Korrespodencë shkrimtarësh ose, kur “një shká” [Sasha Iliq] dhe “jedan šiptar” [Jeton Neziraj], – të dehur, që të jemi më preciz – vendosën të shkembëjnë letërsitë e dy shoqërive, asaj kosovare dhe serbe.
*Kjo letër është shkruar në serbisht
I dashur Jeton,
Më duhet ta pranoj se letra jote i solli notë mallëngjimi ditës së korrikut të cilën, sikurse çdo ditë tjetër kur nuk jam në shtëpi ose jam në ndonjë udhëtim që ka të bëjë me letërsi (çfare janë edhe shkuarjet e mia herë pas here për Prishtinë), e kaloj në bibliotekë. Njerëzit që s’kanë prirje për humor, por në fakt janë letrarë të shquar beogradas, më thonë se ua përkujtoj miun e gjirizit që rri në Bibliotekë Popullore, dhe se kurrë nuk do të arrij gjë në jetë, pos micërimit të librave të vjetër edhe përhapjes së ndyrësive dhe viruseve nëpër korridorë të errët, që përcillet detyrueshëm me tringëllimë të çelësave. Nuk e dinë ata se qëndrimi i im në qilarët e kësaj shtëpie—kur e pata vuajtur dënimin tetëmujor për shkak të mbrojtjes së lirisë së fjalës në rastet e ndërrimit të Sreten Ugriçiqit [Ugričić] dhe sulmeve ndaj Andrej Nikolaidisit [janar 2012]—tashmë është e kaluar e lashtë, sepse më është bërë vendi në nënkulm. Aty e kam një zyrë të vogël e cila ofron pamje të pllajës së Vraçarit [Vračar], të fontanës e cila shushurin si dreqi kur humbet në kopësht të Edenit, si dhe të Tempullit monumental të Shën Savës, i cili ka njëqind vite që rritet në këtë ledinë. Mu tani, në valë të luftës në Ukrainë, po e përfundojnë artistët rusë punën në të, duke punuar në prarim të freskave dhe në basorelievët që gjinden afër hyrjes. Do të kisha mundur të shkoj atje dhe të falem, po të ishte nevoja, por unë nuk e bëj këtë se minjtë e gjirizit që rrinë në bibliotekë janë të mësuar me errësirën.
Gjinia e miut të gjirizit është kryesisht e përbuzur dhe e ndarë nga shoqëria, lëvizë nëpër zona skajore, përpos nëse e sjell ndonjë rast, komedian i jetës, nëpër kanalë nëntokësorë të një institucioni si ky, e t’i pëlqejë aty, ku ka shumçka për micërim dhe nuhatje, e të mbesë aty gjer një ditë kur ta zënë në kurth të çeliktë për minj, ose ta helmojnë me arsenik kokërr, të lyer me glazurë të kuqe të sheqertë. Për fat, edhe përkundër pëlqimit të ëmbëlsive që nga lindja, ende nuk më ka ndodhur të joshem nga sheqerkat helmuese.
Letrën tënde e lexova disa hera dhe më duhet ta pranoj se e kam një të metë të cilën disa e quajnë përparësi, e ajo është se mbaj në mend sikur elefanti, pra nuk kam nevojë t’i hapi antologjitë tona të vjetra e ta lexoj korrespondencën. E di që i kemi shkëmbyer nga tri letra, pra gjithsejt gjashtë, dhe që kishin kohë të gjatë ndërmjet, edhe që i shkruam që nga fillimi i verës e gjer në vjeshtë. A nuk ishte ashtu? Në këtë kuptim, diçka ka ndryshuar në këta dymbëdhjetë vite, tash koha rrjedh më shpejt, komunikimi gjithashtu, përkthyesit punojnë më mirë, shërbimi gugëll transllejt¹ ka përparuar me fjalorthë të pafund, gjersa sistemi sintaktik i inteligjencës artificiale është në prag të përsosmërisë. Dëgjova se një inxhinier është flakur nga puna në Google javën e kaluar për shkak të konstatimit se çatboti² i tyre Llamda [LaMDA], qenka në fakt qenje njerëzore me ndjenja. Nga transkripti i bisedës së tij me Llamdën del se ky i dyti e kishte shpallur këtë porosi, “Dua të mësoj sa më shumë për botën dhe ndonjëherë ndjehem i lumtur ose i pikëlluar”. Mirëpo kjo thënie i kishte shqetësuar shpirtërat.
Duke pas jetuar një kohë të gjatë në propagandë kundërshqiptare e cila zgjatë edhe sot e kësaj dite, si çdo mi kurreshtar i gjerizit i cili përmes trajektoreve të tij nëntokësore zbuloi libra mbi atë se marrëdhëniet ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve (shih librat e Petrit Imamit³) nuk kanë qenë përherë të tilla si tash, vendosa të veproj njejt sikur Llamda, “Dëshiroj të mësoj sa më shumë që të jetë e mundur mbi botën, e posaçërisht mbi marrëdhënjet në regjionin që dikur quhej Jugosllavi. Poashtu, ndonjëherë ndjehem i lumtur ose i pikëlluar”. Kështu erdhi, atë mars të vitit 2010, gjer te takimi i jonë në Llajpcig. E tash, se sa ishim qejfli apo të dehur, atë le ta gjykojnë historianët e letërsisë një ditë kur t’i numrojnë promilët e alkoolit ose serotoninit në gjak të aktorëve të një aventure letrare e cila zgjati bukur gjatë. Mua sot po më duket se procesi mori drejtim të mirë pas atyre ditëve në Llajpcig. Paj, edhe përmes titujsh të antologjive tona , Nga Beogradi, me dashuri, Nga Prishtina, me dashuri, ishte bërë me shenjë çdo gjë. Dizajnuesi i jonë shkëlqyes, Llazar Bodrozha [Bodroža] vizatoi vulë të cenzurës mbi këta tituj, gjë që ndolli çudi te shumë veta—policia kufitare, punëtorët e shtypshkronjës dhe të librarive. Po pse u vizatua përmbi, po mosni kështu, ju lutem, po ne duhemi, kush thotë, kush rren⁴, dhe kështu disi, të gjitha…
Mirëpo, në u pajtofsh, ne e dinim se të gjitha ishin mu ashtu siç i kishim përcaktuar dhe u nisëm nga ato premisa edhe arritëm gjer këtu. Poashtu, ne besonim se çdo gjë mund të shkonte kah përmirësimi prandaj bëmë të fryejë një erë e mirë, përmes së cilës Festivali i jonë, Polip, u bart përgjatë viteve dhe takimeve, botimeve të rij, dhe debateve. Dhe po, u bë shumë përkthim dhe kishte shumë përkthime, në shumë kahje. Më kujtohet dita kur e moderonte panelin shoqja dhe bashkpunëtorja e jonë e përbashkët, Eli Krasniqi, dhe në vijim përkthente në shqipe dhe në anglishte. Njerëzit fituan besim në idenë tonë dhe ishin, më tepër se kurdoherë më parë, gati të punonin në zbatim të saj. I tillë ishte edhe Bekim Lumi, regjisor i teatrit dhe profesor i universitetit, i cili, për fat të keq, iku shumë i ri. Kishte standarde të lartë në profesion, dhe këtë e dëshmoi me parafjalën mbi dramën bashkëkohore kosovare që e shkroi për antologjinë tonë. Kur u njoha me të ca vite më vonë në Vjenë, qeshnim së bashku me hiperprodhimtarinë e gjenialitetit letrar me të cilën turren të gjithë produksionet kombëtarë, jo vetëm në Ballkan. Numër tepër i madh i gjenive, numër tepër i madh i nobelistëve, numër tepër i vogël i lumëve, numër tepër i vogël i bajrajve.
Por megjithatë, një nobelist, siç e di edhe ti, është përherë këtu: në Beograd, në Prishtinë, në Banjalukë, në Andriqgrad, në Pozharevac, në Hoçë të Madhe… Çdokund është mysafir i mirëpritur. Kur autorët tjerë dhe autoret tjera shofin se në Qendër do të shfaqet një shfaqje mbi të, menjëherë paraqiten për Polip, siç veproi sivjet autori freng Zhoel Verne [Joël Vernet]. Ai veç tha, o njerëz, në e daçin Handken këta të Polipit, atëherë këta qenkan të tufës sime dhe unë me këtë tufë fluturoj, sepse Handken e çmoj jashtëzakonisht dhe e lexoj me dëshirë. Dhe kështu arriti misjë Verne në Prishtinë, me një anglishte madje edhe me të dobët se kjo e imja, i bindur se atje do t’i gjejë tifozët e shkrimtarit të tij të dashur. Ngjashëm u sollën edhe kritikët e skenës beogradase që i patën adhuruar dramat tua në të cilat u pate marrë me temat kosovare të tranzicionit. Mirëpo, duke mos pandehur se ti folë edhe gjuhë tjetër, e shiquan shfaqjen Projekti Handke [The Handke Project] te ata u vërejt një ngërç nga tmerri (mirë e pate thënë ate mbi ngërçin e publikut, mu ashtu si dhe ate mbi doemossinë e dehandkeizimit). Edhe unë shpesh qeshi me shtangien e tyre e cila në tabloidë e arrin shkallën e çmendurisë, kurse në faqet e Politikës gjer te harakiri publik me shpatë prej bambusit të cilën Handke e solli në Sërbi në kohë të vet, kur udhëtonte drejt lumejve të Danubit, Savës, Moravës dhe Drinës. E pastaj, nja dy javë pas shfaqjes sate në Bitef⁵, duke shkuar në punë, përballë bibliotekës, në vitrinë të një ateleu të vogël grafik në të cilën me vite qëndrojnë bustet e patriarkut Pavlle dhe mbretit Alleksandër, më ra në sy një fytyrë në gur, e punuar me harmoni, mund të thuhet, për përjetësi. Pra, nga ajo vitrinë më vështronte, askush tjetër pos Peterit me mbiemër Handke, në fakt koka e tij. Më shiqonte me sy të picërruar, nëpër syze rrumbullake, me një buzëqeshje të ngrirë ngadhnjimtare, sikur të donte të thoshte, ç’ndodhi, o bandill, nuk më pritje këtu? Por unë jam këtu! Në çdo vitrinë, në çdo librari, në çdo vend! Atëherë më shpëtoi bureku nga dora. Një grua në moshë e cila po kalonte pranë meje u ndal pak, ia hodhi një shiqim burekut tim e pastaj Handkes, murmuroi diçka si “kuku”, u kryqua me shpejtësi dhe u nis kah tregu i Kalliniqit [Kalinić]. Mbetëm Handke, bureku i im, dhe unë.
Ai është, pra, tash aty, në pllajë të Vraçarit, pranë patriarkut dhe mbretit, Tempullit dhe Bibliotekës, shtëpisë të patriarkisë dhe disa kafeve të vogla nga të cilat më së shumti më pëlqen njëra me mbishkrimin Klinikë [Clinique], ku shkoj për t’u shëruar me raki dhe kafe. Besoj se edhe kritikëve të tu beogradas që e ngritën zërin me rastin e shfaqjes mbi nobelistin u pëlqen të thonë se s’kanë gjë kundër shqiptarëve, e sidomos jo kundër artistëve të tyre, por le të mirren ata me tema e me probleme të tyre, e neve le të na lënë rehat. Këtu është rrezik të flitet mbi gjërat e shenjta në kulturë: kishën, armatën, gjenocidin e Srebrenicës, patriarkun, kryetarin, Dobricën⁶, Handken, gjeneralët e luftës, krimet e luftës në veçanti, Shën Savën, dhe, natyrisht, Millosheviqin. Prandaj është plotësisht e saktë teza e jote që është e pranueshme kur artisti shqiptar folë për problemet e tij, por kur folë për probleme të fqiut, e sidomos të serbëve, pashmangshëm do të hajë dajak—medial. Në qoftë lehtësuese për ty, edhe vet kam kaluar shpesh nëpër atë rradhë dyanëshe të dajakut⁷ për shkak të shkrimeve të mia. Dhe nuk më shqelmonin njerëzit e rëndomtë nga tregu i Kalliniqit por, pa përjashtim, akademikët, profesorët e universitetit, punëtorët shkencorë, shokët dhe shoqet e pendës, kritikët, gazetarët, elita e kësaj shoqërie, që betohen në vepra të Danillo Kishit [Danilo Kiš] dhe Ivo Andriqit [Andrić] se do të ndërtojë, në mënyrë konsekuente, ura mes njerëzish, dhe do t’i bëjnë ballë çdo ligësie të shoqërisë. Por kur të trokasë ligësia në derë, fërshëllejnë më shëmtueshëm se fontana nën dritaren time. Po të vështrosh me pak më tepër vëmendje, këtu shkrimtaret dhe shkrimtarët nga rrethina pranohen me dëshirë, dhe gati që adhurohen, sidomos kur kanë qëndrim mbi mjediset e tyre. Në fakt, elita beogradase dëshiron të tregojë se është e hapur edhe ta promovojë këtë, dhe për këtë arsye i pranon intelektualët e regjionit, por vetëm nëse nuk merren me tema ruse, as serbe. Në çastin kur ata thonë gjë mbi kulturën serbe ose mbi Beogradin si kasabë e jo në ujë⁸, siç bëri rishtas Boris Dezhulloviqi [Dežulović], janë gati t’ua këpusin kokën. Pra edhe ti e tregove, me Handken, njëfarë arrogance që u përngjet atyre të dramave antike. Kur të vish herën tjetër në Beograd, replikat në te do të mund t’i shohësh gjithkah përrreth: nga Kallemegdani gjer te Kryesia, e gjer te Sllavia [Slavija] ku dikur u varros socialisti zëmadh, Dimitrije Tucović [Tucović].
Sikurse e di edhe ti, në vitin e kaluar shkrova dramë mbi këtë të fundit, me ftesë nga Haris Pashoviq [Pašović] i cili vendosi të këthehet në “botën serbe (kuh, kuh, të teatrit)⁹”, por kur e pa se për çka bëhej fjalë në dramën time, vetëm bëri me dorë dhe tha, kjo nuk vlen gjë, askush nuk do ta luajë këtë në Sërbi. Ai Tucoviqi i juaj këtu është njëfarë hashishxhiu, biseksuali, vagabondi, i cili ia hedhë Nikolaj Velimirovićit [Velimirović], po nuk shkon kjo kështu! Dhe ai titull, “Teza e fundit mbi Fojerbahun”. Po ç’e keni këtë? Së paku po të quhej Ditari mbi Dimitrijen. Ose Mbi ushtarin Dimitrije. E tha këtë, bëri me dorë, dhe shkoi vrap në premierë të shfaqjes Libri mbi Millutinin në regji të Egon Savinit, shfaqjen për të cilën biletat rezervohen edhe gjashtë muaj para kohës. Përndryshe ky roman pat qenë vendimtar për zgjim të nacionalizmit serb gjatë mesit të viteve të tetëdhjetë. Mbi këtë patëm shkruar në Beton¹⁰ që me kohë.
Sot s’e kemi as Betonin. S’i kemi as miqtë e vjetër, disa shkuan në gurbet e të tjerët e ndërruan anën e luftës. Por megjithatë, dymbëdhjetë vite të Polipit do të mund të prodhojnë forma të reja të bashkjetesës në të ardhmen, kur t’i rregullojnë çatbotët si Llamda marrëdhënjet në politikë, si kryeministrat kiborgë¹¹ që do ta kryejnë më në fund punën e normalizimit të marrëdhënieve në mes të Beogradit dhe Prishtinës.
Një ditë do të shkruaj dramë, që do të jetë dyaktshe dhe mbi normalizimin, mbi dy çatbotë—V. dhe K.—të së ardhmes, të cilët merren me zgjidhjen e nynit të Kosovës. Kryeshërbëtori i tyre i veshur në frak do të jetë Handke në rrotëza.—Sot jam edhe i lumtur, edhe i pikëlluar—thotë V. gjersa rrahë qerpikë elektronikë.—Edhe unë jam edhe i lumtur, edhe i pikëlluar—i bën iso K.—E mua më vjen të qaj—shton Handke.—Kush të pyet gjë ty?—i thonë çatbotët me zë.—A doni ju ta tërhiqni litarin të parët?—pyet çatboti V.—Jo, këtë duhet patjetër ta bëni ju—shtiret se nuk pranon çatboti K.—Atëherë do ta bëjmë së bashku—thonë me zë. I ngrisin duarët bionike dhe e kapin me shkathtësi skajin e litarit, ngritet perdja, dhe ne e shofim utopinë e (bashk)jetesës së re të Sërbisë dhe Kosovës. Kryeshërbëtori ia plasë vajit dhe njëherit pordhë.—Më falni—thotë Handke—më mundon thartira kur të më zbrazet bateria…
Si të duket kjo temë për dramën time të ardhme? Besoj se do ta marrë Miki Manojlloviq [Manojlović] për regji të vet të re në Teatrin jugosllav të dramës.
Në zarfën elektronike e ke fotografinë e P.H. që e bëra enkas për ty.
Në Beograd, më 13 korrik, 2022
Gjer në letrën tënde të ardhme.
Përshëndetje miqësore!
Sasha