Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Sa do të ndikojë pandemia COVID-19 në remitancat e pranuara nga diaspora?

Ndonëse për momentin e tërë forca dhe fokusi global është në funksion të luftimit dhe parandalimit të përhapjes së virusit COVID-19 në aspektin shëndetësor, shumë ekspertë financiarë dhe ekonomistë po analizojnë edhe pasojat e mundshme që ky virus mund të ketë në ekonominë botërore.

Rënia ekonomike nga efekti i virusit COVID-19 pritet të shkaktojë recesion në Amerikë, Eurozonë dhe Japoni. Kina do të ketë rritjen më të vogël të shënuar ndonjëherë dhe poashtu potencialisht një total prej $2.7 trillion të humbur në prodhim – që i bie sa ekuivalenti i tërë Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP-së) të Mbretërisë së Bashkuar. 

Pasojat ekonomike të COVID-19 pritet të ndjehen edhe tek diaspora jonë. Kjo është tashmë evidente në shtetet si: Gjermania, Greqia, Italia dhe Zvicra, vende këtë në të cilat kemi përqendrimin më të madh të Diasporës Shqiptare.

In the key Gjermani, Instituti IFO për hulumtime ekonomike, sipas një analize të bërë së fundmi, vlerëson që humbjet ekonomike në këtë shtet do të variojnë nga 7.2% në rast se kriza do të zgjasë 2 muaj, deri në 20.6% në skenarin më të keq nëse kriza do të vazhdojë për 3 muaj. Përqindjet e tilla, shndërruar në vlera monetare tregojnë humbje që mund të variojnë nga €255 miliardë deri në €729 miliardë në skenarin më të keq. Kriza poashtu do të shkaktojë një vrimë prej €200 miliardë në buxhetin publik, duke lënë anash benefitin për pakos ekonomike. Poashtu rreth 1.8 milionë persona mund të humbasin vendin e punës, ndër të cilët mund të ketë edhe shumë nga Diaspora jonë.

BAK Economics, një think-tank nga Zvicra, ka vlerësuar se parashikimet për rritjen ekonomike në Zvicër do të pësojnë zvogëlim prej 1.5% në 1.3%. Në periudhën mesatare, Sekretariati i shtetit për Punët Ekonomike (SECO) ka brenga për tregun kapital dhe ndërprerjen e zinxhirit të furnizimit industrial zviceran dhe korporatave ndërkombëtare me vendndodhje në Zvicër. Më 14 mars, qeveria zvicerane ka zotuar CHF10 miliardë ($10.6 miliardë) në pakon emergjente për të ndihmuar ekonominë.

In the key Itali poashtu, sipas Statista Research Department, në parashikimet bëra nga muaji mars 2020, është vlerësuar që Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB, eng. GDP) e shtetit italian, do të zvogëlohet për -3% në fund të katërmujorit të parë të këtij viti, ndërsa në katërmujorin e dytë pritet që kjo shifër të bie deri në -5% të PBB për shkak të ndikimit të virusit COVID-19 në ekonominë e vendit. Më tutje, është parashikuar që sektorët e tekstilit, transportit ajror dhe me tren, hoteleria, restorantet, emisionet televizive dhe ngjarjet sportive do të pësojnë rënien më të madhe ekonomike. Qeveria Italiane ka zotuar $28bn për të lehtësuar ngarkesën ekonomike të pandemisë. Kjo pako ekonomike do të ndihmojë kompanitë, pronarët e shtëpive me pagesa të kredive, dhe personat që rrezikojnë të humbin vendet e tyre të punës.

Kriza ekonomike e vitit 2008 dhe ndikimi i saj ne remitanca

Kriza ekonomike në vendet evropiane, medoemos do të pasqyrohet edhe në ekonominë vendore në Kosovë e Shqipëri, pasi që BPP-të e të dy këtyre vendeve kanë një varshmëri relative në remitancat që vijnë nga Diaspora. Bazuar në të dhënat e Bankës Botërore, shtetet në zhvillim në vitin 2019 kanë pranuar mbi 500 miliardë dollarë përmes remitancave. Në shtetet si Kosova dhe Shqipëria, remitancat përbëjnë një ndër komponentët kryesorë në Prodhimin e Brendshëm Bruto, i cili shkon vazhdimisht në rritje, mirëpo në një periudhë jo shumë të largët, me rastin e krizës globale ekonomike të vitit 2008, remitancat filluan të bien drastikisht. Në Kosovë u desh të kalonin 5 vite deri sa vlera monetare e remitancave të kthehej në shumën që ishte para vitit 2008, ku rënia më e ulët ishte ajo e vitit 2011 kur shuma e remitancave ishte €492m (-19% krahasuar me vitin 2008). Në Shqipëri kriza ekonomike e vitit 2008 poashtu kishte pasoja të mëdha në aspektin e remitancave që u pranuan në vend. Pas vitit 2009, impakti i krizës ekonomike botërore filloi të shfaqej edhe në Shqipëri, për faktin se shumica e Diasporës punojnë në shtetet evropiane, ekonomia e vendit pësoi një shok negativ të jashtëm kryesisht nga eksportet, remitancat dhe rrjedha e investimeve kapitale të huaja. Faktikisht, që nga ajo kohë, Shqipëria asnjëherë nuk ka arritur që të rikthehet prapë në pikën ku ishte para vitit 2008, duke shënuar në vitin 2013 pikën më të ulët në aspektin e remitancave të pranuara. Prej vitit 2014 në Shqipëri ka pasur një rritje graduale të remitancave të pranuara megjithatë një rritje e tillë ishte me margjina shumë të vogla.

Kriza e fundit e pandemisë COVID-19, efektin parësor në aspektin e remitancave do ta ketë tek burimi i remitancave, pra pjesëtarët e Diasporës. Ata në rastin më të mirë, janë detyruar të punojnë nga shtëpia; pronarët e bizneseve janë detyruar t’i mbyllin bizneset e tyre përkohësisht; të tjerë janë detyruar të marrin pushim të detyruar me pagesë jo të plotë; ndërsa në rastin më të keq, disa edhe kanë humbur vendet e tyre të punës. Rrjedhimisht, aftësia e këtyre personave për të dërguar para në atdhe tek familjet e tyre, zvogëlohet dukshëm, dhe padyshim që më së keqi do të pësojnë ato familje të cilat burim të vetëm të të ardhurave i kanë remitancat që ata i pranojnë nga familjarët e tyre nga jashtë.

Kufizimi i kohës së lëvizjes, e në raste ekstreme edhe kufizimi i tërësishëm i lëvizjes bën që disa nga familjet ta kenë të pamundur fare që të realizojnë transaksionet e tyre monetare përmes bankave dhe ndërmjetësve të tjerë financiarë. Në Kosovë dhe Shqipëri, ende zhvillimi teknologjik/online i shërbimeve financiare është në hapa fillestar, krahasuar me vendet e zhvilluara, andaj transaksionet me para të gatshme në situata të tilla si pandemia në të cilën ne gjendemi, bëhet shumë e vështirë, për të mos thënë e pamundur fare. Kësaj fatkeqësie duhet t’i shihet edhe ana e mësimit që mund të nxjerrim nga kjo situatë, p.sh. në vetëdijesimin e popullit në Kosovë e Shqipëri rreth shërbimeve financiare të formës elektronike, e njëkohësisht në motivimin e institucioneve financiare që të zhvillojnë e avancojnë shërbimet e tilla, duke marrë parasysh faktin që mbulueshmëria e rrjetit të internetit nëpër shtëpitë e këtyre dy vendeve është ndër më të lartat në Evropë.

Banka Botërore vlerëson që ndër hapat e parë që autoritetet publike duhet të ndërmarrin janë:
– Remitancat duhet të trajtojnë institucionet financiare siç janë agjencitë e transferave, bankat etj. si shërbyes themelorë dhe që t’u zbusin çfarëdo ndikimi negativ në funksionalitetin operacional të këtyre shërbyesve.
– Të mbështesin industrinë e remitancave me instrumente të duhura që menaxhojnë kredibilitetin dhe riskun e likuidetit.

Me datë 12 prill, Qeveria në detyrë e Kosovës, ka nisur poashtu një iniciativë të lehtësimit të gjendjes aktuale të krijuar në Kosovë, përmes së cilës ka hapur një xhirollogari zyrtare në Bankën Qendrore të Kosovës, ku pjesëtarët nga Diaspora, mund të kontribuojnë financiarisht sipas mundësive të tyre.

Pandemia COVID-19 ka filluar të shfaqë efektet e krizës ekonomike, e cila manifestohet në mënyra të ndryshme tek vendet e ndryshme, varësisht nga përbërja e PBB-së (më saktësisht varësia e vendeve respektive nga eksportet apo importet e mallrave). Shtetet e varura nga eksporti dhe investimet, janë ato që pësojnë më së shumti nga kriza të tilla, kurse vendet si Kosova dhe Shqipëria që janë vende të varura nga importet dhe remitancat, kanë pasoja të një krize globale të natyrës sekondare, ku me këtë rast rriten çmimet ushqimore. Shumë familje në Kosovë kanë si burim të vetëm financiar dërgesat nga diaspora. Zvogëlimi apo edhe ndërprerja e këtij burimi do të ndikojë direkt në fuqinë blerëse dhe mirëqenien e qytetarëve. Prandaj, rënia e remitancave në muajt dhe vitet e ardhshme duhet të trajtohet me seriozitet nga institucionet relevante, në mënyrë që të ruhet stabiliteti social dhe ekonomik i vendit.

 Fig: World Bank, Remitencat persionale, te pranuara (US$)

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.