Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ra kjo krizë e u pamë

Foto: Getty Images

Kriza e fundit energjetike që e kaploi vendin, nxori në sipërfaqe jo vetëm ngathtësinë administrative të qeverisë së Kosovës për ta adresuar atë si duhet, por demonstroi edhe shterpësinë e nocioneve kryesore të partisë në pushtet. 

Gjithë vokabulari i premtimeve të saj, që dikur fqinjëronte gati me një vokacion revolucionar, e të cilat e ofronin ndriçimin e përgjithshëm shoqëror dhe politik, u shembën si kullë prej rëre përballë perspektivës reale të errësirës dhe territ. Ato u harruan brenda natës dhe nuk ofruan më çelësin magjik për të rregulluar të gjitha anomalitë që ishin shtresëzuar për gati mbi dy dekada për shkak të gabimeve qeverisëse nga partitë tjera.  Shprehur metaforkisht, mënyra se si qeveria e drejtuar nga Albin Kurti iu qas krizës energjetike, e shfaqi majën e ajsbergut të kontradiktave më te thella në të cilat është zhytur. Gjatë përpjekjeve për të gjetur një shtegdalje nga kaosi, eksponentët kryesorë të partisë në pushtet e harruan Titanikun e tyre teorik dhe filluan të kacavirren nëpër varkat anësore të anijes masive për të shpëtuar të paktën kush çka të mundet nga rreziku i fundosjes në oqeanin e trazuar të bursave ndërkombëtare.

Ky konfuzion, mbase më mirë se asgjë tjetër, tregoi se retorika me të cilën partia në pushtet e kishte zhvilluar dikur betejën politike ishte huazuar nga një realitet tjetër politik dhe shoqëror, por që në të vërtetë ka kohë që është tejkaluar për shkak të transformimeve ekonomike që kanë ndodhur në nivel global.

Si shembull paradigmatik i këtij dështimi mund të merren justifikimet politike të vetë kryeministrit Albin Kurti dhe të kryeparlamentarit Glauk Konjufca. I pari papritmas filloi të flasë për potencën e tregjeve, për varësinë e qytetarëve të Kosovës ndaj lëkundjeve të tyre dhe impotencën e shtetit për të ofruar mbrojtje ndaj ligjeve derregullative të ekonomisë së tregut dhe në fund adaptimin me logjikën e “agjentëve të armatosur të globalizimit”. Nuk mungoi as shenjtërimi i trupave të pavarur dhe administrativë si ZRRE-ja, të cilët e ushtrojnë veprimtarinë e tyre sipas normave teknokratike. Kërkesa për të intervenuar në punën e tyre u “shpall si thirrje për rrëshqitje në diktaturë”.

Kurse i dyti e justifikoi ngritjen e çmimeve të energjisë elektrike për shumicën e qytetarëve të vendit si një masë të domosdoshme për të disiplinuar babëzinë e tyre për luks dhe konsum joracional. Pra, me këto veprime, sipas tij, qeveria mëtonte t’i racionalizonte me masa  “represive” ekonomike prirjet “jonormale dhe  irracionale” shoqërore.

Ky ndryshim i çuditshëm dhe i befasishëm i retorikës së pushtetit shpërfaqi anën e panjohur të tij dhe mënyrën se si mbartësit e tij kanë filluar ta konceptojnë tash e tutje mbijetesën e tyre politike. Asgjë e rastësishme! Sepse, siç pohon Sheri Berman në librin “Why dhe Left Loses”, vizoni doktrinar i së majtës (e të cilin sa ishte në opozitë e kishte propaganduar partia aktuale ne pushtet), në saje të së cilës ishin ngritur strukturat e shtetit social në shumë demokraci perëndimore, pas viteve ’70 kishte filluar të pësonte çarje nga presioni i shumëfishtë i forcave globale ekonomike.  Ndërtimi i një rendi ku shteti ishte gardian më shumë i shoqërisë se sa i ekonomisë dhe me të cilin aspirohej të kufizoheshin potencialet e mundshme destruktive të kësaj të fundit, qëndronte në thelb të këtij projekti politik. Por, me kalimin e kohës ky vizion u venit. Dhe ai nuk ofronte një strehë të mjaftueshme për t’u bërë ballë sfidave që po i impononin dinamikat e reja ekonomike. Në fund të fundit, kjo doktrinë kishte lulëzuar në “epokën e artë” të sovranitetit shtetëror. Dhe me dobësimin e këtij të fundit pashmangshëm filloi të davaritet edhe rrjeta e tij mbrojtëse sociale.

Prandaj, me të drejtë sociologu i njohur Zygmunt Bauman, në një intervistë për El Pais pat deklaruar se “ martesa ndërmjet pushtetit dhe politikës në duart e kombit-shtet tashmë ka perënduar. Pushteti është i globalizuar (këtu është fjala për të gjitha format e tij). Kurse politika është shndërruar në një veprimtari lokale”. Rrjedhimisht, kjo e fundit mbetet e pafuqishme përballë kthetrave të të parit. Madje, ky antagonizëm e ka shpalosur edhe dobësinë e institucioneve tona demokratike ashtu siç i njohim, e të cilat ishin dizajnuar në një kohë kur pushteti dhe politika qëndronin në një raport tjetër të dyzimit.  Ky hendikep i tyre është shndërruar në burim të frustrimit kolektiv edhe në shumë vende tjera demokratike. Për shkak të kësaj paralize kanë lulëzuar edhe shumë nga lëvizjet populiste. Nga kjo klimë në vendin tonë nuk është që s’ka përfituar politikisht Lëvizja Vetëvendosje. Mirëpo, zjarrmia që ajo e ka përndezur ka rrezik t’i kthehet tash me bumerang.

Në këtë kontekst, kriza e fundit energjetike pasqyroi më mirë se asgjë tjetër përshtatjen e kryeministrit Albin Kurti me parametrat e kësaj forme të re ushtrimit të pushtetit, të cilën e dikur e satanizonte dhe e anatemonte me fanatizëm si shprehje e opurtinizmit. Ai tani nga pozita e të parit te qeverisë nuk nguroi ta kurorëzonte veten edhe me një aureolë pedagogjike.  Me ligjërimet e tij që përfshinin tema që nga proceset teknike të prodhimit të energjisë e deri tek mënyra e distribuimit dhe qarkullimit global të saj, kryeministri Kurti u arsyetua se si mirëmbajtja e këtyre raporteve komplekse mbetet imperativi i tij strategjik dhe taktik. Madje, qoftë edhe me çmimin e zhveshjes politike që mund ta përjetojnë qytetarët nga pushteti i kompanive transnacionale. Mesazhi ishte i pastër si loti. Përdorimi i spektaklit politik ishte bërë për t’u ngritur në lartësitë e Olimpit të pushtetit. Por, tani individët duhet vetë të orientohen në kushtet e reja të këtij organizmi shoqëror dhe politik. Sepse ata janë të papërfaqësuar. Ngase “deklarimet e bëra kur e kam kërkuar mbështetjen e tyre nuk janë premtime dhe zotime, por vetëm synime”.

Kurse, për ta përshpejtuar këtë proces të trusjes, adaptimit dhe përkuljes, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca shkoi edhe një hap më tej. Ai deklaroi se qeveria u detyrua të pajtohet me vendimin për rritjen e çmimit të energjisë, për shkak të misionit tjetër që ajo e paska marrë mbi vete; atë të disiplinimit të individëve me anë të pushtetit. Dhe në fund, shndërrimin e tij në një lloj gardiani që ka për detyrë të mbikëqyrë sjelljet “devijante” të nënshtetaseve të republikës. E mosnënshtrimi ndaj kësaj logjike të re dhe të paprecedent pasohet nga domosdoshmëria e ndëshkimit.

Operimi me këtë gjuhë, të padëgjuar më parë nga ata që sot janë në pushtet, simptomatikisht shpërfaqi transformimin e tyre ideologjik dhe politik. Është ky ndryshim që tregoi se prapa sloganeve të përdorura formalisht deri me tani, të lirisë, barazisë, afirmimit të të drejtave të përgjithshme qytetare, politike dhe sociale si dhe shenjtërimit të përfaqësimit popullor parlamentar, me t’u ulur në kolltukët qeveritarë vendin e tyre e paska zënë ushtrimi i pushtetit sipas strukturave të Panoptizmit. Model ky që është përshkruar nga Michel Foucault në librin e tij “Discipline and Punish: The Birth of Prison”. Kurse si “ana e errët” e ushtrimit të këtij modeli mbetet pikërisht ngjizja e “mikro-pushteteve asimetrike dhe jo barazimtare” me funksione disiplinuese.

Mirëpo, në dallim nga ky skenar që mbetet i kushtueshëm, sepse kërkon lokalizimin e trupave në hapësira të mbyllura, pushteti i ri ne Kosovë qenka indoktrinuar nga format tjera të jetësimit të këtij qëllimi. Sipas kalkulimeve të saj, tagrin financiar për zbatimin e projektit të disiplinimit të qytetarëve tash e tutje ata duhet ta paguajnë vetë.

Janë këto teknika të reja të reja që sociologu i njohur Maurizio Lazzarato, i ka analizuar në librin e tij “The Making of the Indebted Man”. Sipas këtij teoricieni, sot qeveritë, në vend të modelit që e ka përshkruar M.Foucalt, më shumë janë të prira nga ngarkimi i qytetareve të tyre me shpenzime të papërballueshme financiare dhe detyrimi me borxhe konstante, në mënyrë që ata të jenë përherë borxhli ndaj pushtetit.

Është kjo paradigmë e sipërcekur nga e cila siç duket derivoi reagimi bazik i qeverisë për ta adresuar krizën energjetike. Dhe që në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme e “dekonspiroi” mënyrën e vërtetë se si pushteti e paska projektuar ushtrimin real të tij.  Atë na zbuluan justifikimet e eksponentëve të kësaj metode. Ata treguan se në vend të perspektivës së demokracisë sovrane dhe popullore që dikur e trumbetonin me patos ideologjik, tani janë përcaktuar si alternativë që na i ofron tentakulat e debtokracisë së përgjithshme dhe varësisë nga lëkundjet e bursës ndërkombëtare.

Prandaj, nuk është e rastësishme që kjo qeveri e shndërroi veten në spektatore indiferente edhe përballë ngritjes astronomike të çmimeve edhe në sferat tjera të jetës. Ajo zgjodhi të bëjë sehir, duke i lënë qytetarët e këtij vendi në mëshirën e fatit e që të gjenden vetë si të munden përballë spekulimeve të nxitura nga apetitet dhe interesat për përfitim të kompanive tregtare.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.