Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si e ndryshoi Kina Europën

Deri në vitet e fundit, europianët kanë besuar se duke u angazhuar aktivisht me Kinën përmes bashkëpunimit ekonomik dhe dialogut kulturor, do të mund të përhapin vlerat europiane, dhe kështu ta bëjnë Kinën si vetveten. Megjithatë, me kohë, qëndrueshmëria e gjatë e partisë-shtet të Kinës dhe modeli i saj i qeverisjes socio-ekonomike ka bërë që shumë europianë të zhgënjehen me paradigmën e angazhimit: Kina, nën udhëheqjen e Partisë Komuniste, nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Për më tepër, duke dalë më mirë se Perëndimi nga kriza financiare 2008-09, Kina shfrytëzoi momentumin për të përftuar një pozicion edhe më ambicioz e proaktiv në skenën globale – prirje që u përforcua edhe më shumë me ngritjen e Xi Jinping-ut në fronin e Partisë Komuniste më 2012, dhe me lansimin e Nismës Rrip dhe Rrugë [Belt and Road Initiative] më 2013.

Në kontekst të marrëdhënieve BE-Kinë, ngritja e një Kine të qëndrueshme, ambicioze e proaktive në skenën globale do të thotë ndryshim dinamike dhe ndërrim rolesh. Me Rrip dhe Rrugë, Kina u bë pala proaktive, duke rritur investimet në infrastrukturë strategjike dhe teknologji, duke nisur mbledhje të reja diplomatike siç është 16/17+1 dhe duke u bërë më e zellshme në ushtrimin e fuqisë së butë. U bë aktore si përbrenda BE-së, poashtu edhe tek fqinjët e saj.

Rrjedhimisht, europianëve iu desh kohë që ta kuptojnë dhe t’i përshtasin qëndrimet e tyre në përputhje me këtë realitet të ri. Sidoqoftë, ndryshimet ishin qenësore: përgjatë disa viteve të fundit, përpos që u trajtua si partnere dhe garuese, Kina ka filluar të shihet gjithnjë e më shumë si rival sistemik. Nisma Rrip dhe Rrugë që ishte injoruar më parë, tash u vu në qendër të vëmendjes – si instrument i agjendës kineze në Europë (e më tej) dhe si kërcënim i mundshëm si për interesat ekonimike të Europës, ashtu edhe për normat dhe vlerat e BE-së.

Kështu që, përderisa shumë europianë janë dashuruar pas retorikës ‘win-win’ të Pekinit, entuziazmi gradualisht i ka hapur rrugë kujdesit të shtuar ndaj lloj lloj çështjeve: (mungesa e) reciprocitetit ekonomik dhe shtrembërimet e tregut; qasja kineze e tipit “përçaj e sundo”; por edhe të drejtat e njeriut dhe çështje që Pekini i konsideron si “thelbësore” siç janë Xianjiang-u, Hong Kongu, dhe Deti i Kinës Jugore. Samitet BE-Kinë janë shoqëruar me ngathtësi e tensione. Marrëdhëniet ekonomike u sekuritizuan. Ndryshimi edhe më dramatik i politikës amerikane ndaj Kinës nën presidentin Trump, ka bërë që disponimi për Kinën në Europë të pësojë lëkundje gjithashtu. Firmat europiane, të cilat kanë qenë tradicionalisht pjesa më përkrahëse e peizazhit europian në raport të bashkëpunimit me Kinën, kanë shfaqur pakënaqësi me mundësitë që iu ofruan nga nismat e udhëhequra nga Kina, që sipas tyre qenë dukshëm më të vogla se sa që priteshin.

Ndryshimi nuk qe vetëm diskursiv. Eurapianët kanë ndërmmarë gjithashtu hapa të rëndësishëm si përgjgje ndaj përparimeve të Kinës. Përderisa investimet kineze u rriten tej mase prej vitit 2015 (në nivele shumë të larta se investimet europiane në Kinë), BE-ja inicoi mekanizmin e mbikëqyrjes së investimeve. Si përgjigje ndaj përpjekjes së Kinës për t’u bërë lidere në teknologji, BE-ja filloi të konsideronte politika industriale proaktive dhe mënyra për të përkrahur krijimin e kampionëve industrial europianë. Qeveritë europiane janë rreshtuar pëkrah SHBA-së në parandalimin e shitësve kinezë për të lidhur marrëveshje për ndërtimin e rrjeteve europiane 5G. Si kundërpërgjigje ndaj politikës kineze për bashkëpunimin në zhvillimin e infrastrukturës, BE-ja i është përkushtuar lidhshmërisë euroaziatike duke lansuar Strategjinë e Lidhshmërisë BE-Azi, dhe duke përfshirë Japoninë si partner kyç.

Të gjitha këto zhvillime kanë sjellë ndryshime të konsiderueshme në realitetin e marrëdhënieve BE-Kinë: duke qenë në pozicion mbrojtës, BE-ja ka ngadalësuar me sukses përparimin e Kinës në Europë dhe përreth saj. Megjithatë, gjatë këtij procesi, vetë BE-ja kaloi nëpër ndryshime dramatike. Duke u larguar nga ideologjia e tregut të lirë, ajo ndërmori masa mbrojtëse në raport me kufizimin e pranisë ekonomike kineze në kontinent. Edhe pse  mbetet gjithnjë e përfshirë në lidhshmërinë euroaziatike, tash BE-ja e ka bashkuar këtë lidhshmëri me interesat strategjike, duke sajuar një qasje zhvillimore të bizneseve në terren, që reflekton ‘qasjen kineze’ në politikën e saj të jashtme. Kjo e fundit ka të bëjë me atë se si BE-ja e ka ndryshuar qasjen e saj ndaj zgjerimit – për shembull, përpjekjet për zgjerim në Ballkan, si dhe vetë Procesi i Berlinit, janë paraqitur gjithnjë e më shumë si orvatje për t’i rezistuar ndikimit kinez në rajon.

Pandemia COVID-19 i ka zmadhuar ndryshimet e vazhdueshme të diskursit dhe politikave të Europës ndaj Kinës. Edhe pse me qasje jo aq antagoniste si ajo amerikane, europianët kritikuan menaxhimin e hershem të Kinës ndaj pandemisë, veçanërisht orvatjet e Pekinit për t’u pozicionuar në ballë të përgjigjës globale ndaj saj. Gjatë pandemisë, BE-ja shtoi kritikën ndaj Kinës, ndërkaq udhëtimet e diplomatëve kinezë në Europë duket se nuk kanë arritur të sjellin efektet e dëshiruara (marrë parasysh që Kina ka dashur që viti 2020 të jetë vit i marrëdhënieve të saj me Europën). Ndryshe nga përvoja pas krizës globale financiare kur të dy palët u koordinuan për së afërmi, tash për tash nuk ka bisedime rreth asaj se si do të bashkëpunojnë BE-ja dhe Kina gjatë procesit të rimëkëmbjes ekonomike pas pandemisë. Në fakt, ka më shumë gjasa të ketë garë dhe rivalitet të shtuar, meqë Europa puqet gjithnjë e më shumë me SHBA-në karshi sfidës që paraqet Kina (përkundër dallimeve thelbësore në marrëdhëniet transatlantike rreth çështjeve të tjera).

Me gjithë këto zhvillime, bëhet e qartë se duke vendosur për qëndrim të ashpër ndaj Kinës, BE-ja duket se tashmë është bërë aktor edhe më i rëndësishëm “gjeopolitik”, ashtu siç dëshirojnë shumë europianë. Në një mënyrë disi paradoksale, kjo tregon se duke mos ja arritur ta ndryshojë Kinën, BE-ja tash po e ndryshon qasjen dhe kështu po kalon vetë nëpër transformim të rëndësishëm. Disi, kjo tregon gjithashtu se deri me tash shumë rrallë e kemi shtruar pyetjen e parehatshme por të domosdoshme: jo se si Europa e ka ndryshuar Kinën, por se si ngritja e Kinës e ka ndryshuar Europën?

***

Image

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.