Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Riatdhesimi dhe tendenca për të ikur përsëri

Është viti 2014. Egzoni, 25 vjeç, pasi u përshëndet me gruan dhe çikën e vogël, u nis për te Stacioni i Autobusëve në Prishtinë. Pothuajse çdo natë, autobusët që çonin në Suboticë ishin të stërmbushur. Përmes Suboticës, të rinjtë si Egzoni kalonin ilegalisht kufirin për në Hungari, për të vazhduar tutje në vendet e zhvilluara të Evropës. I shtyrë nga kushtet e rënda ekonomike dhe paga e ulët e me vonesa, Egzoni kishte mbërritur në Gjermani. Aty filloi punën ilegalisht, me dokumente të falsifikuara. Në javën e parë të punës, Egzoni ndalohet për një kontroll rutinor nga policia gjermane, e cila pas verifikimit të dokumenteve, e arrestoi të riun nga Kosova dhe e dërgoi në paraburgim për një muaj. Pastaj, gjykata vendos ta kthejë mbrapa në vendin e origjinës. Kështu, brenda një muaji përfundoi aventura e Egzonit. Por, ai tani kishte edhe një problem më shumë, pasi shpenzimet e rrugës ilegale i kishin shkuar në mbi 4 mijë euro, shumica prej të cilave të marra borxh. Kësisoj, ai dhe familja e tij u gjendën pranë një situate edhe më të keqe sesa para emigrimit.

Rastet si ky i Egzonit nuk janë të pakta. Në një anketë të bërë nga UNDP në vitin 2014, del që rreth dy të tretat e të riatdhesuarve janë të kthyer jovullnetarisht. Nga ta, shumica kanë kërkuar azil në vendet perëndimore, por u është refuzuar kërkesa. Sidoqoftë, duke pasur parasysh që shumica e të riatdhesuarve kanë migruar kryesisht për arsye ekonomike, sa i vështirë do të jetë riatdhesimi? Cili është roli i institucioneve dhe organizatave të huaja? Çfarë i shtyn të kthyerit ta mendojnë largimin përsëri? Së fundi, në një punim shkencor, i kemi trajtuar pjesërisht këto pyetje.

Riatdhesimi është më i vështiri për personat si Egzoni, të cilët kanë marrë para borxh për të migruar, por nuk kanë mundur të punojnë as sa për ta kthyer obligimin. Të zhytur në borxhe, dhe si punëtorë të pakualifikuar (unskilled workers), ata përballen me presion të madh shoqëror dhe ekonomik. Ndonëse nga viti 2014 ka ndryshime të dukshme strukturore në tregun e Kosovës, personat pa shkollë dhe pa zanat e kanë vështirë ta gjejnë veten. Në krahun tjetër, demotivimi si pasojë e pagave që s’u garantojnë jetë të dinjitetshme bën që një pjesë e madhe e të riatdhesuarve të mbesin të papunë.

Institucionet vendore, por edhe organizatat ndërkombëtare, në vazhdimësi kanë përkrahur programet për të riatdhesuarit. Këto programe përfshijnë trajnimet dhe asistencën për nevojat bazike. Ndonëse duhet të kemi rezerva për cilësinë e trajnimeve, ndihmat për këtë kategori kanë luajtur rol të rëndësishëm. Gjithsesi, numri më i madh i të kthyerve e mendon largimin si zgjidhje të problemeve. Natyrisht, nuk mund të gjykojmë efikasitetin e punës së institucioneve apo organizatave të huaja duke u bazuar në tendencën për riemigrim. Kjo pasi njerëzit emigrojnë edhe pse kanë mundësi për punë, apo aktivitet ekonomik në Kosovë. E thënë ndryshe, emigrimi mund të jetë edhe trend shoqëror.

Riatdhesimi i suksesshëm

Në mesin e të kthyerve, ka persona të cilat kanë marrë me vete eksperiencën e fituar në kompanitë gjermane. Në mesin e storieve të suksesit, gjejmë të riatdhesuar që kanë hapur ferma, kanë ndërtuar serra, kanë hapur lokale të gastronomisë, apo ofrojnë shërbime ‘outsourcing’ për tregun gjerman – qendrat e thirrjeve (call center) janë shembulli më i mirë.

Vetëm se, personat që e kanë pasur më të lehtë riatdhesimin, janë kthyer vullnetarisht dhe në të shumtën e rasteve kanë pasaportë apo dokumente udhëtimi të vendit ku kanë jetuar. Përtej kësaj, këta persona kanë punuar më gjatë jashtë vendit dhe rrjedhimisht gjasat që kanë kursime të cilat mund t’i investojnë janë më të mëdha. Dhe nëse dështojnë në aktivitetet që planifikojnë, rikthimin në kurbet e kanë më të lehtë.

Pse riemigrimi është opsion?

Gjetjet e studimit tregojnë se rreth 67 për qind e të kthyerve e shohin largimin nga vendi si opsion të mundshëm. Arsyet për këtë ikje, ashtu si në emigrimin e parë, janë kryesisht ekonomike.  Në studim maten karakteristikat individuale që rrisin apo zvogëlojnë shanset që një i kthyer ta konsiderojë riemigirmin.

Fillimisht, krahasuar me minoritetet, shqiptarët janë më të prirë për të lënë vendin. Me specifikisht, një shqiptar i Kosovës ka rreth 34 pikë të përqindjes gjasa më të mëdha ta konsiderojë largimin sesa minoritetet e tjera. Shpjegimet për këtë janë të ndryshme. Së pari, procesi i rregullt i migrimit kërkon që një kompani nga vendi pritës ta dërgojë kontratën e punës, pastaj personi aplikon për vizë pune në ambasadë. Shqiptarët, krahasuar me minoritetet e tjera, kanë më shumë familjarë që kanë firma apo që punojnë jashtë vendit. Pastaj, numri i madh i martesave mes rezidentëve dhe atyre që jetojnë në vendet perëndimore mund të jetë tjetër arsye tjetër.

Të martuarit dhe ata që kanë fëmijë janë më pak të interesuar për të riemigruar. Emigrimi shpeshherë kërkon sakrificë, pasi jo e gjithë familja mund të largohet përnjëherë. Kësisoj, kjo sakrificë duket se ndikon negativisht tek ata që e shohin largimin si opsion.

Gjetje interesante është edhe efekti i punësimit në tendencën për t’u larguar nga vendi përsëri. Duket se punësimi nuk ka kurrfarë rëndësie për ata që duan të ikin. Kjo, ndoshta, shpjegohet nga fakti që edhe pse të punësuar, pagat janë shumë të ulëta dhe kushtet e punës të pafavorshme. Kjo e bën ndikimin e punësimit të parëndësishëm në vendimin për t’u larguar nga vendi. Tutje, të kthyerit të cilët kanë pasur të ardhura mbi 1,500 euro kanë tendencë më të madhe për ta lënë vendin përsëri. Për personat pa profesion e pa zanat, ambienti i tregut të punës nuk del të jetë shumë miqësor.

Në anën tjetër, personat që zotërojnë tokë dhe mjete bujqësore kanë tendencë më të vogël të riemigrimit. Përkthyer në numra, personat që kanë tokë bujqësore kanë 21 pikë të përqindjes më pak gjasa ta shqyrtojnë ikjen. Natyrisht, një pjesë e njerëzve në vitet e fundit kanë filluar të merren me kultura bujqësore. Por, aktiviteti i tyre shkon përtej bujqësisë tradicionale. Përmes granteve dhe përkrahjes së donatorëve, shumë bujq kanë arritur të sigurojnë një mirëqenie për familjet e tyre. Në këtë mënyrë, përkrahja për modernizimin e bujqësisë duket të ketë rëndësi edhe për migrimin e popullsisë.

Ngjashëm si të riatdhesuarit, edhe shumë persona të tjerë planifikojnë largimin nga vendi në mundësinë e parë që u jepet rasti. Në fakt, përveç punëtorëve të zanatit, viteve të fundit vërehet trendi i largimit të trurit, kryesisht i doktorëve dhe njerëzve me aftësi në shkencat ekzakte. Këtë trend, natyrisht, nuk mund ta ndalë askush, pasi kjo është dëshmuar nga praktikat e vendeve të tjera. Por, vendi duhet të ketë objektiva që të paktën e zvogëlojnë trendin e largimit.

*Qëndrimet e shprehura në artikull janë të autorit dhe nuk përfaqësojnë institucionin në të cilin ai punon.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.