Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shënime nga minimarketi

Skena është shumë e zakonshme dhe qëndrimet shumë stereotipe për me iu shmangë të qenit bajat.

Janë partitë “opozitare” që fjalinë e fillojnë me denoncim dhe e përfundojnë me apologji për partinë që përfaqësojnë. Një politikan që çdo të dytën fjalë ia rezervon mbulimit të marres së partisë së cilës i takon, me fjalë tjera, grupit të interesit të vet, dhe mbi të gjitha “funksionin” vazhdojmë akoma t’ia quajmë “shërbim publik.” Këto parti me shkatërrues në dorë akuzojnë pushtetin për shkatërrim (të Kosovës.)

Janë cinikët që i kritikojnë kritikët e pushtetit nga partitë opozitare për pushtet, duke i quajtur të njëllojtë. E përfaqësojnë kujdestarin e demokracisë dhe qeverisjes së mirë. Përkundër kritikës radikale, të fundit, në raport me pushtetin janë më të moderuarit, ndërsa kur vjen puna, më së lehti të koercuar nga fuqia e shtetit.

Janë moralistët që i kritikojnë cinikët. Që i kritikojnë kritikët duke i quajtur urrejtës. Duke deklaruar se, ndonëse ka pandershmëri karshi pushtetit, në përgjithësi vendi është duke shkuar përpara, dhe të mirat nuk vijnë as menjëherë, siç pretendojnë kritikët e pushtetit, por as kurrë, siç pretendojnë cinikët. Të mirat, na thonë moralistët, vijnë dalëngadalë. Zakonisht të lidhur mirë me pushtetin përmes sferës private, për ta, hapësira publike është hapësirë ku mund të ushtrohet liria e privatizimit përmes meritave. Zakonisht, këta të rremë, i japin merita vetvetes. Në Greqinë antike, këta persona njiheshin si “idios”, njerëz privatë, të vetvetes apo idiotë.

Janë pragmatikët që e kritikojnë pushtetin direkt, duke i përqeshur edhe cinikët edhe moralistët, por nga prizmi i seriozitetit karshi problemeve sociale; dhe zakonisht e akuzojnë pushtetin për mungesë të “agjendës” dhe “planit të mirëfilltë qeverisës”. Pragmatikët zakonisht përfundojnë si shërbëtorë të partive në (garë për) pushtet. Policor në publik, politik në shtëpi, aty ku ndihen të sigurt nga ndëshkimi. Do të ishin të dobishëm për ne, me pragmatizmin e tyre, po qe se nuk do të binin ndesh me pengesat ligjore, zënkat lokale dhe interesat e rekomanduesit euroatlantik.

Këtu i kemi ndarë për shkak të klasifikimit teorik. Përndryshe, rrallëherë këto katër kategori të kritikuesit kosovar ndaj pushtetit dhe fuqisë së shtetit, janë të izoluara në individë. Një figurë publike, aktivist ose politikan, mund t’i posedojë më shumë se një. E mbase edhe të katërta përnjëherë.

Nëse duam ta dimë se çfarë është duke ndodhur, duhet parë vetëm kush ka arsye personale të përfitimit financiar, apo tjetër, për t’u angazhuar në situatë. Asnjë nga subjektet politike në Kosovë, ato me stazh dhe ato që janë në gatitje e sipër, nuk kanë ofruar tjetër përveçse të qenit gjest simbolik i qeverisjes së një shteti të ri në Ballkan. Ose doksosofi konsensuale dhe papagallizëm integrues për Bruksel. Kuptohet, kanë ndërtuar rrugë por kanë vjedhur në proces. Kanë bërë biznes, por biznes budalla. E kanë falur distribucionin. Së shpejti do ta falin edhe postën e telekomin. Kanë falur aeroporte dhe miniera. Ndonëse çfarë është falje për ne, është pasurim marramendës për ta. Kanë nënshkruar marrëveshje nën rekomandime të interesave të dhëna. Si rezultat kanë shkatërruar mjedisin dhe helmuar lumenjtë. Kanë ngurtësuar ajrin dhe kanë tretur dheun. Kanë plaçkitur mirëqenien dhe sigurinë e gjeneratave që do të vijnë.

Raporti i Komisionit Evropian 2015 na mjafton për të parë se si është gjendja e shtetit tonë. Në plot pika kyçe implementimi ose mungon ose është i pakënaqshëm. Ligjet, si ai i punës (kontratat e punës, orari, shëndeti dhe siguria në punë, etj.) mbeten të pandryshuara dhe të pakoordinuara me ligjin evropian (acquis). 11 veta (aq sa janë raportuar) kanë humbur jetën në vendin e punës për shkak të aksidenteve si rezultat i mos implementimit të këtyre ligjeve, dhe atë vetëm nga fillimi i vitit 2014 deri në gjysmën e vitit 2015. Pastaj, mortaliteti i fëmijëve mbetet më i larti në rajon, përderisa politikat fiskale ndaj shëndetit publik edhe më tej joekzistente. Nuk është për t’u habitur që një amputim në QKUK bën bujë sa dy ringjallje biblike të para erës sonë.

Paramendoni, demarkacioni është ende çështja më e nxehtë. Çfarë na duhet tërë Mali i Zi nën këto pushtete? Shumica dërmuese e deputetëve të Kuvendit kanë vështirësi komunikimi të zakontë. Shumica tjetër recitojnë ligjërata bajate populliste.

Përderisa besimi në SHPK është (paragjykueshëm) i lartë, ai në institucionet publike është i ulët. Shkak i kësaj, thuhet në raport, është korrupsioni. Ndërrimi tepër i shpeshtë, apo jokonsistenca e qeverisë në planin legjislativ e bën të pamundur hetimin nga ana jonë. Mbi 70 agjenci të shtetit kanë përgjegjësi të njëjta. Nuk është e papritur që secila ia lë fajin tjetrës. Një papërgjegjësi sistematike. Dhe mbase, për të mirën tonë, është koha që korrupsioni të futet si lëndë nëpër shkolla. Le të mësohet për të, format dhe nivelet e tij. Përndryshe, është i paevitueshëm shndërrimi i tij në karakter përrallor. Kimerë qesharake e paidentifikueshme në realitet.

Gati të gjitha përparimet e Kosovës në këtë raport më të fundit të Komisionit Evropian janë të pasuara me “por mbetet për t’u implementuar”.

Jo më larg se sot një gazetareje që kishte raportuar për skandalet e sektorit të shëndetësisë, për stenta dhe për keqpërdorim me citostatikë, thënë ndryshe, për një monstruozitet të agregatit tonë moralizues, i është refuzuar ndihma emergjente mjekësore në QKUK dhe pastaj edhe ajo policore, në shenjë hakmarrjeje për shkrimet e lartpërmendura. Mjekja në detyrë ia paska përmendur profesionin, ndërsa polici e paska quajtur zagare. Në dritën e kësaj, pacientja është lënë pa ndihmë mjekësore me një kurriz të thyer.

Ligjet mbrojtëse dhe implementimi i tyre janë të ndara. Çfarë është në letër luan pak rol në një shtet ku komuniteti i interesave të ngushta personale në kombinim me injorancën e lartë dhe karakterin e ulët të stafit të sektorit publik, vepron jashtë tij, dhe me një imunitet absolut.

Me këtë horizont politik, unë nuk dua të votoj në zgjedhjet e ardhshme, sepse nuk kam arsyeshëm për kë të votoj. Nuk dua të zgjedh nga shporta e vezëve të prishura atë që është më pak e prishur. Do të ishte fyerje ndaj të drejtës sime për votë dhe përçmim ndaj pjesëmarrjes sime në demokraci. Pastaj, nuk mendoj se ekziston një fuqi politike aq normale sa për ta reformuar një shtet i cili është i thellosur aq shumë në papërgjegjësi, dhe i cili e ka të rrënjosur bashkëtrupëzimin në mes të krimit të organizuar dhe qeverisë.

Me këta njerëz Kosova do të vazhdojë të mbesë një minimarket me produkte të klasit të ulët që iu shiten me çmim të lartë popullatës më të varfër në kontinent. Dhe ky nuk është treg i lirë. Ky është mashtrim.

Fatkeqësisht ekziston vetëm një zgjidhje dhe një thirrje karshi të gjitha partive politike dhe deputetëve të tyre aktivë sot në parlament, prezenca e të cilëve është një përzierje kutërbuese në mes patronazhit dhe shfajësisë:

Të gjithë duhet të shkojnë! Dhe, sa më parë.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.