Korrespodencë shkrimtarësh ose, kur “një shká” [Sasha Iliq] dhe “jedan šiptar” [Jeton Neziraj], – të dehur, që të jemi më preciz – vendosën të shkembëjnë letërsitë e dy shoqërive, asaj kosovare dhe serbe.
Dragi Sasha,
U bënë shumë vjet që prej korrespodencës sonë të parë. Shumçka ka ndodhur ndërmjet, në këtë periudhë mbi dhjetëvjeçare, për çka shpresoj që do të mund të flasim në këtë korrespodencën tonë të re. Ne natyrisht jemi plakur për së paku dhjetë vjet, ca flokë mund të na kenë rënë, por ama thinjur jo… E pse duhej t’niste kjo letër me ‘pleqninë’, mund të pyesësh? Paj, pa ndonjë arsye, pos që ndoshta këtu ku jam ulur, në këtë kafene plazhi, një burrë mbi të 60-tave po i thoshte kamarierit diçka si “jetoje jetën, shijoje sa të jesh i ri, se kur të vish në moshën tonë, pastaj pendohesh për jetën e pajetuar”. Por OK, ta lëmë këtë muhabet pleqnie për korrespodencën tonë të tretë, kur t’i kemi mbushur nga 70 e ca! Dakord? Ndërkohë, ndoshta nga këshilla e burrit në plazh, mund të shkëpusim vetëm fjalinë “pendim”, që mbase mund të shërbejë si bosht i letërkëmbimit tonë! Pra, a jemi penduar çfarë kemi bërë bashkarisht krejt këto vite?
Por hajde njëherë t’u shkojmë gjërave me radhë!
Ka kaluar kohë qëkur u njohëm, e ne kemi ngelur shokë – dhe madje shokë të mirë. Unë nuk mbaj mend të kemi pasur ndonjë përplasje a mosmarrveshje përgjatë kësaj periudhe të bashkëpunimit intenziv. Gjë e rrallë, do të thoja, në këto anë. Gjatë gjithë kësaj kohe, jemi takuar së paku dy apo tri herë në vit, në Prishtinë, Beograd, apo gjetiu në Evropë, por më së shpeshti në Prishtinë. Herën e fundit u takuam më 9 qershor në Beograd, me rastin e shfaqjes The Handke Project, të cilën e dhamë në teatrin Bitef. Do të kemi kohë të flasim edhe për këtë shfaqje, edhe për shfaqjet tjera, për librat, për festivalin Polip e për krejt këto kalërimet e aventurat tona kulturore të këtyre viteve. Megjithatë, që ta vendosim pak situatën në kontekst, hajde në fillim t’i japim disa informata teknike për lexuesin e mundshëm!
Para mbi dhjetë vitesh (për atë Zot, po a e mbajmë mend ditën a së paku vitin?), ne u takuam në Lajpcig, në panairin e librit atje, unë i dehur nga alkoholi, ti i dehur nga… dashuria (prit, prit, se nuk e kam ndërmend t’ia them emrin – po nuk jam tradhëtar unë, o Sashë). Dhe ashtu, të dehur, me iniciativën tënde, vendosëm të përkthenim dhe botonim dy antologji me letërsi, njërën sërbisht, që do të botohej në Beograd, e ku do të përfshihej letërsi e re shqipe nga Kosova, kurse tjetri libër do të botohej shqip në Kosovë, me letërsi të re sërbe. Pjesë e këtyre dy botimeve, që dolën një apo dy vite pas atij takimit tonë në Lajpcig, qe edhe korrespodenca jonë. S’më kujtohet mirë, por duhet të kemi shkëmbyer nga katër ose pesë letra! Tani, kur kanë kaluar kaq shumë vite, ne po komunikojmë sërish, në të njëjtën mënyrë, veçse, në rrethana krejt të tjera, padyshim! Unë preferova të mos e lexoj tani atë korrespodencën e dikurshme tonën, e ndoshta as ti nuk duhet ta lexosh! Jo për ndonjë arsye të madhe, por thjesht, ta lëmë ashtu: “të virgjër”. Se kam frikë që tani, ndonjë gjë që kemi thënë atëherë do t’kishim dashur ta ‘themi ndryshe’ a ta ‘retushojmë! Thjesht, le të shkruajmë të pandikuar nga ato çfarë kemi thënë atëherë! Si thua?
Së dyti, a të mos vendosim kufizime, le t’i shkruajmë njëri-tjetrit aq letra sa të duam dhe aq aq të gjata sa të duam?
E di që për nisjen e kësaj korrespodence të re kemi folur që para gati dy vitesh, megjithatë, siç duket, çdo gjë e ka kohën e vet dhe ka një sebep. E këtë radhë sebep u bë takimi ynë i mbramë në Beograd. Pas shfaqjes, më shkrove dhe më the që ky ndoshta është moment i mirë ta rinisim korrespodencën tonë. Dhe unë mendoj që po, është moment shumë i mirë të bëjmë një përmbledhje të këtyre viteve bashkëpunimi, të raporteve tona letrare, të impaktit të punës tonë në dy shoqëritë tona. Thjesht, të shohim çka ka ndryshuar e çka jo, çka është bërë mirë e çka jo, çka kemi mundur të bëjmë, por nuk e kemi bërë, e kështu me radhë.
Për çfarë duhet të flasim në këto letrat tona? Do të thoja, çfarë të na dojë qejfi! Megjithatë, unë do të evitoja muhabetin për ‘fëmininë’ dhe për kontaktet tona të para me “sërbët” dhe “shqiptarët”. Me sa mbaj mend (dhe duket e logjikshme që të jetë ashtu) këtë temë e kemi sosur në korrespodencën e parë.
Pra, janë mbi dhjet vite ndërmjet!
Janë 12 edicione të Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë – polip, të mbajtura në Prishtinë, të cilat i kemi kemi kuruar e organizuar së bashku, me ndihmën edhe të Alida Bremerit, e cila na është bashkangjitur pak më vonë.
Janë rreth 10 libra të autorëve sërbë të botuar në shqip në Kosovë dhe anasjelltas, të autorëve shqiptar nga Kosova të botuar në Serbi.
Janë dhjetra tribuna, diskutime, promovime librash e leximesh në Prishtinë, në Beograd e gjetiu të Evropë.
Janë qindra miqësi të krijuara. Por ka edhe miq që kemi humbur rrugës, se thjesht, jeta i ka çuar tjerakah.
Por janë edhe tre miq e bashkëpunëtorë të dashur që u larguan nga kjo botë; Borka Paviçeviq, Kujtim Paçaku e Xhevdet Bajraj, e për të cilët, me siguri do të flasim më gjerësisht në ndonjërën prej letrave të radhës.
Ka me qindra artikuj, sulme, shfryerje e sharje – por edhe poaq lavde – në Serbi e në Kosovë dhe përtej.
Dhe ka pafund shumë rrëfime e shumë histori të bukura…
Ndërmjet, nuk janë vetëm ca vite, por një histori e tërë në miniaturë e dy shoqërive, që çapiten të komunikojnë, të mësohen të jetojnë njëra me tjetrën e pranë njëra-tjetrës, siç kanë jetuar me shekuj!
E natyrisht, janë në këtë mes edhe një grusht ish-ekstremistësh, dikur të tërbuar, tani të konvertuar në ‘qytetarë’ që mund t’mos u pëlqejë puna që kemi bërë. Ama së paku, tashmë nuk ngrehin shpatat kërcënuese siç bënin dikur. Pse a s’është progres ky? A s’është e arritur e madhe kjo? Paj, dikush do të thoshte jo, por une them është shumë, për dy shoqëri “të traumatizuara” (siç e thua ti) nga e kaluara e tyre armiqësore. Vlen ta parafrazoj atë citatin e famshëm se Ballkani prodhon më shumë histori se ç’mund të konsumojë, kurse ne, përmes aktiviteteve tona, kemi prodhuar më shumë normalitet se ç’kanë qenë të gatshme të konsumojnë shoqëritë tona. Epo mirë, se nuk na ka hije të vetlavdërohemi (sadoqë, me gjasë disa gjërave u duhet vënë emri – për hir të së vërtetës).
*
Por është një gjë që kisha dashur ta diskutojmë. Pas shfaqjes tonë The Handke Project, u befasova me disa reagime të kritikës në Beograd, sidomos me kritikën e botuar në Politika (paj mirë, a duhet vërtet të befasohem?). Shoqëritë tona nuk e durojnë kritikën. Kështu ka qenë përgjatë krejt këtyre viteve. Në fund të fundit, përse unë e ti (e disa të tjerë) i mbanim ‘me krenari’ nofkat e “tradhëtarit”?! Meqë po kritikonim shoqëritë tona dhe po bashkëpunonim me “armikun”. Por kjo s’është gjë e re dhe as e rëndësishme të përsëritet në këtë moment. Dua të them diçka tjetër. E mbaj mend, kur kemi ardhur në fillim, diku nga viti 2012, me shfaqjen “Fluturimi mbi teatrin e Kosovës”, të cilën e patëm luajtur në CZKD, pastaj edhe në Qendrën REX por edhe në teatrin e Kragujevcit. Njerëzit qenë shqyer gazit, kritikët patën shkruajtur në superlativ. Thjesht, u dukej gati e pabesueshme që një teatër në Kosovë paska guximin dhe mund të flitka kaq hapur për korrupsionin e institucioneve në Kosovë, të tallesh me burokratët dhe politikanët kosovarë e me autoritetet ndërkombëtare që atëherë e administronin Kosovën. Kështu ishte atëherë me “Fluturimin…”.
Ndërkohë, 10 vite më pas, pas shumë shfaqjeve të tjera që kemi dhënë atje gjatë këtyre viteve, ne sollëm në Beograd The Handke Project. Dhe isha i habitur me atë ‘ngërç’ që ndjehej tek publiku. Publiku nuk qeshte as me batutat më qesharake (madje as me ato, të themi ‘politikisht neutrale’), për të cilat publiku në Prishtinë e Shkup ishte shqyer gazit! Pas shfaqjes pasuan edhe kritikat dhe sulmet e tabloidëve (të cilat, dorën në zemër, edhe i prisnim). Shfaqja jonë ishte kritikë për shoqërinë sërbe, po, dhe bënte thirrje, të themi metaforikisht, për ‘dehandkeizimin’ e shoqërisë sërbe. Por më shumë sesa kritikë për shoqërinë sërbe, ajo ishte kritikë mbi etikën e shkërdhyer të nobelistit Peter Handke dhe hipokrizisë që dominoi elitat letrare e intelektuale në Evropë, kur Handke u kritikua për qëndrimet kontroverse për luftën në ish Jugosllavi dhe kur mohoi hapur gjenocidin në Srebrenicë.
Përse një pjesë e kritikës e disa prej mediave atje ishin aq refuzues, madje edhe agresiv në sulmet e tyre? Përgjigja them është kjo: një artist shqiptar nga Kosova mund të përqeshë e kritikojë sa të dojë shoqërinë kosovare, dhe kjo gjë pëlqehet e aplaudohet në Serbi, sepse është në harmoni me stereotipin e tyre (racist) për “shqiptarin e papërsosur”, ose, shqiptarin ‘jonjeri’ nëse do ta parafrazonim Peter Handken! Por një artist shqiptar të marrë guximin të kritikojë shoqërinë sërbe – kjo është e patolerueshme! Se menjëherë shndërrohet në “një shqiptar që urren sërbët”. Dikush nga Serbia komentoi diku në rrjetet sociale e tha: “kritikat vetes ia bëjme ne, s’kemi nevojë për mbështetjen tuaj”. Dakord, doja t’i thoja këtij njeriu, por a po ndodhë kjo gjë në Serbi? A ka vërtet vetëdije kritike për atë çfarë ka ndodhur e çfarë po ndodh atje? Nuk jam i sigurt. Dorën në zemër, nuk është se Kosova është më mirë në këtë drejtim. Sidoqoftë, pak më mirë se në Serbi po e po. Kam përshtypjen që shoqëria në Kosovë, politika dhe gjithçka tjetër, ka ecur pak më përpara, është pjekur, ndërkohë që shoqëria sërbe ka ngelur e kapur në kthetrat e politikës dhe në njëlloj qarku vicioz të urrejtjes ndaj fqinjve, të teorive të konspiraconit, dhe të mosdurimit ndaj çdo gjëje jo-sërbe (dhe jo-ruse).
Por që t’i kthehem argumentit të The Handke Project: histeria e mediave në Serbi kundër shfaqjes, besoj unë, s’kishte të bënte shumë me thelbin e shfaqjes, me kritikën dhe problematikën që adreson. Histeria rodhi nga fakti se qe kritikë e një “shiptari”, pra, e një pjestari të shoqërisë të cilën politika zyrtare dhe shoqëria sërbe a ka përbuzur historikisht, e ka konsideruar të parafinuar, qytetar të dorës së dytë (madje të tretë)! Pa dyshim se kjo mendësi raciste e normatizuar vazhdon ta mbajë peng shoqërine sërbe në raport me shqiptarët.
Dhe këtu po i përfundoj këto hamendje e pyetje, ngase e di se çfarë u tha këtu, ti mund t’i thuash më mirë e më qartë se unë.
U gëzova që në maj u pamë në Prishtinë, e pastaj, në fillim të qershorit në Beograd…
Të fala dhe pres të më shkruash,
Jetoni
Shëngjin, Shqipëri
6 korrik, 2022