Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si përballen shtetet me kriza dhe ndryshojnë

Jared Diamond është erudit amerikan i cili është i njohur për studimet e tij në fushën e gjeografisë, antropologjisë, historisë, fiziologjisë dhe ekonomisë. Ai ka shkruar një numër të konsideruar të librave, të cilët janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të botës. Profesori i Universitetit të Kalifornisë, në libri i tij të fundit i titulluar “Upheaval”, e trajton përballjen e krizave nga shtetet dhe sjelljen shtetërore pas tejkalimit të tyre. Me fjalë tjera, profesori Diamond tenton të shtjellojë jo vetëm aspektin historik të përballjes së shteteve me kriza, por edhe metodologjitë e tejkalimit të tyre dhe mësimet e nxjerra. 

Në fillim të librit, ai përshkruan krizat personale, ku argumenton se njeriu gjatë jetës së tij përballet me momente të vështira. Përballja me kriza është e pashmangshme, por mësimi i nxjerrë nga krizat mund të jetë i shmangshëm. Filozofi i famshëm gjerman, Frederich Nietzsche, ka thënë që “ajo që s’na vret, na bën më të fortë” dhe pikërisht këtë mesazh përpiqet ta përçojë autori në libër. Si djali i madh i profesorit të Harvardit Louis Diamond, ai ishte i interesuar në jetën akademike të të atit, duke regjistruar programin e doktoratës për fiziologji laboratorike pranë universitetit të Kembrixhit. Gjatë studimeve u përball me shumë vështirësi, të cilat e bënë atë të mendoj për ndërprerjen e studimeve dhe ndërrimin e profesionit.

Ndonëse libri fillon me krizën shkollore të profesorit Diamond, analiza kryesore e përfshin përballjen dhe tejkalimin e krizave të vendeve si Finlanda, Kili, Japonia, Indonezia, Australia dhe Gjermania. 

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Finlanda u përball me një nga krizat më të mëdha në historinë moderne, e njohur si “Lufta e Dimrit”, ku iu imponua të luftojë në vetëmbrojte ndaj Bashkimit Sovjetik. Për më tepër, në këtë luftë, Finlanda ishte e vetme dhe e harruar nga vendet tjera perëndimore, të cilat ishin të paafta të mbronin vetveten, e lere më t’i dilnin ne ndihmë Finlandës. Përjashto fëmijët të cilët ishin dërguar si refugjat në Suedi, pleq e të rinj ishin angazhuar në mbrojtjen e vendit. Humbjet ishin të mëdha, si në njerëz ashtu edhe në ekonomi. Ndryshe nga parashikimi i intelektualëve të kohës, Finlanda nuk u shndërrua në një satelit të Bashkimit Sovjetik. Ajo sot është një shembull i mirë i demokracisë dhe ekonomisë. Duke marrë parasysh këto hollësi, është mjaft interesante se si ia doli mbanë Finlanda t’i mbijetojë kësaj situate të jashtëzakonshme. Finlandezët bënë gjëra të papara për një demokraci në atë kohë, si censurimi i vetvetes, në kuptimin që të ndalojnë shprehjen e pikëpamjes dhe besimit të tyre duke shmangur diskutimet e panevojshme. Pastaj, ata i shtynë zgjedhjet presidenciale dhe u unifikuan përball krizës. Sipas profesorit Diamond, zhvillimi i strategjisë ekonomike dhe ushtarake ishte çelësi i suksesit përballë agresorit sovjetik. Ndonëse në krizë kombëtare, Finlanda arriti ta zhvillojë industrinë si ndërtimin e anijeve, prodhimin të makinerive, etj. Në këtë mënyrë, populli finlandez arriti ta kthej krizën në mundësi për krijimin e shtigjeve të reja të zhvillimit. 

Në vendet tjera, në emër të kauzave të ndryshme, qeveritë kanë kryer krime tmerrshme kundër njerëzimit. Ndonëse hisedare e periudhës së errët të Luftës Botërore, Gjermania arriti të çlirohet nga kriminelët e instaluar në hierarkinë shtetërore, por çmimi që pagoi nuk ishte i vogël. Poashtu, Gjermania i pranoi krimet naziste, për dallim nga vende tjera me histori të ngjashme si për shembull Japonia. Kancelari gjerman Willy Brandt, gjatë një vizite në Poloni, u ul në gjunjë dhe u kërkoj falje popullit polonez për krimet që nazistët u bënë gjatë luftës. Populli gjerman ishte i bindur që krimet naziste kishin ardhur si pasojë e udhëheqjes së lartë të shtetit dhe ushtrisë, ndërsa shumica e ushtarëve vetëm kishin zbatuar urdhrat. Përveç gjykimit të këtyre liderëve, edhe zinxhiri i ulët komandues i nazistëve u gjykua. Profesori Diamond merr shembull prokurorin hebre gjerman, Fritz Bauer, i cili i trajtoi pikërisht këto lloje të krimeve. Pra, ajo çfarë është interesante për qasjen e autorit është trajtimi i ndryshimit kulturor të Gjermanisë, më shumë sesa atë të ndryshimit industrial apo ekonomik. Një rol esencial në këtë ndryshim duhet të kenë luajtur protestat studentore të vitit 1968 sepse sipas profesorit Diamond, pa 1968 nuk do të kishte 1990. Ai shkruan se studentët kishin rol shumë të rëndësishëm në rënien e Murit të Berlinit dhe bashkimin e Gjermanisë Perëndimore me atë Lindore. 

Për dallim nga shteti gjerman, Japonia është munduar t’i harrojë krimet kundër njerëzimit duke mos i përmendur mjaftueshëm dhe duke shmangur diskutimin për to. Janë të njohura krimet e mëdha japoneze kundër kinezeve dhe koreanëve, të cilat u kryen gjatë luftës së fundit botërore. Profesori Diamond tregon për rastet kur studentët japonezë shkojnë për studime jashtë vendit dhe befasohen me krimet e vendit të tyre gjatë shekullit të kaluar. Sipas tij, kjo ndodh sepse e kaluara e errët e vendit kapërcehet me qëllim nga institucionet arsimore japoneze. Jo rrallëherë, ekonomistët e zhvillimit argumentojnë që japonezët kanë arritur zhvillim të jashtëzakonshëm sepse janë fokusuar në të ardhmen dhe e kanë harruar të kaluarën. Gjithashtu, vihet në pah kultura e popullit japonez, të cilët ishin të mbyllur për popujt e tjerë për shumë shekuj, dhe kjo kulturë është ende prezente sepse imigrantët përbëjnë më pak se 2 për qind e popullsisë.    

Kili dhe Indonezia janë dy vende të cilat janë përballur me krime të brendshme, si rrjedhojë e luftës për pushtet, të nxitur nga ideologjia komuniste. Si pasojë e luftës kundër komunistëve, në Indonezinë e viteve 1965-1966, u vranë afërsisht një milion njerëz. Natyrisht se në mesin e të vrarëve kishte edhe shumë njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me ideologjinë në fjalë, por në atë kohë vetë dyshimi për lidhje me komunistët ishte i mjaftueshëm që dikush të ekzekutohej. Në anën tjetër, situata kaotike e krijuar në Kili në fillim të viteve të 70-ta krijoi një situatë të favorshme për ndryshime drastike. Përmes grushtshtetit, gjenerali Augusto Pinochet largoi nga pushteti presidentin Allende dhe udhëhoqi vendin deri me 1990. Mirëpo faktikisht ai udhëhoqi deri në vitin 2006 kur edhe vdiq. Gjenerali Pinochet edhe pas dorëzimit të mandatit zyrtar në vitin 1990, u kujdes që të hartojë infrastrukturë ligjore që i garantonte atij kontrollin mbi ushtrinë dhe një numër të konsiderueshëm të institucioneve në vend. Sa ishte gjallë ai mbeti kërcënim për demokracinë. Pas vdekjes së tij u zhvilluan shumë gjykime për krimet e sistemit të kontrolluar nga ai dhe përkrahësit e tij. Edhe sot e kësaj dite, një numër i madh i qytetarëve kilian ende kanë admirim dhe simpati për diktatorin, ndonëse gjatë sundimit të tij vendi nuk pati ndonjë zhvillim të konsiderueshëm. Me fjalë tjera, Kili dhe Indonezia janë shembuj të tejkalimit të krizave duke nxjerrë mësim, e duke i përdorur këto eksperienca në ndërtimin e një shtegu të ri të zhvillimit. Indonezisë shpeshherë i referohen si Tigri i Ri i Azisë, bazuar në rritjen ekonomike të dekadave të fundit. Kili në anën tjetër është një nga ekonomitë më të suksesshme të Amerikës Latine. 

Australia është shteti i tjetër që profesori Diamond e trajton në librin e tij. Ky vend ishte në ndikim të drejtpërdrejtë nga Mbretëria e Bashkuar për një kohë të gjatë. Profesori Diamond diskuton edhe për banorët e vjetër të Australisë, të cilët ardhjen e kolonisë britanike nuk e luftuan aspak, pasi që nuk kishin grupe të organizuara dhe jetonin kryesisht nga gjuetia. Prandaj, britanikët e konsideruan Australinë si tokë pa pronarë dhe lehtësisht e kolonizuan si pjesë të mbretërisë së tyre. Lidhjet Mbretërisë së Bashkuar me Australinë filluan të zbehen pas largimi të forcave britanike nga Kanali i Suezit në vitet e 60-ta. Kjo bëri që produktet australiane të mos ishin më të privilegjuara në Britani. Për më tepër, kjo e fundit kishte shprehur interesin për bashkim me vendet tjera të Evropës në të ashtuquajturin Komuniteti Ekonomik Evropian, i cili i parapriu Bashkimit Evropian. Profesori Diamond argumenton që Australia e tejkaloi këtë krizë duke gjetur partnerë të rinj tregtar dhe duke ua hapur dyert emigrantëve nga Azia. Në këtë mënyrë, vendi arriti ta rimëkëmbë ekonominë.  

Në fund, autori diskuton edhe për krizat eventuale që mund të përballohen nga demokracitë e avancuara si Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ai thekson që tani për tani SHBA-të nuk përballen me ndonjë krizë kombëtare, mirëpo i vë në pah disa pre rreziqeve me të cilat mund të përballen në të ardhmen. Një nga indikatorët shqetësues është niveli i pabarazisë në të ardhura, gjë që është shumë shqetësuese në krahasim me vendet e tjera të Evropës Perëndimore. 

Libri përmbyllet me disa mësime të cilat mund të nxirren nga hulumtimi i historisë. Nga këto mësime, profesori Diamond argumenton se një vend duhet së pari ta kuptojë dhe pranojë që gjendet në krizë, pastaj duhet të merren përgjegjësi për situatën e krijuar. Rishikimi i historisë të shteteve me kriza të ngjashme është mësimi i radhës që vendi mund të nxjerrë. Dhe në fund, ai argumenton që çdo vend duhet t’i njohë vlerat thelbësore që i posedon, duke provuar daljen nga kriza bazuar në ato vlera, të cilat mund të jenë të shumëllojshme. 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.