Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Shqiptarët që zhvilluan mendimin filozofik në Perandorinë Osmane – Pjesa II

Mehmed Esat Janina (v. 1730) dhe Hasan Tahsini (v. 1881) ishin dy dijetarë, veprat e të cilëve nuk qenë pa ndikim në dy periudha mjaft të rëndësishme që konsiderohen pikëkthesa në historinë osmane. Në kohën e Esat Janinës filloi “Periudha e Tulipanit” (Lale Devri), ndërsa në kohën e Tahsinit, ndodhën reformat e Tanzimatit. Që të dy këta dijetarë kanë dhënë kontribute shumë të mëdha në zhvillimin shkencor dhe filozofik të Perandorisë Osmane, madje Hasan Tahsini ka merita në formimin e identitetit modern shqiptar.

Esad Janina i lindur dhe i formuar në Janinë, më pas në Stamoll, ishte studiues i filozofisë, poet, gjykatës, përkthyes dhe redaktor i botimeve në shtëpinë e parë botuese të Perandorisë Osmane. Sipas Nehat Krasniqit, Esad Janina përveç gjuhëve arabe, perse dhe turke, njihte edhe greqishten e latinishten, nga të cilat kishte përkthyer disa vepra të Arsitotelit. Ishte i pari që kishte përkthyer veprën ‘Fizika’ të Aristotelit në gjuhën arabe, gjë që e kishte bërë shumë të popullarizuar në mesin e intelegjencës osmane. (Krasniqi 2017:303-305) Ai po ashtu pjesën turke të fjalorit të Shahidit “Tuhfe-i Shahidi” (fjalor persisht – turqisht) e kishte përkthyer në gjuhën greke, për të cilën thuhet se e kishte dërguar në vendilindjen e tij. Esad Janina përveç se ka përkthyer e komentuar veprat e Aristotelit në gjuhën turke, gjithashtu kishte shkruar komentarë edhe për disa vepra të filozofëve tjerë peripatetikë myslimanë, si Farabiu, Ibn Sina (Avicenna), Ibn Rushd (Averros). Esad Janina kishte komentuar edhe Ioaniss Kuttinius, Scotus Erigena, Albert Magnus dhe Shën Thoma Aquini. Disa nga veprat e Esad Janinës që ruhen në Bibliotekat e Stambollit, janë:

– Et-Ta’limu’s Salis. Përkthim nga greqishtja në arabisht i veprës Fizika të Aristotelit, që përbëhej nga pesë pjesë. Ky përkthim i Hoxha Esadit përfshin edhe një pjesë të komentimit që Ioaniss Kuttinius ia kishte bërë kësaj vepre të Aristotelit.

– Terxhumetu-sh Sherhi’l Envar. Përkthim i Eisaguge të Porporiusit, dhe një përmbledhje nga pjesët e Kategorive, Peri Hermeneias, Analitikat I dhe II të Aristotelit. Këtë vepër e ka përkthyer duke u bazuar në komentimin e Ioaniss Kuttiniusit, por ka edhe komentime dhe analiza të tij personale.

– Risale-i Lahutije. Në këtë vepër trajtohen disa nga problemet themelore të teologjisë islame. Esad Janina këtu diskuton mbi argumentet që provojnë të domosdoshmen, qenien e mundshme dhe të domosdoshme, ekzistencën e Zotit, si dhe shtron argumentet e filozofëve dhe mistikëve myslimanë dhe jomyslimanë mbi dallimin midis Qenies substanciale dhe qenies quiditetale të Zotit.

 Kitabu Ameli’l-murabba’il-musavi li’da’ire. Përkthim i një pjese të veprës së Arkimedit.

– Terxheme-i Shifa li Ibni Sina. Përkthimi i “Shifas”, kryevepër e Ibn Sinasë.

– Sherhi Hikmetu’l Ishrakije. Komentim i “Urtësia iluministe”, vepër Shihabuddin Suhreverdit.

– Divan. Përmbledhje me poezi në gjuhën turke, perse dhe arabe.

Esad Yanina ishte profesor (muderris) i shkollave më të popullarizuara osmane të kohës, madje sipas studiuesit Ihsan Fazlioglu, ai njihte shumë mirë edhe teologjitë e feve hebreje dhe të krishtere, ku shumë nxënës hebrenj dhe të krishterë tek ai studionin fetë e tyre. Filozofët myslimanë, Aristotelin e patën quajtur “Mësuesi i parë”, ndërsa Farabiun “Mësuesi i dytë”, kështu edhe studiuesit e filozofisë bashkohanikë të tij, Esad Janinën e patën quajtur “Mësuesi i tretë” (muallim-i salis). Për arsye se njëjt si Farabiu që kishte fituar nam nga përkushtimi për filozofinë arsitoteliane, edhe Esad Janina këtë epitet e kishte fituar për shkak se kishte arritur të ringjallte traditën filozofike aristoteliane në Perandorinë Osmane.

Esad Janina kishte arritur të vërejë gjithashtu edhe dekadencën që kishte mbërthyer arsimin dhe shkollën osmane, dhe në shkrimet e tij përpos kritikave karshi këtij sistemi, lexojmë edhe rrugëzgjidhjet për këtë krizë të mendimit osman. Prof. Fazlioglu shkruan: “Pas pushtimit të Stambollit, mendimi shkencor osman mbështetej në paradigmën teologji-matematikë, të cilën e kishte vendosur Sulltan Fatih Mehmeti, Ali Kushçu dhe përkrahësit e tyre. Por Esad Janina e kritikonte këtë paradigmë dhe theksin e vendoste në paradigmën natyraliste aristoteliane.” Për ate dhe Esad Janina duke e përkthyer rishtazi Organonin e Aristotelit, në hyrje të përkthimit flet mbi rëndësinë dhe vlerën e logjikës dhe fizikës aristoteliane, dhe në këtë mënyrë ia mësyn të krijojë një dije teorike të bazuar në natyralizëm. Në këtë hyrje ai shkruan: “Fizika është një dije teorike dhe provë empirike dhe një gjë të këtillë e kishte thënë edhe Ibn Rushdi, por disa dijetarë tanë këtë dije e kishin deformuar dhe e kishin sjellë në një gjendje jonormale”. Ai gjithashtu në veprat e tij polemizon edhe me Ali Kushçunë, dhe sipas Fazlioglusë, kjo qasje e Esad Janinës kishte përgatitur intelegjencën osmane për tu ballafaquar me shkencat moderne, që më pas filluan të depërtonin nga Perëndimi.

Në botën islame njihen dy shkolla të mendimit filozofik: njëri është mendimi filozofik i gërshetuar me mendimin fetar-teologjik i përfaqësuar nga Imam Gazaliu, ndërsa tjetri mendimi puro filozofik i ndjekur nga Ibn Rushd, i cili fenë dhe filozofinë i trajton në dy dimensone të ndara nga njëri tjetri. Janë të njohura kundërshtitë midis këtyre dy shkollave filozofike. Disa studiuesë shkruajnë se Ibn Rushdi e kishte humanizuar arsyen njerëzore, e cila para tij kundrohej hyjnore, dhe kjo arsye e humanizuar është konsideruar si njëra nga shtyllat e modernizmit në Perëndim. Andaj, Esad Janina e kishte kuptuar mirë filozofinë e Ibn Rushdit, dhe duke kritikuar traditën gazaliane, pra atë teologjike – matematikore të mendimit osman, kërkonte aplikimin e shkollës averrosiane (ibnrushdiane), pra filozofinë-shkencën natyraliste. Megjithëse sasia e madhe e dorëshkrimeve të veprave të Esad Janinës provon faktin se ai ka qenë i lexuar në qarqet intelektuale të Stambollit, por qasja e tij ndaj shkencës dhe filozofisë nuk u ndoq nga pasardhësit, dhe si rezultat, mendimi osman nuk e shfrytëzoi mundësinë të kapte hapin e zhvillimit dhe reformimit shkencor e filozofik.

Frymën filozofike e shkencore të Esad Janinës pastaj e vazhdoi një shqiptar tjetër, Hoxha Hasan Tahsini, i shkolluar në Shkodër, Stamboll dhe Paris. Tahsini kishte studiuar dijet fetare, filozofinë dhe shkencat natyrore të kohës. Ai është njëri nga personalitetet kyçe të mendimit filozofik osman dhe shqiptar, si dhe ka luajtur rol të rëndësishëm në emancipimin dhe zhvillimin e mendimit shqiptar. Kontributi intelektual dhe filozofik i Hoxha Tahsinit akoma nuk është studiuar dhe analizuar sa e si duhet. Në intervistën e zhvilluar me revistën “Hazine-i Evrak”, Tahsini pohonte se tërë jetën e ka kaluar i preokupuar me mendime filozofike. Hasan Tahsini mund të konsiderohet racionalisti i parë shqiptar, sepse është mendimtari i parë që njohjen filozofike dhe shkencore e vendosi mbi çdo njohje tjetër, si dhe bëri përpjekje që botën ta kuptonte dhe shpjegonte pa iu referuar apriori teksteve të shenjta. Ky ishte shkaku që u akuzua e u diskreditua si jofetar, blasfem dhe heretik. Hasan Tahsini gjithashtu ishte larguar nga detyra e rektorit të Universitetit të Stambollit për arsye se profetësinë e kishte konsideruar frymëzim artistik. Për shkak të admirimit që kishte treguar për Parisin dhe kulturën e shkencën evropiane, shpesh ishte quajtur edhe si “Mösyö Tahsin” dhe “Gjavur Tahsin”.

Edhe pse Omer Faruk Akgyn, autori i zërit të Hoxha Tahsinit në Enciklopedinë islame të Turqisë jep të dhëna të detajizuara e të vlefshme rreth jetës e veprës së tij, por përgjatë shkrimit vërehet njëfarë prirje e panevojshme për t’ia ruajtur besimin islam Hoxha Tahsinit. Akgyn edhe aty ku i trajton idetë filozofike dhe shkencore të Tahsinit, vazhdimisht e ndjen nevojën të vë theksin se Tahsini mendimet i mbështetë në Kuran dhe Hadithë, ç’ka nuk është e vërtetë. Edhe nëse Tahsini në veprat shkencore citon ndonjë ajet kuranor, këtë e bënë vetëm për ta ilustruar mendimin apo rezultatin e tij shkencor dhe për ta bërë më të kuptueshëm për lexuesit e kohës, e jo që atë përfundim e kishte nxjerrë nga Kurani apo Hadithi. Njëjt vepronin edhe filozofët myslimanë të shkollës peripatetike. Hoxha Tahsini ishte ndjekës i filozofisë së Ibn Rushdit dhe Esad Janinës, të cilët dijen shkencore dhe filozofike nuk e gërshetonin me spekulime fetare. Ai në shkrimet rreth fesë islame, por sidomos në poezitë e tij rrëfen mjaftueshëm për besimin e tij islam, por si duket kjo nuk u mjaftonte klerikëve dhe pushtetarëve radikalë, të cilët kujdeseshin që Hoxha Tahsini të mos sfidonte sistemin e tyre të vjetëruar të dijes dhe shkencës. Hoxha Tahsini sikur të mos studionte dhe të mos i merrte seriozisht mendimin filozofik dhe shkencor të Evropës, nuk do të kishte rezultatet filozofike-shkencore që pati, por më e shumëta ndoshta do të mbetej një dijetar apo hoxhë klasik shumë i mirë, që do të mjaftohej vetëm me spekulime klasike teologjike. Hasan Tahsini, përpiqej që mendimin osman ta vendoste mbi themele natyraliste, prandaj pohonte se “metodologjia e filozofisë natyraliste është themeluar mbi baza të forta dhe është matur në peshoren e mendjes dhe urtësisë”. Për dallim nga mendimi klasik teologjik që mbizotëronte në shkollat osmane sipas të cilit, njeriu nuk është i lirë të arrijë deri te e vërteta, Hoxha Tahsini si një racioanlist, njeriun e konceptonte si qenie të lirë, të arsyeshme dhe të aftë për të kuptuar realitetin. Për atë dhe Tahsini është i pari në Perandorinë Osmane që ka shkruar një vepër në rrafshin e psikologjisë moderne dhe ka shtruar teoritë moderne të astronomisë.

Hoxha Tahsini duke e vendosur njohjen pozitiviste (empirike) si njohjen më legjitime dhe më të vërtetë, bëri një kthesë të madhe në mendimin osman, por edhe në atë shqiptar. Sepse ai me vetëdije të plotë i shërbeu kauzës shqiptare dhe arriti të edukojë dijetarë të mëdhenj, siç qenë Sami e Naim Frashëri dhe Pashko Vasa, të cilët kishin ndjekur leksionet e Tahsinit dhe kishin mbajtur kontakte të afërta me te. Sami Frashëri veprat e tij shkencore, ndër to dhe veprën e parë antropologjike në gjuhën turke “Insan/Njeriu” e kishte shkruar nën ndikimin dhe këshillimet me Hasan Tahsinin. Gjithashtu edhe Naimi, veprën “Shpikje dhe Zbulime” e kishte shkruar me udhëzimet e Hoxha Tahsinit.

Kështu, Hoxha Tahsini, më pas Naim e Sami Frashëri dhe ndjekësit e shkollës së tyre si Mit’hat e Mehdi Frashëri, Branko Merxhani e shumë të tjerë me krijimtarinë artistike, filozofike dhe shkencore e avancuan edhe më tej kulturën dhe mendimin shqiptar që frymonte brenda sistemeve të kodifikuara teologjike-fetare. Ata hodhën themelet e një shkolle autoktone shqiptare të mendimit, e cila më pas u shkatërrua nga regjimi komunist.

——

Literatura:

– Ihsan Fazlioglu: “Esad Efendi”

– Hoxha Hasan Tahsin. Vepra. Tiranë: Onufri, 2014.

– Nehat Krasniqi. Zhvillimi i kulturës shqiptare me ndikime orientale prej shekullit XVIII deri në fillimet e rilindjes kombëtare. Prishtinë: Instituti Albanologjik, 2017.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.