Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Si të gjejmë paqen me vetveten? Për hir të shtetit

Më shumë se dy dekada pas luftës në Kosovë ne ende nuk kemi një interpretim pak a shumë të njësuar të historisë së re, si dhe të rolit të akterëve të ndryshëm në këtë histori. Ajo çka kemi është shpesh një grusht interpretimesh subjektive dhe të njëanshme që theksojnë rolin e një individi apo partie, ndërkohë që qëllimisht e zbehin atë të dikujt tjetër. Përcaktues të këtij lloj interpretimi mund të jenë politikat ditore partiake, egot apo mëritë personale në mes politikanësh apo figurash publike, ose thjesht teket dhe padituria jonë që si shoqëri t’i vrojtojmë ngjarjet nga këndvështrimi i ftohtë historik.

Herë pas here dhe disi ad hoc tema e interpretimit të historisë sonë kthehet vrullshëm në debatin publik. Pasi të hidhen një mori akuzash e kundërakuzash, kjo temë zhduket me po të njëjtën shpejtësi me të cilën erdhi, ndërsa interpretimi i historisë sonë të re mbetet po aq i çarë sa edhe më parë. Kështu ndodhi sërish këto ditë kur ripluskoi tema e rolit (çlirues apo zaptues?!) të ish-komandantëve të UÇK-së që momentalisht janë në Hagë, apo ajo e ministres së jashtme Gërvalla e cila u tha se kinse përfaqëson një krah tjetër, të kundërt nga këta ”të luftës”. E kështu me radhë, ne vazhdojmë të dëgjojmë, e nganjëherë edhe të përfshihemi me eufori, në këto debate të lodhura e sipërfaqësore se kush bëri e çfarë bëri.

Ndoshta është koha që t’ia përkujtojmë vetes disa të vërteta goxha të pamohueshme, disa ngjarje e akterë të cilët secili në mënyrën e vet ka kontribuar në vendosjen e dy shtyllave bazë mbi të cilat po ndërtohet ky panteon i brishtë që quhet shteti i Kosovës.

Rezistenca paqësore

Nuk e ndiej të nevojshme të kredhem në përshkrimin e rezistencës paqësore të viteve ’90 në Kosovë, pasi që kujtesa është ende e freskët për shumicën prej nesh. E shpresoj se edhe gjeneratat e reja janë të njoftuara të paktën me elementet bazë të kësaj rezistence. Por ajo çfarë duhet theksuar është roli iluminues dhe shtet-formues i Ibrahim Rugovës si lider i kësaj rezistence. Nën udhëheqjen e tij dhe të LDK-së Kosova e atëhershme ktheu vëmendjen e saj gjeo-strategjike kah Perëndimi dhe, krahas përballjes me okupimin serb, arriti në vendosë bazamentin e shtetit të ardhshëm. LDK ishte më shumë se parti, ajo ishte lëvizje mbarëpopullore. Si qeveria në ekzil, si organizatat autonome të asaj kohe siç ishin “Nëna Terezë” apo KMLDNj, kontribuonin brenda kësaj kornize të rezistencës paqësore dhe sistemit paralel të qeverisjes që udhëhiqej nga LDK-ja. LDK-ja po ashtu kishte edhe FARK-un që nuk arriti të kishte shtrirje të gjerë, por që eventualisht u inkorporua brenda rezistencës së armatosur që u udhëhoq nga UÇK-ja. (Por më shumë në lidhje më këtë në shtyllën e dytë më poshtë). Ajo çfarë duhet nënvizuar këtu është se paraqitja e FARK-ut nuk përbënte anomali në filozofinë rugoviane të rezistencës. Ajo ishte zgjatje logjike e asaj filozofie dhe rezistence. Tekefundit, çdo shtet (me një a dy përjashtime) ka ushtri të veten.

Janë të njohura edhe kritikat me të cilat Rugova dhe LDK-ja janë ballafaquar. Adem Demaçi si kritik i zëshëm i përkiste një provenience tjetër, siç do të shihet më poshtë. Për Rexhep Qosjen çështja ishte si duket mjaft personale me Rugovën. Unioni i Studentëve nuk mund të pajtohej me rezistencën çdo herë e më të ngathtë të LDK-së nga vitet ’96-’97 e tutje. Por ajo çka mbetet është se LDK i dha orientimin pro-perëndimor Kosovës së asaj kohe. Kjo nuk ishte e pakët, madje ishte historikisht vendimtare, kur ta kemi parasysh se rezistencat e deriatëhershme në Kosovë kishin një ngjyrim paksa marksist-leninist. Pra, Rugova me LDK-në lëvizën timonin në drejtim të Uashingtonit dhe Brukselit. Dhe, po ashtu, bënë një pilot-test të shtetësisë së Kosovës, që do të formalizohej pas luftës.

Kjo është shtylla e parë bazë e shtetësisë.

Rezistenca e armatosur

Shtylla e dytë bazë e shtetësisë është ajo që njihet si rezistenca e armatosur, e udhëhequr në fund dhe e kurorëzuar nga lufta e UÇK-së. UÇK-ja nuk ishte një organizim i vetëm i tillë në historinë e Kosovës, por ishte kulminacion i një sërë nismash e lëvizjesh për rezistencë të armatosur që ishin shfaqur përgjatë gjithë shek. XX anekënd vendit. UÇK-ja me lajtmotivin e saj për çlirim nga okupatori paraqet konsistencë në aspiratën njëshekullore të popullit shqiptar. Ishte finalizimi sublim i përpjekjes për liri. Pjesë e kësaj provenience të luftës për liri ishin iniciativa e grupe aktivistësh që filluan organizime spontane që nga vitet ’60 e këndej. Adem Demaçi e Ukshin Hoti ishin lajmëtarë të kësaj provenience. Ky i pari, siç e dimë, u emërua edhe Përfaqësues Politik i UÇK-së. Pararendës të rezistencës së armatosur ishin edhe gjithë ata të rinj e të reja që ndërmorën aksione klandestine, e të cilët në fillim të viteve ’80 hynë nën ombrellën e asaj që në fund u quajt Lëvizja Popullore e Kosovës (LPK). Ishte LPK-ja ajo që lindi UÇK-në, dhe për një kohë ishte krahu politik i saj. Përveç FARK-ut që vinte nga radhët e LDK-së, kishte edhe organizime tjera lokale që përgatiteshin për rezistencë të armatosur. E tillë ishte edhe Lëvizja Kombëtare për Çlirimin e Kosovës (LKÇK). Mirëpo të gjitha këto eventualisht u shkrinë dhe operuan nën emblemën gjithëpërfshirëse të UÇK-së.

Dihet po ashtu se kush ishin liderë të UÇK-së. Pa marrë parasysh se çfarë do të ndodhë me procesin kundër Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale, e vërteta është se ata ishin bashkëthemelues të UÇK-së si dhe disa nga bartësit kryesorë së rezistencës së armatosur. Po të themi ndryshe bëjmë përpjekje për retushim të historisë dhe shtrembërim të së vërtetës.

Pra, këto dy shtylla – rezistenca paqësore dhe ajo e armatosur – përbëjnë themelin bazë mbi të cilën është vendosur shtetësia e Kosovës. Duhet kuptuar po ashtu se përfaqësuesit e njërës shtyllë nuk operonin ekskluzivisht të izoluar nga tjetra. E vërteta është se kishte shumë shkëmbime dhe ndërvarshmëri. Kështu, ishte mjaft normale që pjesëtarë të LPK-së të bëheshin eventualisht pjesë të lidershipit të LDK-së, apo pjesëtarë të rezistencës paqësore të bëheshin bashkëthemelues të UÇK-së. Në fund të fundit, përkundër tensioneve e armiqësive ndërmjet LDK-së dhe UÇK-së, përpjekja për liri ishte treguesi i tyre i përbashkët.

Simbioza 

Rezistenca paqësore (LDK) dhe rezistenca e armatosur (UÇK) vinin nga dy pikëvështrime të ndryshme të historisë. Nuk ishin të ngjizura në provenienca të njëjta. Mirëpo, shikuar nga një pikë më e largët kohore, ato e kompletonin njëra tjetrën. Ne duhet kuptuar këtë, pra se kauzat e tyre nuk e mohojnë, por e plotësojnë, njëra tjetrën. Rrjedhimisht, kritikat e akuzat e pafundta se njëra shtyllë gëzon merita të plota e tjetra asnjë hiç, janë të kota dhe boshe. Të rrëzosh njërën shtyllë do të thotë të shembësh edhe shtyllën e dytë. Dhe, si rrjedhojë, të minosh shtetësinë e Kosovës.

Ndoshta nuk ishte rastësi që edhe pavarësia e Kosovës të bëhej gjatë koalicionit PDK-LDK. Ndoshta kjo paraqiste shembull të bashkëjetesës simbiotike që bazohej në të kaluarën e krahut të luftës dhe rezistencës paqësore respektivisht. Ndoshta edhe ato gjysmëshakatë se kinse Thaçi “u bë krejt si Rugova” nuk ishin krejt iluzore. Kjo sepse partitë e “krahut të luftës” kishin kuptuar se konsolidimi i shtetit kërkonte koherencë dhe konsistencë. Kërkonte që të ndërtohej mbi atë që ishte filluar, jo rrënim e pastaj ndërtim mbi rrënojat tona.

Tash, me ardhjen në pushtet të LVV-së Kosova përfundimsht ka kthyer një faqe të re në historinë e saj. Ajo po teston një brez të ri të udhëheqësisë politike që, në shumë aspekte, është shkëputje dhe hap para nga dy shtyllat e përshkruara më lart (edhepse lehtë mund të argumentohet se koalicioni LVV-V në fakt mishëron shumëçka dhe është derivat i proveniencës së luftës dhe asaj paqësore). Mbetet të shihet se a do të simbolizojë kjo qeveri kapitull vërtet të ri për Kosovën, që ndërton mbi shtyllat e gjertanishme.

Duhet potencuar, megjithatë, se suksesi i kësaj qeverie është pashmangshmërisht i kushtëzuar me suksesin e Kosovës si shtet. Kjo mbase tingëllon e vetëkuptueshme por duhet përsëritur: çelësi i suksesit (si për Kosovë, si për LVV-në në pushtet) është të ndërtohet mbi atë që është krijuar deri më tani, pra mbi shtyllat bazë. Rrënimi për të ndërtuar diç të re është udhë me shumë kurtha. Tashmë fati e LVV-së është i ndërvarshëm dhe i mpleksur me institucionet e vendit. Kështu që edhe për partinë në pushtet, faktorizimi i saj do të thotë forcimi i shtetësisë së Kosovës. Për të lënë shenja në histori, pra, ajo duhet të bëhet dalëzotëse e këtij shteti dhe institucioneve të saja.

E çka me bashkimin kombëtar, do të pyesnim. Bashkim apo jo, rruga para për Kosovën është forcimi i shtetësisë së saj. Madje edhe prospekti për bashkim kombëtar, nëse apo kurdo që të ndodhë ai, është joviabël pa konsolidim të Kosovës. Nëse do të ketë bashkim, atëherë bashkim duhet të ketë jo sepse Kosova dështoi, por sepse ajo pati sukses. Kjo parqet bazament më të fortë, më të shëndoshë dhe më moral para historisë.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.