Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Spastrimet dhe profesionistët: regjimi i transformuar rus

Ndryshimet e viteve 2020-2021 janë dëshmuar aq të të vrullshme dhe të thella sa që regjimi rus po kalon nëpër një rilindje. Tash, ose je pro ose kundër regjimit – d.m.th. kriminal.

Pakkush do të kundërshtonte se regjimi rus ka mveshur karakter të ri. Rivendosja e orës në terma presidencialë, tentimvrasja e liderit të opozitës Alexei Navalny dhe orteku i ndalesave të reja dhe masave shtypëse, tregojnë se mekanizmat e sistemit politik në Rusi kanë ndryshuar dramatikisht.

Deri më tash, pasoja më e dukshme e transformimit të regjimit është tërbimi i shtypjes dhe goditjet ndaj opozitës jashtë sistemit. Megjithatë, ndryshime të rëndësishme po ngjajnë përbrenda sistemit të pushtetit dhe pasojat e tyre do të ndjehen shumë shpejt.

Një prej karakteristikave kryesore të regjimit rus është mungesa e koordinimit mes elementëve kyç. Trendi i përgjithshëm konservator është bërë më i fuqishëm, por kontrolli politik nga lartë është dobësuar dhe procesi i vendimmarrjes është fragmentuar. Sistemi i vjetër i mbikëqyrjes së politikës së brendshme në Rusi, i cili i ka mundësuar Kremlinit që të organizojë fushën e lojës politike sipas nevojës, nuk ekziston më.

Ai sistem filloi të shembej që në vitin 2016, me emërimin e Sergei Kriyenko-s udhëheqës të politikës së brendshme. Përpjekjet për të ndërtuar garë të menaxhueshme u zëvendësuan me administratë burokratike dhe marrëveshje me ultimatume.

Më 2020 u bë e qartë ndarja mes fushës “brenda sistemit” (opozita nominale që në realitet luan sipas rregullave të Kremlinit), e mbikëqyrur prej kuratorëve përbrenda administratës presidenciale, dhe fushës “jashtë-sistemit” (opozitës së vërtetë), e cila është rezervat i dallushëm i siloviki, apo shërbimeve të sigurisë. Përfshirja e këtyre të fundit çoi përfundimisht te kriminalizimi i opozitës jashtë-sistemit.

Nëse më parë shtypja politike ishte me cak dhe e koordinuar, tash ka filluar të zbatohet në masë dhe pa dallim. Tash nuk janë vetëm figurat e posaçme opozitare dhe organizatat e tyre që përndiqen, por vetë protestat.

Ndërkaq vetë koncepti i protestës interpretohet në kuptimin më të gjërë: nuk janë vetëm protestat në rrugë, por madje edhe postimet në media sociale, ‘retë eet’-at dhe kritika e regjimit dhe vlerave të tij (prandaj edhe beteja për interpretimin “e duhur” të historisë) që përceptohen si veprime kundër regjimit. Shtypja tash zgjerohet përtej opozitës jashtë-sistemit.

Shtypja e tanishme e protestave përbën spastrim të plotë të arenës politike: spastrim që është i koordinuar keq dhe i kryer pa ndonjëfarë strategjie koherente apo analize të pasojave. Dy odat e parlamentit rus garojnë se cila do të tundë ligje më të ashpra e më kufizuese si mënyrë për të fituar kapital politik, që ka për pasojë një cunami të aktivitetit legjislativ.

Meqë çfarëdo përpjekje për të kundërshtuar këtë rrjedhë ndaluese do të thotë vetëvrasje politike, klasa politike ruse do të bëhet veçse gjithnjë e më konservatore dhe radikalisht antiliberale, duke spastruar radhët e tyre prej kujtdo që ka ndërgjegje.

Në të njëjtën kohë, regjimi i rigjallëruar rus tregon hapur se çështja e vogël e ligjshmërisë nuk përbën kurrfarë telashe për autoritetet, siç ilustrohet nga përdorimi i trungjeve si kuti votimi në zgjedhjet kombëtare të vitit të kaluar, vendimi për të shndërruar një stacion policie në sallë gjyqi për seancën dëgjimore të Navalny-t, si dhe zbatimi retrospektiv i ndalesave të reja ndaj atyre që kandidojnë në zgjedhje.

Ndërkohë presidenti Vladimir Putin, i cili është distancuar që moti prej çështjeve rutinore, është shndërruar në sfond të përjetshëm e statik pas rivendosjes së orës në terma presidencialë. Ai po e konservon, në vend se ta zhvillojë sistemin.

Në vend se një rreth i vogël njerëzish të jetë përgjegjës për shtypjen politike, tash kjo është punë e mijëra zyrtarëve, ku asnjëri prej tyre individualisht nuk mban ndonjë përgjegjësi politike. Tash përndjekja e njerëzve është në autopilot, që do të thotë se kushdo mund të përkufizohet si “kundër-regjimit”, pa marrë parasysh statusin a lidhjet e tyre.

Kjo mungesë kolektive e përgjegjësisë do të thotë që mbikëqyrësit e politikës së brendshme nuk ndjejnë përgjegjësi për atë çfarë po i ndodhë Navalnyt sepse prapa atij rasti është FSB-ja [Shërbimi Federal i Sigurisë].

Ndërkaq, FSB-ja nuk ndjen përgjegjësi për rreziqet politike që përmban përndjekja e liderit të opozitës, sepse ajo nuk është përgjegjësi e tyre: ai është problem për mbikëqyrësit nga administrata presidenciale.

Problemet politike tash trajtohen prej gjithkujt dhe askujt, si pasojë e së cilës çdo aluzion i opozitës po bëhet toksik. Studentët po përjashtohen dhe njerëzit po pushohen nga puna thjesht për shkak të pjesëmarrjes në protestë, “pëlqimit” të një posti në media sociale, apo ngritjes së zërit kundër sistemit.

Në vend se strategët politikë të menaxhojnë politikën, përgjegjësia u është transferuar udhëheqësve të firmave, menaxherëve të burimeve njerëzore, rektorëve, drejtorëve e mësuesve.

Në dy mandatet e para presidenciale, Putini ndërtoi një sistem menaxhimi duke i deleguar të afërmve të tij fusha të posaçme, shumë prej të cilëve mbesin figura me ndikim përbrenda regjimit. Sido që të jetë, sot Putini priret t’u besojë atyre që në sytë e tij janë profesionistë të nivelit më të lartë: teknokratë të depolitizuar që nuk bien pre e popullizmit dhe vendimeve të papërgjegjshme.

Kjo është logjika prapa emërimit të Igor Kobzevit nga Ministria e Emergjencave guvernator të rajonit të Irkuckit, rajon i cili është goditur nga katastrofat natyrore, si dhe emërimit të mjekut Vladimir Uyba guvernator të Republikës Komi, e cila e përjetoi rëndë pandeminë COVID-19.

Ana tjetër e medaljes e rekrutimit të profesionistëve për t’u marrë me problemet është se në çështjet e shtetit, të cilat kërkojnë përfshirje dhe fleksibilitet, një qasje e pastër profesionale mund të tregohet shumë mendjengushtë dhe e rrezikshme. Që kur u emërua Uyba – i cili nuk kishte përvojë në politika publike -, kanë shpërthyer disa skandale dhe konflikte në Republikën Komi.

Mbështetja e Putinit te një rreth i vogël profesionistësh do të thotë se vendimet që merren prej disa institucioneve të pushtetit përplasen me interesat e të tjerëve. Kur udhëheqësit e televizioneve ngrisin nivelin e agresionit dhe frikës në propagandën shtetërore, mbikëqyrësit e politikës së brendshme duhet të gjejnë zgjidhje se çfarë të bëjnë me votuesit e shqetësuar. Kur Kremlini paralajmëron kundër pëhapjes së histerisë rreth koronavirusit, guvernatorët rajonalë nuk dinë se ku t’i vendosin pacientët e tyre të shumtë.

Problemi me këtë qasje të ngushtë është se parandalon që diskutimi i gjërë dhe dështimet të marrin parasysh të gjithë faktorët. Për pasojë, vendimet shpesh janë të njëanshme dhe shkaktojnë konflikt.

Gjithashtu nuk lë hapësirë për shoqërinë si element të jetës politike: për çfarë duhen masat kur problemet zgjidhen nga profesionisët e zgjedhur me kujdes?

Ndryshimet e viteve 2020-2021 janë dëshmuar aq të të vrullshme dhe të thella, sa që regjimi rus po kalon nëpër një rilindje. Çështjet e pasardhësve dhe ndryshimeve janë bërë teorike: sistemi po përgatitet për një periudhë të gjatë të konservimit dhe paraqitjes së rregulloreve të reja për sjelljen politike.

Gjithçka është ose pro regjimit ose kundër regjimit – d.m.th. kriminale.

Kjo nënkupton presion të shtuar mbi mediat, kontroll më të ashpër të internetit dhe rregullore të ashpra për çdo lloj aktiviteti publik. Për shkak të këtij procesi të ri e të fragmentuar të vendimmarrjes, qeveria do të bëjë shumë e më shumë gabime. Protestat do të shtypen, opozita e vërtetë do të rajonalizohet dhe lufta kundër lëvizjes anti regjim do të zgjerohet te politikanët e opozitës në partitë brenda-sistemit dhe te gazetarët kritikë.

Shtypja e çdo gjëje jashtë sistemit do të tkurrë pashmangshëm gjithashtu fushëlojen e sistemit dhe do të bëhet shumë më e vështirë që të pranohesh brenda atij sistemi.

Në të njëjtën kohë, vetë Putini do të bëhet gjithnjë e më i cënueshëm. Ai po shndërrohet në një simbol, vlera institucionale e të cilit po rritet, përderisa po venitet ndikimi i tij personal. Regjimi i Putinit nuk është më regjim i Putinit: ky regjim po përshpejton zgjerimin e tij, duke e transformuar presidentin prej subjektit në objekt të manipulimit.

***

Artikulli origjinal në Carnegie Moscow Center, më 9 qershor 2021. 

***

 

Ky artikull mbështetet nga “Sbunker” përmes projektit të financuar nga Ambasada Amerikane. Mendimet e shprehura këtu janë të autorit dhe jo medoemos pasqyrojnë qëndrimet e Departamentit të Shtetit.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.