Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Reforma e sistemit zgjedhor – kartë për konsum ditor

Ulja e besimit qytetar në institucione, në parti politike e përfaqësues të zgjedhur, fragmentarizmi  i partive, një seri zgjedhjesh të parakohshme dhe të tjera, nuk po ndodhin si rezultat i parregullsive në zgjedhje, por si produkt i sistemit zgjedhor aktual. Iniciativës së fundit  për modifikimin e ligjit zgjedhor do t’i përshtatej fraza “Vera e Vjetër në Shishe të Reja’’

Rëndom, në përmbyllje të gati çdo cikli zgjedhor, qoftë lokal apo ato kombëtar, vazhdon të ngrihet e njëjta temë, ajo e reformimit të sistemit zgjedhor. Diskutimet e shumta, përmbajtjesore e edhe ato të politikave ditore, rekomandimet dhe presioni i ushtruar nga shoqëria civile, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të lëvizur institucionet dhe partitë politike  drejt një reformimi të sistemit zgjedhor, përjashto këtu disa ndryshime kozmetike në ligj me qëllim të mënjanimit të parregullsive zgjedhore. Partitë politike, nevojën për reformë zgjedhore vazhdojnë ta përdorin si kartë për të tejkaluar krizat politike dhe për të amortizuar presionin publik. Ideja e reformës vazhdon të trajtohet si deklaratë politike për konsum ditor.

Interesat e ngushta të klaneve të përbrendësuara në parti politike, kanë bërë që këto të fundit të mos arrijnë të ndërtojnë perspektivë afatgjate të sistemit zgjedhor dhe as të kenë qëndrime të artikuluara rreth preferencave për elemente të sistemit zgjedhor.

Në vitin 2011, Kuvendi i Kosovës miratoi një rezolutë në bazë të së cilës u themeluan dy komisione, ai  për reformë kushtetuese dhe ai për amendamentin e ligjit të zgjedhjeve të përgjithshme. Me gjithë punën dhe përkushtimin e grupeve punuese të këtyre komisioneve për t’u dhënë zgjidhje disa problematikave esenciale,  nga ajo e zgjedhjes së presidentit në mënyrë të drejtpërdrejtë e deri tek numri i zonave zgjedhore, të gjitha këto opsione dhe rekomandime mbetur letra të pluhurosura në arkivin e Kuvendit.

Tani në vitin 2019, kur është riaktualizuar çështja e reformës zgjedhore, ky skenar rrezikon të përsëritet, me faktin se partitë opozitare qysh në fillim të kësaj legjislature kanë ngritur kërkesat për shkuarje në zgjedhje të parakohshme, duke aluduar se para këtyre zgjedhjeve nuk do të mund të bëhej reforma zgjedhore.

Paralelisht me këto zhvillime, ekzistojnë tri nisma ligjore të ndara, të cilat prekin ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Qeveria e Kosovës ka sponsorizuar projektligjin për financimin e subjekteve politike që përmban gjithsej 134 ndryshime (në amendamente dhe nene) të cilat prekin tetë nene ekzistuese dhe shtojnë një nen të ri në ligjin aktual për financimin e  subjekteve politike. Këto 134 ndërhyrje prekin dhe 14 nene të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë. Komisionet parlamentare gjatë shqyrtimit të projektligjit për financimin e subjekteve politike të propozuar nga Qeveria kanë bërë edhe 73 ndryshime të reja. Kjo e ka ndryshuar versionin e ligjit të propozuar nga qeveria në masën prej 54,7%. Ndryshimet e propozuara nga deputetët brenda dyerve të mbyllura, disa prej të cilave kundërkushtetuese, e mjaft prej tyre në kundërshtim me standardet e qeverisjes së mirë, kanë nxitur mobilizimin e shoqërisë civile për të kundërshtuar këto ndryshime të dëmshme. Nën moton REFUZOJ, OJQ-të arritën që të ushtrojnë presion publik dhe të detyrojnë qeverinë që të tërheqë projektligjin në momentin vendimtar.

Ky draft ndryshim i ligjit cenon pavarësinë e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike dhe Certifikim, frymën kushtetuese të ligjit, transparencën dhe llogaridhënien e subjekteve politike si dhe prioritetet e Axhendës për Reforma Evropiane (ERA).

Nisma e dytë ligjore që prek ligjin për zgjedhjet e përgjithshme, e iniciuar nga kryetarja e Komisionit për Legjislacion, ka të bëjë me  votimin nga jashtë. Këto propozime, të cilat ende s’janë dërguar në Kuvend për votim, reflektojnë nevojën për ndryshime në legjislacionin për zgjedhje. Përfundimisht, në prill të 2019, më dakordimin e kryetarëve të grupeve parlamentare dhe me 67 vota pro, përmes  komisionit parlamentar Ad-hoc është filluar nisma e tretë, për përmirësimin dhe forcimin e procesit zgjedhor, pjesë e të cilës janë Kryetarët e Grupeve Parlamentare.

Nga këto nisma, përfshirë dhe kërkesat e opozitës për zgjedhje të jashtëzakonshme ne jemi futur në një cikël të kapur nga copat me disa ide konfuze dhe pa një strategji e qëllim të qartë se cili është synimi i ynë me legjislacionin zgjedhor.

Komisioni ad hoc nuk duhet të veprojë nën mandat të kufizuar

Ndryshimet ligjore të cilat mund t’i bëhen ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të cilat janë dhe rekomandime të misionit vëzhgues të BE mbi bazën e të cilave është themeluar Komisioni Ad hoc, përbëjnë modifikim të rregullave zgjedhore dhe efekteve që mund të kenë lidhje me parregullsitë zgjedhore. Ky modifikim i ligjit zgjedhor i herëpashershëm i shërben detajeve të procesit duke përfshirë administrimin edhe menaxhimin e zgjedhjeve, kandidimin, votimin, transparencën e procesit etj. Normalisht, kjo po bëhet për “të lëvizur” drejt diçkaje dhe për të sfiduar status quo-në.

Duke reflektuar në zgjedhjet e viteve 2013, 2014 dhe 2017, pas një mobilizimi dhe angazhimi  të akterëve përgjegjës në zbatimin e ligjit për situatën para, gjatë dhe paszgjedhore, është parë se janë minimizuar parregullsitë dhe është rikthyer kredibiliteti dhe legjitimiteti i procesit zgjedhor. Prandaj, mund të konkludohet se zbatimi i ligjeve aktuale i garanton Kosovës arritjen e standardeve për organizimin dhe menaxhimin e zgjedhjeve. Sistemi zgjedhor do duhej të jetë i analizuar, jo vetëm mbi bazën e rregullsisë ose parregullsive të evidentuara gjatë procesit zgjedhor, por dhe si mekanizëm i cili mund të ndikojë strukturën e sistemit politik dhe përfaqësues në tërësi.

Kjo e bën të nevojshme rishikimin dhe zgjerimin e mandatit për komisionin ad hoc për ndryshim të sistemit  zgjedhor, e jo vetëm ndërhyrje teknike të cilat ruajnë këtë sistem zgjedhor, e adresojnë vetëm efektet që mund të kenë lidhje me parregullsitë zgjedhore.

Ulja e besimit qytetar në institucione, parti politike e përfaqësues të zgjedhur, fragmentarizmi  i partive, një seri zgjedhjesh të parakohshme dhe të tjera, nuk po ndodhin si rezultat i parregullsive në zgjedhje, por si produkt i sistemit zgjedhor aktual. Sistemi aktual zgjedhor po inkurajon parti të dobëta, pa demokraci e konkurrencë të brendshme, po imponon koalicione të panatyrshme, dhe po prodhon legjislatura dhe qeveri jostabile të paafta për të adresuar zhvillimin e nevojshëm ekonomik e social. Ky sistem zgjedhor jo vetëm tek ne, por dhe në vendet e tjera me demokraci të re, ka ndikuar dhe inkurajuar këtë zhvillim partiak e politik. Ky sistem zgjedhor nuk krijon mundësi tjera për përfaqësim dhe zgjedhje më të mira, së paku jo në stadin e zhvillimit të cilin jemi ne.

Kodifikimi i legjislacionit zgjedhor duhet të jetë në funksion të zhvillimit të cilësisë së demokracisë kosovare krahas vlerave universale me demokracitë e qëndrueshme, kjo duhet të synohet të arrihet përmes reformimi të sistemit zgjedhor. Sistemi zgjedhor  nuk duhet të trajtohet vetëm nga dimensioni procedural por dhe nga dimensione të cilat përmes reformimit, adresojnë dhe përmirësojnë strukturën e sistemit politik në tërësi. Opsionet për sistemin zgjedhor duhet të përfshijnë sjelljen e partive, kandidatëve, votueseve, përgjegjshmërinë dhe llogaridhënien e të zgjedhurve.

Nuk është e mjaftueshme të veprohet me një komision ad hoc nën mandat të kufizuar, por  duhet t’i nënshtrohemi një debati më përmbajtjesor dhe përmes sistemit zgjedhor të adresojmë marrëdhëniet mes sistemit dhe përfaqësimit, qeverisjes dhe llogaridhënies.

—-

Ky shkrim mbështetet nga D4D, si pjesë e projektit ‘Avancimi i proceseve demokratike’ financuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.