Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shoqëria Civile e “Djallit”

Gjatë viteve ’90, shoqëria civile ishte organizuar politikisht si një Antipolitikë e Madhe ndaj regjimit antidemokratik të Sllobodan Millosheviqit. Me fjalë të tjera, shoqëria civile kishte inicuar një ‘kryengritje’ karshi shoqërisë politike millosheviqiane për të restauruar dinjitetin e shqiptarëve në Kosovë, për të evidencuar shkeljet masive të të drejtave të njeriut, dhe për të artikuluar kërkesat politike të shqiptarëve nëpërmes Lëvizjes për Pavarësinë e Kosovës. Jeta politike plurale që do të vinte më pastaj, e organizuar përmes partive politike në Kosovë, ishte prurje e drejpërdrejtë nga kjo infrastrukturë rezistuese dhe civile. Sot, 16 vite pas luftës, Kosova ballafaqohet me raporte ndërkombëtare përmes së cilave vihet në spikamë niveli i lartë i korrupsionit, i krimit të organizuar dhe i praktikave jodemokratike të qeverisjes. Fajtori për këtë gjendje të rëndruar është lokalizuar.

Së fundi u demaskua. Shoqëria civile në Kosovë punon për Interesa të Huaja. Shoqëria civile në Kosovë mbron Interesat e Djallit.  Me gjithë modalitetet e ndryshme, kjo mund të jetë një deklaratë e përbashkët e të gjithë atyre që e kanë sulmuar dhe vazhdojnë ta sulmojnë shoqërinë civile në Kosovë. Shoqëria civile konsiderohet si një OJQ e Madhe ku gjithëfarë interesash gjeopolitike të Serbisë, Rusisë dhe armiqëve të tjerë të Kosovë pikëtakohen për ta dëmtuar Kosovën si shtet dhe dhe si shoqëri. Me fjalë të tjera, shoqëria civile në Kosovë është ndërtuar për të sulmuar dhe jo mbrojtur interesat e Kosovës. Shoqëria civile është kundër Shqiptarizmës. Promovon shoqërinë multietnike. Punon për interesa të Kompanive Multinacionale. Flet zi e terr për Kosovën në forume ndërkombëtare e çfarë jo tjetër. Eshtë zhvatëse e fondeve. Një pikëvështrim i tillë për shoqërinë civile e ndajnë liderët politikë në Kosovë që dikur kanë punuar ose brenda shërbimeve sekrete ose brenda organizatave marksiste-leniniste. Gjithmonë, sipas këtij formati, shoqëri civile në Kosovë konsiderohet Spiuni Kryesor që Keqraporton për Progreset e Mëdha në Kosovë. Spiunon tek Bashk2imi Evropian. Spiunon tek Ambasadadat e Huaja. Spiunon tek Armiqtë e Kosovës. Prandaj, argumentojnë paria politike në Kosovë, shoqërinë civile duhet ta marrin në përgjegjegjësi. Pra, shoqëria civile duhet zyrtarisht që të raporton tek Pallatet e Partive Qeveritare në Kosovë për të bëmat dhe pabëmat e saj.

Por çka është kjo gjë që e quajmë shoqëri civile? Ernest Gellner shkruan se ‘Shoqëria civile është një grumbull i institucioneve të ndryshme joqeveritare e cila është mjaft i fuqishme që ta balancojë shtetin dhe, përderisa nuk e parandalon shtetin nga përmbushja e rolit të tij të mbrojtjes së paqes dhe arbitrit ndërmjet interesave kryesore, mund ta parandalojë nga donimimi dhe atomizimi i pjesës së mbetur të shoqërisë’. Me fjalë të tjera, shoqëria civile nuk ka rol që t’i zëvendësojë ose pengojë institucionet e shtetit në përmbushjen e funksioneve primare të tyre, por që të pamundësojë grimëcimin e shoqërisë nga shteti, dhe sundimin brutal dhe mafioz të këtij të fundit mbi shoqërinë. Me fjalë të tjera, shoqëria civile krijon një seri rrjetash përmes së cilave ngjizen kauza dhe qyetarët lidhen ndërmjet veti, ndërtojnë besim dhe kohezion, dhe veprojnë për të mirën e tyre të përbashkët. Pra, logjika e funksionimit të shoqërisë civile nuk është e ngjashme me funksionomin e shërbimeve të intelegjencës. Pra, në një vend ku shoqëria civile është vibrante qytetarët nuk e shohin njëri tjetrin me syrin e spiunit, të dyshuarit, apo tradhtarit. Por, me syrin e bashkëpunëtorit dhe bashkëmbrojtësit të njëri tjetrit.

Robert Putman e sheh shoqërinë civile si ‘shkollë të demokracisë’, ku organizatat e shumta shoqërore i mundësojnë qytetarit të shoqërizohet me vlera demokratike të kompromisit, konsensusit dhe dialogut. Jurgen Habermas e sheh shoqërinë civile si sferë publike ku ngjizet opinioni publik. Shkollarë të tjerë si Michael Edwards e barazojnë shoqërinë civile me metaforën e shoqërisë së mirë, ose si një sektor të tretë mes familjes dhe shtetit, një përkufizim ky i nisur qysh me Hegelin. Përkufizimet janë të pafundme, prej atyre që e ndajnë shoqërinë civile nga shoqëria politike dhe ajo ekonomike, deri tek ato që e përfshijnë edhe tregun në shoqërinë civile. Autoritarizmat jo vetëm mesjetarë por edhe ata modernë, e kontrollojnë shoqërinë duke e grimëcuar/atomizuar atë. Kështu, shoqëria bëhet e paaftë për t’u organizuar dhe artikuluar politikisht. Afërmendsh, prandaj, kur sot flitet për një shtet demokratik dhe liberal nuk mund të flitet ndryshe pos si një binom shtet-shoqëri civile. Siç thotë Igantieff, “pa shoqëri civile demokracia mbetet lëvozhgë e zbrazët; pa shoqëri civile tregu shndërrohet në xhungël”. Kjo nuk do të thotë assesi që shtetit, qoftë edhe atij demokratik, t’i pamundësohet funksionimi i tij; kjo do të thotë: shtetit duhet  t’i pamundësohet funksionimi i tij i padrejtë, për shkak se, siç thotë Ibën Khalduni, “shteti është ai institucion i cili i pengon të gjitha padrejtësitë, pos atyre që i bën vetë”. Roli i shoqërisë civile është t’i pamundësojë këto padrejtësi dhe ta parandalojë kontrollin total të shtetit mbi sferën publike, dhe të parandalojë grimëcimin e shoqërisë duke i lidhur, organizuar dhe artikuluar ‘indet shoqërore’, në mënyrë që diskurset të ‘frymojnë’ lirshëm në shoqëri, pa frikën e sanksionimit nga shteti. Shoqëria civile në Kosovë mbetet tepër larg arritjes së këtij qëllimi në plotëni.

Përdhosja është koncepti kyç për të kuptuar shoqërinë civile. Pra, tash e tutje, nuk ka më njeri të shenjtë, lider të shenjtë, komandant të shenjtë, libër të shenjtë. E ‘shenjët’ mbetetet vetëm dinjiteti njerëzor, njeriu si qëllim. Shoqëria civile ushqen një version instrumental dhe aspak të shenjtëruar të autoritetit. Shoqëria e mirëfilltë civile, thotë Gellner, ‘rrugët e veta kryesore i emërton sipas njerëzve të gabueshëm’. Dhe jo domosdo me emra të heronjëve dhe partiotëve, të cilët bartin kurdo dhe kudo të vërtetën absolute. Në fakt, ajo që e karakterizon shoqërinë civile është njeriu modular, i cili nuk lidhet për asnjë të vërtetë absolute përmes ndonjë riti apo ceremonialiteti specifik, por lidhet dhe shoqërizohet dhe ndërlidhet me shoqata dhe institucione, dhe që këto lidhje nuk bëhen as nën betim dhe as nën presion. Pra, njeriu modular nuk ndihet i turpëruar apo i frikësuar se do të akuzohet për tradhti nëse futet apo e lë një tip të shoqatës, për shkak të bindjeve të tij apo saj.  Këto lidhje në fakt janë instrumentale, fleksibile dhe bëhen me vullnet të lirë. Për dallim të njeriut të pamoduluar, në shoqërinë segmentare statusi i të i cilit njëherë e mirë është i çementuar dhe ngurtësuar që nga lindja, njeriu modular në shoqërinë moderne është i ndryshëm. Ai nuk lidhet me ndonjë status të veçantë, është individualist dhe i aftë për të kryer një shumëllojshmëri të detyrash, detyra këto tejet të nevojshme për lindjen e shoqërisë moderne.

Në shoqëritë segmentare, braktisja e bashkësisë, apo ndryshimi i qëndrimeve, i bindjeve e i besimeve shoqërohej ose me vrasjen e anëtarëve apo me leçitjen e tyre nga bashkësia. Në shoqërinë moderne, ne futemi apo dalim nga cfarëdo organizate pa frikën a terrorin se pasojat do të jenë vdekjeprurëse. Ernest Gellner merrë shembullin e Marokut të vitit 1956. Me rimëkëmbjen e partive politike në Marok, ‘fiset malore iu bashkuan atyre në stilin e vjetër, siç e kishin zakon të bënin me lëvizjet fetare – ato e bënin këtë si kolektivitete, me betim dhe me theror. Fisi dhe jo individi do t’i bashkohej partisë socialiste, dhe gjatë kësaj do të pësonte një ka’. Me rimëkëmbjen e partive politike në Kosovën e pasluftës, një traditë gati marokiane është praktikuar edhe në Kosovë. Familje të Mëdha, respektivisht fise të mëdha, u janë bashkuar partive politike, por, për dallim nga Maroku, pa pasur nevojën që të sakrifikohej ndonjë dele apo ka. Duke qenë shoqëri kolektiviste, ku kryezoti i familjes dhe i fisit janë pika orientuese politike në shoëqri, qëndrimet e tyre për legjitiminin e partive politike kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha. Prandaj, në Kosovë, kur dikush ngritet dhe flet jashtë këtyre kornizave konsiderohet herezi. Në këtë sistem futet në skanim i gjithë trungu familjar, dhe të gjitha pjestarët e shoqërisë që rastësisht kanë qëlluar që në një moment të caktuar të historisë të jenë në anën e gabuar të historisë, merren në përgjegjësi. Kjo formë e përgjegjegjësisë merr këto trajta, pos tjerash: ‘ti e ke pas’ baben me shkije, prandaj ti je përgjegjës. Ti s’guxon me folë për Kosovën, s’ke legjitimitet’. Pra, tentohet që të lansohet një e Vërtetë Absolute përmes së cilës të gjithë ata, fjala vjen, që ose nuk kanë marrë pjesë në luftë, ose kanë rastisur të mitur në kohën e luftës, nuk kanë të drejtën morale për të kritikuar shtetin. Shtetin mund ta kritikojnë, sipas kësaj logjike, vetëm shtetkontributdhënësit dhe gjakkontributdhënësit. Përmes një terrori të tillë diskursiv tentohet të instalohet një doktrinë që a priori përjashton si të pavlefshëm të gjitha kritikat, mendimet, apo bindjet heretike kundrejt shtetit të Kosovës.

Kosova nuk ka një traditë demokratike.  Nuk ka përvojë as me organizimin e institucione demokratike dhe as me organizimin e shoqërisë civile. Kosova është sunduar nga sunduesit e huaj përmes frikës dhe terrorit. Vetëm falë ndërhyrjes ndërkombëtare, Kosova në 16 vitet e fundit ka filluar të organizojë edhe sferën e shoqërisë civile me përkrahjen e partnerëve ndërkombëtarë. Meqenëse një pjesë jo e vogël e organizatave të shoqërisë civile në Kosovë janë mbështetur nga këta partnerë, partitë politike në qeverisje sa herë kanë hasur në kritika i kanë akuzuar këto organizata si të dyshimta, jolegjitime, zhvatëse të parasë publike etj. Lidershipi i partive politike në Kosovë ende nuk është familjarizuar me idenë e shoqërisë civile. Kjo farë shoqërie civile, sipas tyre, është e çuditshme për faktin se gjithkush flet çkado, kurdo e padrojë. Ata duan që shoqëria civile të ketë një zëdhënës, në mënyrë që të kontrollohet më lehtë. Fatmirësisht që ende organizatat e shoqërisë civile në Kosovë nuk funksionojnë sikur arsimtarët e shkollave të mesme në të gjitha katundet në Kosovë, ku partitë politike i thërrasin në darka të hershme ku u premtohet rritja e rrogave dhe u kërkohet rritja e votave. Ndoshta, lidershipi politik në Kosovë do të dëshironte edhe një darkë të tillë vjetore me shoqërinë civile. Pra, një ‘darkë pune’ qeveri – shoqëri civile me kerkesën e vetme të qeverisë për shoqërinë civile ‘mos na merrni fytyrën. Po jo përcjellim’.

Shoqëria civile ushqen skepsën dhe pluralizmin, të dyja këto fatale për dogmat ortodokse.  Shoqëria civile nuk është një shoqëri militariste, ku njerëzit vishen me tesha ushtarake. Pjesëtarët e kësaj shoqërie nuk ka mbajnë ndonjë yll në kapelë përmes së cilit identifikohen si pjesëtar të kësaj apo asaj organizate ushtarake, sekrete a gjysmë sekrete. Këtu nuk sanksionohet dikush që merr guximin me folë, me shkru e me mendu. Por, duke qenë se Kosova për një kohë të gjatë ka vegjetuar si shoqëri dyngjyrëshe, lidershipi i saj politik e sheh ende problematike faktin se tashmë kanë filluar të ngjizen shumë ngjyra në stofin e shoqërisë kosovare. Terrori tashmë nuk është fizik, por diskursiv. Të gjitha ata që marrin guximin me folë për jetën demokratike në Kosovë dhe kundër autoritarizmave politikë, do të duhej ta kenë të paguar faturën –si kontributdhënës aktiv në luftën e fundit në Kosovë. Ralf Dahrendorfi dikur ka shkruar se nevojiten gjashtë 6 muaj për të ndërtuar institucione politike, 6 vite për të ndërtuar një ekonomi të shëndetshme, dhe 60 vite për të ndërtuar një shoqëri civile. Rruga për të ndërtuar dhe mësuar me shoqërinë civile në Kosovë do të jetë e gjatë. Rrjetizimet, praktikat, qëndrimet dhe kultura që e mirëmban jetën demokratike në Kosovë nuk mund të zhvillohet brenda natës. Zhvillimi i një ekosistemi të jetës civile në Kosovë do të marrë kohë.

Në një vend si Kosova, ku emrat e rrugëve, trotuarëve, stacioneve, aeroporteve janë të pagëzuar me emra të herojnëve dhe njerëzve të pagabueshëm, shoqëria civile vështirë që edhe për një kohë të gjatë të mund lëshojë rrënjë me taman. Një një vend si Kosova, ku autoriteti ende mbetet i shenjtëtuar, ku fjala e nderit dhe jo kontrata mbahet si vlera më e lartë, shoqëria civile vështirë se të marrë frymë lirshëm. Në një vend si Kosova, ku katunde të tëra i bashkëngjiten kësaj apo asaj partie politike, shoqëria civile është ende në syth. Në një vend si Kosova, ku kritika shikohet dhe analizohet përmes skanimit të trungut familjar të atij që kritikon, shoqëria civile edhe për një kohë mbetet vetëm një aspiratë. Ndoshta, na duhen më shumë se 60 vite që ta kemi shoqërinë civile. Pa këtë, nuk do të ketë kuptim as shteti i Kosovës. Sepse nuk do të ketë as demokraci dhe as liri.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.