Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shkenca, shpëtimi ynë!

Prej se ka filluar izolimi, besoj e keni vërejtur, shumica e muzeve të famshme botërore kanë filluar hapjen e koleksioneve të tyre për audiencë virtuale dhe globale. Njëri prej tyre ishte edhe muzeu Prado i Madridit. Vendit me mbi 6,500 viktima të COVID-19.

Prado, përveç tjerash në koleksionin e tij ka kryeveprën e piktorit të njohur flaman Pieter Bruegel i Vjetri“ Triumfi i vdekjes” ( 1562). Pamja nuk është aspak tërheqëse. Megjithatë ia vlen të soditet, ndoshta, për të parë sesi dukej jeta dhe vdekja, jo shumë kohë më parë. Në këtë pikturë të errët dhe nekrofile shihet një peizazh i shkatërruar dhe i djegur, pemë pa gjethe dhe një liqen ku kalben peshqit. Shtëpi të djegura me themel dhe anije duke u fundosur. Mjete për varje dhe për torturim, një kalë i rraskapitur duke tërhequr karrocën përplot me kafka njerëzish, një qen i uritur duke ngrënë fytyrën e një bebe. Njerëz të grumbulluar në gropa ndërsa skelete të panumërta përqafojnë vajza të vdekura. Dhe fare në fund shihet se nuk ka asnjë dallim mes fshatarëve, fisnikëve, të pasurve, ushtarëve e priftërinjve, të gjithë njësoj po vdisnin ose tashmë kishin vdekur. Pandemonium apo pandemi, krejt njësoj.

Bruegeli nuk njihet për piktor realist, po me gjasë i ka lejuar vetes lirinë artistike, sidomos, kur kemi parasysh se deri para disa shekujsh, Evropa Perëndimore paraqiste një luginë biblike lotësh, vuajtjesh e dhimbjesh. Zonë e cila njihet për luftëra të vazhdueshme, varfëri, mjerim, uri, vrasje dhe persekutim. Në krahasim me Lindjen e Largët dhe të Mesme të shekullit 17, kjo qoshe perëndimore paraqiste zonën më të prapambetur të kontinentit euroaziatik.

Përveç kësaj në këtë pjesë viruset dhe mikrobet si : murtaja bubonike, tifoja, kolera, dizenteria, kolla, sifilizi, tërbimi, tuberkulozi e zhuga, kanë ushtruar sovranitet të plotë për periudha bukur të gjata. Jetëgjatësia mesatare në Evropën Perëndimore ishte 37 vjeç dhe kjo kryesisht për arsye të vdekshmërisë së lartë të fëmijëve, në shekullin 16 një në tre fëmijë vdisnin vitin e parë të lindjes.

Megjithatë, diçka atë kohë ndryshoi. Kjo diçka ishte – Shkenca. Ndodhi Revolucioni Shkencor. Afërsisht në mes të vitit 1543 Koperniku zbuloi se Toka rrotullohet rreth Diellit, më 1687 Njutoni botoi Parimet e Filozofisë Natyrore (në karantinë!), zbuloi ligjin e gravitetit. Kështu pra edhe në ato kohëra të trishtueshme dhe zymta, në mes viteve 1543 dhe 1687 pati përparime të mëdha të dijës dhe shpirtit njerëzor.

Më 1546 Agrikola i klasifikoi mineralet dhe themeloi gjeologjinë, më 1589 Galileo kreu eksperimentin e tij me rënien e trupave, më 1609 Kepleri zbuloi ligje lidhur me lëvizjen e planetëve, më 1610 Galileo ndërtoi teleskopin, më 1628 Harvej zbuloi dhe përshkroi me saktësi qarkullimin e gjakut te njeriu, me çka edhe na tregoi se njeriu duket si një makinë hidraulike, më 1654 Paskali themeloi teorinë e probabilitetit e kështu me radhë deri më 1676 kur Levenhuku zbuloi mikroskopin, mikroorganizmat e bashkë me ta edhe mikrobet e mallkuara. Kështu për më pak se 150 vite, bota ndryshoi.

Evropa para vitit 1600 nuk ishte vetëm luginë e lotëve, por edhe luginë e injorancës. Deri në ngritjen e shkencës, shekullin 16 e 17, njerëzit besonin se ishin shtrigat ato që shkaktonin sëmundjet infektive e thatësirat ndërkaq që murtaja shkaktohej nga hebrenjtë. Madje besonin se magneti është vepër e djallit dhe se fantazmat e qeniet mbinatyrore jetonin në pyje. Besonin se plumbi mund të shndërrohet në ar e njerëzit në bretkosa. Se fëmijët e porsalindur nuk ndjejnë dhimbje. Se kometa paralajmëron telashe ndërkaq ylberi lumturi dhe prosperitet. Se mbretërit janë caktuar nga Zoti dhe se eshtrat shërohen me prekje. Pra, thjesht bota ishte e pakuptueshme, misterioze, e tmerrshme dhe e frikshme. Ndërkaq sot, bota është lëndë shkollore për fëmijët e klasave të ulëta të fillores.

Në fakt kjo edhe është Doktrina e Revolucionit Shkencor, e cila nuk paraqet vetëm serinë mbresëlënëse të zbulimeve teorike e praktike, por edhe një revolucion sado të ngadaltë të ndryshimit të mënyrës së të menduarit tek njerëzit. Thelbi qëndron tek përdorimi pa kompromis i arsyes njerëzore dhe i konkluzioneve të arsyeshme, të bazuara në prova dhe jo më në besim, traditë dhe autoritet. Dorën në zemër ne edhe sot besojmë në disa gjëra profane, por deri në Revolucionin Shkencor, kufiri midis të natyrës dhe mbinatyrës, dijes dhe besëtytnisë, mendimit shkencor dhe atij të fantazisë ishte i paqartë. Pas zbulimeve të shkencëtarëve të mëdhenj, bota u bë një gjë për t’u kuptuar dhe shpjeguar e assesi për t’u frikësuar.

Pra, në jetë s’ka asgjë për t’u frikësuar, thjesht gjithçka duhet kuptuar. Bota është e kuptueshme dhe lehtë e mësueshme. Ky leksion po shërben edhe për pandeminë e këtyre ditëve dhe ankthet e saj përcjellëse. Shumë shkencëtarë sot po guxojnë të zbulojnë. Me mijëra e mijëra ditë e net po mundohen të zbulojnë vaksinën si dhe metodat efektive për trajtimin dhe  parandalimin e përhapjes së virusit.

Zbuluan mjaft.

Për shembull, në sajë të tyre ne sot e dimë se SARS-CoV-2 është lloj i ri njëzinxhiror i koronës, i cili kapet për qelizat njerëzore duke infektuar sipërfaqen e tyre me glikoproteinën që përmban. Fillimisht, më  3 shkurt, shkencëtarët lokalizuan enzima në sipërfaqet e qelizave njerëzore përmes së cilave virusi depërtonte në to. Së dyti,  më 13 mars, ata zbuluan strukturën atomike të “thepave” me glikoproteinë të cilat kapen për qelizat njerëzore dhe ngjisin virusin. Së treti, më 17 mars ata zbuluan strukturën e plotë gjenetike të virusit. Të gjitha këto janë hapat kryesorë, të cilët çojnë deri tek zbulimi i ilaçit dhe i vaksinës.

Me gjithë respektin për metaforat, ato nganjëherë edhe mund të mos jenë të sakta. Ne aspak s’kemi të bëjmë me armiq të padukshëm. Në pyetje është një mikrob i dukshëm, covid-19, të cilin e kemi zbuluar dhe emëruar, dhe në detaje po e prekim, prejmë dhe analizojmë: nën mikroskop dhe aparatura e mjete të ndryshme, të cilat na i ka dhuruar Revolucioni Shkencor.

Si pasojë e këtij Revolucioni në shoqëri dhe kokë, rrufetë, stuhitë, eklipset diellore, thatësirat, minjtë, të korrat e prishura, murtaja dhe sëmundjet e tjera infektive nuk janë më kapriço xhelozie të zotave, shtrigave dhe demonëve të tjerë. Rrjedhimisht, as kjo pandemi nuk është plagë e re mizore e dërguar nga perëndia, telefonat, amerikanët, kinezët e shtriga të ngjashme. Është në pyetje një  problem jashtëzakonisht i natyrshëm i përcjellë nga krizë e natyrshme shoqërore për zgjidhjen e së cilave nevojiten njohuri, arsye dhe shkencë. Në të kundërtën kthehemi tek epoka e “ Triumfit të Vdekjes “ së Bruegelit.

Shkenca ishte dhe vazhdon të jetë shtytësja kryesore e përparimit njerëzor.

Ani pse shumë shpesh i marrim si të mirëqena, Revolucioni Shkencor ka mundësuar rënien e vdekshmërisë së foshnjave, zgjatjen e jetëgjatësisë, zhdukjen e sëmundjeve të ndryshme infektive, disponueshmërinë e ushqimit, ujit dhe energjisë për gjithë planetin. Dritën dhe ujin e ngrohtë, kanalizimin e higjienën, kulturën dhe njohuri të përgjithshme enciklopedike. E vërtetë se pamjet e zymta dhe tragjike të njerëzve të vdekur në dyshemetë e korridoreve të spitaleve në Bergamo, Madrid e New York kujtojnë “ Triumfin e Vdekjes” së Bruegelit, por sot njeriu modern ka në duar mjetin ose armën për ta luftuar këtë mikrob vdekjeprurës.

Ky mjet quhet – Shkencë. Antidoti më i mirë i frikës. Në fund të fundit, respiratorët, dezinfektimi, larja e duarve dhe distanca fizike bazohen në njohuritë shkencore. Ne do t’i mbijetojmë kësaj pandemie vetëm duke përdorur arsyen për zgjidhjen e problemeve që na shtypin. Është e pamundur të  mos mbivlerësohet rëndësia e revolucionit të vërtetë të civilizimit tonë dhe evolucionit të mendjes njerëzore.

Mjekët dhe punëtorët e tjerë shëndetësorë, me sakrifica të jashtëzakonshme, do të shpëtojnë shumë jetë njerëzore. Por, është shkenca ajo që përsëri do ta shpëtojë botën nga triumfi i vdekjes.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.