I ndjeri Astrit Dehari, aktivist i VV-së, vdiq të shtunën në burgun e Prizrenit. Shërbimi Korrektues i Kosovës kishte për detyrë që të kujdesej për mirëqenien dhe sigurinë e tij, përfshi këtu edhe parandalimin e vetëvrasjes përmes masave të sigurisë (nëse ky del të jetë shkaku i vdekjes nga autopsia).
Në periudhën e gazit lotsjellës, një deputeteje të Kuvendit të Kosovës nga rradhët e VV-së iu publikuan në media skanime të organeve gjenitale (ku thuhej se fshihej gazi). Ato u nxorën në publik nga spitalet publike, të cilat e kanë për detyrë që të ruajnë privatësinë e pacientëve për të cilët kujdesen.
Në të dyja rastet, kemi të bëjmë me institucione të shtetit që nuk përmbushën detyrat e tyrë ligjore, dhe kështu i shkelën të drejtat civile të qytetarëve të këtij vendi.
Mund të pajtohemi ose jo me pozicionet politike të Vetëvendosjes sa të duam.
Unë për vete si qytetar i këtij vendi nuk pajtohem as me gazin lotsjellës në Kuvend si mjet kundërshtimi, as me kauzat e paqena si decentralizimi e asociacioni, as me ideologjinë e sektit dhe përpjekjen për të ardhur në pushtet me mjete të dhunshme. Dhe as nuk dua që t’i paragjykoj organet e rendit në rastin që e kanë ngritur ndaj aktivistëve për sulmet ndaj Kuvendit (përkundër dyshimeve serioze në pavarësinë e policisë dhe gjyqësorit).
Por këto mospajtime politike nuk duhet të na verbojnë para faktit se në thelb të funksionimit tonë si shoqëri qëndrojnë disa të drejta civile, përtej atyre politike, për të cilat duhet të bëhemi bashkë sa herë që ato shkelen, pa marrë parasysh se nga kush dhe ndaj kujt.
Sepse ligjet dhe institucionet janë aty për të na mbrojtur të gjithëve nga arbitrariteti. Sepse nesër mund të jetë në pushtet pala tjetër e cila sot është viktimë e padrejtësisë, dhe do të detyrohet që ta respektojë standardin të cilin ne si shoqëri e ndërtojmë sot.
Sepse duke i mbrojtur këto të drejta civile ne vendosim se a dëshirojmë të ndërtojmë në një demokraci të vërtetë, nga ato drejt të cilave po vërsulen refugjatët prej gjithë botës (përfshi edhe bashkeqytetarët tanë), apo dëshirojmë të krijojmë autokraci sundimtarësh, ku institucionet janë në shërbim të pashallarëvet të çastit, prej atyre të nivelit kombëtar e deri te cubat e lagjeve, dhe ku të drejtat civile janë vetëm gërma në letër?
Në shkenca politike këto dy lloje demokracish ndahen në “demokraci elektorale” dhe “demokraci liberale”.
Në kategorinë e parë arrihet vetëm minimumi i demokracisë, ai i zgjedhjes së pushtetit përmes votës. Por demokracia përfundon aty, sepse pushteti i zgjedhur i përdorë të gjitha mekanizmat e shtetit për interesa të vëta dhe për ta bërë garën për vota të pabarabartë. Në këtë kategori bëjnë pjesë regjimet si ai i Putinit dhe i Erdoganit.
Në kategorinë e dytë pushteti fitohet me votë, por edhe frenohet prej institucioneve të pavarura dhe prej shoqërisë civile, ndërkohë që të drejtat dhe liritë e qytetarëve janë të pacenueshme. Në këtë kategori hyjnë demokracitë e konsoliduara perëndimore.
Ne si Kosovë jemi diku në mes të këtyre modeleve dhe të paktën në retorikë po e synojmë modelin e dytë. Prandaj edhe duhet të shqetësohemi kur shteti i keqtrajton apo nuk kujdeset për ata me të cilët nuk pajtohemi.
Sepse edhe nëse jeni cinik dhe nuk jeni i bindur me faktin se padrejtësia është moralisht e dënueshme, të paktën mund të bindeni nga interesi vetjak, dhe nga fakti se nesër vetë ju mund të jeni viktima të diskriminimit prej institucioneve arbitrare.
Nëse mendoni se mund të bëhemi pragmatik dhe moralisht relativizues me shkeljen e të drejtave civile kur ato i konvenojnë anës suaj politike, shikoni për shembull se çfarë po ndodh sot në Turqi, dhe merreni parasysh fatin ironik të Fetullah Gylenit.
Ishte pikërisht rrjeti i Fetullah Gylenit ai që përmes njerëzve të tij në sistemin e drejtësisë kishte bërë persekutime politike për hesap të Erdoganit (kur këta të dy ishin akoma aleatë politik dhe Gyleni përfitonte prej sistemit). Për shembull, në vitin 2008, rrjeti i Gylenit i kishte ndërtuar aktakuzat (kryesisht të sajuara) kundër rreth 200 ushtarakëve që akuzoheshin për përgatitje të grushtetit (rasti Ergenekon).
Tani pas prishjes me Erdoganin, vetë rrjeti i Gylenit është viktimë e persekutimit arbitrar prej sistemit të cilin ndihmuan për ta ndërtuar, bashkë me mijëra qytëtarë të tjerë që kanë mospajtime me regjimin autokratik.
Është detyrë e gjithë shoqërisë, përfshi e partive në pushtet, që sot të kërkojë përgjegjësi institcionale për vdekjen e opozitarëve në burgje dhe t’i hetojnë dyshimet serioze për diskriminim apo keqtrajtim të kundërshtarëve.
Sepse cikli i drejtësisë politike duhet thyer dhe besimi në institucione duhet rikthyer nëse dëshirojmë të ndërtojmë shtet të jetueshëm.
Në rastin Dehari, institucionet reaguan me shpejtësi për t’i krijuar kushtet për transparencë dhe për t’i sqaruar rrethanat e vdekjes së aktivistit.
Por, qoftë nga injoranca apo keqdashja, akoma nuk kanë krijuar besueshmëri.
Në rastin më të mirë këtë mosbesim e shkaktuan për shkak të menaxhimit publik të situatës, kur një drejtor i papërgjegjshëm policie e paragjykoi rastin si “vetëvrasje nga medikamentet” (që tani del që nuk është, e që krijon hapësirë për konspiracione).
Ndërsa në rastin më të keq mosbesimin do ta thellojë autopsia, nëse del se vdekja është shkaktuar nga faktori njeri.
Në çfarëdo rasti, duhet pritur me durim rezultatet e procesit institucional dhe të mjekësisë ligjore. Por nuk duhet pritur për asnjë moment me thirrjet për drejtësi.