Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Sasha & Jeton: Letra VIII

Jeton i dashur,

Mirë e përshkrove dinamikën e marrëdhënjeve ndërnjerëzore në këto skena të vogla të cilat u ngritën mbas shpërbërjes së Jugosllavisë. Në thelb, disa lidhje zgjasin shkurt, edhe po të jenë të vendosura për arsyet më humane dhe më të ndershme. Të ngarkuar nga mjerimi, politika e keqe, hapësira e ngushtë, shpërbërja e të gjitha vlerave, këta njerëz gjunjëzohen para sfidave të kohës, përcaktohen për opsione të tjera duke i braktisur idetë dhe platformat kulturore paraprake. Një platformë e tillë ishte edhe Betoni në formën e tij burimore që zgjati prej vitit 2006 gjer më 2013, kur redaksia katëranëtarëshe (Sasha Qiriq [Saša Ćirić], Tomisllav Markoviq [Tomislav Marković], Millosh Zhivanoviq [Miloš Živanović], dhe unë) u shpërbë mu për shkak të ndërrimeve tektonike në skenën politike. Iku Boris Tadiqi, filloi koha e Alleksandar Vuçiqit, pësoi disfatë përpjekja e modernizimit të politikës të cilën e nisi kryeministri i ndjerë, Zoran Gjingjiqi. Për shkak të kësaj nuk kishte më kuptim as vazhdimi i daljes së një organi të përkohtë që quhej Beton, dhe që e vijonte konceptin e dekonstruktimit të matricave nacionaliste në kulturë, e veçanërisht në letërsi. Përse ndodhi kjo? Mbase do të përpiqet ndonjëherë në të ardhmen ndonjë krimb librash [bookworm] t’i gjejë arsyet e vërteta të një shpërbërjeje të tillë. Por kjo nuk do t’i shkojë për dore, se do të duhej të kishte ndjenjë të logjikës së brendme të kohës në të cilën jetonim, vepronim, mendonim, dhe shkruanim. Dhe, natyrisht, të të gjithave me të cilat ballafaqoheshim. E ajo nuk ishte aspak gjë e thjeshtë. Të shkruash dhe të punosh nën shtypje të përhertë, pa ndërprerje, nuk është lehtë. Por, megjithatë, Betoni zgjati shtatë vite. Mua më duket periudhë për lakmi. Pas asaj, jetoi përafërsisht edhe poaq në format tjetër, Beton International. Nuk është periudhë e shkurtër, kjo. Unë, Qiriqi, Markoviqi, dhe Zhivanoviqi, u shpërndamë në tetor të vitit 2013. Do të mund të thuhej, secili në anë të vet, kur secili prej nesh u përcaktua për dofarë vijash të veta të luftimit. Më vonë u takuam prap, unë dhe Millosh Zhivanoviqi, për ta kryer punën e shkruarjes dhe redaktimit të një botimi letrar që quhet Nata e Republikës [Noć Republike]. Me ata dy të tjerët më kurrë nuk u pamë, nuk u takuam, as nuk e shkëmbyem ndonjë lloj informate.

Kjo është e mundur në Beograd, edhepse një “artist i rilindjes” nga asfalti e pëkufizoi këtë mjedis si “kënetë plot me krokodilë”. Këtë “filozofemë”, për shkak të kolapsit të mendimit filozofik, e shprehu mafiozi Bata Tërllaja [Trlaja], i cili në të nëntëdhjetëesatat u paraqit në filmin dokumentar të Janko Baljakut, Shifemi në dru[1] [Vidimo se u čitulji]. Ai atëbotë u përpoq t’i shpjegojë në mënyrë plastike arsyet e qërimeve aq të shpeshta të hesapeve ndërmjet klanëve beogradas. Meqë ra fjala, gjatë xhirimit të këtij filmi e humbi jetën shumica e bashkëbiseduesve. Ishte ky realizim i një projekti filmik në kohë reale. Por Bata Tërllaja arriti të jetonte edhe disa vite. Dukej tip që kishte pak më shumë kujdes. I pëlqente të mendonte mirë e mirë në mënyrë të vet mafioze dhe të kërkonte konkludime mbi arsyet për të cilat ato gjëra ndodhnin në të ashtuquajturin asfalt beogradas. Ai njëherit e kishte parasysh shkatërrimin e ekonomisë, kolapsin e dijes që mund të shfrytëzohej për të “bërë të holla”, si dhe lidhjet që i kishin klanet me politikanë konkretë të cilët ua bënin të mundur veprimtarinë e papenguar në zona të caktuara të qytetit. Ky filozof mafioz ishte i lidhur për Beograd të Ri dhe Bezhanijskakosë [Bežanijska Kosa]. Një kohë ishte pronar i KF Bezhania [FK Bežanija], klubit vendës i cili përpiqej të ngritej në këmbë, duke pasë qenë nën hije të mafiozëve dhe politikanëve të llojllojtë. Por pa sukses, se në rrugë për Kupë të Uefës [UEFA] u eliminua, në xhiro të parë të kualifikimeve nga KF Besa nga Kavaja.

As skena kulturore nuk qëndron larg nga ky përkufizimi “këneta e vogël, shumë krokodilë”. Dihet se skena letrare serbe është përplot nobelistë, puliceristë, dhe laureatë të tjerë. Kur të flasin kritikët vendas mbi të, fitohet përshtypja e një pasurie jonormale, aq të madhe, sa që gufon në të gjitha anët. Por kur të gërryhet pak më thellë, shpejt arrihet gjer te fundi i kazanit dhe atje kot gërryhet nëpër fund, se nuk del kushedi se çka. Disa emra, poshtë-lartë. Kryesisht nga e kaluara. Kjo është ajo të cilën sot e pranon rendi i vendosur kulturor. Krokodilët nuk lejojnë që të zëjë kush rrënjë në ndërkohë. Kundër kësaj shpesh përdoren qërimet e hesapeve, linçimet, përgojimet, nënkamcet, mospërfilljet, e jorrallë edhe pështyerjet e hapëta në fytyrë. E po të jetë fjala edhe për një gjë aq të ndjeshme, çfarë është procesi i shkëmbimit letrar në mes të Kosovës dhe Sërbisë, atëherë është vërtet shumë i gjërë repertori për poshtërim të aktorëve të këtij procesi. Me një rast, duke ecur nëpër qytet, e takova një kolege, gazetare liberale, e cila më pyeti për Polip dhe punë të letërsisë. Folnim gjersa ecnim kah Sllavia. Kur më dëgjoi gjer në fund, vetëm më tha se e tëra kjo po ia përkujtonte “Kalin e Trojës”, dhe se nuk po i interesonte edhe gjithaq. Çfarë “Kali i Trojës”, desha ta pyes, por ajo nuk deshi ta vazhdonim bisedën në atë drejtim. Mua më vonë më mbeti vetëm të përpiqem ta gjej kuptimin e tezës së saj. Athu ku e kishte hallin? Pra, mendova, ajo besoka se shkëmbimi i ynë letrar qenka vetëm maskë për ndonjë aksion me rrezik bukur të madh, që do të vijojë një ditë. Kur ta shofin “serbët naivë” kalin në oborr të vet dhe të fillojnë t’i sjellin dhurata, e pastaj të shkojnë të flejnë, dikush i mbrojtur nga nata mbase do të dalë nga ky Kalë, gjegjësisht nga Polipi, për ta shpallur, gjegjësisht për ta pranuar, Republikën e pavarur të Kosovës, duke bërë kështu mëkat kundër Kushtetutës dhe ligjit. Për këtë arsye nuk do të përzihen, as ajo e as kushdo tjetër, në këto punë të Trojës, po do të qëndrojnë në shtegun e sigurtë të Bata Tërllajës, dhe do të vazhdojnë të llokoçiten në kënetën plot me krokodilë, e le t’i gjejë ç’t’i gjejë. Zaten, nuk ka mungesë të gjërave me të cilat mund të mbushen rubrikat kulturore të medjeve beogradase. Pra, a mos do të mbushen, kund, me dofarë përmbledhje vjershash të Arben Idrizit, drama të Dori Bashës, apo Ilir Gjocajt?

I vogël ishte numri i njerëzve që patën guxim të punonin gjë në shkëmbimin kulturor në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Kjo është, mund të thuhet, një kënetë edhe më e vogël, prandaj është logjike prania e jotolerancave. Nga koha në kohë shkrepin shkëndijat, fillojnë të grinden njerëzit, Miki Manojlloviq punon në një shfaqje në Qendër, shumë mbesin të pakënaqur, por qëndron fakti se shfaqja u dha. (Edhe unë shkrova kritikë lavduese mbi këtë shfaqje atëbotë, duke pësuar kritika nga kolegët e afërm: pse, ç’të duhet kjo, është e keqe, nuk ka rëndësi, etj.) Kështu do t’u vijë një ditë, të gjithëve që punuan në këtë relacion, rradha të vehet nën shqyrtim e gjithë ajo që e kanë bërë. Do të mbesin vetëm ato gjërat me vlerën më të madhe, të cilat do t’i shtrojnë trasetë e marrëdhënieve të ardhme në mes të Prishtinës dhe Beogradit. Nuk është punë e vogël të bëhen, përkundër rrethanave të numërta vështirësuese, zhvendosje të tilla në kulturë. Përkundrazi. Këshilli i Helsinkit në Sërbi e përpiloi në kohë të vet një program shkëlqyes arsimor për studentë nga Kosova dhe Sërbia. Këta të rinj kaluan nëpër punëtori të llojllojta, vinin në Beograd, i vizitonin teatrot, e dëgjonin Borka Paviqeviqin, shkonin në Qendër, në Prizren për Dokufest, dëgjonin mbi ditët e largëta mitike të vurjes ë Polipit në lëvizje. Vërtet më duken sot këto ditë si një kohë e largët në të cilën çdo gjë ishte e mundur. Por, në fakt, është fjala për një kujtesë të shtrembëruar se, natyrisht, atëherë ishte poaq vështirë sa edhe sot. Disa nga këta njerëz më vonë—të frymëzuar nga të gjitha që i kishin dëgjuar mbi shkëmbimin kulturor dhe takimet plot kreativititet ndërmjet artistëve e artisteve—realizuan dofarë projektesh të tyre të vegjël. Në ekspozitat të cilat i organizonin në fund të çdo cikli të programit kishte momente që vërtet lenin përshtypje.

Mik i dashur, mendoj se përdore fjalë kyçe, madje në kahjen e vetme të drejtë. Ndryshimi! Dhe jo i shoqërive po i vetë neve. Punuam me njerëz të cilët besonin në ndryshim, e mbarështruam botimin dhe dëgjimin e teksteve të tyre, me bindje të thellë se do të depërtojmë gjer te dikush, atje në audiencë, apo gjer te ndonjë lexues i cili pas leximit publik do ta marrë revistën Beton International, ose ndonjë libër të përkthyer, dhe t’i lexojë në ambientin e këndëshëm të dhomës së vet. Por gjersa i bënim të gjitha këto—ndryshonim edhe ne. Përfunduam vite drite larg shoqërive nga të cilat u nisëm, veçanërisht nga politika që sot bëhet nëpër vende të regjionit. Po të ishim sot duke përgatitur botim të ri të Polipit, besoj se do t’i kushtohej përkrahjes së Lëvizjes së Grave në Iran, e cila atje po pëson goditje tmerruese nga Policia e moralit. Iranasja e re, Mahsa Amini, vdiq nga pasojat e dajakut gjakatar që ishte rrjedhojë e dënimit për mosrespektim të bartjes së mbulesës fetare. Protestat tashmë po zgjasin me ditë e net të tëra, e fytyra e vajzës së vrarë u bë simbol i rezistencës së grave. Gjithmonë ka qenë gjë e afërt për Polipin t’ua mbante anën atyre që ishin të ndjekur dhe të privuar nga të drejtat. Poashtu edhe nisja e debatit në shoqëritë konzervative dhe të postkonfliktit. Falë shoqatës AlterHabitus dhe aktivistes Eli Krasniqi patëm programe të jashtëzakonta të debatit, të cilët merreshin me lëvizjen e rezistencës, dhe çështjet e emancipimit të gruas në Jugosllavi dhe Kosovë. Çështjet e ndryshimeve brenda vetë nesh, në shoqëritë që më me qejf përcaktohen për polici morale se për liri, i vendosnim në slogan të programit të çdo botimi të festivalit. E përgjegjet i kërkonim në letërsi, në përkthim dhe në lexim të saj.

Departamenti i dhimbjes kombëtare, siç the, punon me këtë, ose ndonjë emër tjetër që i përngjet, në të gjitha shoqëritë e regjionit. Punëtorët e këtij departamenti, koleksionistët e dhimbjes, janë të ngarkuar me detyrë të zbulimit me kohë, dhe të paraqitjes, së të gjithë atyre që nuk i respektojnë vuajtjet nacionale. Çdo bashkëpunim kulturor paraqet mëkat ndaj rregullave të këtij departamenti. Ata nuk janë aq radikalë si në Iran, por janë ngulmues, dhe rrinë gati për çdo lloj të diversionit. Kur të organizohet ndonjë ekspozitë ose shfaqje e artistëve kosovarë, paraqiten me bajraqe dhe kryqë. Aty pastaj detyrueshëm e kemi edhe rruginën e veçantë të policisë gjersa, si zëdhënës të këtij Departamenti të dalin në shesh, gjoja, rojet spontane të dhimbjes kombëtare, përndryshe përhershëm të punësuar në këtë departament, sikurse njëfarë xha Sima, i cili paraqitet kudo që zhvillohet ndonjë program artistik i bashkëpunimit kosovar-serb. Ai e ka kryet e rruar, ka muskulaturë të zhvilluar, është gjithmonë në bluzë të zezë me parulla nacionaliste; lehtë bie në sy, se i mësyen “armikut” i pari. “Ti je tradhëtar, ‘shiptarski pllaqenik[2], ju ktheftë juve të gjithëve kjo e keqe, ju jeni UÇK, ju jeni e keqja!”, ulëron xha Sima gjersa të gërrithë në fytyrë, ose të rrëzon në dysheme dhe të shqelmon. Asnjë ton i pajtimit ose porosi e arsyes nuk kalon te ai, ose te kerverët[3] që i përngjajnë. Ai është aty për ta mbajtur tensionin e jotolerancës luftarake, për t’i ndërsyer krokodilët në aktivitete të përditëm gjakatarë. Xha Sima dhe çiftët e tij nuk bëjnë gjë tjetër, që nga viti 1999, pos që i qërojnë dregëzat e plagëve të kombit. Gjersa të kullojnë plagët gjak, të gjthë janë mirë, kështu që këneta e vogël nuk është vetëm me baltë, por gjithmonë ngapak edhe me gjak. Nga kjo përzierje të luan mendja, prandaj edhe kur t’u thoni njerëzve që po merreni me letërsi, ata nuk shofin gjë pos konspiratës dhe kuajve trojas. Më të këqijtë janë xha simët që të gjitha i bëjnë vullnetarisht, gjersa rrogën e fitojnë nëpër institute të ndryshëm të letërsisë, historisë, ose shkencave politike.

Kujt do t’ia mirrte mendja që është kaq rrezik të mirresh me letërsi në këto shoqëri? Dhe me kulturë, në përgjithsi. Sikur të jetë mbjellë ndonjë frikë nga këngët që këndohen në oborr të fqiut. Besoj se dhe ti, shok i dashur, ke përjetuar diçka të tillë në rrethin tënd? Sikur të jenë plot rrezik vjershat, e për romane as mos të flasim. E dëgjon, bie fjala, xha Sima dikë duke e kënduar me zë të ulët një këngë të Kujtim Paçakut në rrugën e Birçaninit por, meqë nuk e kupton gjuhën, fillon të përfytyrojë se përmes kësaj kënge bëhet kushtrim për mobilizim dhe sulmim të Veriut të Kosovës. Pastaj e trillon xha Sima një përrallë dhe vrapon gjer te shefi për t’i raportuar se “ka hasur në porosi të shifruara nga Prishtina”. Shefi pastaj e njofton shefin e vet, dhe kështu gjer te Kryesia. Në fund, kjo informatë e shtrembëruar dhe e shitur mirë e xha Simës bëhet pjesë e analizës së kryetarit mbi gjendjen në Kosovë, dhe njëherit edhe lajm goditës në faqet e para të tabloidëve: “UÇK po tubohet prap”, “Goditje në Veri të Kosovsë në nëntor”, “NATO e udhëheqë logjistikën e betejës.”

E, në të vërtetë, përkthimi i këtyre vargjeve të Paçakut është:

Qoftë i harruar

kujtimi i nëntorit!

Ishte e diel lufte me shi.

Mosdija është burimi i vërtetë i frikës, e frika gjendje ideale për manipulim me masa. Polipi ua bëri llagëmin, edhe njërës, edhe tjetrës, duke e lëshuar një tufë drite në errësirën të cilën e ruanin me dhjetëvitësha.

E çka na sjellë e ardhmja? Nuk di.

E di që fashistët fituan dje në Itali dhe që Rusia po kryen mobilizim të pjesshëm. Krokodilët po lahen edhe më tutje në kënetën e vogël, duke e përgjuar prenë. Në bark të ndonjërit prej tyre ende ndihet tik-taku i orës me zile nga ndonjë botim i Polipit, e cila nga kati i epërm i Qendrës së vjetër u rrakadyl në nofulla të stërhapura të krokodilit. Dhe tash ndihet lemza. Si vërejtje, si përkujtim i ardhmërisë së letërsisë.

 

Përshëndetje nga Vraçari,

Sasha,

Beograd, 27 shtator, 2022

 

Përktheu: Florent Rizvanolli

Kjo letër është shkruar në serbisht.

________________________________________________________________________________________

[1] bëhet fjalë për njoftimin mbi vdekjen, sërbisht çitulja, që te ne zakonisht vehet në trung të drunjëve, pra e ka kuptimin «shifemi në njoftim të vdekjes», ose «do të vdesim që të dy». Edhe në Kosovë, kur vdes ndonjë person i urryer, thuhet «doli në dru», ose «doli në lândë (shtyllë)».

[2] sërbisht: šiptarski plaćenik, mercenar shqiptar, me fjalën serbe “shiptari”, fyese për shqiptarë

[3] greqisht: Κέρβερος, sipas mitologjisë greke, qeni rojtar i ferrit, që nuk i lejon të vdekurit të dalin prej tij.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.