Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si me viza, si pa viza

Komisioni Evropian më në fund vlerësoi se Kosova ka përmbushur të gjitha kërkesat e paraqitura në udhërrëfyesin e prezantuar qysh në vitin 2012 për të udhëtuar pa viza në vendet e zonës Schengen. Udhëheqës dhe ish udhëheqës institucionalë në Kosovë e paraqitën këtë si një sukses, ku meritat kryesisht i personalizuan ose thanë se është meritë e të gjithë qytetarëve. Njëkohësisht, BE e paraqiti këtë si sukses të transformimit të shoqërisë e qeverisë përmes instrumenteve të saj të politikës së jashtme. Por në shumë aspekte ky nuk është ndonjë sukses, meqë, procesi u stërzgjat në pafundësi, kurse kriteret nuk janë plotësuar as në germë e as në frymë. Rastet e shënjestruara të gjyqësorit ende vazhdojnë të qëndrojnë të papërfunduara ndërsa shoqëria e qeverisja nuk janë transformuar. Si me viza, si pa viza, ne mbetemi të njëjtë.

Drama e liberalizimit të vizave për Kosovën së shpejti do të bëhet çështje një dekadë e vjetër, pothuajse sa vetë Republika e Kosovës. Aq e vjetër, me një fjalë është bërë bozë. Gjithë kjo të ngjason me një serial koti turk apo të amerikës latine. Aq shumë është mjegulluar qëllimi fillestar i vendosjes së kritereve dhe mënyra e vlerësimit e ri-vlerësimit të tyre, copa copa e në periudha të ndryshme kohore dhe jo si tërësi, sa që ushtrimi i BE-së për ta veshur këtë proces me meritokraci e ka humbur kuptimin. Pikërisht tri palë duhet të ekzaminohen kundrejt këtij procesi, aspektit të meritokracisë/kritereve dhe të “shpërblimit”/karrotës së lëvizjes së lirë.

Pikë së pari, shoqëria e Kosovës e meriton vëmendjen më të madhe në gjithë këtë mes. Një vëzhgim i thjeshtë tregon se kjo shoqëri është në mes të asaj të mbijetesës dhe një shoqërie të konsoliduar, por nuk është aspak as njëra e as tjetra. Kjo shoqëri, transicionale apo kalimtare, nuk ka arritur të gjejë as emëruesin minimal të përbashkët të identitetit apo ndonjë qëllimi të përbashkët. Kriteret për liberalizim të vizave janë shumë më kuptimplota si nevoja të shoqërisë së Kosovës se sa si kërkesa të BE-së. Për shembull, Kosova duhet të ketë interes më të madh para çdo kujt tjetër t’i jep fund ndërmarrjeve kriminale të shfrytëzimit të paskrupulltë të pozitave publike për të krijuar përfitime private në dëm të fondeve, pronës, e të mirave publike, të zgjidhë çështje të caktuara me fqinj, dhe të plotësoj kërkesa tjera nga pesë blloqet e kërkesave. Megjithatë, gjithë këto vite kemi parë BE-në të tregoj interesim më të madh për këto çështje. Do të thotë, ka një shpërputhje mes interesit dhe interesimit.

Megjithatë, as një botëkuptim më universal, jeta me dinjitet, ku personat e kësaj shoqërie jetojnë në një shtet që i jep fund pandëshkueshmërisë dhe siguron cilësi të jetës të paktën në nivel të shteteve të rajonit, dhe as një “shpërblim” i prekshëm si udhëtimi pa viza, nuk ia mbushi mendjen kësaj shoqërie të bëjë presion konkret që të paktën për një dekadë këto institucione të përfundojnë me sukses meritor një nga ato 42 raste të shënjestruara në gjyqësor. Kjo shoqëri e trajtoi me normalitet madje edhe kthimin e kriminelit të dënuar Xhabir Zharku, të cilin moderatori i televizionit publik, një makineri gjigante e cila paguhet drejtëpërdrejtë nga taksat e qytetarëve, me 8 qershor e uroi me fjalët “mirë se erdhët”. Televizioni vazhdon njëjtë sikurse moderatori “punën” pa asnjë pengesë. Kjo shoqëri e trajtoi si normale edhe rritjen e kabinetit qeveritar, përfshirjen në kabinet të personave me aktakuza, shkatërrimin e ndërrmarrjes dikur më profitabile në vend PTK, e shumë e shumë afera të tjera. Nuk e di se ku e kanë shfryrë mllefin e tyre qytetarët, por kritika e tyre asnjëherë nuk është artikuluar në ndonjë veprim që vlenë për t’u shënuar. Reagime monotone të “politikanëve”, “analistëve”, e sidomos të “shoqërisë civile”. Këta të fundit janë duke hequr dorë gradualisht edhe nga deklaratat për media për të “shprehur shqetësim.” Kjo pjesë mund të zgjatet shumë, por tash për tash kaq shkurtë duhet të mjaftojë për këtë shoqëri që me shpresë të ketë mundësi ta përtypë këtë kritikë e të veprojë.

Pala e dytë në këtë mes janë institucionet shtetërore, më saktësisht njerëzit që popullojnë këto institucione. Aferat dhe pandëshkueshmëria u përmendën më lart. Qeveria e Kosovës, si bartëse kryesore e iniciativave legjislative, transformimit ekonomik dhe shumë aspekteve tjera shoqërore nuk ka kaluar testin për lidership dhe transformim demokratik. Korrupsioni sistematik nuk është një krim i hajnive ordinere por një veprim i cili patjetër se kërkon përfshirjen e krerëve institucionalë. Rrjedhimisht, pa aminin dhe përfshirjen e krerëve institucionalë, Kosova nuk do të kishte këtë tolerancë të lartë të zhvillimit të korrupsionit.

Në asnjë organizatë nuk mundet që korrupsioni të bëhet pjesë përbërëse e sistemit të punës pa dijeni të kreut të organizatës. Megjithatë, krerët tanë institucionalë i ikin gjithnjë kësaj përgjegjësie. Krerët qeveritar e veshën korrupsionin me termin “fenomen” dhe e mjegulluan përgjegjësinë. Ata gjithnjë kanë paraqitur veten si administratorë të këtij vendi, dhe kurdo që janë sfiduar sa i përket qeverisjes dhe transformimit shoqëror, ata kanë zgjedhur të japin përgjigjet burokratike se “është proces.”

Liderët janë shumë më shumë se administratorë e burokratë. Megjithatë, në Kosovë ka mjaftuar që pjesa dërrmuese e liderëve formalë institucionalë kurrë të mos e marrin mundin që t’i trasojnë shoqërisë një rrugë për në fusha më të gjelbërta. Ata janë mjaftuar përgjithësisht me kornizat e përcaktuara nga ndërkombëtarët, por pa i mbushur ato me substancë asnjëherë. BE kërkon të formohen mekanizma kundër korrupsionit, Kosova i përgjigjet me një grumbull të mekanizmave me emra të tillë por pa substancë. BE kërkon zhvillim ekonomik, Kosova i përgjigjet me një numër të dokumentave pa substancë por që në tituj përmbajnë fjalët “strategjik” e “zhvillim ekonomik,” apo me powerpointin e famshëm “Bansko.”

Pas ekzekutivit, kalojmë tek pushteti gjyqësor e prokurorial. Sa herë dëgjon këto fjalë të vjen ndërmend termi Parashkrim. Këta gjyqtarë e prokurorë gjetën një mijë arsyetime për mungesën e rezultateve. U ankuan për mungesë të instrumenteve ligjore, dhe kur u shkruan e rishkruan ligjet, u ankuan për mjegullim të infrastrukturës ligjore. U ankuan për resurse, por kur iu kërkua që të fokusohen në rastet prioritare, as edhe pas gjysmë dekade nuk arritën të tregojnë ndonjë sukses të prekshëm. U ankuan për kushte, por pasi u vendosën në ambiente profesionale të punës kjo filloi t’u pengonte edhe më tepër. U ankuan për mungesë të njohurive, por doli Bashkimi Evropian që tha qartë se refuzojnë të praktikojnë edhe ato çfarë mësojnë e dijnë. Në këtë skenë, këta gjyqtarë e prokurorë, të cilët kanë pagë dhe pozitë mjaftë dinjitoze në shoqëri, me një vend pune të siguruar deri në pension, si askush tjetër në Kosovë, janë ndër bojkotuesit dhe dëmtuesit më të mëdhenj të interesit të përgjithshëm. Dhe për fund pushteti legjislativ vepron si një shou televiziv më i kushtueshmi për taksat e qytetarëve. Veprimet e legjislativit janë kryesisht ad-hoc, pa substancë të mirëfilltë por lojëra fjalësh për poena në elektorat, dhe të gatshëm për mobilizim grupor vetëm kur është fjala për udhëtimet jashtë vendit.

Pala e tretë për të hedhur dritë mbi ta është BE-ja, e cila nuk arriti me sukses të krijoj qasje origjinale për transformime të mirëfillta shoqërore, qoftë në Kosovë apo në Ballkanin Perëndimor apo Evropën lindore. Politika e saj që të inkurajojë ndërmarrje të reformave përmes tërheqjes drejt integrimit nuk ka pasur suksesin e pritshëm. Sigurisht se BE mban shumë merita për prosperitetin të cilin Kosova, rajoni, Evropa, dhe më gjerë ka arritur në gjysmë shekullin e fundit, duke mos përjashtuar raste që vlen të kritikohet. Megjithatë, në Kosovë ende nuk është mishëruar vlera e bashkimit të kombeve në një union, pasi që BE shihet si një trup të cilin dëshirojmë ta vjelim jo se e shohim si një trup të cilit dëshirojmë t’i kontribuojmë e ta formësojmë bashkarisht. Rrjedhimisht, BE me shumë vështirësi dhe vetëm si akte por jo si përmbajtje arriti të shtyjë një numër të reformave në vend, dhe atë shpesh në nivele minimale.

Për më tepër, BE kishte në terren edhe një mision të vetin me fuqi ekzekutive dhe mandat ekskluziv por që nuk arriti të tregojë suksesin e duhur sa i përket pandëshkueshmërisë në vend. BE u tregua si një trup që është mjaft i ndërlikuar sa i përket vendimmarrjes dhe vlerësimit. Këtu u shpërfaq edhe (pa)aftësia e Qeverisë së Kosovës të kuptojë mirëfilli dhe të ketë sukses në negociata me BE-në sa i përket lëvizjes së lirë të qytetarëve të Kosovës, edhe 10 vite me vonesë kundrejt rajonit. Lëvizja e lirë për qytetarët e Kosovës po vjen vetëm si çështje kohe ku BE nuk mund ta shtyejë më tutje izolimin por jo si rezultat i aftësisë, profesionalizmit, e angazhimit të Qeverisë së Kosovës për të negociuar një çështje me sukses me BE-në. Vendi ynë do të ketë edhe shumë çështje tjera me BE-në dhe me anëtarët e BE-së, dhe nëse vazhdojmë me këtë ritëm, fatin tonë ia kemi lënë në dorë faktorit kohë dhe këtu lutjet dhe fjalët “me kismet” kryjnë punë shumë më shumë sesa shpenzimet për ngritje të kapaciteteve, administratë të madhe publike, dhe organizim të zgjedhjeve.

Për të përfunduar me një thirrje për rimendim dhe orientim të ri të angazhimit tonë shoqëror, duhet të kujtojmë se asgjë më nuk mund të merret e garantuar në rendin e ri botëror që është duke u formuar. Në këto zhvillime, ne do të jemi vendimtar se çfarë pozite kjo shoqëri do të ketë në këtë rend.  Duhet të kujtojmë sa vend të bukur natyror e kulturor kemi trashëguar dhe sa potencial ka ky vend e kjo shoqëri ka për të filluar sot me një qasje të re. Duhet besuar se ndryshimi fillon me një veprim të vogël dhe se konsistenca e veprimeve tona do e përcaktojë se çfarë shoqërie do kemi nesër. Sot, edhe mund ta rrejmë veten se jemi më të mirë pas rekomandimit për vizat. Por, në fakt, jemi njëjtë, si me viza, si pa to.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.