Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Republika 3.0

Lëvizja Vetëvendosje bëri mirë që u tregua e vëmendshme ndaj mësimeve të historisë ndërkombëtare duke folur për “shtetin zhvillimor”. Por, ajo duket ta ketë bërë këtë duke lënë një element kryesor nga ky rrëfim. Në shumicën e rasteve ku shteti zhvillimor u aplikua në botë, ai u bë i mundur vetëm përmes imponimit të sistemit autokratik të qeverisjes.

Në fushatën e fundit për zgjedhjet parlamentare të vitit 2014, një nga partitë opozitare nxori në tregun politik idenë mbi “shtetin zhvillimor” si gurthemelin e platformës së vet politike. Nga Lëvizja Vetëvendosje atëbotë u tha që roli i shtetit ishte thelbësor në riqëndisjen e strukturës së prapambetur ekonomike.

U theksua shpesh ideja se në kushtet e mbizotërimit të varfërisë e papunësisë ekstreme në vend, roli shtetit duhej parë si lokomotivë shtytëse – dhe jo si i një spektatori inert. Tek ne, ide të tilla, të cilësuara si “majtiste”, sidomos ndër analistë mediatikë, shpeshherë ngjallin mospërfillje e neveri.

Megjithatë, mbase për habinë e shumëkujt, arsyetimet më të qëndrueshme konceptuale mbi nevojën e ndërhyrjes së shtetit në ekonomi rrjedhin nga studiues të njohur perëndimorë, ndër ta edhe nobelistë.

Alexander Gerschenkron, një historian ekonomik i njohur në Harvard, në përpjekje për ta krahasuar historinë e zhvillimit ekonomik të vendeve kyçe evropiane gjatë shekullit 19, e nxori shtetin si akterin kryesor në këtë proces. Madje, ai nxorri një konstatim të thjeshtë: niveli i prapambeturisë ekonomise ishte kyç në përcaktimin e thellësisë së ndërhyrjes së shtetit.

Ndonëse Britanisë i kishin mjaftuar rrymat e tregut të lirë për t’u industrializuar, vendet si Franca, Gjermania e Rusia u mbështetën në forma të ndryshme të ndërhyrjes së shtetit. Është e kuptueshme nëse shumëkush, në përpjekje për ta relativizuar historinë, do të mund t’i shihte mësimet nga ajo epokë si një “kapsulë kohore” – e cila s’do gjente zbatim në kushtet e sotme.

Megjithatë, shembulli i një vendi të vogël, të sapodalë nga Lufta Dytë Botërore – pra, përafërsisht, një shekull pas periudhës së revolucionit industrial britanik – është mbresëlënës.

Koreja e Jugut, e dërrmuar nga okupimi i përgjakshëm japonez, ishte vend krejtësisht agrar në vitin 1945, me tregues ekonomik të krahasueshëm me pjesët më të varfëra të Afrikës. Por, në pesë dekadat e ardhshme, ky vend arriti të jetësojë një transformim spektakolar.

Ky vend, sot, ka konglomeratë ekonomikë të cilët janë të aftë të konkurrojnë me gjigantët më të mëdhenj perëndimorë, siç është rasti i Samsung kundrejt Apple. Në përpjekje për t’u transformuar, ky vend nuk i ndoqi “rregullat e lojës”, sipas të cilave “tregu” ishte i vetmi instrument zhvillimi.

Ndonëse tregu atje luajti rol të rëndësishem, ai ishte i përfshirë në kornizën e një ndërhyrje të fuqishme shtetërore.

Atul Kohli, ekonomist politik në Harvard, i referohet këtij modeli zhvillimor si “kapitalizëm shtetëror”, ndërkaq Robert Wade, nga Shkolla Londineze e Ekonomisë, e quan atë “qeverisje të tregut”. Ndërkaq, në përgjithësi, literatura zhvillimore e cilëson këtë model si “shtetin zhvillimor”.

Ky lloj “shteti” u jetësua kryesisht në vendet e Azisë Lindore në gjysmën e dytë të shekullit 20, ndërkaq thelbi i tij ishte mbështetja e sektorit privat përmes subvencioneve nga paraja publike. Duke e aplikuar këtë model, vendet si Korea e Jugut, por edhe “tigrat [e tjerë] aziatikë”, u transformuan nga shoqëri thellësisht agrare në liderët kryesorë industrialë në botë.

Të shumtë janë ata që e shohin mjetin e subvencionimit si një lloj “blasfemie” karshi postulateve të “ekonomisë së tregut”. Por, “modeli aziatiko-lindor” i “kapitalizmit shtetëror” arriti t’i tejkalojë dobesitë strukturore të modelit sovietik të planifikimit centralist.

Subvencionimi në kuadër të shtetit zhvillimor në Azinë Lindore funksionoi për shkak se ai ishte i kufizuar në kohë, i kushtëzuar me performansë, si dhe – më e rëndësishmja – i kushtëzuar me eksportim. Është e vështirë të mendohet që “tregu ndërkombëtar” të ketë pasur ndonjëherë oreks për blerjen e produkteve broçkulla të tipit të ekonomive centraliste të kohës.

Prandaj, kushtëzimi i subvencionimit me përformansë eksportuese imponoi një lloj “instrumenti disiplinues” tek sektori privat, të cilit iu desh ta shfrytëzonte ndihmën nga shteti në këmbim të prodhimit të produkteve cilësore.

Për t’iu kthyer kontekstit tonë vendor, Lëvizja Vetëvendosje u tregua e vëmendshme ndaj mësimeve të rëndësishme nga kjo histori mbresëlënëse zhvillimore. Thuajse e ngazëllyer, ajo inkuadroi konceptin e “shtetit zhvillimor” si përbërës qenësor të manifestos së saj politike.

Por, ajo duket ta ketë bërë këtë duke lënë në “harresë” një element kryesor nga ky rrëfim i mahnitshëm. Në shumicën e rasteve ku “shteti zhvillimor” u aplikua, ai u bë i mundur vetëm përmes imponimit të sistemit autokratik të qeverisjes.

Ta zëmë, në Korenë e Jugut, pushteti përgjatë disa dekadave të gjysmëshekullit 20, ishte jo vetëm autokratik, por edhe i militarizuar dhe nuk hezitoi ta shtetëzojë tërë sistemin e vet bankar.

Sisteme të tilla u instaluan edhe në vendet e tjera si Indonezia dikur, apo Kina, e cila vazhdon të jetë e tillë. Sistemi autokratik i qeverisjes u tregua të jetë i aftë për evitimin e fragmentimit klientelist që rëndom duket të rezultojë në vendet me sistem demokratik embrional.

Sipas këtyre mësimeve historike, “shteti zhvillimor”, i cili u çimentua përgjatë gjithë Azisë Lindore në gjysmëshekullin e kaluar, u bë i mundur vetëm pëmes pushtetit autokratik. Mirëpo, në kontekstin e sotëm evropian, riprodhimi i autokracisë në përpjekje për ta jetësuar “shtetin zhvillimor” është një iluzion i parealizueshëm – dhe i kushtueshëm.

Vendi ynë nuk disponon me ndonjë ndikim në marrëdhniet ndërkombëtare për t’i shtrembëruar rregullat e pranueshme të lojës, të cilat sot, të paktën në kontinentin tonë, nuk lënë hapesirë për sisteme të tjera, përveç atyre demokratike.

Ne duhet ta kuptojmë pozitën tonë periferike si një “konsumues rregullash”, të cilat janë shkruar nga të tjerë akterë të fuqishëm. Kosova nuk ka kapacitet të jetë as “shkelëse rregullash”, në mënyrën se si kjo bëhet sot nga Kina apo Rusia, e lërë më të jetë “shkrues rregullash”, siç atë akoma e bën Perëndimi.

Duke e kuptuar vogëlsinë tonë relative në rrafshin ndërkombëtar, ne i hapim rrugë vetës për të taktizuar me politikat tona ekonomike në menyrë më racionale dhe pa kosto të lartë politike. Kësisoj, ne duhet të përpiqemi ta ngrejmë një “shtet te mençur” dhe të aplikojmë “ndërhyrje të menqura” ekonomike – të cilat nuk lëkundin ankorimin tonë thelbësor tek vlerat perëndimore të shtetbërjes.

Kosova nuk e ka luksin që të riprodhojë ideologji autokratike, të cilat tashmë janë anakronike për këtë cep të kontinentit.

Është e kuptueshme se si parti të caktuara politike – në mënyrë legjitime për tërheqjen e votave dhe për çështje të profilizimit ideologjik – përvetësojnë mësime nga e kaluara historike për të riprodhuar suksesin e vendeve të tjera. Por, bërja e saj në mënyrë selektive nga cilado parti çimenton idenë e të qenit populizëm oportunist, i cili, herëdokur, do të flaket në sirtarin e historisë si një manipulim i cekët.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.