Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rezultati në referendum nuk e bllokon integrimin e Maqedonisë në BE dhe NATO

Në referendumin e së dielës në Maqedoni më shumë se 91% e votuesve mbështetën marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë për çështjen gati tridekadëshe të emrit. Njëherazi, me këtë votë ata mbështetën edhe vazhdimin e procesit të integrimit të Maqedonisë në BE dhe NATO. Mirëpo propozimi dështoi për shkak që dalja në votë ishte më e ulët se pragu i paraparë i 50 përqindëshit. Dalja ishte vetëm 36.9%.

Dalja ishte e ulët për shkak të bojkotimit që organizoi partia kryesore opozitare, VMRO-DPMNE. Kjo parti e kishte quajtur akt të tradhëtisë marrëveshjen mes Maqedonisë dhe Greqisë, të arritur më 12 qershor të këtij viti në Prespë të Maqedonisë. Përderisa numri i përkrahësve mund të identifikohet më lehtë, numri i kundërshtarëve nuk është i qartë. Kjo sepse jo të gjithë bojkotuesit mund të kategorizohen si kundërshtarë të marrëveshjes dhe integrimit të Maqedonisë në NATO dhe BE.

Dalja më e ulët në kutitë e votimit sesa në zgjedhjet lokale dhe nacionale mund të shpjegohet edhe me faktin se për dallim prej zgjedhjeve normale, në referendum mobilizimi klientelist është më i zbehtë dhe qytetarët presin më pak përfitime të menjëhershme. Përveç këtyre, ShBA-të kishin paralajmëruar më herët se Rusia po financonte dhe ndihmonte grupacione të ndryshme për të dështuar referendumin.

Një raport i Komisionit Transatlantik për Integritet Zgjedhor ka detektuar një sasi të madhe të profileve robotë në Twitter që bënin fushatë për bojkotim të referendumit. Për rreth 60 ditë me radhë para referendumit aktiviteti i këtyre robotëve përbënte 10% të fushatës për referendum. Kjo sasi është më e lartë se në zgjedhjet e fundit në Meksikë dhe Itali. Në korrik Greqia kishte dëbuar nga vendi dy diplomatë rusë për shkak se këta të fundit po financonin fushatat dhe protestat që refuzonin marrëveshjen.

Të gjitha këto së bashku duket ta kenë dobësuar incentivën e qytetarëve për të votuar. Sa i përket pjesëmarrjes së shqiptarëve në referendum, zv-Kryeministri për Çështjet Evropiane të Maqedonisë, Bujar Osmani, tha se dalja e shqiptarëve në referendum ishte më e lartë se dalja në zgjedhjet lokale. Një arsye pse shqiptarët e përkrahin këtë është se ata e shohin BE-në si garanci për mbrojtje nga nacionalizmi maqedon që ka dominuar në dy dekadat që lamë pas. Megjithatë as kjo nuk ishte e mjaftueshme që referendumi të merrte fuqi ligjore.

Megjithatë, menjëherë pasi u zyrtarizua rezultati, Kryeministri maqedon Zoran Zaev deklaroi se të gjithë qytetarët e Maqedonisë, përfshirë opozitën, e dinë se nuk është e mundur që të arrihet një marrëveshje më e mirë me Greqinë për çështjen e emrit. Ai tha se do ta shtyjë legjitimimin e marrëveshjes përmes Parlamentit, ku i duhen dy të tretat e votave të deputetëve për ta bërë një gjë të tillë.

Zaev kërcënoi me zgjedhje të reja në rast se parlamenti dështon që të ratifikojë marrëveshjen. Këtë ia lejon fakti që referendumi i mbajtur dje ka karakter këshillues dhe jo detyrues. Kjo do të thotë që fjalën e fundit për marrëveshjen dhe të ardhmen e vendit e kanë deputetët. Por për të adoptuar këtë marrëveshje duhen 80 vota, përderisa që bashkë me partitë tjera, përfshirë ato shqiptari, koalicioni pro marrëveshjes ka 71 vota.

Një gjë e tillë nuk do të jetë e lehtë pasi që lideri opozitar Hristjan Mickowski tha se referendumi nuk mori miratimin popullor. Ai tha se partia e tij do të respektojë bojkotin qytetar dhe nuk do të votojë për ratifikimin e marrëveshjes në Kuvend, por se VMRO-DPMNE mbetet e përkushtuar në procesin e integrimit euro-atlantik të Maqedonisë. Kjo do ta vështirësojë grumbullimin e votave të mjaftueshme, por Zaev tha se do të fillojë bisedimet për të arritur një marrëveshje me VMRO-DPMNE.

Ndërkohë, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme të BE-së, Federica Mogherini dhe Komisioneri për Zgjerim të BE-së, Johannes Hahn e interpretojnë ndryshe rezultatin e djeshëm, duke e lexuar si të suksesshëm. Ata, në një deklaratë të përbashkët, pohuan se shumica dërrmuese e qytetarëve i thanë “PO” marrëveshjes me Greqinë. Departamenti amerikan i Shtetit e mbështeti referendumin duke thënë se vota e djeshme i jep dritë të gjelbër vazhdimit të integrimit.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg e mirëpriti votën “PËR”, duke aluduar se referendumi ishte i suksesshëm dhe tha se NATO-ja do të mbështetë rrugëtimin e Maqedonisë në këtë organizatë. Duket qartë se ka një mbështetje nga vendet perëndimore për planet e Zaevit për ta dërguar në Kuvend çështjen e marrëveshjes.

Derisa nuk duhet nënvlerësuar dështimi i djeshëm, ai as nuk duhet të ekzagjerohet. Referendumet këshilluese mund të injorohen nga Parlamenti. Kështu ka bërë Kroacia kur në referendumin e organizuar për të vendosur rreth integrimit në BE kishin dalur vetëm 43% e qytetarëve me të drejtë vote. Përkundër kësaj, atë botë Parlamenti kroat kishte vendosur që ta votonte marrëveshjen mes BE-së dhe Kroacisë unanimisht me 136 vota.

Kësisoj, edhe nëse parlamenti do të dështonte të votonte këtë marrëveshje, partia e Zaevit dhe partitë shqiptare duket të jenë në pozicion të favorshëm nëse vendoset të shkohet në zgjedhje. Një arsye për këtë optimizëm është që mbi 600 mijë qytetarë votuan “PËR”, shifër që nuk është arritur asnjëherë nga ndonjë subjekt politik në Maqedoni që nga viti 1994. Arsye tjetër është fakti që në zgjedhjet e fundit lokale, nga 81 komuna, VMRO-DPMNE ka fituar vetëm 5 prej tyre.

Poashtu, kapacitetet e kësaj partie për të ndërtuar koalicione janë skajshmërisht të kufizuara. Asnjë parti shqiptare nuk do të futej në koalicion me të. Për më tepër, liderin real të kësaj partie, Nikolla Gruevski, me shumë gjasë nëntori do ta gjejë në burg dhe nga aty do ta ketë të vështirë të mobilizojë elektoratin.

Për më tepër, VMRO-DPMNE e di gjendjen e saj dhe ka mundësi të mirë që ajo të pranojë të votojë në Parlament. Në rast të votimit pro marrëveshjes, kjo parti do të merrte merita për rrugëtimin e Maqedonisë në NATO dhe BE dhe do të mund të paraqiste veten si parti pa të cilën nuk mund të ecet përpara. Në të kundërtën, nëse LSDM-ja dhe shqiptarët ia dalin të marrin shumicën e madhe në zgjedhjet e parakohshme, VMRO-ja do të margjinalizohet edhe më tej dhe do të bëhet gjithnjë e më jorelevante.

Gjithashtu, me kalimin e kohës qytetarët do të familjarizohen më shumë me emrin e ri të Maqedonisë dhe kjo do të reflektohet në rritje të votës për LSDM-në e Zaevit. Të gjithë këta faktorë tregojnë se situata është nën kontroll dhe nuk ka shumë vend për pesimizëm. Maqedonia ende është në kontroll të planeve të saj për integrim në strukturat euro-atlantike.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.