Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Subvencionet i bëjnë dëm ekonomisë

Edhe pse 85% e ekonomistëve të anketuar në Shoqatën Amerikane të Ekonomisë e duan eliminimin e subvencioneve bujqësore, ato mbesin popullore tek masat e gjera (1).

Çfarë janë subvencionet në radhë të parë? Subvencionet janë fonde që qeveria ua merr taksapaguesve dhe ua jep grupeve të caktuara (për shembull fermerëve) për t’i mbështetur bizneset e tyre dhe nxitur zhvillimin ekonomik. Një pjesë e këtyre subvencioneve natyrisht shpenzohet nga administrata që i mbledh dhe shpërndan ato (2).

Çfarë të keqe mund të ketë në këtë? Pavarësisht qëllimeve (zakonisht) të mira, subvencionet prodhojnë efekte të kundërta dhe të dëmshme në disa mënyra.

Në radhë të parë, në vendet e korruptuara subvencionet as që e arrijnë në destinacionin e tyre të caktuar. Shumica e tyre zhvaten udhës nga grupet e ngushta të interesit që kanë lidhje të afërta me pushtetin, ashtu siç ndodh rëndom në Kosovë e Shqipëri, prandaj s’kanë edhe si të jenë të suksesshme.

Por edhe në kushtet e menaxhimit të ndershëm të tyre, subvencionet e deformojnë alokimin e burimeve në ekonomi. Si ndodh kjo?

Në një ekonomi të lirë, lëvizjen e parasë e përcaktojnë konsumatorët. Ata vendosin në cilat biznese (dhe rrjedhimisht cilat industri) të shpenzojnë. Konsumatorët shpenzojnë në biznese që i përmbushin më së miri kërkesat e tyre dhe kështu e mundësojnë ngritjen e tyre dhe të strukturave respektive prodhuese. Bizneset që nuk i plotësojnë kërkesat e konsumatorëve përballen me humbje dhe detyrohen t’i përshtaten tregut eventualisht. Ky proces i pandalshëm ekonomik mund të mos pëlqehet nga bizneset, por është krejtësisht normal dhe siguron që konsumatorët—që janë nisma e çdo aktiviteti ekonomik—të jenë në qendër të vëmendjes. Bizneset ekzistojnë për shkak të konsumatorëve, jo anasjelltas.

Në një ekonomi të subvencionuar, në anën tjetër, qeveria nuk i lë konsumatorët ta përcaktojnë lëvizjen e parasë me arsyetimin se ata nuk i shpenzojnë paratë në bizneset apo industritë e “duhura”. Qeveria vepron nën pretendimin që burokratët qeveritarë janë më të ndritur dhe të përkushtuar se konsumatorët. Ndryshe nga zhvillimi spontan i ekonomive të lira, ekonomitë e subvencionuara krijojnë biznese dhe industri fantome që i përgjigjen kërkesave të burokratëve e jo të konsumatorëve. Për shembull, ka tepricë të miellit sepse ai subvencionohet por mungesë të qumështit. Ajo që shihet është vetëm ajo që është krijuar artificialisht nga subvencionet, por jo ajo që nuk është krijuar fare sepse paratë e taksapaguasve janë rishpërndarë nga qeveria drejt subvencionimit.

Përveç deformimit ekonomik, subvencionet e dëmtojnë gjithashtu vullnetin për punë. Bizneset që marrin para falas nga shteti nuk kanë vullnet të punojnë. Ato përpiqen dhe konkurrojnë vetëm kur duhet të luftojnë për paratë e konsumatorëve. Në momentin që të ardhurat e tyre garantohen nga subvencionet vullenti i tyre për punë bie, siç ndodh rëndom me ndërmarrjet shtetërore kudo. Për më tepër, bizneset e dështuara që përfitojnë nga subvencionet (shembull fermerët që nuk arrijnë ta shesin në treg) mbesin qëllimisht të dështuara—ndryshe ato ç’kyçen nga subvencionet. Do të thotë krijohet një situatë perverse ku bizneset e suksesshme paguajnë taksa në mënyrë që bizneset e dështuara të mbesin parazitë të subvencionimit. Një rishpërndarje e dhunshme e pasurisë nga shteti prej atyre që me mund e kanë krijuar tek ata që pa meritë e marrin falas. Nuk do mend pastaj që fermerët që subvencionohen me vite në Kosovë ende dështojnë t’i përmbushin nevojat e brendshme apo t’i zëvendësojnë produktet e huaja nga tregu.

Është thënë që subvencionimi megjithatë duhet të ndodhë sepse këtë e bëjnë edhe vende të mëdha e të zhvilluara si ShBA apo vendet e BE-së. Natyrisht përgjigja për këtë është se ne nuk duhet t’i bëjmë copy-paste çdo politike që aplikohet në Perëndim. Ka shembuj që duhen marrë dhe të atillë që duhet shmangur, sidomos kur merret parasysh fakti që këto politika nuk janë domosdo rezultat i mendimit të shëndoshë ekonomik por i lobimit të korporatave dhe grupeve të mëdha të interesit për përfitim të ngushtë.

Është thënë gjithashtu se megjithatë disa produkte “strategjike” si gruri duhet të subvencionohen. Në radhë të parë, një kualifikim i tillë bie ndesh me një parim themelor të shkencës së ekonomisë—subjektivizmin. Vlera e produkteve dhe e shërbimeve është gjithmonë subjektive—e përcaktuar nga subjekti që e vrojton atë, jo nga përmbajtja objektive. Secili konsumator e vlerëson ndryshe-ndryshe çfarë është “strategjike” për të. Favorizimi i një produkti detyrimisht lë më pak para në xhepat e taksapaguesve për një produkt tjetër. Në fund produkt “strategjik” del të jetë ai që i reflekton kërkesat e burokratëve e jo të konsumatorëve. Vetëm tregu i lirë është arenë demokratike në të cilën konsumatorët mund të demonstrojnë lirshëm preferencat e tyre subjektive për produkte dhe shërbime.

Është thënë gjithashtu që disa industri “infantile”, të papjekura, duhen nxitur dhe mbështetur me subvencione së paku derisa të mbahen në këmbë. Edhe pse një qasje e tillë është aplikuar në disa vende të botës (përfshirë me masa mbrojtëse tregtare), nuk ka dëshmi të forta empirike që është treguar e suksesshme pikërisht për shkak të arsyeve të cekura sipër—deformimit ekonomik dhe dëmtimit të vullnetit për punë. Industritë e mbrojtura “infantile” kanë vazhduar të mbesin të tilla derisa masat mbrojtëse janë larguar dhe industritë i janë ekspozuar konkurrencës së lirë.

Në këtë pikë vlen të sqarohet që ka edhe biznese apo industri të tëra që janë shuar përfundimisht apo kanë lëvizur jashtë vendit. Kjo është krejtësisht normale dhe nuk përbën rast të veçant për subvencionim. Ekonomitë vazhdimisht i nënshtrohen shkatërrimeve krijuese që reflektojnë ndryshimin e kërkesave të konsumatorëve dhe trasojnë rrugën për biznese dhe industri të reja.

Si është e mundur që pavarësisht gjithë këtyre kundërshtimeve subvencionimi të gëzojë reputacion kaq të mirë tek masat e gjera? Mendimi im personal është që masat e gjera duan që qeveria të bëjë diçka—çkado—për ta mbështetur zhvillimin ekonomik, pavarësisht kostos që përmban. Për masat mosveprimi apo neutraliteti është gjithmonë i gabuar edhe pse në fakt ka shumë raste si ky ku veprimi i qeverisë bën shumë më shumë dëm sesa që zgjidhë diçka (këtë mendësi të gabuar Hajeku e quante “konstruktivizëm”). Njerëzit poashtu vazhdimisht agjitojnë për përfitime nga shteti, qofshin fermerë, mjekë, studentë, etj., por asnjëherë nuk lodhen me llogarinë se kush do të paguajë për ato përfitime. Ironia është që të gjithë do paguajnë sepse të gjithë janë taksapagues.

Në fund, nëse jo nëpërmes subvencioneve, çfarë mund të bëjë qeveria që t’u vijë në ndihmë bizneseve dhe ekonomisë për t’u zhvilluar? Pëshkrimi i mjekut është standard. Qeveria duhet të mbrojë pronën private, të zbatojë kontratat, të zgjidhë kontestet gjyqësore në mënyrë të shpejtë dhe të paanshme, të zbatojë ligjin për të gjithë njësoj, të shkurtojë dhe të reformojë sektorin publik për efektivitet, efikasitet dhe profesionalizëm, të thjeshtësojë, të zvogëlojë dhe të rrafshojë barrën tatimore, të thjeshtësojë dhe të eliminojë rregullat që qeverisin biznesin, të promovojë vendin për investime të jashtme, të investojë arsyeshëm dhe pa tepruar në infrastrukturën e vendit, e kështu me radhë. Kjo nënkupton që roli i qeverisë duhet të jetë largimi i pengesave e jo përzierja aktive në menaxhimin e ekonomisë. Në fund të ditës është konsumatori ai që e dirigjon aktivitetin ekonomik dhe i përgjigjet pyetjeve themelore ekonomike se çfarë të prodhohet, si, sa, ku dhe për kë.

——
(1).    Greg Mankiw, The Consensus of Economistshttps://gregmankiw.blogspot.com/2006/11/consensus-of-economists.html?m=1 
(2).    Format e tjera të lehtësimit nga qeveria, siç janë lirimi nga taksat, nganjëherë konsiderohen subvencione gjithashtu. Ky definicion është i gabuar për mendimin tim prandaj nuk do të jetë temë e këtij shkrimi.

 

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.