Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rruga e serbëve të drejtë

In Memoriam për serbët që bëzajtën kur të tjerët sëdenjuan

Se ç’m’u kujtua ai debati i vjetëm për emrin e rrugës së Zogoviqit në Prishtinë dhe për ata intelektualë serbë që dikur dhe sot vazhdojnë ta ngritin zërin në mbrojtje të së drejtës së shqiptarëve të Kosovës për liri, dhe nuk kish sesi të mos ma përshkonte kujtesën politikani i madh serb, socialdemokrati/komunisti serb, Dimitrije Tucoviqi. Ai edhe kur ishte ushtar e reporter gjatë luftërave ballkanike (1912-1913), edhe gjatë Luftës së Parë Botërore (1914-1915), por edhe kur, në vitet ’20, u bë politikan i Partisë Socialdemokrate (e cila, ndër të tjera, asokohe votoi në Parlamentin serb kundër miratimit të armatimit për Ushtrinë Serbe), vazhdoi ta denonconte politikën nacionaliste, shoviniste e kolonialiste të Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës, madje, këmbëngulte se shqiptarëve u duhet njohur e drejta e vetëvendosjes dhe e bashkimit me Shqipërinë. Për më shumë rreth qëndrimeve politike të Tucoviqit, ua rekomandoj lexuesve të këtyre reshtave librin e tij, të përkthyer edhe në gjuhën shqipe, “Sërbija dhe Shqipnija”.

I atillë qe edhe shoku i Tucoviqit, Kosta Novakoviqi, poashtu socialdemokrat. Edhe Novakoviqi gjatë pushtimit të Kosovës më 1912 ishte ushtar serb dhe në ditarin e tij pasqyroi të gjitha masakrat serbe ndaj shqiptarëve të Kosovës. Fatbardhësisht, sot në Prishtinë kemi (ose kishim) rrugë me emrat e dy socialdemokratëve të mëdhenj internacionalistë serbë, Tucoviqit dhe shokut të tij, Novakoviqit, të dy të persekutuar nga Kralevina serbe për shkak të këtyre qëndrimeve të tyre.

Por, intelektualët serbë që kanë përfillur aspiratat e shqiptarëve të Kosovës nuk mbarojnë këtu. Më pati rastisur ta dëgjoja live vetë akademiken serbe, historianen Latinka Peroviq, tekqë mu midis Beogradit mbronte idenë se shqiptarët e Kosovës e meritojnë pavarësinë. Njashtu, historiania Olivera Milosavleviq, dilte kundër qëndrimit të historiografisë zyrtare serbe se Kosova qenka çliruar më 1912 dhe ajo, me trimëri, i quajti me plot gojë si pushtim tetëdhjeteshtatë vitet e Kosovës nën Serbi (apo Jugosllavi), duke folur sheshit edhe për masakrat e këtyre tetëdhjeteshtatë viteve.

Gjatë debatit të vjetëm lexova diç për një tjetër emër, Bogdan Bogdanoviqin, i cili për shkak të mbrojtjes së pavarësisë së Kosovës qenka linçuar në atë masë sa qe detyruar ta lëshonte Beogradin dhe të ikte për në Vjenë, ku edhe kish vdekur më 2005. Anaprapthi, një shok më pati treguar për një rast në Mitrovicë ku dy të rinj serbë – vëlla e motër – për shkak se strehonin fshehurazi refugjatë shqiptarë, u vranë nga forcat serbe. Personalisht i njoh aktivistët e organizatës majtiste serbe, “Marks21”, që për shkak të bindjeve të tyre internacionaliste dhe qëndrimit pro pavarësisë së Kosovës, disa herë janë sulmuar fizikisht, si dhe janë linçuar nga falangat huligane neofashiste serbe. Njëherazi, sa kam dëgjuar prej aktivistëve serbë, gjatë dhe pas luftës së Kosovës, pushteti i Milosheviqit ka arrestuar disa serbë sepse protestonin pro lirimit nga burgu të Albin Kurtit dhe sepse deklaronin se UÇK-ja nuk është organizatë terroriste.

Madje edhe rasti i poetit malazez, Radovan Zogoviqit, që ngriti debat, na kujton veprën e tij, “Këngët e Ali Binakut”, ku ai përshkruante kolonizimin e Kosovës në vitet ’30 me kolonë serbë e malazezë dhe lemerinë e popullsisë civile shqiptare.

Por, as nga radhët e intelektualëve shqiptarë nuk munguan zërat që dolën në mbrojtje të popullsisë civile serbe, kur qenësia fizike e kësaj të fundit u kanos në Kosovën e pasluftës. Pa dyshim se kryesori ndër ta ishte veprimtari politik i shquar, Adem Demaçi, i cili pas çlirimit të Kosovës, në shumë raste, sheshit u shpreh se është në gjendje t’i mbronte civilët serbë dhe të drejtat e tyre, ashtu siç dikur kishte mbrojtur të drejtat e shqiptarëve në ish-Jugosllavi, për ç’gjë do të shprehej se ishte i gatshëm që rishtazi të mbante burg po qe nevoja.

Natyrisht, përkundër tërë këtyre shembujve, sado të shumtë që mund të duken, unë mendoj se politika dhe akademia serbe prej 1912-s gjer më 1999 ka qenë fashiste dhe raciste në qasje. Ajo ka qenë përgjegjëse për frymëzimin dhe ekzekutimin e qindra masakrave ndaj qindra e mijëra shqiptarëve të Kosovës, por edhe ndaj boshnjakëve e kroatëve. Kjo nuk e mohon as faktin tjetër që ky nacionalizëm ka gjetur dhe gjen shtrat edhe tek shumë serbë të thjeshtë.

Për fund, po e sjell një poezi të poetit të ri serb, Tomislav Markoviqit, i cili për shkak të shpotisë ironike ndaj nacionalizmit serb, në dhjetëra raste është sulmuar dhe kërcënuar nga nacionalistët serbë. Poezinë e tij e pata dëgjuar teksa e recitonte drejtpërdrejt në mes të Beogradit; poezia cinikisht quhet “Shpirtësia serbe”, “Srpska Duhovnost”:

Shpirtësia serbe është e pastër etnikisht.

Rregullisht bën dush me ujë të shenjtë.

Lustron çizmet.

I lan duart para dhe pas buke.

Pastron kamën nga gjaku i tharë.

Gjithçka duhet të jetë e për-so-sur!

Shpirtësia serbe përgjon në të gjithë ne.

Si bombë e kurdisur që pret dakikun e vet.

Ndërsa ditën e çastin e hakmarrjes e dinë sall

baballarët e kombit.

Të cilët e shfrytëzojnë çdo

mundësi për t’na i qirë nënat.

Shpirtësia serbe ka qejf të sajojë enigma.

Sa engjëj mund t’i mbajë maja e bajonetës?

Sa rrugë mund t’i kalojë kufoma nëse ia mësyn në

këmbë?

Nëse ia kanë hedhur trutë në erë, a është koka gjysmë

e mbushur apo gjysmë e zbrazët?

Jele?kinje, barja?kinje – kë doni?

Përgijgjet do të merren në përgjegjësi.

Shpirtësia serbe është mbretëri shtazore.

Mjedis natyral ku jetojnë shqiponjat e bardha, tigrat,

akrepat, ujqit serbë, fajkonjtë,

grerëzat e verdha, panterat dhe merimangat.

Aty mbretëron pisllëku.

Aty gjithçka është e verbër,

Aty gjithçka është e kuptueshme,

Aty gjithmonë luftohet.

Shpirtësia serbe nuk kapet me mend.

Ama me parabelum kapet.

E shtëna në kokë hap dritare në një botë të re, nëpër

plagën e hapur pamja gjuan në gjithçka të dukshme

dhe të padukshme.

Shpirtësia serbe dëgjohet nga Kosova.

Kutërbon me mish të djegur njeriu.

Të cilit në mënyrë drastike i ka ra çmimi,

nuk shërben më as si mjet për allishverishe.

Shpirtësia serbe është autobus që i bart të burgosurit

për t’i ekzekutuar në Potoçar.

Është kamion frigorifer cit më cit me kufoma

shqiptare.

Tren, i ndaluar në Shtërpce.

Buldozer që zhvendos mbetjet e trupave njerëzorë.

Shpirësia serbe është gjithmonë në lëvizje.

Shpirtësia serbe ka detyruar babë e bir të

masturbojnë.

Në emër t’Atit e t’Birit e t’Shpirtit t’Shenjtë.

Sepse Zoti është serb.

Sipas regjistrimit të fundit të popullsisë.

Shpirtësia serbe është eksponati kryesor

në muzeun imagjinar të gjenocidit.

I cili kurrë nuk do të ndërtohet.

Sepse ne jemi duke ndërtuar tempull, tempulli na

ndërton ne.

Shpirtësia serbe është svastikë ortodokse.

Në të cilin duhet kryqëzuar

çdo gjë që nuk është serbe.

Pikë së pari atë Jezu Krishtin e pistë,

e pastaj me radhë.

Lista është e gjatë si vit drite.

Përvishjuni punës!

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.