Në anglisht, katunarit i thonë “qafëkuq”, “hillbilly”. Në fakt, këto dy fjalë i referohen personave që jetojnë në disa zona të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por shpesh përdoren për t’iu referuar personave të varfër, të bardhë e që jetojnë në zona rurale, në veçanti ata në jug. Një “qafëkuq” është fermer i varfër, që ka një punë të klasës punëtore, dhe është pak ose aspak i arsimuar apo rafinuar, por që gjithnjë ka një armë në dorë dhe bindje raciste mbi botën. Ai përçmohet nga banorët e qyteteve të mëdha të veriut, të cilët kanë kapital kulturor krahas atij ekonomik, si dhe kanë bindje shumë më liberale.
Ka shumë dallime midis katunarëve dhe liberalëve urbanë, por një dallim shumë i rëndësishëm ka të bëjë me shijen, për të cilën ka shkruar sociologu frëng Pierre Bourdieu në librin e rëndësishëm, me titull shumë të përshtatshëm, “La Distinction”. Sipas kësaj skeme veçuese, katunarët janë ata që konsumojnë pije të gazuara, Coca Cola apo Fanta, dhe birrë; vozitin kamionë pick-up, dëgjojnë muzikë country, shikojnë kanalin Fox news, argëtohen duke ushtruar qitje me armë, dhe ende e mbajnë karficën “Sarah Palin për presidente”. Liberalët urbanë konsumojnë verë, vozitin vetura por gjithashtu ngasin biçikleta kur të munden, dëgjojnë shumë zhanre muzikore por jo kaq jashtë mode si country, shikojnë MSNBC, lobojnë kundër armëmbajtjes, dhe kanë votuar për Obamën.
Apo jo? Ndoshta po, por jo të gjithë. Në fakt, katunarët dhe elitat urbane janë stereotipe, ato që i madhi Walter Lipmann i quante “piktura në mendjen tonë”. Kjo nuk do të thotë që nuk ekzistojnë, por nuk janë grupe të vërteta, janë vetëm përfaqësime të mjedisit tonë social të cilat i kemi krijuar ne. E njëjta mund të thuhet për kategoritë e imagjinuara të “katunarit” dhe “qytetarit”. Janë të trilluara, jo plotësisht të pabaza sepse mbështeteten në disa fakte praktike, por prapëseprapë të trilluara.
Idetë fiktive nuk e kapin dot diversitetin e realitetit. Si “piktura në mendjen tonë” ato riprodhojnë një imazh statik, të pjesshëm të realitetit, edhe pse ato vetë janë fleksibile dhe të ndryshueshme. Ne i krijojmë, i manipulojmë dhe i përdorim ato teksa luftojmë për pushtet.
Ato që ne i mendojmë si deklarata faktike – “ai është katunar” ose “ajo është urbane” – kanë të bëjnë me gjykime mbi vlerat, sepse “qafëkuqi”, si katunar, është një personazh i degraduar i shoqërive moderne. Në “Quaderni dal Carcere”, Antonio Gramsci paraqiti paragrafët historik dhe semantik që e shndërruan fjalën frënge “të krishterë”, chrétien, në fjalën crétin (italisht cretino, anglisht cretin): meqë fshatarët i referoheshin vetes me termin chretien, kjo fjalë mori kuptimin “budalla”.
Dallimi në shije midis katunarëve dhe elitës urbane, në fakt, nuk është neutrale ndaj vlerave, sepse njerëzit urban gjithashtu përcaktojnë hierarkinë e shijes në shoqëri, që, siç thotë Bordieu, është një formë dominimi. Fanta është jashtë mode, vera është në modë. Dhe jo vetëm kaq, edhe birra është në modë, por duhet të jetë artizanale vendore në shishe me etiketë atraktive. Marketingu komercial është mbështetur mbi stereotipe që kur Lipmann foli për fuqinë e tyre në fillim të shekullit të njëzetë.
Marketingu politik e mori të njëjtin mësim. Ai i ofron publikut stereotipe në formë të spektakleve, siç parashikoi Theodor Adorno, duke shërbyer imazhe të paketuara të qytetarëve autentik dhe inautentik. Në mbarë botën, imazhi i katunarit, i interpretuar në mënyra të ndryshme, shndërrohet në ikonë për t’u përshtatur me trajtat e konstruktuara të karakterit kombëtar. Prandaj, ky imazh nuk është koherent. Përfshin karakteristika të degraduara dhe jofisnike, dhe është i hapur ndaj manipulimit.
Për shembull, ata që nuk janë katunarë, kur luftojnë për pushtet, shpesh bëhen sikur të tillë. George Bush i pari, si shembull, pati vështirësi për t’u lidhur me elektoratin në vitin 1988 derisa e ndryshoi imazhin dhe u shndërrua nga një person i urtë dhe elegant, në një burrë me çizme, me të folur të ashpër, përfaqësues anti-intelektual
i trajtave të stereotipizuara amerikane që i mveshen kaubojit – katunari romantik siç është krijuar nga Hollivudi. I biri i tij, George W. Bush bëri pikërisht të njëjtën gjë, por ishte më e lehtë për të, sepse ai vërtetë ishte anti-intelektual.
Bill Clinton, një katunar “autentik” i cili gjithashtu, si shumë “katunarë” të tjerë, i edukuar në shkollat më të mira të botës, tejet intelektual dhe liberal, u desh të shtirej si “katunar” dhe të bëhej “Bubba”, për ta bindur elektoratin e klasës punëtore amerikane që ishte edhe ky njëri nga ata. Për Obamën ishte padyshim e pamundur ta performonte rolin e katunarit, madje ai u përball me momente të vështira kur rivalët republikanë e konfrontuan me “Joe hidraulikun”. “Joe hidrauliku” tejet mashkullor, i vetëpunësuar, konservator, fliste gjuhë të thjeshtë, direkte dhe idiomatike, përfaqësonte në mënyrë të përkryer versionin e kundërt të Obamës, i cili duke qenë i sofistikuar, doli të jetë më pak “burrëror”.
Gjinia, natyrisht, është e rëndësishme për të kuptuarit e simbolizmit të katunarit. Aq shumë është i ngarkuar me stereotipe gjinore ky debat, saqë John Kerry, veteran i dekoruar i luftës dhe burrë shumë guximtar në betejë dhe jashtë saj, u portretizua si i zhburrëruar dhe anti-amerikan. Për cilat arsye? Sepse kishte diplomuar në Harvard, fliste frëngjisht, pinte verë dhe ishte aq liberal sa të kritikonte krimet e luftës që kishte kryer vendi i tij.
Njerëzit urbanë padyshim janë të konstruktuar si më pak autentik sepse janë më kozmopolitanë, më të hapur ndaj kulturave të ndryshme dhe si rrjedhojë, më pak të lidhur për identitetin konkret kombëtar. Por që qafëkuqi/katunari të bëhet një ikonë kombëtare, ai duhet të fisnikërohet për t’u përshtatur me qëllime të caktuara. T’i kthehemi Ballkanit. Në vitin 1918, studiuesi dhe diplomati serb Jovan Cvijic shpiku burrin Dinarik (bjeshkatari, apo versioni i fisnikëruar i katunarit), për të mishëruar cilësitë heroike të shpirtit kombëtar por të pasofistikuar serb. Në këtë stereotip, ata që banonin në male që shtriheshin në Bregun Adriatik, nga Sllovenia e sotme deri te Shkodra ishin serbë më të pastër sepse nuk ishin kontaminuar kurrë nga zakonet orientale osmane. Shqiptarët nuk përfshiheshin në tipologjinë ballkanike të Cvijicit, edhe pse jetonin në po të njëjtat male. Ai i shihte ata si aq të pacivilizuar, saqë as që i përfshiu në këtë kategori. Ai i paraqiti këto ide raciste në frëngjisht, për të mbështetur vizionin e një Jugosllavie të udhëhequr nga serbët.
Poeti Gjergj Fishta propozoi që bjeshkatari – versioni i fisnikëruar i katunarit – ishte shqiptar më origjinal. Kur fliste me vëllain e tij françeskan Pal Dodaj mbi dobësinë e lëvizjes kombëtare emancipuese shqiptare, ai shkruante në vitin 1907 se: “Kush mendoni se mund ta ndërtojë këtë vend? Ndoshta kretinët, qyqarët, të paturpët, burrat tanë urbanë që s’kanë karakter, që bëhen edhe më të ulët kur bëjnë ndere prapa skene për patronët e interesuar, dhe më budallenj nga mbrojtja e tyre dobët? Jo, padyshim që jo. Sidoqoftë, shtysa për përparim civil dhe ekonomik të kombit duhet të vijë nga qytetet. Por unë ju them, do të ishte problematike sikur fshatrat dhe malet tona të bëheshin siç janë qytetet – vatrat e civilizimit!”
Ikoninizimi i outsajderit të parafinuar jourban si hero kombëtar është i fuqishëm. Por më së shumti hyn në punë kur është i shtirur. Në fakt, politikani më i famshëm amerikan i njohur si katunar kauboj është Ronald Reagan, që s’ishte fare i tillë, por e luajti rolin mjaft mirë. Outsajderi i vërtetë mund të jetë vetëm figurë e romantizuar. Regjisori dhe krijuesi i miteve, John Ford, e shpjegoi këtë në filmin e vitit 1962 “Who Shot Liberty Valance”. Jimmy Steward, një avokat urban shkon në Perëndim, ku përballet dhe e vret Lee Marvin-in, kriminelin Valance që po terrorizon qytetin e vogël. Ky akt ia siguron atij një vend në senat dhe në zemrën e Vera Miles. Vite më vonë, ai e pranon që ishte John Wayne, kauboji i parafinuar por i fortë, i cili e vrau Valance-n dhe ia shpëtoi jetën.
Nuk ka asgjë më amerikane sesa John Wayne me armë, që flet direkt dhe me përçmim ndaj intelektualit të dobët, të rafinuar dhe urban që nuk mund të hidhet në aksion. Wayne është heroi që sakrifikon gjithçka, madje edhe të dashurën e tij Miles, ashtu që tipi urban të ketë sukses politik, duke iu përshtatur më së miri shoqërisë së civilizuar.