosdëgjueshmërinë qytetare. Ajo e fillon me edhe një tjetër pyetje kumbuese: “A ka vdekur ligji?” Arendt nuk vetëkënaqej me fantazirat për natyrën hyjnore të ligjit, as për autoritetin e tij moral për të bërë mirë. Ligji kishte rëndësi meqë qe i vetmi fiksion ekzistencial që mbërthente politikën kushtetuese amerikane. Për këtë arsye mosdëgjuesmëria qytetare për të mbrojtur ligjin duhej të ishte akt politik kolektiv: është komuniteti politik e jo ndërgjegjja e individit që është në rrezik. Arendt-i përkrahte lëvizjet studentore dhe antivietnam të viteve 1970 ngaqë besonte se veprimet e tyre po krijonin diçka të re – gjithmonë kishte kohë për ata që i quante “njerëz të rinj” – prej një tradite në thelb të mirë politike.

Megjithatë, ajo kuptonte se ligji, si vetë republika, kishte themelin te dhuna, racizmi dhe pushtimi. Pyetja më shqetësuese në zemër të eseut vlen edhe sot: pse duhet që të mbrosh një ligj që është themeluar mbi bazën e përjashtimit tënd? Më gjerësisht, çfarë ndodh nëse të ashtuquajturit njerëzit e tepërt të botës – paritë, refugjatët, emigrantët, popujt e zi e të kaftë, njerëzit pa të drejta – e shndërrojnë të menduarit e tyre në veprim politik?

Arendt-i nuk mundi t’i japë përgjigje asaj pyetjeje në Amerikën e fundshekullit 20, ngaqë nuk mundi ta mendonte politikën transformative të aktivizmit të zezakëve. Në fund të fundit, nuk ishin burrat nazistë ata që i kutpoi gabim, por një grua e re zezake e quajtur Elizabeth Eckford. Eckford ishte vajza që u përshkrua duke jetësuar të drejtën e saj për arsimim të desegreguar mes të bardhëve që bërtasin në fotografinë ikonike të vitit 1957  të kapur në Litëll Rok, Arkanzas.

Arendt thoshte se Eckford-i nuk duhej të bartte tërë atë barrë politike në atë moshë dhe se arsimimi qe një çështje shoqërore dhe në masë të madhe private. Shkrimtari Ralph Ellison iu përgjigj se të gjithë fëmijët zezakë në jug bartnin barrën politike që në lindje, iu pëlqente apo jo prindërve të tyre. Arendt-i mbylli gojën. Ky qe një prej rasteve të pakta ku ajo dështoi së gjykuari prej pikëvështrimit të tjetrit.

Nuk mund të dimë dot se ç’do të mendonte për politikën sot. Mendoni për vete, do të thoshte. Por Arendt-i na la me një porosi të rëndësishme: prisni dhe përgatituni për më të keqen, por mendoni dhe veproni për diçka më të mirë. E pamundura është gjithnjë e mundur.

—-

Lyndsey Stonebridge është profesoreshë e shkencave humane dhe të drejtave të njeriut në Universitetin e Birmingemit dhe autore e “Popujt pa vend: Të shkruarit, të drejtat, dhe refugjatët” (Oxford University Press).

Përktheu: Bardhi Bakija

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.