Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shkëmbimi i platformave dhe bastioneve mes republikanëve dhe demokratëve në ShBA

Tash që na ndajnë më pak se dy muaj nga zgjedhjet presidenciale në ShBA, është rritur diskutimi për politikën amerikane dhe për mënyrën se si funksionojnë partitë politike amerikane, se ç’platformë kanë, cila është historia e zhvillimit sociologjik të tyre, cili është qëndrimi i tyre kundrejt aksh çështjeve e problemeve, e kështu me radhë.

Ajo që dimë dhe shohim sot është se demokratët kanë kryesisht pozicione më liberale në shoqëri, janë më të majtë në ekonomi, janë më luftarakë kundër racizmit, janë në favor të kontrollimit të mbajtjes së armëve, janë në favor të abortit, si dhe janë për rol më të madh të qeverisë në proceset socioekonomike. Po ashtu, demokratët votohen më shumë nga komuniteti latinoamerikan dhe nga komuniteti afroamerikan.

Përballë tyre, republikanët kanë kryesisht pozicione më konservatore në shoqëri, janë më religjiozë, janë më të djathtë në ekonomi, janë në favor të lirisë së mbajtjes së armëve si mjet vetëmbrojtjeje, janë më konservatorë për sa i përket abortit, si dhe janë për rol minimal të qeverisë në proceset socioekonomike. Bazën dërrmuese të korpusit electoral të republikanëve e përbëjnë të bardhët.

Natyrisht, kjo mund të jetë edhe një tejthjeshtim sepse brenda dy kampeve ka pastaj nëndarje dhe larmi të shumta, por në vija të përgjithshme kjo ndarje e karakterizon klasën politike amerikane. Por, a ka qenë gjithmonë ndarja e këtillë? Jo.

Gjer në fundvitet ’60 të shekullit të kaluar platformat dhe qëndrimet e të dy partive kanë qenë të kundërta. Në fakt, rrëshqitja në pozicionet e njëra-tjetrës kishte filluar nja katër dhjetëvjeçarë më herët, por fundi i viteve ’60 ka qenë kulmi i kësaj përmbysjeje. Është mu koha e Lëvizjes për të Drejtat Civile e amerikanëve me ngjyrë dhe përkrahja që ajo gjeti tek demokratët bëri që votuesit amerikanë të ndërronin anët.

Në fillet e tyre, demokratët ishin parti me qëndrime më konservatore në shoqëri, parti e cila kishte rrënjët në “Jugun e thellë” dhe kishte një trup votuesish më racist, e cila në fakt përbënte edhe strumbullarin e Konfederatës së Shteteve të Bashkuara, e cila luftoi përballë Unionit kundër zhbërjes së skllavërisë në Luftën Civile Amerikane (1861-1865). Në anën tjetër, republikanët kryesisht kishin bazën votuese në shtresën e mesme dhe të shkolluar të shteteve të Bregut Lindor të ShBA-së. Republikanët kishin qëndrime më progresive për shoqërinë dhe përbëheshin kryesisht nga abolicionistë dhe të tjerë që kërkonin t’i jepej fund skllavërisë. Në fakt, republikan ka qenë vetë Presidenti Abraham Linkoln që i dha fund këtij fenomeni përmes “Proklamatës së Emancipimit” më 1863.

Ndonëse Konfederata e humbi Luftën Civile përballë Unionit, “Jugu i thellë” gjatë epokës së Rekonstruksionit që pasoi luftën vazhdoi të ishte një bastion i demokratëve dhe për këtë arsye quhej “Jugu solid” për shkak se votonte në masë dërrmuese për demokratët. Që nga viti 1880 gjer më 1940 demokratët fituan 182 nga 187 garat zgjedhore në shtetet jugore, qoftë për senatorë, qoftë për zgjedhje presidenciale, duke vendosur një monopol absolut në jug. Ata fituan të gjitha zgjedhjet presidenciale në shtetet e “Jugut solid” mes viteve 1876 dhe 1944. Demokratët ishin partia që nxiste segregacionin racor, duke shtyrë përpara projektet për ndarjen mbi baza racore të mjediseve publike – prej autobusëve dhe shkollave, gjer tek kafeteritë dhe parqet e lojërave të fëmijëve.

Në anën tjetër, republikanët vazhdonin të fitonin në shtetet lindore, në mesin e klasës së mesme dhe në mesin e të arsimuarve. Po ashtu, pozicionet e tyre socioekonomike vazhdonin të ishin tejet progresive. Në fakt, Presidenti republikan Teodor Ruzvelt i kushtoi shumë rëndësi politikave progresiste për punëtorët (gjatë presidencës së tij, ShBA-ja u bë ndër vendet e para në botë që futi në fuqi limitin e tetë orëve të punës në ditë për punëtorët e hekurudhave) dhe investimeve kapitale shtetërore, sa që ai u quajt si pararendësi kryesor i “New Deal”-it të famshëm të demokratëve që do të vinte tri dhjetëvjeçarë më pas përmes kushëririt të tij, Presidentit Frenklin Ruzvelt.

Në fakt, shenjat e para të një rrëshqitje të mundshme mes votuesve u panë që pas fitores së Presidentit demokrat Vudrou Uilson në zgjedhjet e vitit 1912. Ndonëse as ai nuk përkrahu zbatimin e të drejtave civile për afroamerikanët, Vilsoni zbatoi politika ekonomike progresive, si për shembull uljen e tarifave dhe zbatimin e taksës federale të të ardhurave përmes Aktit të të hyrave të vitit 1913.

Por, natyrisht, ngjarja më markante që shënjoi tendencën e një shkëmbimi të platformave dhe korpuseve elektorale ishte fitorja e Presidentit demokrat Frenklin Ruzvelt më 1928 dhe platfroma e tij e “New Deal”-it të famshëm, një amalgamë reformash politike, ekonomike e sociale, e para ndërmarrje aq e madhe e intervenimit të shtetit amerikan në shoqëri.

Zëvendëspresidenti i Ruzveltit i cili pas vdekjes së tij e zuri vendin e tij si President, Herri Trumani, vazhdoi politikat progresive të tij. Por, për më tepër, ndonëse vinte nga qarqet e Diksit (emër që karakterizonte jugun racist dhe ish-familjet konfederatiste, por që shpesh përdorej si term pezhorativ), për befasinë e të gjithëve, ai, në vitin 1948, përmes një urdhëri ekzekutiv, e ndaloi segregimin e Armatës amerikane mbi baza racore. Shumë demokratë jugorë u rebeluan dhe si pasojë e formuan Parti Diksikrate dhe kandidati i tyre për president, Xhejms Tharmënd, e mposhti Trumanin në katër shtete të “Jugut solid” demokrat. Për shembull, në Alabama dhe Misisipi nuk kishte ndodhur asnjëherë që në zgjedhje presidenciale – që prej vitit 1876 –kandidati demokratik të mos fitonte. Këto ishin shenjat e para të dridhjes së “Jugut solid”.

Natyrisht, “hataja” e madhe do të vinte vite më vonë. Ruzvelti e Trumani vetëm sa e kishin shtruar shtegun. Lëvizja e të Drejtave Civile e viteve ’60 i dha goditjen përfundimtare këtij fenomeni. Kjo lëvizje gjeti përkrahje të gjerë në mesin e politikanëve demokratë, sidomos tek Presidenti Xhon Kenedi. Kulmi u arrit kur pasuesi i tij, Presidenti Lindon Xhonson, e nënshkroi në prill 1968 Aktin e të Drejtave Civile që i jepte fund segregacionit në ShBA. Për më tepër, Xhonsoni filloi ta zbatonte edhe idenë e tij të “Shoqërisë së madhe”, e cila parashihte vazhdimin dhe thellimin e politikave progresive të “New Deal”-it ruzveltian. Kjo ishte pikëprerja kur filloi shkëmbimi i madh i votuesve. Votuesit me ngjyrë, sidomos nga komuniteti afroamerikan, filluan të votojnë demokratët, ndonëse ndër dekada kishin votuar republikanët. Në anën tjetër, të bardhët e jugut zunë të votonin më shumë për republikanët, pas tetë dhjetëvjeçarësh monopol të demokratëve.

Presidentët republikanë si Niksoni dhe Regani e shfrytëzuan këtë disbalancim dhe filluan t’i drejtoheshin ish-votuesve tipikë demokratë, sidomos atyre në “Jugun solid”. Edhe platforma republikane e “uzurpoi” platformën demokrate që ekzistonte para “New Deal”-it dhe para “Shoqërisë së madhe”, duke përvetësuar programin konservator. Në anën tjetër, presidentët demokratë si Karteri dhe Klintoni filluan të përthithin votën e klasës së mesme dhe shteteve të Bregut Lindor, të fitonin çdo herë e më shumë vota afroamerikanësh dhe latinoamerikanësh, si dhe të zbatonin politika më të majta e progresive, të cilat ishin karakteristikë e republikanëve gjer në presidencën e Ajzenhauerit (1953-1961).

“Jugu solid” ekziston akoma, por se tani është solid pro republikanëve. Aktualisht, Partia Republikane kontrollon 20 prej 22 trupave legjislative të ish-shteteve të Konfederatës. Për shembull, Virxhinia ka votuar për kandidatët republikanë në 9 prej 12 zgjedhjeve presidenciale mes viteve 1952 dhe 1996 (shtetet e tjera jugore kanë votuar për kandidatët republikanë gjer në nëntë syresh), gjersa është qeverisur vetëm nga guvernatorë republikanë prej vitit 1970 gjer më 2002. Bushi i riu ka fituar zgjedhjet në të gjitha shtetet e “Jugut solid” edhe më 2000 edhe më 2004, Mekejni i ka fituar në 11 prej 14 syresh më 2008, Romni në 12 prej 14 syresh më 2012 dhe Trampi në 13 prej 14 syresh më 2016. Që prej vitit 1976 kur Karteri fitoi në 12 prej 14 syresh, asnjë kandidat demokrat nuk ka fituar më shumë se dy apo tri shtete jugore – përjashto Klintonin që i fitoi 6 prej 14 syresh edhe më 1992 edhe më 1996.

Në anën tjetër, Bregu Lindor që dikur votonte për republikanët, pas Niksonit, dhe sidomos pas Reganit, rrëshqiti kah Partia Demokratike dhe qëndrimet e saj progresive ekonomike dhe shoqërore. Së bashku me shtetet e Bregut Perëndimor, sidomos me Kaliforninë, ato tanimë përbëjnë një bllok goxha homogjen prodemokrat dhe së bashku njihen si “Muri i kaltër”. Në 15 shtetet që futen në “Murin e kaltër”, kandidatët demokratë kanë fituar bindshëm që nga viti 1992. Kandidatët demokratë Bill Klinton (më 1992 dhe 1996), Al Gor (më 2000), Xhon Kerri (më 2004) dhe Barak Obama (më 2008 dhe 2012) i kanë fituar që të gjitha këto 15 shtete. Hillari Klinton i fitoi 13 prej 15 syresh në zgjedhjet e vitit 2016. Për shembull, shteti i Nju-Jorkut është qeverisur që nga viti 1974 vetëm nga guvernatorë demokratë – përjashto periudhën 1995-2006 kur qeverisej nga guvernatori republikan Pataki. Kurse, në Distriktin e Kolumbias (DC), demokratët i kanë fituar të gjitha garat presidenciale që nga viti 1964. Kalifornia është qeverisur nga guvernatorët demokratë në 19 prej 22 viteve të fundit dhe aty kanë fituar vetëm kanidatët presidencialë demokratë në 28 vitet e fundit.

Bashkë me shkëmbimin e zonave territoriale, me shkëmbimin e bastioneve, demokratët dhe republikanët po ashtu i kanë shkëmbyer edhe pozicionet dhe platformat politike. Që nga presidentët Kenedi dhe Xhonson, demokratët janë më progresivë në ekonomi dhe shoqëri, kurse që nga presidentët Nikson dhe Regan, republikanët janë më konservatorë në ekonomi dhe shoqëri.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.