Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

“Raki, hudhër dhe limon”: Si lajmet e rreme rrezikuan jetën e njerëzve në Shqipëri

Problemi i vërtetë ishin qëndrimet joshkencore dhe të pabazuara që filluan të qarkullonin në shumicën e faqeve të internetit në muajt e parë të pandemisë. Mund të gjesh lehtësisht “lajme të rreme” se si COVID-19 mund të trajtohet në shtëpi me raki!

Kur disa nga gjigandët më të mëdhenj në botë në fushën e farmaceutikës po konkurronin me kohën dhe njëri-tjetrin, për të gjetur një vaksinë kundër COVID-19, në Lezhë (një qytet në veri të Shqipërisë) dy njerëz po shisnin doza të një “ilaçi magjik” që nuk ishte asgjë tjetër veçse një përzierje e acidit klorhidrik dhe ujit. Çmimi i shitjes së ilaçit të supozuar ishte 20 mijë lekë (160 euro) dhe një numër i konsiderueshëm i njerëzve kishin qenë viktima të këtij mashtrimi. F. Frroku 57 vjeç dhe H. Frroku 30 vjeç u arrestuan nga policia në korrik të vitit 2020 pasi kishin pretenduar në Facebook se kishin zbuluar kurën kundër COVID-19.

Dëshpërimi ose frika nga humbja e të dashurve nga COVID-19 po shtynte mjaft individë të besonin se kurat magjike ekzistojnë. Mediat sociale shërbyen si një burim informacioni, mjet marketingu dhe “dyqan online” për të shitur kurën e supozuar nga njerëz që nuk kanë njohuri në mjekësi. Kontrolli i përmbajtjeve në mediat sociale është i vështirë, prandaj është në dorën e publikut të bëjë kërkimin dhe të filtrojë informacionin dhe saktësinë, dhe të dallojë lajmet e rreme. Rrjetet sociale nuk ishin të vetmet në këtë mbidozë të informacionit të rremë që në disa raste, madje vënë në rrezik edhe jetën e qytetarëve. Mania e “klikimeve” infektuan gjithashtu mediat e konsoliduara me një reputacion të mirë.

Faqet e internetit përplot me “lajme të rreme” për trajtimin e COVID-19

Shqipëria konfirmoi dy rastet e para të infektimit me COVID-19 më 9 mars 2020, por paniku global në lidhje me virusin kishte mbërritur shumë më parë. Megjithëse gjërat nuk ishin të qarta në mbarë botën dhe nuk kishte protokolle trajtimi, në media u shfaqën artikuj të panumërt mbi mënyrën se si duhet të trajtohet virusi. Vitamina C u theksua si një element që rrit imunitetin, por në publik kjo u interpretua si shpëtim nga COVID-19. Efekti zinxhir i kësaj ishte një rritje e çmimeve të frutave si portokalli, limoni ose mandarina, kurse në marketet e mëdha furnizimet e këtyre frutave u zhdukën menjëherë. Në këtë rast, nuk rrezikohej shëndeti i askujt, përveç “shëndetit” të xhepave të qytetarëve që shkonin në dyqane dhe barnatore të zbrazëta në kërkim të vitaminës C. Por ky ishte informacioni më pak i dëmshëm.

Problemi i vërtetë ishin qëndrimet joshkencore dhe të pabazuara që filluan të qarkullonin në shumicën e faqeve të internetit në muajt e parë të pandemisë. Mund të gjesh lehtësisht “lajme të rreme” se si COVID-19 mund të trajtohet në shtëpi me raki (një pije alkoolike tipike shqiptare). Pretendohej se konsumimi i saj e mbante larg koronavirusin. Një mjek që citohej në faqet e internetit pretendonte që nëse aplikoni masazhe trupi me dy pije alkoolike, efektet e koronavirusit mund të jenë më pak agresive. Papritmas, dafina, limoni dhe hudhra u “aprovuan” si produkte mrekulli që shërojnë këtë virus të rrezikshëm.

Të botuara njëra pas tjetrës për të tërhequr sa më shumë klikime, lajmet e rreme rrezikuan të “minojnë” punën e institucioneve të shëndetit publik për rritjen e ndërgjegjësimit të qytetarëve për të mbajtur distancë dhe për të mbrojtur veten nga virusi në vend se të neglizhojnë atë duke krijuar idenë se ilaçi është kudo.

Lajmet e rreme kanë rritur numrin e skeptikëve që nuk duan të vaksinohen

Një seri lajmesh në lidhje me teoritë e konspiracionit bënë xhiron e botës dhe Shqipëria nuk ishte përjashtim. Në media mund të gjesh lehtësisht qindra tituj në lidhje me teorinë se COVID-19 u krijua për të shfarosur grupe të caktuara të shoqërisë, për të rritur fitimet financiare të kompanive farmaceutike, ose për t’i detyruar njerëzit të vaksinohen, që nuk ishte gjë tjetër veçse një mikroçip.

Emri i miliarderit Bill Gates përmendej shpesh në këto teori, duke pretenduar se ai kishte për qëllim të kontrollonte botën. Teoritë e konspiracionit, të cilat madje janë shfaqur në mediat kombëtare, kanë rritur numrin e skeptikëve në lidhje me vaksinimin. Një study i kryer nga grupi këshillimor “Balkans in Europe” tregon se vendi që ka numrin më të madh të mbështetësve të teorive të konspiracionit në Ballkanin Perëndimor është pikërisht Shqipëria. Sipas të njëjtit studim, një numër i madh njerëzish janë kundër vaksinimit, jo vetëm në Shqipëri, por në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Informacioni konfuz në lidhje me ilaçet ka rritur shitjet në tregun e zi

Para se të aprovohej vaksina, protokollet e trajtimit në disa vende përbëheshin nga barna antivirale për të luftuar Covid-19. Favipiravir ishte ilaçi i parë i përdorur kundër Covid-19 në Vuhan (Wuhan) dhe më pas në Itali, Japoni, Rusi, Turqi. Disa nga këto vende e ofruan atë falas, si pjesë e trajtimit të Covid-19 në spitale.

Një ilaç tjetër ishte Remdesivir i cili përdoret në mënyrë intravenoze. Pasi lexuan informacionin në lidhje me këtë bar, i cili qe provuar se është i suksesshëm në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Evropë, dhe pas konsultimit me mjekë privatë, njerëzit filluan t’i blinin ato në tregun e zi. Këto ilaçe mund të gjendeshin në mënyra informale me një çmim prej 350-500 euro.

Një pjesë e madhe e popullsisë kishte frikë të shkonte në spitalet publike nga paniku se të sëmurët po liheshin pa kujdesin e duhur mjekësor. Besimi në këto ilaçe u forcua më tej nga fakti që vetë Ministria e Shëndetësisë deklaroi në muajin tetor se do të fuste në përdorim trajtimin me Remdesivir si terapi në spitalet publike.

Ata që nuk kishin mundësi, filluan të blinin dhe të përdorin antibiotikë të thjeshtë (për shembull, azitromicinë), edhe kur nuk kishte nevojë. Nuk ka asgjë të keqe në përpjekjen për të shpëtuar jetën, por informacioni konfuz nga burime të ndryshme bëri që njerëzit me simptoma të lehta të Covid-19 filluan të marrin ilaçe të ndryshme pa u konsultuar me ndonjë mjek. Mjekët në Shqipëri që punojnë jashtë vendit kanë theksuar në media se Covid-19 nuk ka nevojë të trajtohet me antibiotikë të rëndë dhe se ka mënyra dhe trajtime të tjera, në varësi të gjendjes së pacientit.

Rakija luk i limon Kako laznite vesti zagrozija covecki zivoti vo AlbanijaBurimi: balkaninsight.com

Loja e numrave! A ishte edhe qeveria pjesë e lajmeve të rreme?

Mënyra se si trajtohej pandemia ndau edhe publikun. Qeveria e konsideroi atë të suksesshme dhe Kryeministri e theksonte këtë në shumë raste. Por a është i vërtetë ky sukses? Së pari, duhet të themi se, në kohën kur vendi ishte në karantinë (nga marsi deri në maj të vitit 2020), Shqipëria kishte një humbje në pothuajse çdo sektor të ekonomisë. Pra, kur ndodhi vala tjetër e epidemisë në periudhën gjatë muajve shtator-nëntor, qeveria vendosi të mos sakrifikojë ekonominë dhe ta mbajë atë të hapur, por me disa kufizime. Sigurisht, ajo që u flijua ose sakrifikua ishte jeta e njerëzve. Zyrtarisht, Shqipëria sot (09.07.2021) ka një total prej 2456 raste vdekjesh nga Covid-19 që nga fillimi i pandemisë. Por a është ky numri i vërtetë i të vdekurve nga virusi?

Sipas një raporti të botuar nga Healthdata.org, Shqipëria është vendi i katërt në botë për sa i përket rasteve të vdekjeve nga Covid-19 për nga numri i popullsisë, menjëherë pas Azerbajxhanit, Bosnjë dhe Hercegovinës dhe Bullgarisë.

Instituti i Statistikave, përndryshe një burim zyrtar, në raportet e saj tregon për një shkallë të lartë të vdekshmërisë, e cila na çon në faktin se Qeveria nuk është plotësisht “e sinqertë” kur bëhet fjalë për vdekshmërinë nga Covid-19, të cilat shifrat zyrtarisht i publikon Ministria e Shëndetësisë.

Sipas Institutit, në periudhën nga muaji prill 2020 deri në mars 2021, Shqipëria kishte rreth 9.300 raste vdekjesh shtesë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur virusi nuk ekzistonte (për këtë periudhë, shifra zyrtare është 2.423 raste vdekjesh për shkak të Covid-19).

Në 12 muajt e fundit (prill 2020 – mars 2021) rreth vdiqën rreth 31.000 njerëz, krahasuar me pothuajse 22.000 në periudhën nga prilli i 2019 deri në marsin e 2020, ose një rritje prej më shumë se 42.7%.

Një shembull tjetër i dështimit të qeverisë për të siguruar informacion të saktë për mediat ishin testet për Covid-19. Kryeministri më 18 mars deklaroi se testet që po kryheshin në Shqipëri ishin më të shumta se në të gjitha vendet e tjera në rajon, por media zbuloi pikërisht të kundërtën, duke krahasuar të dhëna zyrtare nga disa vende, të cilat treguan se deklarata e Ramës ishte e rreme.

Media ka nevojë për një vaksinë, atë për të vërtetën

Edhe mediat ka mëkatet e tyre kur bëhet fjalë për raportimin mbi pandeminë. Shumica e tyre bashkuan forcat në fillim dhe filluan të informojnë dhe këshillojnë publikun për të rritur ndërgjegjësimin nga rreziku i virusit dhe për masat e mbrojtjes. Por nga ana tjetër, ata nuk arritën t’i shpëtonin manisë “për klikime”, pa filtruar siç duhet informacionin. Një analizë ku përfshihej mënyra se si kanë raportuar mediat gjatë kohës së pandemisë, e kryer nga dy akademikë të njohur, tregoi se media shqiptare kishte bërë një hap prapa kur bëhej fjalë për standardet profesionale të raportimit mediatik. Por cilat ishin disa nga përfundimet e kësaj analize?

Në thelb, raportimi mediatik për Covid-19 u përqendrua vetëm në deklaratat zyrtare. Asnjë hetim i thelluar nuk u krye për të konfirmuar nëse ato deklarata dhe shifra të raportuara nga qeveria dhe institucionet shtetërore në lidhje me pandeminë ishin të vërteta apo jo. Nuk u bë asnjë hulumtim më serioz dhe u krijua një terren ideal për këtë lloj gazetarie. Kishte vetëm 2-3 hulumtime të shkurtra.

Gjithashtu, nuk kishte raportim të ekuilibruar në media, në kuptimin e ofrimit të hapësirës për një zë të pavarur përkundër përfaqësuesve zyrtarë të shtetit. Theksi që u vu në përhapjen e virusit dhe situatën shëndetësore la në sfond theksin që mund të vihej në pasojat ekonomike dhe sociale të shkaktuara nga karantina dhe Covid-19.

Portalet kishin shumë raportime artificiale, kurse prania e ekspertëve ose informacionit teknik ishte e shkurtër dhe shërbehej si “fast food“. Përveç kushteve të vështira në të cilat u gjetën gazetarët, nga aspekti ekonomik, pandemia e bëri edhe më të vështirë raportimin nga terreni. Konferencat për shtyp u zhvendosën në rrjetet sociale dhe prania e gazetarëve u eliminua qëllimisht, gjë që e bëri të pamundur shtrimin e pyetjeve.

Koha për veprim

Pandemia Covid-19 ishte një provë për shoqërinë, sistemet, ekonomitë dhe mediat në të gjitha segmentet e tyre. Nëse kthehemi mbrapa një vit më parë, do të shohim se mediat janë akoma të brishta dhe se ata ishin në gjendje të kryenin misionin e tyre në një mënyrë më të mirë.

Po tani? Pas kalimit të stuhisë me Covid-19, është koha të reflektojmë për atë që ndodhi.

Mediat tradicionale duhet të veprojnë dhe të mësojnë nga gabimet e tyre. Ky duhet të jetë thelbi i misionit të tyre dhe në radhë të parë të vendosë interesin publik. Duhet të jetë një burim informacioni i dorës së parë kur bëhet fjalë për lajmet dhe raportimet, dhe kështu të luajë një rol kryesor në edukimin e publikut. Kjo do të ketë një efekt zinxhir që do të lejojë audiencën të jetë më e kujdesshme në atë që beson dhe të shoshitë të vërtetën nga ajo që është e rreme.

Nga ana tjetër, qeveria duhet të marrë një mësim që, herët a vonë, gjithçka del në dritë. Të jesh i sinqertë ndonjëherë është një alternativë më e mirë në rastet e trajtimit të një situate urgjente sesa ta fshehësh atë. Një nivel më të lartë llogaridhënie, njerëzit e pranojnë më mirë sesa panikun dhe skepticizmin.

Sa i përket portaleve të lajmeve, është koha që autoritetet e mbikëqyrjes së medias të fillojnë t’u kushtojnë më shumë vëmendje. Qëllimi i vetëm i portaleve është të rrisin numrin e klikimeve, përmes lajmeve të rreme, dhe për këtë arsye ata duhet të jenë përgjegjës për dëmet që shkaktojnë.

Rrjetet sociale? Epo, ato janë ato që janë! Është e pamundur që ato të kontrollohen, prandaj duhet të punohet në ngritjen e vetëdijes për rreziqet, në kuptimin që gjithçka që lexoni atje nuk do të thotë domosdoshmërisht se është e vërtetë.

 

Teksti është pjesë e edicionit “Tales from the Region”initiative led by Res Publica and Institute of Communication Studies, in cooperation with partners from Montenegro (PCNEN),), Kroacia (Lupiga, Kosova,Sbunker, Serbia,Ne Davimo Beograd), Bosnja dhe Hercegovina (Analiziraj.ba), Shqipëri (Monitor.al) dhe Greqia (Macropolis), në kuadër të projektit “Bashko pikat: politika të përmirësuara përmes pjesëmarrjes qytetare ” me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Shkup.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.