Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Roli i vlerësimit si instrument i menaxhimit dhe vlerësimi i mësimdhënësve

A duhet të gjykohen mësimdhënësit për vlerësimin e performancës, kur vlerësimi si instrumenti kryesor i funksionit të kontrollit në menaxhment është pika më e dobët në të gjithë sektorët e sistemit tonë shoqëror?

Vlerësimi si instrument i funksionit të kontrollit mat performancën, efektivitetin dhe efikasitetin e aspekteve të ndryshme brenda një strukture organizative (ministri, komunë, drejtori, shkollë, kompani, biznes, etj.). Disa nga pikat kryesore që lidhen me vlerësimin si instrument i funksionit të kontrollit në menaxhim janë: vlerësimi i performancës, planifikimi strategjik, shpërndarja e burimeve, vendimmarrja, kontrolli i cilësisë, zhvillimi i punonjësve, informatat kthyese, menaxhimi i rrezikut, llogaridhënia, organizatat bëhen organizata që mësojnë, etj.

Në vendet ku meritokracia është e dobët, funksioni i kontrollit, respektivisht vlerësimit, brenda menaxhmentit është kyç. Në kontekstin e Kosovës, vlerësimi i performancës, vendimmarrja dhe shpërndarja e burimeve bazuar në kritere objektive është sfiduese. Moskokëçarja për parimet meritokratike ka çuar në favorizime, nepotizëm, si dhe faktorë të tjerë që ndikojnë në vlerësime. Vlerësimi si komponent i menaxhimit në të gjitha strukturat organizative është pika më e dobët.

Për pasojë, menaxhimi efektiv duhet të lundrojë në këto sfida, duke zbatuar sisteme të fuqishme vlerësimi, që theksojnë transparencën, drejtësinë dhe llogaridhënien. Duke vendosur masa dhe kritere të qarta të performancës, minimizohet roli i ndikimeve të jashtme në vlerësime.

Nxitja e një kulture të informatave kthyese të vazhdueshme dhe zhvillimit profesional kontribuojnë në përmirësimin e performancës së përgjithshme organizative, madje edhe në mjediset ku meritokracia përballet me sfida të qenësishme. Në thelb, roli i vlerësimit në menaxhim duhet të bëhet një mjet kryesor për promovimin e drejtësisë, identifikimin e fushave për përmirësim dhe përpjekjen drejt praktikave të bazuara në merita brenda organizatës, si për shembull: rekrutimin mbi bazë të meritokracisë së zyrtarëve publikë e shërbyesve civilë, të zyrtarëve të administratës e të organizatave buxhetore, si dhe të institucioneve arsimore.

Sot, kur shoqëria kosovare është polarizuar rreth çështjes së vlerësimit të mësimdhënësve, besoj se temën duhet shtruar nga perspektiva e qasjes në përfshirjen e mësimdhënësve në format dhe metodat e vlerësimit. Sistemi i arsimit në Kosovë ka nevojë për strukturë funksionale shumë më operative, ku puna dhe angazhimi i mësimdhënësve do të përfaqësonte rezultate më të larta në vlerësim, posaçërisht në orën e mësimit, si njësi bazë e realizimit të planifikimit, udhëheqjes, organizimit dhe kontrollit të procesit të të nxënit.

Vlerësimi i mësimdhënësve

Shtetet e ndryshme kanë qasje të ndryshme karshi vlerësimit të performancës së mësimdhënësve, që përfshin: vëzhgimet në klasë, të dhënat e performancës së nxënësve, vetëvlerësimet, vlerësimi nga kolegët, të cilat reflektojnë prioritete dhe filozofi të ndryshme arsimore.

Këto vlerësime mund të përfshijnë teste njohurish për lëndë specifike, provime pedagogjike dhe vlerësime të aftësive të mësimdhënies. Për më tepër, mësuesit mund të marrin pjesë në aktivitete dhe seminare të vazhdueshme të zhvillimit profesional për të rritur ekspertizën e tyre.

Qëllimi i vlerësimit të mësimdhënësve është që sistemi të sigurohet që mësuesit zotërojnë lëndën për të cilën ata janë përgjegjës për të ligjëruar me nxënësit në klasat e tyre, duke u ofruar nxënësve një bazë solide në përmbajtjen përkatëse akademike. Kërkesat dhe formatet specifike të këtyre vlerësimeve mund të ndryshojnë në varësi të sistemit arsimor, institucionit ose programit të certifikimit.

Çfarë ndodh në Kosovë dhe kush mund ta bëjë vlerësimin e mësimdhënësve?

Në shtete të ndryshme, vlerësimi i mësimdhënësve shpesh kryhet nga organizata, institucione ose autoritete arsimore specifike. Në Kosovë duhet të krijohen struktura dhe entitete që e bëjnë vlerësimin e mësimdhënësve. Aktualisht, kjo si përgjegjësi është në duart e Inspektoratit Arsimor. Sistemi ynë i arsimit ka një mori udhëzimesh e dokumentacionesh për këtë fushë, si licencimi, vlerësimi i performancës, masat afirmative për zhvillimin e vazhdueshëm (pakoja e licencimit). (UA për Këshillin Shtetëror për licencimin e mësimdhënësve (KSHLM), UA për zhvillimin profesional të mësimdhënësve (ZHPM)UA për kriteret dhe procedurat e aprovimit të programeve për zhvillimin profesional të mësimdhënësve dhe punonjësve arsimorë, UA për vlerësimin e performancës së mësimdhënësve).

Për një periudhë të gjatë, Inspektoratit të Arsimit, pa vullnetin e tij, për shkak të ndikimeve të jashtme të paargumentuara, çdo vit i janë dëmtuar funksionet, që nga mungesa e stafit, profesionalizmi, mungesa e rekrutimit, rekrutimi jashtë standardeve dhe ligjshmërisë. Përgjatë kësaj periudhe të transformimit strukturor e funksional të arsimit, nga Inspektorati i Arsimit janë vlerësuar jo më shumë se 800 mësimdhënës, vlerësim i cili nuk është shoqëruar as me masa, as me shpërblime.

Inspektorati i Arsimit, si dhe strukturat e tjera të vlerësimit, luajnë një rol vendimtar në zhvillimin dhe zbatimin e kornizave për të vlerësuar efektivitetin e mësuesve në klasë. Për aq sa kam arritur të informohem, shembujt e institucioneve që bëjnë vlerësimin e mësimdhënësve janë të ndryshme në vende të ndryshme: Departamentet shtetërore të arsimit; Nivelet regjionale; Bordet e certifikimit të mësuesve; Organet të ndryshme të Akreditimit në Arsim; Shoqatat Profesionale të Mësuesve, etj.

Derisa proceset e vlerësimit të performancës së mësimdhënësve duhet të jenë pjesë e pandashme e realizimit të funksioneve të menaxhmentit në të gjitha nivelet qeverisëse, në rrethanat e Kosovës paraqiten dobësi të vazhdueshme, siç janë: subjektiviteti, mungesa e standardizimit, fushëveprimtaria e kufizuar, mbështetja e tepërt në të dhëna sasiore, trajnimi joadekuat i vlerësuesve, rezistenca ndaj ndryshimeve, paaftësia për të ndikuar e vepruar në aspektin afatgjatë, mekanizma të kufizuar të informatave kthyese. Sikur të kishim çdo ditë informata mbi të arriturat e nxënësve në klasë, mekanizmat e vlerësimit në klasë do të na shpëtonin me faqe të bardhë.

Trajtimi i këtyre dobësive shpesh përfshin rafinimin e metodologjive të vlerësimit, sigurimin e trajnimit për vlerësuesit, promovimin e transparencës dhe përfshirjen e balancuar të masave sasiore dhe cilësore. Përsosja e vazhdueshme e bazuar në informata kthyese dhe përvojë është thelbësore për të rritur efektivitetin e proceseve të vlerësimit, edhe të nxënësve, edhe të mësimdhënësve.

Krijimi i strukturave funksionale të vlerësimit të vazhdueshëm të mësimdhënësve e bën procesin kredibil dhe të domosdoshëm. Përderisa shoqëria e gjykon sistemin e arsimit dhe bën sehire me vlerësimin e mësimdhënësve, këtë domosdoshmëri të funksionimit të sistemit të arsimit do ta mbajmë të aktualizuar vetëm atëherë kur duhet të bëhen temat për klikime, ose për zgjedhjet parlamentare.

Për fund, nisur nga përvoja ime e bashkëpunimit me mësimdhënës, jam e bindur se vlerësimi mbron dinjitetin dhe siguron integritetin profesional të mësimdhënësve ndaj nxënësve, prindërve dhe opinionit publik.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.