Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

S’ka të ardhme pa u marrë me të kaluarën

Përderisa Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, haptazi promovon idenë e të ashtuquajturit “Mini-Shengen” në rajonin e Ballkanit Perëndimor bashkë me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, përmes së cilit do të garantohej liria e lëvizjes së njerëzve, mallrave dhe shërbimeve (mbas modelit të BE-së), mediumet filluan të botojnë lista të kriminelëve të dyshuar të luftës të krijuara në Banjallukë dhe Beograd, të cilat përfshijnë emrat e rreth 3500 anëtarëve të Ushtrisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Këshillit të Mbrojtes të Kroacisë. Listat përmbajnë zyrtarët më të lartë politikë, policorë dhe ushtarakë të Republikës së atëhershme të Bosnjës dhe Hercegovinës që ishin përfshirë në mbrojtjen e shtetit mes viteve 1992 dhe 1995. Atëbotë, siç vlerësoi Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, Bosnja e Hercegovina sulmohej nga Serbia dhe Kroacia.

Serbia është treguar shumë serioze ndaj këtyre deklarave, siç tregon, për shembull, arrestimi i qytetarit boshnjak Osman Osmanović për krime të dyshuara në zonën e Bërçkos. Ky është arrestimi i tretë kësisoj i qytetarëve boshnjakë në Serbi: atyre, janë arrestuar dhe Ejup Ganiq në Londër, Jovan Divjak në Vjenë, dhe Naser Oriq në Gjenevë me fletarrestime serbe. Asnjëri nga vendet përkatëse nuk pranoi t’i ekstradojë këta persona në Serbi, dhe gjykata në Londër këmbënguli të shpjegohej se a është rast i përndjekjes politike, sepse Serbia s’mund të garantojë gjykim të drejtë dhe profesional në këtë rast, gjë që u dëshmua me vonë nga gjykata austriake (në rastin e Divjak-ut) deri në pikë të fundit.

Fletarrestimet e Serbisë po vihen në pyetje edhe nga Interpoli, megjithëse as kjo nuk e pengoi Serbinë ta vazhdojë këtë praktikë me qytetarët e Bosnjës e Hercegovinës. Këto lista (dhe arrestime) e lejojnë Serbinë t’i mbajë mijëra qytetarë boshnjakë si pengje të politikës së vet. Këto politika justifikohen përmes aplikimit të një jurisdiksioni të përgjithshëm, i legalizuar përmes miratimit të ligjit që ia jep Serbisë fuqinë t’i ndjekë penalisht të gjitha krimet e luftës të kryera në territorin e ish-Jugosllavisë. Kjo politikë po ashtu ka inspiruar shtete të tjera—Kosova ka përpiluar lista të qytetarëve të Serbisë të dyshuar për krime të luftës të kryera në Kosovë. 

Duke u vetëshpallur polic rajonal për ndjekjen penale të kriminelëve të luftës, Serbia është bërë strehë e sigurt për ta, gjë e përmendur disa herë nga Kryeprokurori i ICTY-së, Serge Brammertz. Në raportin e tij të fundit, Brammertz ka kritikuar Serbinë dhe Kroacinë për mosveprimin ndaj 50 aktakuzave të konfirmuara nga Gjykata e Bosnjës e Hercegovinës, duke iu dhënë të dyshuarve mundësinë të rrinë në territoret e tyre përmes përparësive të shtetësisë së dyfishtë. Veç kësaj, Brammertz posaçërisht ka theksuar Serbinë si më jobashkëpunuesen në rajon. Përmendja e kësaj është mundësia e fundit për t’i nisur ndjekjet penale të rasteve më komplekse dhe të dorasve të nivelit të mesëm e të lartë, si mënyrën e vetme për ta shmangur rrënimin e bashkëpunimit rajonal.

Është vështirë të besohet se Serbia do të ndalojë së ndjekuri anëtarët e Ushtrisë së Bosnjës e Hercegovinës dhe CDC-së sepse është pjesë e një strategjie më të gjërë politike prej luftërave të viteve të 90-ta që bazohet në politikën që thotë se Serbia nuk ka marrë pjesë në konflikte të armatosura dhe nuk mund të lidhet me mizoritë e kryera në territorin e ish-Jugosllavisë. Po të ishte kjo e vërtetë, Beogradi nuk do të duhej t’i mohonte krimet në Bosnjë e Hercegovinë, përfshirë vendimet e gjykatave, dhe të vazhdojë shtyrjen e procesit të revizionizmit rajonal (tok me Kroacinë, e cila e filloi këtë proces pasi që ICTY-ja provoi se udhëheqësia e Kroacisë mori pjesë në sulmet ndaj Bosnjës e Hercegovinës.

Të gjitha gjërat që Banjalluka dhe Beogradi nuk mundën t’i arrinin në ICTY po tentohen të bëhen tash përmes gjyësorëve kombëtarë dhe ndjekjeve penale që duhen të vërtetojnë se konflikti i armatosur në Bosnjë ishte luftë civile, e zhvilluar mes tri taboreve që kanë kryer po aq krime sa tjetri. Ka shumë fakte të vendosura gjyqësisht dhe raporte ndërkombëtare që e vërtetojnë këtë, por le ta shohim vendimin e gjykatës angleze rreth kërkesës së Serbisë për ekstradimin e Ejup Ganić: “Serbia nisi një hetim të gjatë, një dosje është përgatitur dhe i është dërguar Republikës Serbe [Republika Srpska]. Kjo e fundit e ka drejtuar rastin te ICTY-ja dhe në 2002 dhe 2003, në pajtim me Marrëveshjen e Romës të vitit 1996 (e cila njihet si “Rregullat e Rrugës”), ICTY-ja ka kryer një hetim dhe shqyrtim të dëshmive. Pas shqyrtimit, hetuesit kanë ardhur në përfundim se nuk ka rast kundër Dr. Ganiq”.

Përveç këtyre veprimeve të ndërmarra në Beograd, por edhe në Sarajevë, falë disa zyrtarëve nga gjyqësori boshnjak të afërt me Milorad Dodikun, procesi i revizionizmit përfshin njerëz nga komuniteti akademik, politikanë, historianë, artistë… Gjatë gjithë kohës, ky grup gëzon përkrahje të vazhdueshme mediatike në Serbi me interpretime të shtrembëruara të fakteve, sulme ndaj ICTY-së, rrena dhe propaganda të çdo lloji për t’i mohuar krimet, lartësuar kriminelët, dhe shpërfilljes së fakteve.

Për ta ilustruar këtë, duhet t’ia hedhim një shikim raporteve të fundit mediatike—dy tekste të botuara në tabloidin Kurir, që është i afërt me qeverinë serbe: një letër e hapur e një komandanti të luftës nga Foça, që i kërkon Serbisë t’i njehë veprimet e tij gjatë luftës. Faktet e ICTY-së janë të qarta—ai ishte komandant i policisë ushtarake që perndoqi dhe vrau boshnjakët, kreu përdhunime masive ndaj grave boshnjake, dhe prishi të gjitha gjurmët e ekzistimit të boshnjakëve në ato troje. Pikërisht për këto fakte dhe vepra, ky “komandant i luftës” ka ikur nga Bosnja në Serbi pas përfundimit të luftës, ku edhe jeton sot.

Vetëm tri ditë pas botimit të këtij teksti, Kuriri shkroi se boshnjakët janë fajtorë për masakrat e Markales. Çdokush që ka dilemë mbi këtë duhet ta shohë vendimin për Radovan Karaxhiqit ku kjo shpjegohet me shumë hollësi. Por, kush i lexon këto gjykime kur çdo gjë interpretohet prej mediumeve tabloide për ta gjetur “të vërtetën e saktë”, mediumet e njëjta që me vite shkruanin se ICTY-ja ishte krijuar për t’i ndjekur serbët, ndërkaq politikanët shpesh e përqafonin këtë sentiment. Thonin se askush nuk iu është përgjigjur publikisht pyetjes se përse janë dënuar njerëz nga lidershipi politik, ushtarak, dhe policor, e përse s’ka ndodhur e njëjta me lidershipin në Sarajevë. Përgjigjja është e thjeshtë—sepse nuk është bërë në nivelin e njëjtë. Krimet individuale nuk ishin pjesë e planit më të gjërë, e konfirmuar nga planet e Beogradit dhe Banjallukës për të kryer krime në Bosnjë e Hercegovinë.

Marrë parasysh këto, a mund t’i diskutojmë marrëdhëniet e së ardhmes pa i zgjidhur këto çështje të së kaluarës? Pak e hiç. Mohimi i mizorive të kryera, përgjegjësia e Beogradit, dhe së voni, politikat revizioniste janë faktorët kryesorë të jostabilitetit rajonal. Krahas porosive deklarativisht pozitive rreth fqinjësisë së mirë dhe respektit të ndërsjellë që thuhen herë pas here nga politikanët e rajonit, përfshirë Aleksandër Vuçiqin—i cili pretendon se Serbis nuk është destabilizuesi kyç i rajonit, askush nuk beson më. Askush në Bosnjë e Hercegovinë, e askush në Kosovë.

—-

Në muajt në vijim, bashkëpunimi në mes të platformave online Remarker dhe Sbunker do të sjellë një seri analizash që kanë për qëllim nxitjen e debatit të hapur e kritik mbi situatën aktuale në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Pas qëndrimeve të fundit nga Franca, një ndër shtetet anëtare me më së shumti ndikim në BE, rajoni po përballet me një ndër sfidat më të vështira të tri dekadave të fundit, prej kur shtetet e Ballkanit Perëndimor filluan rrugën e tyre të vështirë, fillimisht duke kaluar nëpër konflikte dhe pastaj në procesin e demokratizimit dhe integrimit evropian.

Qëllimi i Remarker dhe Sbunker është të krijojë njohje më të mirë të çështjeve aktuale në vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe rritjen e vetëdijes mbi proceset e integrimit evropian, atë të demokratizimit dhe sundimit të ligjit, si kushtet kryesore për arritjen e paqes afatgjatë dhe stabilitetit në rajon. 

—–

Shkrimin në gjuhën serbe mund ta gjeni këtu, ndërsa në gjuhën angleze këtu.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.