Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

“(S)dua të shkoj në shkollë” – Bashkëbisedim me dy nxënës

Ilustrimi nga: BigEye

Më 25 gusht të vitit 2022 pati filluar greva në të gjitha nivelet arsimore në Kosovë, nën BSPK-në (Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës), me kërkesën që të miratohej Ligji i Pagave, ku edhe kërkoheshin njëqind euro pagë shtesë deri në miratimin e ligjit.

Gjatë kohës kur po zhvillohej greva, përveç akterëve të ndryshëm të cilët flisnin për dëmin që po u bëhej nxënësve në mungesë të mësimit, qenë deklaruar edhe një numër i prindërve e nxënësve të cilët thoshin se, në fakt, fëmijët duan të shkojnë në shkollë dhe se u mungon vijimi i mësimeve. Këto deklarata ndollën një sërë kujtimesh nga koha kur isha vetë në shkollë dhe kishte ndërprerje të mësimit për arsye të ndryshme.

Për ta kontekstualizuar dëshirën apo mosdëshirën e nxënësve për të vijuar mësimet, disa ditë pas përfundimit të grevës, kam intervistuar apo, thënë më mirë, kam bashkëbiseduar me dy nxënës (L.I., klasa IV dhe D.T., klasa VII) të shkollës Ismail Qemali. Me këtë bisedë kisha për qëllim të kuptoja disa dukuri, vlera dhe besime të nxënësve në raport me (mos)dëshirën për të shkuar në shkollë dhe shkaqet e tyre.

“Pse na shkohet në shkollë”

Ndonëse mësimi rifilloi pas një muaji grevë, për L.I. dhe D.T., ky lajm nuk ishte aspak ngazëllues. Kur i pyeta “A jeni gëzu që ka filluar mësimi?”, njëzëri u përgjigjën “Jo”. Arsyeja e vetme që i motivonte të shkonin në shkollë ishin shokët e klasës. “Hiç, asnjë pikë s’më shkohet nëse s’i kam dostat aty!” – tha L.I., dhe vazhdoi duke u shprehur se i shkohet me raste, sa për të mos mbetur pa mësuar gjë.

Këtu duhet të ndërlidhemi me disa teori dhe koncepte që lidhen me shoqërizimin në shkollë. Shoqërizimi natyrisht shkon përtej krijimit të miqësive mes fëmijëve. Ai ka të bëjë po ashtu me përbrendësimin e vlerave e normave, si dhe ndërveprimet me ata që shtrijnë autoritet, pra mësuesit e arsimtarët. Përveçqë ky është proces shumë i rëndësishëm për zhvillimin emocional dhe kognitiv te fëmijët, po ashtu tregon se për ta më domethënëse është miqësia, sesa nxënia.

Kjo mund të shpjegohet përmes teorisë së identitetit social, sipas së cilës njerëzit zhvillojnë një ndjenjë identiteti bazuar në përkatësitë e tyre në grupe shoqërore, siç janë miqtë, familja ose grupi kulturor. Për disa fëmijë, identiteti i tyre si anëtarë të grupeve të bashkëmoshatarëve mund të jetë më i rëndësishëm sesa identiteti i tyre si nxënës. Si shpjegohet kjo?

Raporti mësimdhënës/nxënës 

D.T., përgjatë tërë bashkëbisedimit tonë, ankohej se një prej arsyeve pse nuk ka qejf të shkojë në shkollë është për shkak se arsimtarët nuk sillen mirë me të:

as a “Sot kemi pasë nji detyrë me kompas dhe për shkak se isha tu e bo nji skulpturë me nji shishe të plastikës, tu e shpu atë, arsimtarja erdh edhe ma gjujti kompasin në bërllog!”

Teksa tregonte e kishte vështirë të shprehej, meqë kjo ngjarje e kishte bërë të ndihej shumë keq dhe disa herë thoshte se “po të ishin arsimtarët ma të mirë, do të kisha pasë ma shumë dëshirë me shku në shkollë”. Kur e pyeta se çka do të thotë për të “arsimtar ma i mirë”, ai u përgjigj se një arsimtar do të duhej të sillej më mirë dhe nëse do ta bënin orën më interesante, do ta cilësonte si mësimdhënës të mirë.

Mbi këtë temë mund të flasim për dy fenomene që janë shumë të përhapura: i pari është mungesa e kualifikimeve dhe trajnimeve adekuate, dhe i dyti është koncepti i burnout (djegies). Mësuesit e rinj, ose ata pa trajnim adekuat, mund të hasin në vështirësi me menaxhimin e klasës, aftësitë e komunikimit ose zgjidhjen e konflikteve, gjë që shkakton vështirësi në ndërveprimin me fëmijët. Ndërkaq, mësuesit me përvojë të gjatë mund të përjetojnë burnout, që rëndom shpërfaqet në qëndrime apo sjellje negative ndaj nxënësve. Kjo mund të shkaktohet nga faktorë të tillë si: ngarkesa e lartë e punës, mungesa e mbështetjes apo rraskapitja emocionale.

“Disa arsye pse nuk na shkohet në shkollë”

Një nga ankesat kryesore nga të dy nxënësit ishte se shkolla është thjesht e mërzitshme. Asnjërit nuk i pëlqen fakti të punojë me tekstet e ”thata” dhe nxënia tradicionale nuk prodhon mjaftueshëm projekte e aktivitete. Të dytë u përgjigjën se do të donin të mësonin në mënyrë më argëtuese përmes videove dhe prezantimeve të ndryshme. D.T. thotë se “i lexohen vetëm librat komikë”.

Kur i pyeta se cilat lëndë u pëlqejnë më së shumti, D.T. u përgjigj se lënda e tij e preferuar është historia, për shkak se libri përmban fotografi dhe zgjon imagjinatën e tij meqë flitet për gjëra që kanë ndodhur në të shkuarën. Ndërkaq L.I. parapëlqen lëndën e gjuhës angleze, sepse mësuesja tërheq vëmendjen e tyre me video të ndryshme në orë të mësimit.

Ndërsa kur i pyeta pse u duket shkolla e mërzitshme, u përgjigjën ngjashëm, duke thënë se në fillim u ishte dukur interesant dhe diçka e re, porse ky interesim shpejt ishte shuar. Kur e pyeta L.I. se pse ndihej ashtu, ai u shpreh: “Pas klasës së dytë s’ka ndryshu asgjo!

Mungesa e të mësuarit vizuel mund të frenojë zhvillimin kognitiv, emocional dhe social të nxënësve. P.sh., teoria e kodimit të dyfishtë thotë se kur nxënësve u paraqiten informacione në formatin vizual dhe verbal, ata kanë më shumë gjasa t’i mbajnë mend dhe t’i kuptojnë ato. Në të kundërtën, studentët mund të kenë vështirësi për të kuptuar koncepte të rëndësishme, duke e vështirësuar performancën e tyre akademike.

Kjo ndërlidhet gjithashtu me mërzinë e përmendur nga nxënësit. Disa komponentë të rëndësishëm që lidhen me mërzinë janë: a) mungesa e angazhimit, ku kurrikula apo metodat e mësimdhënies nuk janë tërheqëse për nxënësit, b) koncepti i mbi-stimulimit, ku disa fëmijë mund të mërziten në mungesë të kohës për të përpunuar dhe reflektuar mbi atë çfarë mësojnë, dhe c) relevanca e mësimeve, kur fëmijët mërziten nëse nuk kuptojnë qartë rëndësinë e mësimeve, sidomos në një kohë të anvacimit të shpejtë teknologjik.

Si përfundim, shoqërizimi, metodat e mësimdhënies/mësimnxënies dhe shkolla si e ‘mërzitshme’, janë të pashkoqitshme nga njëra-tjetra. Trajtimi i kësaj çështjeje kërkon një kombinim strategjish, duke përfshirë rritjen e fondeve për arsimin dhe ofrimin e përkrahjes së vazhdueshme për mësuesit në aspektin akademik dhe emocional.

Në mënyrë që nxënësit ta kenë përvojën më të mirë dhe më të frytshme në shkollë, duhet që kurrikula të përfshijë (ose të praktikojë) disa gjëra: trajnimin e vazhdueshëm të mësimdhënësve, përfshirjen e të mësuarit vizuel dhe të ofruarit e kohës së mjaftueshme nxënësve për shoqërizim, në mënyrë që mos të interferojë me kohën e mësimit. Në fund, është imperative që nxënësit të trajtohen me respekt si subjekte që u dëgjohet zëri.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.