Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Ta bëjmë Kosovën si Ruanda! Një ekspoze përmes shifrave

Nuk u bënë 24 orë prej që ra qeveria Mustafa dhe ethet parazgjedhore ndjehen gjithandej rrjeteve sociale.

Është koha kur nisen të formohen e jepen premtime të mëdha e të reja për ndryshime në vend. Jo të gjitha duhet të merren me cinizëm. Unë propozova një sllogan modest: ta bëjmë Kosovën si Ruanda!

Nisur nga stereotipet për popujt afrikanë, dikush mund ta kuptojë këtë si tallje. Sa herë dëgjohet në Kosovë shprehja revoltuese, “ne nuk jemi Afrikë!” Ky qëndrim racist i pjesëtarëve të popullit më të varfër të Evropës mund ta bëjë atë që herë pas here të ndihet pak më mirë për vetvetën, por këto gomarllëqe neveritëse raciste s’janë për t’u marrë seriozisht.

Larg këtyre, Kosova dhe Ruanda janë raste ideale krahasuese të dy vendeve të dalura nga lufta e të ballafaquara me nevojën e rindërtimit. Pas një periudhe të rëndë nën sundimin kolonial belg, Ruanda fitoi pavarësinë e saj më 1962. Para saj, mbretëritë tribale ruandeze ishin pushtuar nga gjermanët, që e kishin përfshirë Ruandën në të ashtuquajturën Afrikë Lindore Gjermane si koloni. Gjatë asaj periudhe, gjermanët kishin përdorë ndasitë etnike në Ruandë për të ndërtuar një hierarki etnike me tutsit si grup superior. Kjo hierarki u vazhdua nga belgët, që përdorën ndasitë etnike për të ndërtuar një sistem të kastave etnike. Tutsit shërbenin si bashkëpunëtorë të belgëve, përmes së cilës sundoheshin nga belgët edhe ata, edhe hutut e nënshtruar si grup i subordinuar.

Pas pavarësisë, hutut arritën të marrin pushtetin dhe filluan persekutimin e tutsive. Kjo gjendje vazhdoi përgjatë sundimit ushtarak të gjeneralit hutu Habiarimana, në një situatë të luftës të heshtur civile midis tutsive dhe hutuve. Më 1994, plasi lufta e hapur midis hutuve dhe tutsive, me vdekjen e Habiarimanas në një aksident ajror dhe marrjen me forcë të pushtetit nga tutsit nën drejtimin e Frontit Patriotik të Ruandës. Reagimi i hutuve dhe ushtrisë ruandeze rezultoi në gjenocid, me vrasjen e 800 mijë deri në një milion tutsive. Ishte kjo një dhunë e tmerrshme që tërhoqi vëmendjen e gjithë botës dhe një luftë shumëfish më shkatërruese në dëme dhe jetëra se sa ajo që përjetoi Kosova më 1998-99.

Pas konfliktit, Ruanda nuk e pati fatin që të përfitojë sa Kosova nga një asistencë e gjerë ekonomike. Të dhënat e Bankës Botërore tregojnë se edhe në vitin 2009, dhjetë vjet pas luftës, Kosova pranoi mbi 440 USD për kokë banori në forma të asistencës zhvillimore, kurse Ruanda vetëm pak më shumë se 90 USD. Edhe në vitin 2015, Kosova përfitonte më shumë se dyfishin e Ruandës në asistencë.

Ruanda është vend më i varfër se Kosova. Dekadat e sundimit kolonial dhe të diktaturës ushtarake midis 1973-93 nuk e lanë Ruandën me përmirësime të dukshme ekonomike. Kjo në dallim prej Kosovës e cila në kohën e ish-Jugosllavisë pa investime signifikante në infrastrukturë, arsim dhe industrializim. Në vitin 2000, edhe pas degradimit ekonomik të viteve të 90-ta millosheviqiane, PBB-ja për kokë banori në Kosovë ishte pesëfish më e lartë se në Ruandë. Në Ruandë, edhe sot gati çereku i popullatës jeton me më pak se dy dollarë në ditë (në vlerë të PPP – Purchasing Power Parity). Në kryeqytetin ruandez, Kigali, gati çereku i popullatës janë pa ujë të pijshëm. Gjendja në zonat rurale është edhe më e rëndë.

Kjo lë të kuptohet se gjendja e pasluftës në Ruandë ishte shumëfish më e vështirë se në Kosovë.

Por, nga këtu, imazhi ndryshon rrënjësisht. Në dekadën e 2000-tave deri më sot, Ruanda shënon progres në parametra ekonomikë e institucionalë që Kosova do t’i kishte (dhe duhet t’i ketë) për lakmi. Si në rritje ekonomike, ashtu dhe në matësit e cilësisë së qeverisjes që bëhen nga Banka Botërore, Ruanda tejkalon Kosovën me shpejtësi të jashtëzakonshme. Kjo përkundër disavantazheve që Ruanda i ka në krahasim me Kosovën.

E para, siç u cek, Ruanda ka përjetuar një konflikt më të rëndë dhe më shkatërrues se Kosova. E dyta, Ruanda nuk e ka pasë mbështetjen ndërkombëtare në formë të asistencës, që e ka pasë Kosova. E treta, në dallim prej Kosovës, Ruanda nuk ka pasë fatin e një diaspore të dedikuar ndaj vendit, për të përfituar nga remitancat. Remitancat në Ruandë janë shumëfish më të vogla se në Kosovë. Ana pozitive e kësaj është se ekonomia ruandeze nuk ka krijuar, sikur Kosova, një varshmëri të thellë në remitanca.

Për shkak se ka ruajtur popullsinë bujqësore, papunësia në Ruandë është jashtëzakonisht e vogël. Përkundër Kosovës, ku papunësia sillet në mbi 30 për qind, papunësia zyrtare në Ruandë nuk tejkalon tre përqindëshin. Sërish, kjo papunësi e vogël i atribuohet popullsisë së madhe rurale bujqësore. Megjithatë, agrokultura ruandeze gjatë viteve 2000 ka shënuar rritje të konsiderueshme të produktivitetit. Nga viti 2000 deri më 2015, vlera e shtuar në agrokulturën ruandeze është rritur nga 650 milionë në mbi 2.5 miliardë USD. Në Kosovë, kjo shifër ka stagnuar dhe madje ka rënë. Me një fjalë, në Ruandë nuk bëhet fjalë për një popullatë joaktive rurale.

In the key këtë grafikon interaktiv të Bankës Botërore shihet rritja e Bruto Produktit Vendor në baza vjetore të Ruandës, krahasuar me atë të Kosovës.

Rritja ekonomike e Ruandës përgjatë periudhës 2004-2015  ka qenë në vazhdimësi më e lartë se e Kosovës. Shifrat prej 8-11% në vit që i ka parë Ruanda, Kosova i sheh vetëm në ëndërr. Rritja e PBB-së për kokë banori – që kap më mirë efektin e rritjes ekonomike në popullatë – gjithashtu ka qenë mesatarisht më e lartë se në Kosovë. Kjo ka çuar në rezultate të ndjeshme. Jetëgjatësia mesatare është rritur drastikisht. Vdekshmëria e foshnjeve ka rënë dukshëm. Në vitin 2015, kjo shkallë ka rënë nën nivelin e asaj në Kosovë, ku vdekshmëria e foshnjeve është 33 për çdo 1.000 foshnje të lindura, e që dëshmon për investime efektive në shëndetësinë publike.

Sukseset e Ruandës nuk janë vetëm në fushën e ekonomisë. Parametrat institucionalë të Ruandës, matur sipas indikatorëve të qeverisjes së Bankës Botërore, tregon se Ruanda bëri hapa më të shpejtë, dhe tani tejkalon Kosovën, në fushën e sundimit të ligjit, kontrollit të korrupsionit, stabilitetit politik dhe cilësisë rregullatore. Në rangimin për bërjen e biznesit, në vitin 2016, Ruanda qëndronte katër vende mbi Kosovën, në vendin e 56-të. Disa thonë se këto ndryshime po bëjnë që Ruanda të bëhet destinacion gjithnjë e më tërheqës për investimet e jashtme. Në dallim prej Kosovës, e cila ka parë rënien e këtyre investimeve gjatë viteve të fundit, Ruanda ka përjetuar një rritje graduale por të qëndrueshme të investimeve, duke arritur në vitin 2015 në gati të njëjtin nivel investimesh që ka Kosova. Kjo përkundër faktit që deri më 2015, ligji ruandez ndalonte investmet e jashtme më vogla se 100.000 USD. Investimet e jashtme në Ruandë gjithashtu tregojnë një diversitet të gjerë sektoral, nga agrokultura në industri, telekomunikacion dhe teknologji informative, që tregon se fjala nuk është vetëm për oportunitete të momentit që nxisin një investim të madh dhe përfundojnë me aq (siç është rasti i shumë investimeve në Kosovë).

Image

 

Ruanda ka edhe probleme. Siç u cek, varfëria është akoma e madhe dhe vendi ka nevojë për investime të vazhdueshme për modernizimin e infrastukturës. Por, vendi është në trajektore të drejtë. Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) projekton që për vitet e ardhshme rritja reale ekonomike e Ruandës të vazhdojë të jetë 7,5% në vit, më e lartë se e Kosovës dhe mbi mesatarën botërore.

Gjendja është më e palakmueshme në frontin politik. Regjimi politik është autoritar. Parlamenti është i dobët, kurse veprimi i partive politike është i kufizuar me ligj. Presidenti Paul Kagame, në pushtet që nga viti 2000, të cilin në vitin 2014 Politico e quajti “tirani i dashur i Amerikës”, fitoi zgjedhjet më 2010 më 93 për qind të votave, pa ndonjë opozitë serioze. Në vitin 2015 presidenti nxiti ndryshime kushtetuese që ia bëjnë të mundur rikandidimin për edhe dy mandate të tjera. Veprimi i mediave dhe i organizatave të pavarura është i kufizuar me pengesa të ndryshme juridike dhe presione politike. Indikatorët e Bankës Botërore në fushën e llogaridhënies qëndrojnë shumë ulët. Duke ndjekur trendet e autokracive afrikane, në këto fusha Ruanda qëndron më keq se Kosova (jo që Kosova është pa tendencat e veta autokratike, por ato – të paktën akoma – nuk shkojnë deri në këtë shkallë).

Shumë nga përmirësimet që ka përjetuar Ruanda rrjedhin nga projekti zhvillimor “Vision 2020.” Programi u vendos në vitin 2000, dhe u arrit pas një konsulte të gjerë mbarëkombëtare. Vizioni ka gjashtë shtylla: qeverisje të mirë, zhvillim të burimeve njerëzore, një ekonomi me bazë në dituri (knowledge-based economy), drejtim nga sektori privat, agrokulturë të orientuar në produktivitet, dhe integrim rajonal dhe ndërkombëtar ekonomik. Duke ndjekur modelin e shtetit zhvillimor, qeveria themeloi Bordin Zhvillimor të Ruandës (BZHR) si agjension të pavarur zhvillimor, të modeluar sipas atij në Singapur. Si agjension i pavarur, BZHR përbëhet nga një staf me ekspertizë globale. Që nga viti 2013, BZHR udhëhiqet nga një grua, Valentine Sendanyoye Rugwabiza, e cila deri atëherë kishte shërbyer si nën-drejtore e përgjithshme në Organizatën Botërore të Tregtisë.

Ky orientim afatgjatë zhvillimor po i jep Ruandës rezultate të prekshme e të dukshme. Në këto lëmi, Kosova, ka çfarë të mësojë nga kjo republikë e vogël afrikane. A mund të kemi zhvillim ekonomik të ritmit ruandez, pa autokraci ruandeze? Dua të besoj se kjo është e mundur. Sepse shpesh duket që alternativa që po i ofrohet Kosovës janë praktika të autokracisë ruandeze por pa zhvillimin ekonomik të saj.

You May Also Like

Debunking

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Çelnaja

Në episodin e 30 të Çelnajës, së bashku me profesorin e antropologjisë Nebi Bardhoshin, trajtojmë disa koncepte me rëndësi që janë pjesë e korpusit...

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.