Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si i demaskoi Bellingcat vrasësit e Putin-it

Inovacioni i kolektivit ka qenë që të kuptojë se panoptikoni i epokës digjitale faktikisht funksionon në të dyja drejtimet.

Në nëntor, hulumtuesi Christo Grozev nga kolektivi i gazetarëve hulumtues Bellingcatx`, e telefonoi liderin e opozitës ruse Alexey Navalny. Pas tre muajsh, gjatë fluturimit nga qyteti siberik i Tomskut Navalny u sëmur rëndë; ai u evakuua në Berlin në gjendje kome, ku substanca që desh e vrau u identifikua si agjenti nervor rus Novichok, përdorimi i të cilit dukej se çonte në drejtim të Kremlinit. Kur Grozev kontaktoi Navalny-n, ky i fundit po shërohej në qytetin e vogël Ibach, në Pyllin e Zi të Gjermanisë. Siç kujton Grozev, ai i tha Navalny-t: “Mendoj se mund t’i kem gjetur njerëzit që deshën t’ju vrasin”.

51 vjeçari Grozev është me origjinë nga Bullgaria dhe kaloi të shumtën e karrierës së tij duke hapur radio stacione të pavarura në Rusi. Lidhja e tij me Bellingcat-in u forcua nga hulumtimet që kishte botuar në blogun e tij personal, ku kishte dokumentuar operacionet e fshehta ruse në Bullgari, Greqi, dhe Ukrainë. Në kohën e telefonatës me Navalny-n, Grozev sapo kishte përfunduar një hulumtim në lidhje me Institutin Shtetëror për Barna Ushtarake Eksperimentale të Departamentit të Mbrojtjes në Shën Peterburg, për të cilin besonte se kishte luajtur rol kyç në programin e pashpallur rus të Novichokut. Pas helmimit të Navalny-t, Grozev rrëmoi në një mori të dhënash telefonike – inçizme telefonatash të rrjedhura nga numra telefonash rusë – dhe zbuloi një bollëk telefonatash mes figurave të rangut të lartë të institutit dhe numrave të lidhur me F.S.B-në, shërbimin shtetëror të sigurisë të Rusisë.

Gjatë telefonatës, Grozev i kërkoi Navalny-t që të ofronte informata për udhëtimet e tij të fundit nëpër Rusi, të cilat Grozev-i dhe të tjerët do të mund t’i kontrollonin imtësisht kundrejt çfarëdo të dhënash që do të mund të grumbullonin mbi lëvizjet e zyrtarëve të F.S.B.-së. Pas një muaji, rezultatet e hulumtimit të Grozev-it lidhur me helmimin e Navalny-t u botuan në Bellingcat: duke përdorur të dhënat telefonike dhe ato të fluturimeve, ai kishte identifikuar më shumë se dhjetë zyrtarë të F.S.B.-së, shumë prej tyre me prapavijë në agjentë nervorë, të cilët kishin përcjellë Navalny-n gjatë 37 udhëtimeve, përfshi vizitën e kobshme në Siberi. “Këta operativë kishin qenë në afërsi të aktivistit opozitar në ditët dhe orët e hapësirës kohore gjatë së cilës ai ishte helmuar me armën kimike ushtarake”, pohonte raporti. Një zyrtar i F.S.B-së, vërente raporti, kishte ndezur telefonin e tij mobil natën e helmimit dhe sinjalet e tij u kapën nga një antenë në afërsi, që zbuloi vendndodhjen e tij, shumë pranë hotelit të Navalny-t. Në janar, Navalny u kthye në Rusi, ku u akuzua me shkelje të lirimit me kusht dhe u dënua me më shumë se dy vjetë në kamp internimi; në fund të muajit mars, ai njoftoi se kishte hyrë në grevë urie për të protestuar kushtet e rënda të burgosjes së tij.

Bellingcat kishte shpleksur operacionin e F.S.B.-së pa lançuar fare ndonjë satelit spiunimi, pa përgjuar telefona dhe pa dërguar asnjë agjent në terren. “Ne hasem të vërtetën thjesht duke studiuar të dhënat nga një distancë prej mijëra kilometrash larg”, më tha Grozev-i. Inovacioni i kolektivit ka qenë që të kuptojë se panoptikoni i epokës digjitale faktikisht funksionon në të dyja drejtimet. “Të dhënat janë niveluese të mrekullueshme mes individit dhe shtetit”, më tha Grozev-i. “Kjo është shumë më simetrike se sa e paramendojnë shërbimet sekrete: ata mendojnë se përfitojnë nga tërë ky informacion në aspekt të aftësisë për të mbikëqyrur e kontrolluar, por ende nuk e kanë kuptuar se sa shumë i ekspozon ata”.

Në librin e tij të ri “Ne jemi Bellingcat,” themeluesi Eliot Higgins e përshkruan grupin si “një agjenci e inteligjencës për popullin”. Siç shprehet ai, “Ne nuk jemi tamam gazetarë, as aktivistë të të drejtave të njeriut, as shkencëtarë kompjuterash, as arkivistë, as akademikë, as detektivë, por lidhje e të gjitha këtyre disiplinave”. Anëtarët e grupit janë një kolektiv i çlirët i “të fiksuarish pas detajeve” të cilët kanë kaluar “rininë para kompjuterëve, të mahnitur nga fuqia e internetit,” shkruan Higgins. “Sidoqoftë, ne patëm një kompas të mjaftueshëm moral për të mos pranuar rrugët tjera për të arritur ndikim jashtëzakonisht të madh online, sikurse ‘trolling’ dhe të hakuarit”.

Me Higgins-in kontaktova përmes telefonit në shtëpinë e tij në Leicester, ku më 2012 lançoi blogun Brown Moses, faqe personale e emëruar sipas këngës së Frank Zappa-s. Kureshtja e madhe për Pranverën Arabe e shtyu të kalonte me orë të tëra duke analizuar fotografitë që vinin nga konfliktet, veçanërisht ai në Siri. Higgins nuk fliste arabisht, as posedonte ekspertizë formale në rajon, por, puna e tij mund të quhet forenzikë digjitale nga distanca e largët. Shumë njerëz po shpërndanin fotografi dhe video nga zona e luftës, por vetëm disa prej tyre po i përdornin ato për të përcaktuar se si shenjat e errëta mbi gëzhojat e bombave zbulonin se kush i lëshonte ato dhe prej ku.

Më 2013, Higgins ishte mes të parëve që bënë lidhjen e sistemit raketor të përdorur në sulmin kimik mbi qytetin sirian të Ghoutas, me regjimin e Bashar al-Assad. Të njejtin vit, Times përdori identifikimin që Higgins i kishte bërë armëve jugosllave si bazë për artikulin që zbuloi furnizimin sekret me armë nga Kroacia të blera nga Arabia Saudite, dhe pastaj të dërguara në duart e rebelëve kundër Assadit. Më pas, kolegu im Patrick Radden Keefe i bëri Higgins-it një profil në revistë, duke e quajtur “mbase ekspertin kryesor të armëve që përdoren në luftë”. “Në Youtube, ai skanon gati treqind video të reja në ditë,” shkruante Keefe, “me durimin e një ornitologu”.

Në verën e vitit 2014, Higgins lançoi Bellingcat. “Një vazhdimësi e hobit tim,” më tha. Pas tri ditësh, aeoroplani civil Malaysia Airlines Flight 17 që ishte nisur nga Kuala Lumpur për në Amsterdam u godit në hapësirën mbi rajonin Donbass të Ukrainës lindore, duke vrarë 298 njerëzit në bord. Pothuajse në çast, gjërat online – fotografi nga telefoni të shkrepura nga ballkoni i dikujt, video pamje nga brenda veturave në autosrada – ofruan të dhëna për atë se çfarë kishte ngjarë. Të dyshuarit kryesorë ishin forcat separatiste në Donbass, të cilët mbështeteshin nga Rusia në luftën kundër shtetit të Ukrainës. Disa video u shpërfaqën të sistemit raketor kundërajror Buk të prodhuar nga rusët, që parakalonte përmes një territori të kontrolluar nga rebelët disa orë para se të rrëzohej MH17. Bellingcat mblodhi copëzat e dëshmive, sikurse fotografitë e Buk-ut që kthehej drejt Rusisë pa njërën prej katër raketave. Në tetor të vitit 2015, Bellingcat botoi një hulumtim që gjurmonte rrugën e sistemit raketor Buk nga baza e Brigadës 53 të Raketave Kundërajrore në Rusinë perëndimore, drejt një fushe të zbrazët afër qytetit Snizhne në Ukrainë. Një copë toke e djegur që dukej nga fotografitë satelitore shënonte vendin e mundshëm prej ku ishte lançuar raketa.

Një prej parimeve kryesore të Bellincat është se hulumtimet duhet të jenë transparente dhe të replikueshme – “ngjashëm me metodën shkencore që përdoret në gazetari”, siç thotë Higgins në librin e tij. Në raportin për MH17, të gjitha videot, fotografitë dhe të dhënat tjera shoqëruese janë të qasshme, krahas informacioneve për vendin dhe kohën e secilës njësi. Nuk ka rrjedhje as burime sekrete. Kjo është formë e rrallë e hulumtimit gazetaresk, në kuptimin që besimi i publikut nuk është i domosdoshëm. Lexuesit që marrin erë nga teknologjia, mund të vërtetojnë gjithçka vetë.

Higgins shpërndau gjithashtu raportin e Ekipit të Hetuesisë, task forcës shumëpalëshe të udhëhequr nga Holanda, e cila ishte përgjegjëse për mbledhjen e fakteve për hetimin penal. “Është proces goxha i njëanshëm”, thotë ai. “Të falenderojnë dhe aq”. Një person i afërt me Ekipin e Hetuesisë shprehu admirim për punën e Bellingcat. “Është habitëse se sa shumë informacione kishte në mediat sociale”, më tha. “U befasuam nga thellësia e hulumtimit të tyre dhe kjo, në shumë mënyra, ka shërbyer si pikë fillestare për ne”.

Rusia assesi nuk është e vetmja shënjestër e Bellingcat. Një seri raportesh për shitjen e armëve Arabisë Saudite nga Mbretëria e Bashkuar, të cilat Bellingcat i lidhi me sulmet ushtarake në Jemen, u cituan në dëgjimet brenda Parlamentit Britanik. Një raport tjetër zbulonte se rojet e kufirit të BE-së Frontex kishin shtyrë varkat e refugjatëve jashtë ujërave të BE-së, në drejtim të Turqisë. Rishtas, kolektivi luajti rol në identifikimin e disa njerëzve që sulmuan Kongresin në SHBA. “Do të doja të jetonim në një botë në të cilën nuk do të kishim nevojë të shkruanim për Rusinë”, më tha Higgins. “Por nuk është se mund të injorojmë diçka si programi sekret i agjentëve nervorë”.

Në shtator të vitit 2018, gjashtë muaj pasi ish agjenti i dyfishtë rus Sergei Skripal dhe e bija e tij Yulia u helmuan me Novichok në qytetin juglindor të Anglisë Salisbury, prokurorët britanikë njoftuan për akuzat për tentimvrasje kundër dy operativëve të fshehtë rusë. Ata zbuluan pseudonimet – Alexander Petrov dhe Ruslan Boshirov – dhe botuan fotografitë e tyre, të marra nga xhirimet e kamerës së sigurisë dhe nga pasaportat. “Ishte sfidë e menjëhershme”, më tha Grozev.

Asnjë informatë e burimit të hapur nuk ishte e disponueshme për pseudonimet Petrov dhe Boshirov. Megjithatë, Belingcat zbuloi identitetet e tyre kryesisht duke përdorur të dhënat e blera nga tregu i gjërë i hirtë rus i “probiv,” term që rrjedh nga folja ruse për kërkimin online. Siç ka shpjeguar Ben Smith në një kolumne për NYT: “sot, kjo i referohet praktikës përmes së cilës çdonjëri mund të blejë, për ca dollarë në medien sociale Telegram ose për qindra në tregun e zi, të dhënat telefonike, vendndodhjen në kohën e telefonatave, ose të dhënat për udhëtimet ajrore të kujtdo që dëshiron të gjurmosh në Rusi”.

Hulumtimi i Grozev për Bellingcat në lidhje me helmimin e Navalny-t është mbështetur në masë të madhe në databazat probiv – të dhënat treguan se zyrtarët e F.S.B. me prapavijë në armë kimike, kishin udhëtuar në destinacionet e njejta me Navalny-n. Dokumentet e regjistrimit të veturave të lidhura me agjentët e fshehtë të F.S.B. – lidhnin zyrat dhe institutet shkencore, dhe faturat e telefonave zbulonin se si ekipi mbante kontakt me njëri tjetrin para dhe pas tentimvrasjes. Higgins më tha se bastisja që i bëri Bellingcat botës së probiv kishte paraqitur një “problem të ndërlikuar moral.” “Këto të dhëna nuk duhet të jenë të disponueshme,” tha ai, “por ja që janë”. Përfundimisht, hulumtimi ishte shumë i rëndësishëm dhe dobia e informacioneve shumë vendimtare: “Rusia duket se po operon me një program ilegal të agjentit nervor, dhe nuk kishte mënyrë tjetër për të zhvilluarm këtë hulumtim”.

Sido që të jetë, afër fundit të hulumtimit, të dhënat që i ishin premtuar Grozev-it nga ndërmjetësit u zhdukën në mënyrë të pashpjegueshme. Kur porositi manifestin e pasagjerëve të udhëtimit nga Tomsku për në Moskë, në të cilin supozonte se ekipi do të ketë fluturuar për në shtëpi, ai nuk pa emrat e tyre, edhe pse më vonë i gjeti të në një version të arktivuar të të njejtit dokument. Ai supozoi se tregu probiv po spastrohej nga të dhënat e dëmshme. “Në një moment, e dinim çfarë dinin ata,” tha Grozev për F.S.B.-në.

Në javët e fundit, policia ruse ka arrestuar disa zyrtarë policie të nivelit të mesëm, të cilët pretendohet se kanë shfrytëzuar databazat e qeverisë për të shitur probiv. “Tregu për të dhënat telefonike është i hendikepuar”, tha Grozev. Shumë prej ndërmjetësve që kanë mbetur janë të brengosur për atë të cilën e quajti “toksicitet” të temave të tij: nëse kërkimi në Google sugjeron dikë të lidhur me Kremlinin, në vend se për shembull ndonjë partner të padëshiruar të biznesit ose bashkëshkort të divorcuar, ujdia prishet shpejt.

Prapëseprapë, autoritetet ruse nuk mund të fshijnë shumëçka: vetëm Bellingcat ka qindra databaza të arkivuara, plot me të dhëna mbi agjentët sekretë dhe misionet e tyre, që me t’u shkarkuar, nuk mund të manipulohen as të fshihen. Ndërkaq, tiparet binjake të sistemit të Putinit – autoritarizmi dhe korrupsioni – e bëjnë të mundur që tregu kurrë të mos zhduket tërësisht. Siç më tha Roman Dobrokhotov, kryeredaktor i The Insider, një media e cila bashkëpunon rregullisht me Bellingcat, “qoftë përmes F.S.B.-së ose cilësdo agjenci tjetër, shteti përpiqet të kontrollojë qytetarët duke grumbulluar të dhëna të shumta për ta. Ndërsa paralelisht, të njejtit agjentë, të të njejtit shtet, i shesin këto të dhëna palës tjetër për të bërë para për vete”.

Probiv është material që do të duhej të ishte privat ose sekret dhe prandaj nuk do të duhej të ishte burim i hapur. Roli i tij në hulumtimet e Bellingcat ka nxitur organizatën drejt taktikave të agjecive tradicionale të inteligjenës dhe kostumeve gazetareske – ku që të dyja, në shkallë të ndryshme, joshin motivet individuale të atyre që u japin këto informacione. Në disa raste, kjo ka shkuar në të mirë të Bellingcat. Grozev tha se për çdo burim të censuruar, ka të tjerë që janë të interesuar të ndihmojnë në hulumtimet e tij. “Nëse niveli i pakënaqësisë përbrenda sistemit vazhdon të rritet, shterja e tregut nuk do të ketë shumë rëndësi.” Kur fola me Higgins-in, ai tregoi se një prej ndërmjetësve që kishte ofruar të dhëna për hulumtimin mbi Navalny-in e kontaktoi pas botimit dhe i tha Bellingcat-it, “Tash e dimë se kush jeni dhe jemi të lumtur që ishim në gjendje t’ju ndihmojnë.” Higgins tha se kjo ishte shumë prekëse.

Një evolucion i tillë rrit gjithashtu shkallën e ballafaqimit me Kremlinin. Pas zbulimeve rreth Skripal-it, ambasadori rus në Mbretërinë e Bashkuar Alexander Yakovenko, e quajti Bellingcat-in “vegël e establishmentit”. Kur u pyet për faktet, ai u përgjigj: “Nuk mund t’u ofroj fakte…. E kemi një ndjenjë”. Po të njejtin vit, ministria e jashtme ruse lëshoi një deklaratë që i referohej “pseudohulumtuesve nga Bellingcat, e cila është e mirënjohur për shpërndarjen e informacioneve të rreme”. Dhjetorin e kaluar, Putin-i iu përgjigj raportit të Bellingcat-it për helmimin e Navalny-t. “Nuk është hulumtim,” tha ai- “është legalizim i materialeve të agjencive amerikane të inteligjencës”.

Mund të paramendohet që neveritja e Kremlinit për Bellingcat-it rrjedh, të paktën pjesërisht, nga mosbesimi i sinqertë se si mund një uebfaqe e drejtuar nga një grup njerëzish të shpërhapur mbi laptopët e tyre, të ekspozojë në vazhdimësi operacionet e saj sekrete. Dobrokhtov më sugjeroi se, “mbase kjo është gjë e mirë: nëse Putin-i do të besonte se Belingcat dhe unë jemi të aftë ta bëjmë vetë të gjithë këtë, gjuetia ndaj nesh do të fillonte.” Ai shtoi se “në muajt e kaluar, kam pasur ndjesinë se gjendja mund të ndryshojë”. Nga ana e tij, Grozev tha se “tash duket më pak si hobi sa dikur. Tashmë kam bërë aranzhime për sigurinë time, dhe në të ardhmen do të duhen edhe shumë ndryshime të tjera madhore. Këta nuk janë njerëz që harrojnë lehtë”.

Higgins më tha: “Çuditërisht, ngjan sikur një evolucion i asaj çfarë po bëja kur fillova: të debatosh me njerëzit në internet dhe të shfrytëzosh dëshmitë nga burimet e hapura për t’i bindur. Tash po bëj pikërisht këtë me shtetin rus”.

***

Artikulli origjinal në New Yorker, më 31 mars, 2021

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.