Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rambuje – 23 vjet pas

Më 18 mars 1999, delegacioni i Kosovës, me në krye Hashim Thaçin, Ibrahim Rugovën, Rexhep Qosjen dhe Veton Surroin, nënshkroi në Paris një dokument të quajtur Marrëveshja e Përkohshme për Vetëqeverisje në Kosovë, e njohur si Marrëveshja e Rambujesë. Kjo marrëveshje askund nuk e identifikonte Serbinë/RFJ-në si agresor e okupator dhe shqiptarët nuk i trajtonte si popull, por si pjesëtarë të bashkësisë kombëtare shqiptare në Kosovën shumetnike, sikurse serbët, turqit, romët, goranët dhe të tjerët. Në Marrëveshjen e Rambujesë, kapitulli 1, neni 2, thuhet se bashkësitë nacionale serbe dhe shqiptare supozohet se do ta arrijnë pragun e 5% të popullsisë. Tutje, në këtë dokument, thuhet se bashkësitë kombëtare në Kosovë duhet të jenë të barabarta dhe se asnjë bashkësi nacionale nuk ka të drejtë të bëjë veprime që çojnë kah cenimi i integritetit dhe sovranitetit territorial të RFJ-së.

Me nënshkrimin e këtij dokumenti, shqiptarët për herë të parë po ia pranonin sovranitetin dhe integritetin territorial shtetit okupues serb/jugosllav. Në të vërtetë, jo nënshkrimi i Marrëveshjes së Rambujesë, por vetë vajtja në Rambuje përbënte gatishmëri për ta pranuar sovranitetin dhe integritetin territorial të RFJ-së. Kosova, në bazë të Marrëveshjes së Rambujesë, kishte të drejtë të përfaqësohej në Kuvendin e Serbisë dhe në Dhomën Qytetare të RFJ-së, por jo të përfaqësohej edhe në Dhomën e Republikave të RFJ-së, çka ishte edhe më pak sesa parashihte Kushtetuta e vitit 1974. Marrëveshja parashihte që Kosova të ketë një Kuvend të përbërë nga 120 anëtarë, 80 prej të cilëve të zgjidhen drejtpërdrejt, kurse 40 të tjerët nga pjesëtarët e bashkësive kombëtare, si dhe që kryetari i Kuvendit të mos jetë nga e njëjta bashkësi kombëtare me presidentin e Kosovës. Marrëveshja e Rambujesë, implementimi i të cilës garantohej nga prania e 28.000 trupave të NATO-s në Kosovë, parashihte për Kosovën autonomi përmbajtjesore në kuadër të sovranitetit dhe të integritetit territorial të RFJ-së.

Kjo marrëveshje nuk e përmendte askund as UÇK-në, e cila, në trajtimin e kësaj marrëveshjeje, barazohej me nivelin e njësive paramilitare serbe. Për më shumë, në bazë të kësaj marrëveshjeje, 2.500 ushtarë dhe 1.500 policë të RFJ-së dhe të Serbisë do të vazhdonin të mbeteshin në Kosovë. Marrëveshja e Rambujesë parashihte kompetenca për komunat dhe bashkësitë kombëtare në Kosovë, të cilat më pas i hapën rrugë copëtimit të Kosovës. Marrëveshja e Rambujesë kërkonte nga shqiptarët që ta pranonin një shtet të paqenë, RFJ-në, të cilin nuk e kishin njohur as vetë BE-ja, ShBA-ja dhe as organizmat ndërkombëtarë. Kjo marrëveshje parashihte që Serbia t’i mblidhte taksat dhe tatimet dhe nuk parashihte dëmshpërblim për 150 mijë punëtorët dhunshëm të përjashtuar nga puna, as kompensim të pasurive të dëmtuara të Kosovës e as të dëmeve të luftës.

Marrëveshja e Rambujesë nuk e përmendte askund shprehimisht referendumin, por jepte vetëm frazën jo fort qartë të përcaktuar: “Në bazë të vullnetit të popullit”, pa specifikuar ndokund në bazë të vullnetit të cilit popull. Madje, po e njëjta fjali, bashkë me togfjalëshin “vullnetit të popullit”, radhit menjëherë më pas edhe mbështetjen në Aktin Final të Helsinkit, sipas të cilit kufijtë ndërkombëtarë mund të ndryshojnë vetëm me pajtimin e të dyja palëve. Po ashtu, siç dihet, bashkësitë kombëtare nuk gëzojnë të drejtë për referendum. Pra, kjo marrëveshje ishte në shpërputhje të plotë me vullnetin e qytetarëve të Kosovës për një shtet sovran e të pavarur.

Serbia/RFJ-ja e refuzoi prerazi këtë marrëveshje për arsye se ajo garantonte që forcat e NATO-s të gëzonin qarkullim të pakufizuar nëpër tërë RFJ-në, duke përfshirë edhe hapësirën ajrore si dhe ujërat territorialë. Për këtë arsye, më 24 mars 1999, NATO-ja i nisi sulmet bombarduese kundër Serbisë/RFJ-së. Pas fillimit të bombardimeve të NATO-s, forcat serbe vranë afërsisht 10 mijë shqiptarë të Kosovës, deportuan afro një milion shqiptarë nga Kosova, shkatërruan mijëra shtëpi, dhunuan mijëra gra… Bashkësia ndërkombëtare, pas gjithë këtyre krimeve, vazhdoi t’i referohej Marrëveshjes së Rambujesë në Rezolutën 1244 të KS të OKB-së, megjithëqë parimi rebus sic stantibus i së drejtës ndërkombëtare mundëson që një marrëveshje të mos jetë më e vlefshme mbasi të kenë ndryshuar rrënjësisht rrethanat nën të cilat ajo është nënshkruar.

Ç’është e drejta, nuk është se liderët e Kosovës e kishin kërkuar ndonjëherë zbatimin e këtij parimi. Më 3 qershor 1999, presidenti i RFJ-së, Slobodan Milosević, pranon dokumentin e hartuar nga Strobe Talbott (ShBA), Martti Ahtisaari (BE), Victor Chernomyrdin (Rusi), i cili dokument kërkon tërheqjen e të gjitha forcave policore, ushtarake dhe paraushtarake të RFJ-së/Serbisë nga Kosova, për shkak se vetëm kështu refugjatët do të ndjeheshin të sigurt për t’u kthyer në shtëpitë e veta dhe trupat e NATO-s do të vendoseshin në një ambient të sigurt dhe pa gjasa për ndonjë konflikt me ato të Serbisë/RFJ-së. Për më shumë, dokumenti Talbott-Ahtisaari-Chernomyrdin parashihte, ashtu siç synonte Slobodan Milosević, edhe vendosjen e një misioni të OKB-së, që më vonë do të njihej si UNMIK.

Pra, delegacioni i Kosovës u shtrëngua ta nënshkruajë Marrëveshjen e Rambujesë, duke humbur kështu luftën me Serbinë/Jugosllavinë, për arsye se udhëheqësia ushtarake dhe politike e Kosovës deri në momentin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje kishte bërë gabime trashanike. Udhëheqësia politike dhe ushtarake e Kosovës kishte vepruar e shkëputur nga puna politike me popullin, duke bërë kështu që lufta në Kosovë të ishte luftë e disa grupeve të organizuara e të armatosura keq nga njëra anë, si dhe armatës serbe/jugosllave, të organizuar e të armatosur mirë, nga ana tjetër. Përfundimi i kësaj lufte dihej paraprakisht, pikërisht nga shkaku se në të populli mbeti spektator dhe, për më keq, ra edhe pre e zullumit hakmarrës të pushtuesit serb/jugosllav. Po ashtu, në vend të luftës guerile, kryesisht u bë luftë frontale, e shërbimi më i madh që një popull i kolonizuar mund t’ia bëjë okupatorit është që në vend të luftës guerile të bëjë luftë frontale, sepse një popull i kolonizuar nuk çlirohet duke pritur që të bëhet më i fortë sesa okupatori, por duke ia bërë okupatorit të paleverdishëm qëndrimin në territorin e okupuar.

Po të bënim luftë guerile, duke përdorur edhe doktrinën e “popullit të armatosur”, padyshim se lufta do të zgjaste më shumë dhe do të kishte më shumë të rënë për liri, por viktima do të kishte më pak dhe fitorja do të ishte e pashmangshme. Rambuje do të ishte krejt ndryshe sepse gjendja në terren do të ishte shumë më e volitshme. Ne nuk ishim forcë efikase, e këtë më së miri e dëshmon fakti se kur mijëra të rinj provonin të bëheshin pjesë e rezistencës së armatosur, strukturat udhëheqëse brenda kësaj rezistence i kthenin mbrapsht. Po ashtu, udhëheqësia politike e ushtarake e Kosovës gjatë luftës në Kosovë nuk arriti të shpërndante armë të vogla në popull për të organizuar grupe vetëmbrojtëse, siç bëri Sllovenia më 1991, duke armatosur qytetarët sllovenë që në rast sulmi ta mbronin dinjitetin e tyre, por njëkohësisht edhe dinjitetin e Sllovenisë. Udhëheqësia politike e ushtarake e Kosovës më 1998-1999 nuk ia doli ta ndalte dëbimin e afro një milion civilëve të pafajshëm, vrasjen e mbi dhjetë mijë civilëve të pafajshëm, rënien e mijëra civilëve të pafajshëm në burgjet e Serbisë… Duket se qëllimi ishte nxitja e forcave serbe për të ndërhyrë në popullatën civile, në mënyrë që kësisoj të shkaktohej ndërhyrja ushtarake e forcave të NATO-s kundër Serbisë/Jugosllavisë. Prandaj, mund të duket paradoksale, por civilët e vrarë dhe popullata e dëbuar janë çlirimtarët e Kosovës.

Author

  • Shkëlzen Gashi

    Shkëlzen Gashi ka studiu Shkencat Politike në Universitetin e Prishtinës, kurse magjistraturën për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut në programin e përbashkët studimor të Universiteteve të Bolonjës dhe të Sarajevës. Është autor i shumë botimeve (librave dhe artikujve). Në vitin 2010 ka botuar biografinë e paautorizuar të Adem Demaçit, i cili ka kaluar 28 vjet nëpër burgjet jugosllave. Kohët e fundit, ka botu shumë artikuj brenda e jashtë vendit rreth historisë së Kosovës në tekstet mësimore të historisë në Kosovë dhe në vendet përreth Kosovës – Shqipëri, Sërbi, Mal të Zi dhe Maqedoni. Po ashtu, tani është duke shkruar biografinë e Ibrahim Rugovës, udhëheqësit të shqiptarëve të Kosovës 1989-2006.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.