Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shën Sava me mustakë të artë

Pasi tashmë e patëm fjalën për dekorata, para disa vitesh më erdhi në shehër ambasadori i ri të cilin e rrihte një nam aq i lig, sa që nuk kisha aspak dëshirë të shoqërohesha me të sepse, ç’na mbetet në fund, pos të zgjedhim me kend shoqërohemi? Një kohë të gjatë i bëra lak, gjersa ma zuri në fund bishtin duke thirrur me numër të panjohur.

Thotë—e ka një punë për mua. Ç’punë? Përkthim. Çfarë përkthimi? Përkthim me shkrim. I çkafit ky përkthim me shkrim?

Ky zotëriu, pra, njerëzve të cilët i kishte takuar, ua paska dhuruar përkthimin tim të librit “Ura mbi Drinë” dhe librit do të dëshironte t’ia shtonte dofarë përsiatjesh të veta mbi këtë vepër dhe autorin e saj, prandaj i paska shkruar disa faqe të cilat do të dëshronte t’ia përkthej [në portugalisht]. Këtu nuk më la vend kurreshtja e shkretë dhe i thashë—m’i dërgoni.

Erdhi porosia elektronike, tetëmbëdhjetë faqe të dëndura me tekst, në to s’kishte ç’nuk kishte: edhe SHPK [Shteti i Pavarur Kroat, kroatisht: NDH], edhe ustashë, edhe therrës njerëzish, edhe komunistë të lig bashk me bajraktarin e tyre, Brozin, edhe SHPK, edhe rehabilitim të Gjeneral Drazhës, edhe çetnikë që luftuan për liri, edhe SHPK, edhe Srebrenicë si akt të hakmarrjes ndaj therrësve të fëmijëve serbë, por një pjesë e mirë, dorën në zemër, i kushtohej Andriqit, pra asaj se si Ivo ka qenë serb, madje serb serioz, duke u argumentuar kjo gjer në hollësi.

I marr unë me telefon ata të mijët në firmë dhe u kërkoj t’ia dërgojnë një ofertë për shumë përrallore të hollash, se kjo është mënyra në të cilën këtu, në Portugali, komunikohet kur nuk dëshiron ta kryesh një punë. E dërgojnë ata ofertën, mendoj se ia kishin kërkuar trimijë euro. Llogaris, nuk i ka ambasada gjithato të holla dhe do të më lënë rehat.

Por jo, thërret prap ai tipi i njejtë e thotë, “shumë shtrenjtë.”

I them, “unë nuk punoj me të holla, në e paçin kërkuar një sasi të hollash ata të firmës, ata punën e vet e dinë, pra ajo sasi duhet të jetë.”

Thotë ai, duke më bërë lajka, se e di që puna e ime ka vlerë, se jam kulmor në atë punë, por ambasada, me të vërtetë, pra, ia kam qëlluar: nuk i ka gjithato të holla; por ai e ka për mua një propozim të parefuzueshëm, të ma shpaguajë ndryshe punën, në mënyrë shumë më të bukur dhe më të denjë.

Ç’mënyrë më të bukur?

Po përktheva, më jep—dekoratë.

Këtu unë qeshem me lezet dhe i them, “Më falni, por mos po talleni ju tash me mua pak?”

Thotë ai, zatën mjaft sharmant tipi, “Po jo, për zoten, nuk po tallem. Jam njeri serioz unë.”

E pyes, “Po si qenkam unë për dekoratë, o serioz-ziu prej njeriu?”

“Mos e nënçmoni veten”, thotë ai.

“Mirë, pra, në rregull”, i them. “E çfarë dekorate? Ku do të gjeni dekoratë për mua?”

“Çfarëdo, sipas zgjedhjes suaj.”

Ai, pra, kishte afërsi të jashtëzakontë me kryetarin e atëherëm të Sërbisë kështu që, vetëm duhej ta përktheja tekstin dhe ta përzgjedhja dekoratën nga zgjedhja e gjërë që ishte në portal të Zyrës së Kryetarit në internet, të lajmëroja se cilën e kam zgjedhur, dhe kjo do të më kryhej, edhe kryetari do të më stoliste me dekoratë, në pozë për fotografim, me rastin e parë që të paraqitej.

“Eu, baco, eu,” i them, “do ta shiqoj se çfarë llojesh të dekoratave paska atje dhe ju nuk keni nevojë fare të më thërrisni, se ju thirri unë, sapo ta gjej dekoratën e cila më rri më së miri.”

Dhe natyrisht, menjëherë e qes në harresë atë punë, as pa qëllim që të lajmërohem se kështu, pra, bëhet me dije në Portugali kur nuk don të kesh punë me ndokend.

Megjithatë, ambasadori, ngulmues si rriqri, më merr prap në telefon dhe më pyet, “a vendosët se cilën dekoratë e doni?”

“E dua dekoratën e Shën Savës me mustakë të artë.”

“Vetëm atë nuk kam mundësi ta jap, se është e kishës; zgjedhni diçka që jep shteti, atë e rregulloj leht,” thotë ai.

“Shën Savën e dua. Atë ose asnjë tjetër.” them unë.

Dhe kështu, kjo epizodë qesharake edhe përfundoi në mënyrë qesharake.

Kisha pas qenë me fat që ky njeri nuk kishte pasur ndikim edhe në KOS [Kishën Orthodokse Sërbe] dhe në Shën Savën, siç kishte pasur në shtet dhe në Shërbim se, po t’i kishte pasur, e po ta kisha fituar atë dekoratë të cilën më vonë e fituan Dmitrij Medvedev, Vlladimir Putin, Bogoljub Kariq, Emir Kusturica, Aleksandar Llukashenko, Sergej Shojgu, Millorad Vuçeliq, Dragan Markoviq Pallma, Millorad Dodik, Viktor Orban, Matija Beqkoviq, Nebojsha Çoviq, Radosh Bajiq, Smilja Avramov, Alleksandar Vuçiq, e tinëz edhe Sinisha Mali—si do të kisha pasur fytyrë të arësyetohesha para shokëve që jam i pafaj? Si do t’u dilja, babës dhe nënës, dhe fëmijëve, para fytyre? Nuk do të më kishin la, mua të përvuajturin, as Danub e as Savë. Kush do të më kishte besuar, po t’i thoja se “nuk jam unë si këta të dekoruarit, po vetëm i përktheva tetëmbëdhjetë faqe të budallakive naci-propagandistike, e porositësi nuk pat të holla, por kishte dekorata, dhe ma dhanë këtë qelbësirë, në vend të të hollave, për honorar”?

S’do mend, nuk do të më besonte kush. E ja, po ju shoh, nuk po më besoni as ju, tani.

________________________________

I botuar ​më 12.10.2022 në revistën NIN
përktheu nga serbishtja Florent Rizvanolli.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.