Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Sa ishte i dëmshëm Donald Trump për politikën e jashtme amerikane?

Kur më 2016 Donald Trump befasoi me fitoren kundrejt favorites Hillary Clinton, ai shkaktoi një tërmet elektoral, valët seizmike të të cilit vazhdojnë të ndjehen në çdo cep të botës. Me të hyrë në Shtëpi të Bardhë, Trump filloi realizimin e premtimeve të tij për të zhbërë marrëveshjet e traktatet ndërkombëtare që sipas tij po e dobësonin ShBA-në.

Në ditët e para si President, Trump e nxori Amerikën nga Partneriteti i Trans-Paqësorit (TPP). Këtë marrëveshje e kishte nënshkruar Barack Obama në mandatin e tij të dytë së bashku me 12 shtete me dalje në Oqeanin Paqësor. Përveç forcimit të ekonomisë në këto vende, ajo ishte dizejnuar edhe si projekt për të karantinuar ekonomikisht Kinën dhe për t’i penguar ambiciet e saj për dominimin e Paqësorit. Si rezultat, dalja nga kjo marrëveshje e hapi Paqësorin përballë agresivitetit kinez dhe këto vende janë më të ekspozuara kundrejt ekonomisë gllabëruese të Kinës.

Më 2017 Trump vendosi që të nxjerrë ShBA-në nga Marrëveshja e Parisit që e nënshkroi Barack Obama për të luftuar ngrohjen globale. ShBA-ja është ndotësi më i madh i ajrit, por Trumpit nuk iu bë vonë sepse konsideronte se shtrëngesat e marrëveshjes po e ulnin numrin e vendeve të punës në ShBA dhe po ia prente krahët industrive të çimentos, thëngjillit, çelikut e hekurit në Amerikë. Sot ShBA-ja është vendi i vetëm në botë që nuk është palë në këtë akord.

Në tetor të po atij viti, Departamenti i Shtetit shpalli tërheqjen nga organizata kulturore e OKB-së, UNESCO, që kryen funksione të ndryshme përreth globit, si mbështetja për çrrënjosjen e analfabetizmit dhe mbrojtja e trashëgimive kulturore. Si në rastet tjera, largimi nga kjo organizatë i dha Kinës një tjetër mundësi për të ushtruar më shumë ndikim në botë.

Më 2018, Trump doli edhe nga Marrëveshja Bërthamore me Iranin. Marrëveshjen e nënshkruar nga Obama, Trump e kishte denoncuar si të dëmshme gjatë gjithë fushatës. Duke e vlerësuar si joadekuate për interesat amerikane dhe izraelite, ai shfuqizoi edhe këtë marrëveshje. Ai injoroi rekomandimet e ekspertëve dhe qëndrimin e BE-së rreth kësaj marrëveshjeje që pati efekte pozitive sepse ndërpreu planet iraniane për paisje me bombë atomike. Tërheqja nga kjo marrëveshje rriti tensionet në Lindje të Mesme sepse përmes sanksioneve, Amerika e bëri Iranin më agresiv e më malinj. Irani rifilloi pasurimin e uraniumit dhe tash ka 10 herë më shumë sasi se që kishte në kohën e marrëveshjes. Poashtu Irani vazhdoi operacionet destruktive në regjion, duke minuar stabilitetin e vendeve me heterogjenitet sektar.

Më 2018 Trump u tërhoq nga Marrëveshja e NAFTA-s, që siguronte tregti të lirë e pa barriera tarifore mes ShBA-së, Kanadasë dhe Meksikës. Ai e rinegocoi atë dhe siguroi një marrëveshje më të favorshme për Amerikën. Fillimisht Kanadaja u la jashtë marrëveshjes, por në fund u përfshi edhe ajo. Edhe pse palë nënshkruese, Kanadaja dhe Meksika janë bërë më skeptike kundrejt ShBA-së, duke e parë tash sa partnere, aq edhe hegjemone.

Në të njëjtin vit, Trump e largoi ShBA-në nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut në OKB, duke e lënë pa votë në mekanizmin që promovon të drejtat e njeriut nëpër glob. Kjo erdhi pas kritikave që ky Këshill i bëri ShBA-së për ndarjen e fëmijëve imigrantë nga prindërit në kufi. Por kjo mund të jetë edhe një shmangie e përballjes me këtë Këshill për qasjen e vrazhdë të Trump në raport me mediet, gratë etj.

Ky largim tregon mospërfilljen e Trump për të drejtat e njeriut dhe kjo mund të trimërojë shumë autoritarë nëpër botë që të jenë edhe më të ashpër në minimin lirive dhe të drejtave të njeriut. Kjo më së qarti vërehet tek rasti i gazetarit Jamal Khashoggi, për të cilin inteligjenca amerikane konkludoi se ishte vrarë në Ambasadën Saudite në Stamboll me urdhër të lidershipit saudit.

Trump ishte shprehur: “Neve na intereson vetëm për ‘Amerika e Para’”. Sekretari i Shtetit Mike Pompeu ka themeluar “Komisionin për të Drejta të Patjetërsueshme”, i përbërë nga militantë kundër të drejtës për abort, për të reinterpretuar të drejtat e njeriut në përputhje me vizionin judeo-kristian, ku të drejtat nuk quhen “njerëzore” apo “civile”, por “natyrore”, një version reaksionar i konceptit bashkëkohor për të drejtat e njeriut.

Më 2019, Trump e tërhoqi ShBA-në edhe nga Traktati për Armë Nukleare me Rusinë, të nënshkruar nga Ronald Reagan dhe Mikhail Gorbachev më 1987. Duke e akuzuar Rusinë për shkelje të marrëveshjes dhe duke e parë që Kina po e shfrytëzon traktatin për të avancuar me përforcim bërthamor, Trump e braktisi atë. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së vlerësoi se me këtë vendim bota humbi “një fre shumë të çmueshëm mbi arsenalin vetë-shkatërrues”. Kjo sepse çliroi Rusinë dhe ShBA-në nga vetëpërmbajtja që sanksionohej nga marrëveshja.

Mirëpo për këtë Trump pati arsye më të fortë sepse kufizimet e traktatit për Rusinë e ShBA-në po i konvenonin Kinës, rivalit më të rrezikshëm, që nuk ishte pjesë e traktatit. Traktati e ndalon ShBA-në që të vendosë bomba nukleare në Azi, ku Kina është duke zhvilluar arsenal bërthamor. Pasojat megjithatë do të ndihen edhe në Evropë, që tani e shqetësuar po e gjen veten si vijë e frontit në mes dy superfuqive në garë për sa më shumë armë bërthamore.

Në qershor të 2020, në mes të pandemisë, Trump tërhoqi ShBA-në edhe nga një tjetër mekanizëm i specializuar i OKB-së, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), duke e akuzuar këtë të fundit si vegël të Kinës. ShBA-ja është kontribuesja më e madhe në këtë agjenci, duke ofruar mbi 360 milionë euro (rreth 15% e buxhetit të OBSH-së) vetëm në vitin 2019. Largimi i ShBA-së zvogëloi kapacitetet e kësaj organizate për t’u përballur me Covid-19 dhe kjo ka prekur sidomos vendet e varfëra.

Mandati i Trump në Shtëpinë e Bardhë ishte me impakt të madh në rolin e ShBA-së në botë. Bazuar në teorinë e “Stabilitetit Hegjemonik” nga arkitekti intelektual i Planit Marshall, Charles Kindleberger, ShBA-ja lëkundi pozitën e vet dhe vetë rendin ndërkombëtar në të cilin dominon. Sipas tij, që bota të jetë stabile, duhet të ketë një stabilizues dhe barra për këtë bie mbi supet e shtetit më të fortë sepse shtetet tjera nuk e kanë fuqinë për të bërë një gjë të tillë.

E kur shteti më i fortë nuk sjellet si lider, krijohet një vakuum që gjeneron kriza sepse ulet numri i të mirave publike. Kindleberger e ilustron këtë me krizën e “Depresionit të Madh” që erdhi si pasojë e refuzimit të ShBA-së për t’u sjellur si hegjemon i botës edhe pse kishte zëvendësuar Britaninë e Madhe si superfuqia më e madhe. Këtë po e shohim edhe sot në konfliktin mes Armenisë dhe Azerbejxhanit, ku lidershipi botëror i ShBA-së do të ishte i mirëseardhur për të vendosur paqe.

Kjo teori vlerëson se për të udhëhequr, shteti më i fortë duhet të sigurojë edhe benefite për shtete më të vogla të cilat përfitojnë diçka në këmbim të participimit në këtë rend ndërkombëtar. Këto të mira kolektive përfshijnë klimë të qëndrueshme, stabilitet financiar, dete të lira dhe tash ilaçe e mjete sanitare për luftimin e pandemisë. Mirëpo këto mund të sigurohen vetëm nga koalicionet e gjera të partnerëve të fuqishëm, që sot po vihen në pikëpyetje.

Fatkeqësisht, Trump është duke targetuar mu këto koalicione dhe po rrezikon stabilitetin e rendit liberal të ndërtuar pas vitit 1945. Ai është duke prerë me sharrën e tij “Amerika e Para” degët e multilateralizmit ku ShBA-ja qëndron në pozitën e liderit botëror. Ai po cenon partneritetin e ShBA-së me BE-në e NATO-n dhe po rrezikon vetë dallimin themelor mes ShBA-së dhe rivalit të saj më serioz, Kinës.

Sepse, mes tjerash, ShBA-ja udhëheq me aleatë, kurse Kina ka vetëm fqinj nervozë dhe klientë oportunistë. Mirëpo, nëse vazhdon me një politikë të tillë, duket se ShBA-ja do të bëjë nervozë edhe fqinjët, edhe aleatët.

Dean Acheson, ish-Sekretari amerikan i shtetit në mandatin e Harry Truman, njëkohësisht njëri nga më meritorët për ndërtimin e arkitekturës ndërkombëtare të institucioneve, marrëveshjeve e aleancave pas Luftës së Dytë Botërore, ka shkruar një libër emblematik të titulluar “Prezent në Aktin e Krijimit”, ku përshkruan në detaje procesin e ndërtimit të rendit ndërkombëtar pas 1945.

Richard Haas thotë se pas mandatit të parë, Trump mund të shkruajë një libër “Prezent në Aktin e Ndërprerjes”. Mirëpo, nëse e fiton edhe mandatin e dytë, i trimëruar nga fitorja dhe më agresiv, Trump ndoshta duhet të nisë shkrimin e një libri me titull “Prezent në Aktin e Shkatërrimit.”

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.