Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Reforma kundër pabarazisë

Reforma kundër pabarazisë duhet të nisë me llogaritjen zyrtare të varfërisë, analizimin e rezultateve të shtetit të mirëqenies me qëllim shmangien e asimetrive sociale, dhe plotësimin e tij me skema bazë siç janë mbrojtja e fëmijëve dhe e të papunëve.

Në bllogun e kaluar u argumentua se pabarazia në Kosovë ka qenë e lartë katër dekadat e fundit dhe se në vitin 2015 ajo shënoi 43.7%, kalkuluar sipas të ardhurave familjare (kriterit më të pranueshëm e më të përhapur të llogaritjes së pabarazisë). Mesatarja e Bashkimit Europian është nën 30%. Kosova ka qenë rajoni më i pabarabartë në Jugosllavi dhe mbetet shteti më i pabarabartë në gjithë Europën.

Nëse politika e vendit është e interesuar ta sfidojë pabarazinë, ose thellimin e dallimeve dhe krizës sociale, duhet të bëjë reforma në sektorin e politikës sociale dhe të punës.

Dobitë e luftës kundër pabarazisë konsiderohen shumëdimensionale: se zvogëlimi i saj kontribuon në rritjen e shanseve që kufizohen pa meritë, në përmirësimin e perceptimit të shtetit dhe të shoqërisë nga banorët, në rritjen e pjesëmarrjes së mundshme në jetën politike, dhe se indikon në mënyrë të anasjelltë në rritjen e cilësisë së jetës dhe të demokracisë, etj.

Në kushtet e Kosovës, për shkak të përmasave dramatike të pabarazisë, sfidimi i saj do të duhej të bëhej prioritet. Jo vetëm për shkak të potencialit të saj për t’u manifestuar në formë të trazirave, por edhe si përcaktim reformator për të përmirësuar demokracinë dhe kushtet e jetesës.

Ky bllog fokusohet në reformën e mundshme të sektorit të politikave sociale, përmes: (1) Ndërrimit të metodologjisë zyrtare të matjes së varfërisë, (2) Peshimit të implikimeve të politikave bazuar në (nën)shtetësi, dhe (3) Plotësimit të shtetit të mirëqenies.

Që prej instalimit të skemave të para të mirëqenies pas lufte, bazuar në legjislacion (edhe pse thirrja në indikatorë ka pasur jovazhdimësi), shumica e transfereve sociale bazohen në matjen absolute të varfërisë që bëhet nga Banka Botërore dhe që llogarit shpenzimin minimal në konsum. Kjo matje nxjerr në vetvete indikatorë minimalë të varfërisë me qëllim të fundëm që pagesat të mbeten të vogla dhe që buxheti i shtetit të mos ngarkohet. Legjislacioni rregullon se në kohë krizash transferet mund të zvogëlohen, por jo që edhe të rriten bashkë me ekonominë.

Kosova nuk është më në gjendje të pasluftës. Matja e bazuar në konsum do të duhej të merrej vetëm si kriter dytësor nëse do të paraqiteshin raste kur hyrjet do të ishin më të vogla sesa konsumi minimal. Të gjitha vendet e Bashkimit Europian aplikojnë llogaritje relative të rrezikut të varfërisë, bazuar në të ardhurat familjare, sepse ato janë të interesuara të luftojnë pabarazinë. Si rezultat, transferet ndërlidhen gjithnjë me hyrjet aktuale të familjeve. Kështu, ndryshimi i matjes do të avanconte edhe indikatorët bazë shoqërorë të Kosovës edhe madhësinë e transfereve.

Për shembull, nëse mesatarja e familjeve të Kosovës merret pesanëtarëshe, linja e varfërisë më 2011 sipas të ardhurave familjare do të ishte afërisht për 97.66 euro më e lartë sesa ajo zyrtare (figura më poshtë). Në vitet e mëvonshme dallimi është rritur sipas ndryshimeve në treg. Meqë legjislacioni (ligji i pensioneve shtetërore) thirret në linjën e varfërisë, atëherë pagesat sociale do të rriteshin për këtë dallim.

Dallimi prej 97.66 eurosh në muaj nuk është i madh për elitat politike, por është substancial për gjysmën e shoqërisë. Ai do të peshonte në uljen e pabarazisë: në kuptim të menjëhershëm ngaqë pagesat e atyre që gjenden në kushte më të vështira do të përmirësoheshin, kurse në kuptim afatgjatë ngaqë interesimi i publikut për politikat sociale do të ndiqte rritjen e buxhetit social.             

Politika e Kosovës duhet të analizojë rezultatet e skemave sociale nga këndvështrimi se si ndikojnë në kohezionin e përgjithshëm shoqëror dhe në nënshtetësi. Në blogun e dytë, është treguar se si që prej periudhës afër pavarësisë dhe pas saj, kur roli i autoriteteve të Kosovës është rritur, skemat e ngritura sociale kanë targetuar shqiptarët, meshkujt dhe të punësuarit në sektorin publik. Ato jo vetëm që kanë shkuar kundër gruas, fëmijëve, të papunëve, por edhe kanë shtuar në kontestimin e nënshtetësisë pasi kanë ndërprerë afrimin e minoriteteve. Paralelisht, politikat kthyen dallimet klasore dhe të statusit (p.sh. me caktimin e pensioneve kontributdhënëse bazuar në nivelin e arsimit).

Shteti i mirëqenies gjithashtu duhet të vazhdojë të kompletohet. Përderisa shumë shpesh flitet për ngritjen e ushtrisë së Kosovës, shumë më pak diskutohet për skema bazë për mbrojtje të fëmijëve dhe të të papunëve dhe vendi jep bursa në raste shumë të kufizuara për studentët.

Historikisht niveli i varfërisë dhe pabarazisë ka qenë i lartë në Kosovë. Elitat, edhe në Jugosllavi, sikurse pasluftës, janë arsyetuar me nevoja të ndërtimit institucional (si koncept infrastrukturor) dhe me shtrëngime buxhetore. E vërteta është se këto arsyetime dhe nacionalizmi kanë qenë dhe mbeten instrumente me qëllim të pasurimit të elitave dhe mafias. Diku helbete edhe pasoja të inxhinjeringut ideologjik, që nuk rivlerëson kontekstin e evoluimit të rajonit dhe shterpësinë e strategjive të krijimit dhe kushteve të punës të ndjekura gjer më sot.

Sidoqoftë, për dallim prej viteve 90-të, tani ekzistojnë mundësi demokratike për ta adresuar pabarazinë dhe për ta parandaluar eskalimin e krizës. Pyetja është: politika, do të nisë, apo do të bëhet të niset?

(Në blogun e ardhshëm: si e rrisin pabarazinë taksat dhe politikat e punës, duke marrë si shkas lansimin në pritje të sigurimeve shëndetësore, dhe si mund të reformohen ato?)

______________

Bllogu mbështetet nga Friedrich-Ebert-Stifftung, zyra në Kosovë.

Mendimet e shprehura në këtë bllog nuk paraqesin medoemos besimet e Friedrich-Ebert-Stifftung.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.