Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Rruga me pengesa drejt INTERPOL-it

Siç dihet tashmë, kërkesa e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL është vënë për votim në agjendën e Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it, punimet e së cilës do të mbahen në muajin shtator në Pekin të Kinës. Pavarësisht se janë bërë dy kërkesa për anëtarësim në INTERPOL, e para në vitin 2010 dhe e dyta në vitin 2015, ende nuk janë tejkaluar pengesat dhe sfidat drejt anëtarësimit të plotë në këtë organizatë. Sfidat të cilat potencialisht mund të rrezikojnë anëtarësimin në INTERPOL janë politike dhe kjo kryesisht ndërlidhet me faktin se Kosova nuk e ka të sigurt numrin e votave të shteteve anëtare të INTERPOL-it që do të votojnë në favor të pranimit të saj si shtet anëtar.

Krahas Kosovës, edhe Palestina dhe Ishujt Solomon kanë aplikuar në vitin 2015 për anëtarësim në INTERPOL. Derisa Ishujt Solomon nuk paraqesin ndonjë pengesë për Kosovën, megjithatë rasti i aplikimit të Palestinës ka ndikuar në masë të madhe edhe në (mos)suksesin e Kosovës për anëtarësim në INTERPOL. Në të vërtetë, kjo ka vështirësuar dhe stërzgjatur më shumë procesin e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë ndërkombëtare, ndërsa edhe vet INTERPOL-i kishte kërkuar qartësimin e kushteve të anëtarësimit me rastin e pranimit të shteteve të reja anëtare, veçanërisht të atyre shteteve që në kohën e aplikimit nuk janë anëtare të OKB-së (në këtë rast, Kosova dhe Palestina nuk janë anëtare të OKB-së, ndonëse Palestina ka statusin e vëzhguesit në OKB me të drejta të kufizuara). Për këtë shkak INTERPOL-i kishte angazhuar ekspertin juridik, Hans Corell, për të hartuar një studim me rekomandime të qarta për procesin e anëtarësimit në INTERPOL me rastin e aplikimit të shteteve të reja. Kjo erdhi edhe si pasojë e dokumenteve ekzistuese të INTERPOL-it të cilat nuk e qartësojnë se çfarë kushtesh duhet plotësuar një shtet për t’u bërë anëtar i INTERPOL-it.

Ky studim që ndryshe quhet edhe si udhëzime për kërkesën e anëtarësimit në INTERPOL konstaton se çdo vend aplikues për anëtarësim në INTERPOL duhet t’i përmbush këto katër kushte kryesore të shtetësisë: (i) territorin; (ii) popullsinë; (iii) qeverinë dhe (iv) aftësinë për të hyrë në marrëdhënie me shtetet tjera. Kosova, gjegjësisht institucionet e saja i plotësojnë të gjitha këto kushte dhe nuk ka kurrfarë pengese për Kosovën në këtë aspekt. Mirëpo, këto udhëzime po ashtu përmbajnë një pikë ku vendet të cilat parashtrojnë kërkesë për aplikim në INTERPOL u kërkohet të bëjnë me dije nëse janë anëtare të OKB-së, ku thuhet se “vendi kandidat të përmend nëse është anëtar i Kombeve të Bashkuara apo ka statusin e shtetit vëzhgues të njohur nga Kombet e Bashkuara”. Megjithatë, kjo nuk është normë obliguese dhe rrjedhimisht nuk kërkohet në mënyrë detyruese për Kosovën që për t’u pranuar në INTERPOL të jetë paraprakisht shtet anëtar i OKB-së. Në këtë drejtim, institucionet e Kosovës duhet të shfrytëzojnë argumentet juridike të cilat ndihmuan vendin të anëtarësohet organizatat evropiane e ndërkombëtare të sportit (UEFA dhe FIFA), ku zëshëm u theksua se organizatat ndërkombëtare si OKB-ja ose mekanizma të tjerë nuk njohin shtete meqë kjo u drejtë u takon vetëm shteteve në mënyrë individuale, pra shtetet njohin shtete.

Sidoqoftë, aplikimi i Palestinës do t’i sjell sfida edhe aplikimit të Kosovë duke marrë parasysh kontekstin politik të të dyja vendeve në rrafshin ndërkombëtar. Në agjendë të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it për këtë vit do të votohet ndarazi për të tria vendet (Kosovën, Palestinën dhe Ishujt Solomon). Megjithatë, pozitive mund të konsiderohet fakti që Kosova është renditur e para në rendin e ditës të Asamblesë së Përgjithshme të INTERPOL-it për të cilën do të votojnë përfaqësuesit e shteteve anëtare të kësaj organizate ndërkombëtare, që më pas pasohet nga Palestina dhe Ishujt Solomon. Shtetet që aplikojnë për t’u anëtarësuar në INTERPOL, përfshirë Kosovën duhet të sigurojnë 2/3 (dy të tretat) e shteteve anëtare që janë të pranishme në Asamblenë së Përgjithshme gjatë kohës kur votojnë në mënyrë që të pranohen shtete anëtare me të drejta të plota, ndërsa INTERPOL-i ka gjithsejtë 190 shtete anëtare.

Ndërkohë, duke e ditur që shumica e shteteve të cilat e kanë njohur Palestinën nuk e kanë njohur Kosovën dhe anasjelltas, atëherë kjo do ta ndërlikojë edhe më shumë pozitën e Kosovën në raport me anëtarësimin në INTERPOL gjatë votimit në Asamblenë e Përgjithshme. Nga ana tjetër, Kosovën deri më tash (korrik 2017) e kanë njohur 114 shtete të cilat njëkohësisht janë edhe shtete anëtare të OKB-së, ndërsa Palestina është e njohur prej 138 vendeve, ku 136 prej tyre janë anëtare të OKB-së, që nënkupton se Palestina ka 22 njohje më shumë se Kosova nga radhët e vendeve që janë anëtare të OKB-së. Sa i përket njohjeve, diplomacia kosovare ka ngecur viteve të fundit. Për këtë periudhë shtatë-mujore (janar-korrik 2017), Kosova ka arritur të marrë vetëm një njohje (nga Bangladeshi në shkurt të vitit 2017), gjatë vitit 2016 pavarësinë e vendit e kanë njohur vetëm dy shtete (Surinami dhe Singapori), ndërsa në vitin 2015 mbase dështimi ishte më i madh ku Kosova u njoh vetëm nga një shtet, gjegjësisht nga ishujt Antigua dhe Barbuda.

Sikurse në rastin e UNESCO-s, ku Kosova dështoi të anëtarësohet në vitin 2015, edhe për INTERPOL pritet që Serbia të ndërmarrë fushatë diplomatike kundër Kosovës. Madje, këtë proces Serbia e ka identifikuar si betejën e radhës diplomatike kundër anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Përkundër kësaj, duhet të shtohen përpjekjet diplomatike të Kosovës, më saktësisht Ministria e Punëve të Jashtme në bashkëpunim me të ngushtë me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe misionet diplomatike të Kosovës jashtë vendit duhet të koordinohen me qëllim të rritjes së numrit të shteteve në përkrahje të anëtarësimit në INTERPOL. Për këtë qëllim duhet të ketë kontakte dhe takime më të shpeshta të zyrtarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme, ambasadave të Kosovës si dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme me përfaqësuesit e shteteve të cilët janë të përfaqësuar në Asamblenë e Përgjithshme të INTERPOL-it. Kjo patjetër duhet të bëhet përmes bashkëpunimit bilateral me shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës me qëllim të lobimit të fuqishëm për të siguruar votat e nevojshme për anëtarësim në INTERPOL në këtë vit.

Përkundër pengesave politike, argumentet profesionale për anëtarësim në INTERPOL janë në favor të Kosovës. Siç dihet, parandalimi dhe luftimi i krimeve trans-nacionale është bërë i pamundur të luftohet vetëm nga një shtet dhe, për pasojë, ka lindur nevoja e bashkëpunimit ndërkombëtar ndërmjet shteteve me INTERPOL-in. Në këtë mënyrë, anëtarësimi në INTERPOL do t’i mundësonte Policisë së Kosovës ndarjen dhe shkëmbimin e ndërsjellë të informatave me shtetet anëtare të INTERPOL-it, si edhe do t’i mundësonte Kosovës qasjen e drejtpërdrejtë në sistemin e bazës së të dhënave të INTERPOL-it. Ky është mbase argumenti më i fuqishëm për anëtarësim e Kosovës në INTERPOL me qëllim të luftimit të krimeve të ndryshme trans-nacionale brenda dhe jashtë territorit të Kosovës, siç janë krimi i organizuar, korrupsioni, kontrabanda me emigrantë, trafikimi me qenie njerëzore, terrorizmi dhe fenomene të tjera negative. Nevojat dhe kërkesat e shumta të Policisë së Kosovës e të INTERPOL-it për të shkëmbyer informacione në mënyrë reciproke dëshmojnë për rëndësinë që ka për të dyja palët anëtarësimi në këtë organizatë. Kjo domosdoshmërisht do të ndikonte që grupet e krimit të organizuar dhe aktivitetet kriminale jo vetëm të luftoheshin në mënyrë me efikase, por ato edhe do të mund të parandaloheshin nga ana e policisë dhe mekanizmat tjerë të zbatimit të ligjit kur vendi të anëtarësohet në INTERPOL. Derisa edhe më tutje kontakti i institucioneve të Kosovës me INTERPOL-in zhvillohet tërthorazi përmes kanaleve të UNMIK-ut, kjo është dëshmuar të jetë e pamjaftueshme, e ngadalshme dhe burokratike, gjë që ka sfiduar në vetvete Kosovën në luftimin e krimeve të ndryshme trans-nacionale.

Prandaj, anëtarësimi i Kosovës me të drejta të plota në INTERPOL është i një rëndësie të jashtëzakonshme për koordinimin e aktiviteteve në luftimin e krimeve të ndryshme trans-nacionale si dhe do të ndikonte në profesionalizimin e institucioneve të zbatimit të ligjit në Kosovë. Argument shtesë në këtë drejtim i konfirmuar edhe nga vlerësime ndërkombëtare qëndron në atë se Policia e Kosovës është e gatshme në aspektin teknik-operativ për anëtarësim në INTERPOL.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.