Autostrada që kërcënon të gjymtojë ekonominë e Malit të Zi fillon në kodrinat jashtë kryeqytetit Podgorica, ku skelet rrethojnë autostradën e shpejtë me shumë korsi e cila është e mbyllur për publikun. Tash për tash, autostrada mbaron në terrenin e largët malor në lindje të qytetit.
Firma shtetërore kineze ende nuk i ka mbaruar punimet, kështu që makinat janë duke shfrytëzuar rrugën e vjetër poshtë saj. As autostrada nuk është paguar ende. Kësti i parë i huasë 1 miliard dollarëshe prej një banke shtetërore kineze duhet të paguhet në korrik dhe është e paqartëse a do të jetë në gjendje Mali i Zi ta arrijë këtë, marrë parasysh qëpër shkak të këtij project iborxhi publik ka kapërcyer 100 përqindëshin e bruto produktit vendor. Ç’është me e keqja, thotë ish ministri i drejtësisë Dragan Soc, me t’u mbaruar, kjo rrugë kështu e ashtu nuk çon gjëkundi. “Ne e kemi një shaka: kjo është autostradë që të çon nga asgjëja për në asgjë,” thotë ai.
Projekti është 40 kilometërsh nga 430 kilometrat e propozuara të autostradës që do të shtrihej prej portit të Barit në detin Adriatik, e deri në Beograd dhe ky projekt jo vetëm që po ngre pyetje lidhur me vendimet e marra nga ish udhëheqësit e Malit të zi dhe borxhet e paqëndrueshme të lidhura me nismën ambicioze infrastrukturore dhe tregtare të Kinës përgjatë disa kontinenteve, ai gjithashtu ka implikime për ndikimin gjithnjënë rritje të Kinës përgjatë periferisë së Bashkimit Europian dhe lidhur me atë se a humbi rastin BE-ja që të ndihmojë Malin e Zi.
Nuk mund të paguajmë
Qeveria e Malit të Zi thotë se pjesa e parë e autostradës e ka zhytur në aso borxhi sa nuk ka më mundësi të paguajë për ndërtimin e pjesës së mbetur të autostradës. “Mendoj se ky brez nuk do të paguajë, por brezat e tjerë gjithsesi,” thotë ish ministri i drejtësisë Soc. “Por nuk mendoj se ky është probem i Kinës. Ka të bëjë me vendimet tona të këqija.”
Ai nuk është i vetmi që fajëson qeverinë e kaluar për zhytjen e vendit në borxh historik me këtë projekt, i cili u nënshkrua me Korportën Rrugë dhe Urë të Kinës më 2014 dhe i cili u financua nga Banka Export-Import e Kinës. “Tash jemi viktimë e një vendimi jashtëzakonisht të dëmshëm të qeverisë së kaluar,” tha i pezmatuar zëvendëskryeministri malazias Dritan Abazovic për Euronews, në përpjekje për të kërkuar nga BE-ja që ta shpëtojë Malin e Zi, i cili synon që një ditë të bëhet shtet anëtar i BE-së.
Një kopje e kontratës së huasë e analizuar nga NPR-ja tregon se nëse Mali i Zi nuk është në gjendje të paguajë me kohë bankën shtetërore kineze Export-Import, atëherë banka ka të drejtë të konfiskojë tokë brenda Malit të Zi, për sa kohë që ajo nuk i përket ushtrisë ose përdoret për qëllime diplomatike.
Përveç kësaj, qeveria e kaluar e Malit të Zi pranoi të lejonte një gykatë kineze që të ketë fjalën e fundit për ekzekutimin e kontratës. Zëvendëskryeministri Ambazovic i tha Euronews-it në maj se për të, këto kushte janë të pabesueshme. “Kjo nuk është normale,” tha ai, “kjo s’ka lidhje me kurrfarë logjike të interesit kombëtar.”
Ambiciet e Kinës
Një tjetër burim ngatërrese është se pse ka qenë e interesuar Kina pikë së pari në këtë projekt. Me vite të tëra, Mali i Zi kishte plane për të ndërtuar këtë autostradë, por bankat europiane nuk ishin të interesuara të jepnin hua sepse nuk besonin se do t’iu ktheheshin paratë, thotë presidentja e grupit për avokim Qendra për Tranzicion Demokratik Milica Kovacevic.
Kovacevic ka bërë karrierë duke studiuar investimet dhe ndikimin rus në Mal të Zi. “Ne e kuptojmë plotësisht politikën ruse karshi rajonit dhe kjo nuk ka ndryshuar me qindra vjet,” thotë ajo. “Qëllimi nuk ka qenë asnjëherë pushtimi, por destabilizimi dhe parandalimi i çfarëdo integrimi perëndimor, qoftë në perandorinë e atëherëshme austrohungareze, apo tash në BE dhe NATO. Kështu që, ne i dinim qartë qëllimet. Mund të përgatiteshim për këtë. Ndërsa për Kinën, nuk mendoj se ndokush e kupton se cili është qëllimi përfundimtar.”
Megjithatë, koordinatori i programeve për think tankun Fondi i Beogradit për Shkëlqyeshmëri Politike [BFPE] Stefan Vladisavljev beson se e di përgjigjen. Me vite të tëra, ai ka gjurmuar projektet e financuara nga kinezët në vendlindjen e tij në Serbi. Ai sheh qëllime më të gjëra politike për Pekinin, veçanërisht në rastin e Malit të Zi, ku përkundër lutjeve të mëdha ndaj BE-së, Brukseli ka refuzuar ta ndihmojë që të paguajë huanë.
“Ky ishte rast i mirë për Brukselin që të fitojë terren në rajon,” thotë Vladisavljev. “Ishte rast i mirë për Brukselin që të tregojë përkushtim për rajonin.”
Ai thotë se duke mos e ndihmuar Malin e Zi, BE-ja i ka dorëzuar ndikimin politik Kinës, e cila ka ndikim ekonomik mbi vendindhe rajonin dhe prania e së cilës në atë zonëështë bazë për planet më të gjëra politike. “Fakti se vendet e Ballkanit Perëndimor nuk janë pjesë e Bashkimit Europian u jep mundësi atyre që të krijojnë politikën e tyre të jashtme dhe politikat kombëtare jashtë kornizës së BE-së,” thotë Vladisavljev. “Prandajështë mjaft e lehtë të futesh në territorin europian. Është mjaft e lehtë që të konsolidosh sferën e ndikimit në fqinjësinë e afërt të Bashkimit Europian.”
Kjo është ajo për të cilën Kina ka punuar me zell në këtë rajon. Përmes Nismës Rrip dhe Rrugë (BRI), Pekni ka blerë portin grek të Pireut, duke e kthyer në portin e dytë më të madh në Mesdhe, dhe gjithashtu po ndërton autostrada e hekurudha me vlerë prej miliarda dollarësh, përfshi hekurudhën e shpejtë qëështë planifikuar të lidhë Beogradin me Budapestin.
Ambasada e Kinës në Mal të Zi nuk pranoi kërkesat e NPR-së për intervistë, ashtu si edhe disa zyrtarë të qeverisë së Malit të Zi. Vladisavljev beson se heshtja e papritur e qeverisë – pasi kërkoi vëmendjen e shtypit global kur i duhej ndihma e BE-së në fillim të këtij viti – është shenjë se zyrtarët malazias janë në bisedime me Pekinin për të ristrukturuar termat e huasë. Pekini e ka bërë këtë edhe më projekte të tjera të Nismës Rrip dhe Rrugë.
“Sikur të blesh Ferrari”
Ndërkohë në dalje të kryeqytetit, ekipet kineze të ndërtimit sapo kanë përfunduar kabinën e pagesave dhe tunelin e copëzës së re të autostradës. Hulumtuesi i Institutit Europian për Studime Aziatike Mladen Grgic thotë se megjithë problemet, kjo është rruga më e mirë që ka pasur ndonjëherë ky vend. “Për Malin e Zi që të ketë një autostradë të tillë është sikur të blesh Ferrari me një rrogë mesatare,” thotë ai. “E pastaj nis e mendon, oh, nuk paskam para për naftë.”
Grgic është duke përfunduar tezën e doktoraturës mbi projektet kineze në Ballkan dhe thotë se që të gjitha kanë një gjë të përbashkët. “Kësolloj projektesh janë gjithmonë politike,” thotë ai. “Kjo është edhe mënyra se si bëhen gjërat në Ballkan. Shfrytëzoni paratë publike për të rishpërndarë te rrjeti i të afërmve … dhe pastaj i përdorni për qëllime politike, e kështu me radhë.”
Tash ky korrupsion bëhet më i lehtë me paratë e një superfuqie që është e etur për të zgjeruar ndikimin, thotë ai.
Zëvendëskryeministri Abazovic tha gjatë një interviste në maj se ishte i hapur për nisjen e një hetimi për korrupsion ndaj anëtarëve të qeverisë së kaluar lidhur me autostradën e ndërtuar nga kinezët. Kjo ngjau para se ai të ndërprente kontaktet me shtypin ndërkombëtar; para se BE-ja të refuzonte kërkesën për ndihmë; para se qeveria e tij të futej në bisedime me Pekinin për shlyerjen e borxhit.
Deri më tash nuk është nisur asnjë hetim i tillë për korrupsion.
***
Artikulli origjinal në NPR, më 29 qershor 2021.
***
Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.