Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shkallët e pabarazisë në Universitetin e Prishtinës

Në Universitetin e Prishtinës, institucion i cili pretendon se ofron dituri dhe promovim të të drejtave të barabarta, jo gjithçka funksionon siç është e shkruar në letër. Kjo vlen më së shumti kur është fjala për të drejtat e studentëve të Universitetit, të cilët i kanë aftësitë e kufizuara dhe kanë nevojë për trajtim të veçantë. Siç do ta shohim më poshtë, këto të drejta nuk respektohen në nivelin e duhur dhe lënë shumë hapësirë për diskriminimin dhe lëndimin e shumë studentëve apo punonjësve të cilëve iu vështirësohet tej mase angazhimi në këtë institucion. Përshtypja ime është që Universiteti i Prishtinës ka pasur dhe ka ende mundësi të përmirësojë gjendjen ekzistuese, duke ndryshuar në radhë të parë qasjen ndaj studentëve, e në veçanti ndaj personave me aftësi të kufizuara. Por, përpara se të merremi me mënyrën e ndryshimit të gjendjes ekzistuese, së pari të sqarojmë disa koncepte të cilat shpeshherë keqkuptohen dhe keqinterpretohen nga masa e gjerë e popullatës, madje nganjëherë edhe nga disa intelektualë kosovarë.

Në radhë të parë, për të folur për studentët me aftësi të kufizuara, duhet të dimë më shumë rreth konceptit të barazisë në mes studentëve. Për këtë arsye, si shoqëri duhet të reflektojmë se në ç’mënyrë jetësohet barazia në mes të të gjithë studentëve, pa marrë parasysh atributet e tyre fizike, emocionale dhe psiqike. Në të njëjtën kohë, të reflektojmë edhe për mënyrën se si të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, qofshin ata studentë apo të punësuar në Universitet, duhet të avancohen deri në nivelin praktik, e jo vetëm atë proklamues e sipërfaqësor. Kjo do të thotë që universiteti si institucion publik e ka për detyrë të ofrojë kushte të punës dhe ambient të përshtatshëm për të gjithë, duke evituar diskriminimin në baza fizike apo mentale. Pra, arritjet e studentëve dhe e stafit të Universitetit duhet të ndërlidhen ngushtë me përpjekjet dhe me punën e tyre drejt rezultateve që priten prej tyre, e jo me kufizimet e tyre.

(Pa) Barazia mes studentëve

A është barazi, në kontekstin e aftësive të kufizuara të studentëve, trajtimi i njëjtë dhe standard i të gjithë studentëve? Jo domosdoshmërisht! Trajtimi i barabartë, në shumë raste do të thotë diskriminim i studentëve me aftësi të kufizuara. Le të ilustrojmë këtë me shembullin e dy maturantëve të cilët synojnë të regjistrohen në njërin prej Fakulteteve të Universitetit të Prishtinës. Të themi se këta studentë të ardhshëm gjenden te hyrja e Fakultetit të tyre dhe kanë për qëllim të marrin informata rreth afatit të regjistrimit të studentëve të rinj. Njëri nga ta ecë në drejtim të Fakultetit, ndërsa tjetri i shtynë me duar rrotat e karrocës së tij. Duke mos hyrë në rrethanat e mëparshme të tyre jetësore, studimet universitare si fazë e re e jetës së tyre, para së gjithash do duhej të ishin një eksperiencë pozitive për të gjithë, pa asnjë dallim. Por, në hyrjen e fakultetit njëri has në pabarazi. Objekti i ndërtuar duke pasur në mendje shumicën e studentëve të cilët kanë aftësi të ecin shkallëve, është barriera e parë për maturantin i cili lëviz me karrocë. Një barrierë e tillë aq e dukshme, flet shumë për të gjithë qasjen institucionale në raport me personat me aftësi të kufizuara. Përtej kësaj pengese fizike, çka mund të presësh në lidhje me aspektin emocional, shpirtëror e mendor të studentëve? Çka mund të presim në aspektin e ofrimit të shërbimeve administrative, apo edhe asistencës së nevojshme individuale dhe specifike për të gjithë këta studentë? Për mendimin tim, jo shumë!.

T’i kthehemi ilustrimit të pabarazisë në mes të dy studentëve me aftësi të ndryshme, të cilët dëshirojnë të regjistrohen në fakultet. Edhe njëherë, fuqishëm theksojmë se ofrimi i shërbimeve të njejta dhe standarde për të gjithë studentët, pa marrë parasysh nevojat e tyre, do të thotë diskriminim për personat me aftësi të kufizuara. Siç u ilustrua edhe më sipër, shkallët e fakultetit janë të pakapërcyeshme për studentët të cilët përdorin karroca për të lëvizur. Këto shkallë janë ndërtuar duke pasur në mendje “shumicën” e studentëve, të cilët nuk e kanë problem lëvizjen në këmbë. Por, siç ndodh në të gjitha rastet e jetës sociale, politike e kështu me radhë, kur shoqëria avancon duke i dhënë prioritet shumicës, më së shumti dëmtohen pjesët më të ndjeshme të popullatës, të cilat nuk e kanë fuqinë e shumicës.

Për ta çuar edhe më tej problematikën e lëvizjes pa pengesa në hapësirat e universiteteve në Kosovë, nga përvoja jonë kemi hasur në raste ku privilegjet e lëvizjes me përdorimin e liftit i kanë vetëm punonjësit e fakultetit. Ky sistem mundësohet me posedimin e kartelave për lift, të cilat i kanë vetëm profesorët dhe stafi administrativ e teknik i fakuleteteve. Në këtë kontekst, shumë përdorues të liftit në hapësirat universitare janë plotësisht të aftë të lëvizin edhe pa përdorimin e tij, pra duke ecur në këmbë. Në anën tjetër, studentët me aftësi të kufizuara nuk kanë qasje të pavarur në lift, e as stazë për lëvizje të karrocave. Me fjalë tjera, po të lëmë anash dallimet në funksione, i bie që atyre iu pamundësohet lëvizja e lirë dhe e pavarur brenda universitetit, ndërsa personat që nuk i kanë këto nevoja të veçanta edukimi iu ofrohet privilegji apo luksi i lëvizjes së lehtësuar. Prandaj, mund të thuhet se në këto raste është evident keqpërdorimi i pozitës për të përvetësuar të drejtat dhe privilegjet të cilat iu takojnë të tjerëve.

Kur realiteti demanton ligjëratat e profesorëve

Studentëve kosovarë të pothuajse të gjitha Fakulteteve iu bie të dëgjojnë ligjërata, apo të lexojnë rregullore dhe ligje të cilat flasin për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara. Këto “të drejta” proklamohen edhe në media nga ana e politikanëve dhe drejtuesve të institucioneve arsimore të Kosovës, të cilët mezi presin të paraqiten me premtimin se do të punojnë shumë për personat me aftësi të kufizuara. Por, me gjithë këtë retorikë, ajo që mund të vërehet që në hyrje të fakulteteve kosovare dëshmon të kundërtën. Të drejtat elementare të studentëve me aftësi të kufizuara nuk përfillen dhe nuk zbatohen. Që nga e drejta për qasje në objektet e arsimit të lartë, e deri tek mospërfillja e nevojave specifike individuale të studentëve, diskriminimi ndaj këtij grupi shoqëror është më se i dukshëm. Për më tepër, në të shumtën e rasteve edhe institucionet e arsimit parauniversitar janë në gjendje të ngjashme, për të mos thënë edhe më të rëndë sa i përket respektimit të të drejtave.

Nga përvoja ime personale si mësimdhënës në arsimin parauniversitar, lirshëm mund të them që shkollat e Kosovës nuk e kanë as idenë fillestare se si të trajtojnë fëmijët me aftësi të kufizuara, kurse nga përvoja ime personale si mësimdhënës në arsimin universitar në Kosovë, mund të them se gjendja ekzistuese është mjaft e pafavorshme për studentët. Për ta vërtëtuar këtë, mjafton një observim i thjeshtë disa orësh në hapësirat universitare apo ato parauniversitare dhe të vërehet një mungesë pothuajse totale e diversitetit dhe gjithëpërfshirjes, vlera këto të cilat promovohen gjithandej botës së civilizuar.

_________

Ky artikull është kontribut ndaj projektit USAID Transformational Leadership Program- Citizens Corps. Vështrimet dhe opinionet e shprehura në këtë artikull i takojnë autorëve dhe nuk i reflektojnë medoemos politikat dhe qëndrimet zyrtare të USAID TLP Citizens Corps. Supozimet e bëra brenda analizës gjithashtu nuk reflektojnë qëndrimin e cilitdo entitet qeveritar.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.