Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Pse u ndam? (II)

Ndoshta jeni dëshpëruar me formën e formulimit të ndarjes sime me duhanin në pjesën e parë të shkrimit, mirëpo arsyeja pse vendosa të shprehem në atë formë ishte sinqeriteti për vuajtjet që secili individ kalon kur vendos ta lë duhanin. Doja ta përçoj një mesazh se ndalimi i pirjes së duhanit është me të vërtetë i vështirë. Tani dua të shpjegoj “pse-në”, apo arsyet që më ndihmuan të ndaloj duhanin, si dhe disa propozime se çka duhet bërë për të mbrojtur nga dëmet e duhanit.

Fëmijët

Unë kam një djalë, Iparin, që është 8 vjeç. Ipari është një çun i sjellshëm që ka një disiplinë dhe urti në sjelljet e tij. Një ditë ishim së bashku duke shkuar në një lojë të rregullt futbolli ku Ipari ushtron gjatë javës. Unë mbaja cigaren në dorë, dhe të dy bashkë ishim duke ecur një kalim malor para se të arrinim tek fusha futbollit. Unë isha zhytur në mendime derisa ecja dhe kisha Iparin që më përcillte nga pas. Ndodh shpesh të mbetet pas për shkak të hapave të vegjël, apo nga kurioziteti për natyrën që e rrethon. Papritmas dikush më bie në dorë dhe në moment cigarja më fluturoi nga dora. E kuptova se nuk ishte e rastësishme.

Kur ktheva kokën pashë sytë e tij të zi që shkëlqenin nga lotët që i kishin ngelur brenda dhe më shikonte i përqendruar. Mirëpo, nuk ishte i frikësuar. E pyeta për arsyen e reagimit të tij. Ipari qau duke më treguar se gjatë gjithë javës kishin mësuar në shkollë për dëmet që shkakton duhani, dhe më tha, “Babi, unë nuk dua që ti të vdesësh.”

Ndjeva dhembje, por dhe turp. Aty kuptova se si një fëmije 7 vjeçar sot është i vetëdijshëm për dëmet po aq sa një i rritur.  Kuptova se si një fëmijë i edukuar mirë ndikon në vetëdijesimin e një të rrituri dhe na bën të ndihemi në turp për veprat tona. Jo se ne nuk e dimë se duhani vret, por është me të vërtetë e pakapshme pse e bëjmë duke marrë parasysh se nuk ka njeri në botë që të jep një arsye të shëndoshë pse konsumon duhan.

Unë isha i vetëdijshëm që helmoja veten, mirëpo tani si prind Ipari më bëri të mendoj se demi që i bëjmë vetes e afekton direkt edhe jetën e familjes që na rrethon. Shkurt, Ipari më bëri të kuptoj se pirja e duhanit shkurton jetën time, por njëkohësisht padrejtësisht i shkurton të drejtën e tij të jetojë me prind. Prandaj, njëra nga arsyet kryesore pse unë kam ndaluar është Ipari, i cili më bëri të ndjehem në turp para tij për lëndimin që i shkaktoja me veprimin tim, dhe njëkohësisht më dha të kuptoj se si prind e kam përgjegjësi të jetoj shëndetshëm për të qenë një model i mirët për të.

Ky rast gjithashtu më dha të kuptoj se neglizhenca jonë nuk shkurton vetëm jetën tonë si prind, por i rrit gjasat e tyre që të rriten jetim.

Rrethi

Edukimi në masë i gjeneratave të reja që ka ngritur nivelin e vetëdijesimit për pirjen e duhanit saqë ka arritur deri në atë nivel saqë tani shihet si e turpshme pirja e tij.

Gati çdo mëngjes kur dilja të përcjell Iparin tek stacioni autobusit për të shkuar në shkollë, përreth nesh gjendeshin plot prindër tjerë. Edhe pse isha duhanxhi, niveli i përgjegjësisë por edhe stigma për duhanin ka sjellë një ndërgjegje që asnjëherë nuk më ka lejuar që të ndez një cigare para prindërve dhe fëmijëve tjerë. Të dhënat nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve në ShBA tregojnë se pirja e duhanit tek fëmijët në shkollat e mesme është në nivelin më të ulët për 22 vjetët e fundit.

Rasti tjetër ishte në punë. Në zyrën ku punoj jemi diku 16 punëtorë dhe unë isha i vetmi që konsumoja duhan. Zyra gjendej në katin e katërt dhe çdo pauza vrapoja poshtë për të dalë para ndërtesës për ta pirë një cigare. Koha e pauzës gati shkonte duke bredhur lart e poshtë nëpër ashensorë. Kur bënte ftohtë, era e duhanit vinte me mua në zyrë. Edhe flokët bashkë me rroba bartnin aromën kundërmuese. Kolegët nuk ankoheshin, mirëpo e dija mirë se sa herë kisha kontakt me ta, aroma e keqe e duhanit i pengonte të gjithë.

Ndërkaq, faktorët që kanë krijuar rrethanat që unë sot ta ndaloj pirjen e duhanit janë me rëndësi. Së pari, janë rrethanat e krijuara nga institucionet, që kanë limituar hapësirat ku lejohet pirja e duhanit. E dyta, fushata e marketingut rigoroz ka ngritur vetëdijen tek qytetarët në përgjithësi. E fundit dhe ajo më kryesorja pse unë nuk jam më në mesin e duhanxhive, është edukimi i fëmijëve në shkolla,, të cilët nuk pajtohen me zgjedhjet tona dhe bëjnë presion ditor që të ndalojmë.

Çka të bëhet në Kosovë?

Për ta kuptuar seriozitetin e këtij problemi, duhet ta kemi parasysh që sipas Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë konsumohen 2687 cigare për kokë banori. Të dhënat gjithashtu tregojnë se 40% e të rinjve në Kosovë janë konsumues të duhanit, derisa në ShBA ky numër është 15%.

Për ta luftuar këtë dukuri, duhet të plotësohen tre faktorët që i përmenda më herët. Të ndalemi tek tentimi institucional për të limituar pirjen e cigares. Kur isha në Kosovë, duhani pihej gjithandej nëpër lokale. Kishte një rast kur unë me të shoqen dhe dy fëmijët ishim duke drekuar në një restorant në Ferizaj, dhe të gjithë u detyruam ta bëjmë këtë nën tymin e duhanit nga një zonjë që ishte ulur 2 metra më larg. Pra ligji ekziston, por nuk respektohet rreptësishtë nga të gjithë. Frika se e humb klientelën i bën pronarët e lokaleve që ta lejojnë atë. Në qoftë se njëri pronar e lejon, tek të tjerët krijohet frika se do të humben klientët, dhe rrjedhimisht askush nuk e zbaton.

Duhet shtuar se qytetarët mbajnë po të njëjtën përgjegjësi, sepse me vetëdije të plotë zgjedhin të thyejnë ligjet në fuqi dhe vazhdojnë t’i maltretojnë qytetarët tjerë që nuk e pinë, të cilët pa dëshirën e tyre thithin tymin e duhanit bashkë me duhanxhinjtë e papërgjegjshëm.

Ne nuk duhet të dorëzohemi derisa të gjejmë zgjidhje. Nëse institucionet po dështojnë të implementojnë në tërësi ligjin për ndalimin e duhanit në lokale, ndoshta duhet ta rrisin akcizën për së paku 50%. Do të ketë ankesa, mirëpo askush nuk ka asnjë arsye të shëndoshë pse konsumon dhe për shkak të çmimit duhet të ndalojë.

Prandaj është kyçe që Ministria e Arsimit dhe ajo e Shëndetësisë të fillojnë një kampanjë serioze, ku përmes shkollave fëmijët të mësojnë për dëmet e duhanit dhe të njoftohen për të gjitha pasojat. Pjesa tjetër e angazhimit duhet të fokusohet tek marketingu me përfshirjen e programeve edukative televizive, por edhe billborde me mesazhe kundër duhanit. Kjo strategji ka ndikim të dyfishtë pozitiv. Fillimisht ndihmon në zvogëlimin e konsumuesve tek gjeneratat e reja, dhe efekti i dytë arrihet kur të rinjtë dhe të rejat e edukuar do të jenë faktori për minimizimin e kësaj dukurie tek të rriturit, dhe sigurisht se krejt kjo mund të ndihmohet nga rritja e akcizës në duhan. E them këtë për shkak të përvojës time dhe trendeve që zhvillohen në të gjitha shoqëritë që janë ballafaquar me këtë problem.

Edukimi i fëmijëve na jep një shpresë të madhe që të rrisim gjenerata të shëndosha dhe njëkohësisht, sikur në rastin e Iparit, edukimi i tyre i inkurajon për të ndikuar pozitivisht tek të rriturit dhe forcon bindjen për të ndryshuar një të keqe edhe atëherë kur ballafaqohen me një fuqi shumë më të madhe se vetja. Ngulmi dhe insistimi ishte bukuria e reagimit të Iparit, që dallon nga gjeneratat e vjetra duke marrë parasysh se në kohën kur unë jam rritur, jo vetëm se nuk kemi pasur njohuri për këto probleme, por çka ka qenë edhe më e keqe se jemi rritur me një sistem patriarkal ku kurrë nuk kemi pasur guximin të ngrisim zërin drejt nje te rrituri edhe atëherë kur kemi pasur të drejtë. “Mbylle aty se je i vogël ti” ka qenë reagimi i zakonshëm ku kanë izoluar çfarëdo mendimi që kemi pasur. Shkurt, kanë qenë kohëra ku gjinia dhe mosha kanë qenë përcaktues matës të inteligjencës, diçka që ne mund ta ndryshojmë edhe më shumë me një investim serioz nëpër shkolla.

Fëmijët imitojnë derisa nuk dinë ndryshe. Derisa ne jemi një model i keq për tu ndjekur, e kemi me obligim që të investojmë më shumë në shkolla dhe në marketing mediatik që fëmijët t’i kuptojnë rreziqet e një vrasësi si duhani. Kur të rriturit dështojnë të jenë shembull i mirë, e kemi me obligim që së paku të shpëtojmë fëmijët duke ju treguar rrugën e drejtë, të cilët, besoj unë, sikur në rastin tim, do të ketë efekt pozitiv edhe tek të rriturit dhe tek shoqëria në përgjithësi.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.