Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shqipëria, babai im i ndjerë dhe demonët e përjetshëm

Shqipëria për babain tim të ndjerë gjithmonë ka qenë tokë e bekuar. E shenjtë dhe diçka për të cilën e lëshonte shpirti. Kur të gjithë bashkëmoshatarët e tij ishin kapluar nga revolucioni i atëhershëm që quhej Beatles, babai im sall ishte kënaqur me frekuencat e Radio Tiranës. Recitonte Hanko Hallën e Ali Asllanit me kënaqësi dhe dinte përmendësh tërë këngët folklorike shqiptare të asaj kohe. Dridhej kur argumentonte mbi Shqipërinë dhe në fund pa hedhur vështrimin mbi faktet, bërtiste dhe ja fuste ndonjë vargu epik për malet e Shqipërisë, e tërë qenia e tij kaplohej nga serotonina dhe shtrinte këmbët gjërë e gjatë pa e rruar për asgjë, duke e fyer deri në qiell kundërshtarin, atë që mendonte ndryshe prej tij. Pra ishte e pamundshme të gjykohej ashpër një tokë, e cila për të ishte hyjnore. Qante kur shihte dramën televizive të Avni Rrustemit dhe imitonte Xhafo Idrizin më tërë qejf. Dalja e Shqipërisë në det për të ishte përtej madhështores dhe skena e karrocës së Robert Ndrenikës, që ngecte në shi, për të ishte njëra ndër skenat më antologjike të filmit shqiptar. Domethënë aq i dhënë ishte pas Shqipërisë sa që edhe shalqiri i saj ishte unik. Mos të flasim për pjepërin apo për Fatime Sokolin. Dhe malet e papushtuara të Mirditës. Aq i dhënë ishte pas saj, pa marrë kurrë asgjë nga ajo. Pasi kishte dalur gjallë nga lufta çdo verë e kishte vizituar bregdetin shqiptar. Në fillim i entuiazmuar dhe pakëz më vonë disi i dëshpëruar por asnjëherë nuk kishte hequr dorë nga materia e një Shqipërie, çfarë e kishte ëndërruar e që me sa dukej nuk ishte ashtu. Ose më e pakta ai nuk e pranonte si të tillë. Mua sall më ka bërë përshtypje mënyra se si jepej i gjithi pas saj. Por nuk jam ndjerë kurrë si ai. Duke qenë se i takoja një brezi tjetër, një rrethane tjetër historike e madje edhe sociale, nuk arrija kurrë të isha në një mendje me të. Shpesh më ka mbajtur inat apo edhe më ka zënë për budalla për këtë gjë. Kurrë nuk më ka penguar. Madje i kisha premtuar se do ta vizitojmë gjithë Shqipërinë. Vetëm unë dhe ai. Ishte shkrirë. Më kishte parë me bisht të syrit dhe pastaj nuk kishte thënë asgjë. Dyshonte ose nuk më besonte. Mbase digjej nga ky premtim, që nuk u bë real. Kurrë.

***

Në përgjithësi kurrë nuk ja kam dalur të shoqërohem me vapën dhe tiraninë e diellit. Kurrë nuk kam pasur një përkufizim klasik për pushimet verore. Për mua pushimi veror, ka mbetur gjithmonë aty ku ishte. Në leximet letrare të shkollës fillore, në ato rrëfime ekzotike që përpiqen të na marrin me të mirë. Si fëmijë e kemi të nevojshme të gënjehemi. Natyrisht e kuptoj.

Por ama fatkeqësisht natyra ime nuk e duronte ekzistencën e një mashtrimi të tillë. Mendja ma thotë se kjo ka të bëjë më shumë me karakterin e njeriut dhe me zakonet që digjen brenda tij. Sidoqoftë të mos dërdëllisim kot. Të dalim aty për ku jemi nisur. Bashkë me djalin dhe gruan, ishim rrugës për në Jugun e Shqipërisë. Domethënë duhej të isha brenda stilit, brenda hapësirës së zakonit dhe sjelljes. Dielli digjte rrugët dhe në heshtje po kujtoja premtimin që dikur ja kisha dhënë babait. Dhe po shihja malet epike dhe tërë atë peisazh të ashpër, të dalë nga kontrolli i natyrës. Çfarë dreqin ka ndodhur me këtë tokë ndër shekuj? Pse kaq e lartësuar dhe kaq refuzuese? Kaq eigmatike dhe kaq e turbulluar? Kaq e vetmuar dhe kaq ngashnjyese? Kaq tragjike dhe kaq e lartësuar? Më pas e gjeta veten duke qeshur me njërën këngë të Aleksandër Gjokës.

***

Për mua Shqipëria është vend sikurse të gjitha vendet tjera kudo në botë. Me karakteristikat e saj sikurse të gjithë vendet e tjera. Është vendi ku djaloshi që quhej Valentino, kujdeset për dhinë e tij, që bën gjumë për shtatë palë qejfe dhe shkruan mesazhe dashurie, në smartphon- in e tij. Është vendi kur punëtori i parkingut, Napoleoni nga Laçi, ëndërron diçka të bukur ngase po mbytet nga ankesat e panumërta, që i ka në buzët e përzhitura. Vendi ku Kristaqi të ofron një peshk të ndënjur, me një çmim marramendës. Vendi ku duhet të ja paguash Xha Zenunit për çdo mëngjes tokën e dhënë për ngritjen e një tende. E në fund të del që nuk është tokë e tij. Është vendi ku secili njeri ka një aforizëm, një sentencë filozofike apo një legjendë për lekun. Është vendi ideal ku mund të gjesh kundërthënien e natyrës. Në njërën anë, katundet e Jugut të Shqipërisë që janë katunde të dala nga përrallat, katunde që ngjasojnë me Makondon e Markezit dhe me Tregimet e Natyrshme dhe të Mbinatyrshme të Fuentesit. Katundet që kanë një masë të theksuar misticizmi dhe që ngjallin një frikë të hatashme. Katunde që duket sikur nuk e kanë tejkaluar veten dhe që kanë një rezistencë të përhershme dhe armiqësore ndaj kohës. Në anën tjetër kemi vasha që në brigjet e detit mbajnë T-shirte me mbishkrimin joshës në gjoks, Call me, duke ju shërbyer Mojito, turistëve që vijnë nga ish vendeve të Bashkimit Sovjetik apo çifteve ideale të perëndimit, që pyesin shumë dhe bëjnë sikur dëgjojnë. Vasha gjithmonë të lumtura dhe të gatshme që në fund të marrin bakshishin përkundër çmimeve të fryra. Të shtojmë edhe diçka tjetër, në mungesë të frymëzimit dhe përqëndrimit. Rruga për në tempullin natyror që quhet Syri i Kaltërtë, është e mbushur me turp dhe pluhur. Institucioneve përkatëse të Qeverisë Shqiptare, duket qartë që nuk i bëhet vonë për ujin e kristaltë, për monumentet e natyrës, bimësinë e dendur e aq më pak për gjelbërimin e përhershëm. Pra nga këtu fare lehtësisht marr shkas që Shqipërinë ta shoh ashtu sikurse është.

Shqipëria është një vend që vuan nga politikanët e saj të papërmirësueshëm, snob dhe barbar. Si të gjitha vendet e tjera. Shqipëria është e trazuar nga vetëvetja, nga demonët dhe kohërat e ngatërruara në pëllëmbën e dorës së saj. Dhe jam thellësisht i bindur se babai im nuk do të pajtohej me mua. Kurrë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.