Connect with us

Hi, what are you looking for?

Analysis

Tabuja e Edukatës Seksuale në shkollimin primar dhe sekondar në Kosovë

Ilustrimi nga: BigEye

Pavarësisht faktit që Kosova ka miratuar një kurrikulë të re e cila ka filluar të implementohet prej vitit 2017,  edukata seksuale nuk figuron si lëndë e veçantë në shkollat fillore dhe të mesme në Kosovë. Në shtetet ku kjo lëndë është e futur në kurrikulë, ka dalë që kjo e fundit promovon vetëdijësimin për shëndetit seksual, në uljen e numrit të shtatzanive të padëshiruara tek adoleshentët, dhe në të informuarit për sëmundjet seksualisht të transmetueshme.

Edukata seksuale, para së gjithash ka për qëllim t’i pajisë nxënësit me dijen e nevojshme për shëndetin seksual, aspektin biologjik të riprodhimit, pubertetin, menstruacionet, shtatzaninë etj. Ndërkaq, instrumentet e përpiluara nga UNESCO (Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë) për edukim gjithëpërfshirës seksual shkon përtej kësaj “dije bazë” të lartpërmendur. Pra, edukimi seksual ngërthen në vetvete vetëdijësimin e nxënësve për konsentin dhe integritetin trupor, seksualitetin, barazinë gjinore, dhunën, të drejtat e njeriut, abuzimin seksual etj. Pra, edukata seksuale gjithëpërfshirëse përmban dy komponentet: biologjiken dhe shoqëroren. 

Në mungesë të lëndës së posaçme të Edukatës Seksuale, ajo mësohet kalimthi në kuadër të lëndës së Edukatës Qytetare, ku përmenden vetëm disa komponentë të edukimit seksual. Për më tepër, nxënësit kurreshtarë të cilët parashtrojnë pyetje, përballen me heshtje apo tallje. Pra, pjesa e librit ku është folur për pubertetin, kontraceptivët e sëmundjet seksualisht të transmetueshme është kapërcyer. Kështu, ne vetëm e kemi tejkaluar kapitullin ku janë trajtuar këto çështje, për të mos iu kthyer më. 

Rezistenca ndaj edukimit seksual në shkolla vërehet edhe në shtetet tjera. Paragjykimi kryesor është se edukimi seksual stimulon  rritjen e aktivitetit seksual tek të miturit. Përkundrazi, faktet e thonë të kundërtën. Në vendet ku janë miratuar programe gjithëpërshirëse të edukatës seksuale ka pasur efekt tejet pozitiv tek nxënësit siç është përmendur më lartë. 

Në raportin e vitit 2018 të hartuar nga FES (Friedrich Ebert Stiftung) mbi rininë kosovare, në pjesën ku flitet për ‘mënyrën e jetesës dhe kohën e lirë’, është gjetur se vetëm 40% e të rinjve të intervistuar të cilët kishin përvojë seksuale kanë përdorur kontraceptivë, 46% kanë kryer marrdhënie seksuale, dhe 19% kanë refuzuar të përgjigjen. 

Një ndërlidhje interesante e të dhënave nga FES-i ishte se 40% të atyre që kanë përdorur kontraceptivë, rrjedhin nga familje me gjendje të mirë ekonomike, dhe që kanë përfunduar nivele të larta arsimi. Më tutje, ata që kanë pranuar të përgjigjen mbi aktivitetin e tyre seksual poashtu rrjedhin nga familje më të privilegjuara ekonomikisht.  

Pra, këtu vlen të shqyrtohet një gjë e rëndësishme:  Të miturit që vijnë nga familje me status më të mirë socio-ekonomik janë më mirë të informuar dhe janë më mendjehapur rreth temës së seksit. Ndërkaq, 19% e nxënësve që nuk duan të flasin fare për këtë temë si rezultat i tabusë që mbizotëron tek familjet e tyre shpërfaq nevojën e domosdoshme për lëndën e Edukatës Seksuale në shkollë.  

Ndonëse në vendet ku kjo lëndë iu mësohet nxënësve në klasë, një përqindje e lartë e informatave rreth seksit, seksualitetit dhe kontraceptivëve merret jashtë shkollës. Njëkohësisht, të rinjtë nuk ndjehen plotësisht rehat t’i diskutojnë këto çështje me prindërit e tyre. Ky në fakt është indikator tjetër që një temë e tillë duhet të hapet në një vend të sigurtë ku asnjë pyetje apo koment nuk gjykohet.

Holanda ka edukimin seksual të përfshirë në shkollë për nxënës prej moshës 4 vjeçare  (adekuat për moshën përkatëse), ku fillimisht mësohet për respektimin e trupit dhe të seksualitetit, me theks te koncepti i “pëlqimit” (consent). Gjithashtu, Belgjika ka program të njëjtë në shkolla, ndonëse më eksplicite. Në anën tjetër, shtetet si India dhe Kina nuk e kanë edukatën seksuale si lëndë obligative në shkolla, dhe njëkohësisht janë vende me numër shumë të lartë të aborteve dhe abuzimeve seksuale. Për më tepër, tema e seksit shihet si diçka e turpshme e cila nuk bën të flitet në qarqe familjare e shoqërore. Pra, korrelacioni mes të informuarit/mësuarit dhe varfërisë është i pashmangshëm. Raporti i FES-it ka nxjerrë në pah një realitet në Kosovë, ndërkohë që këtë realitet mund ta shohim botërisht. 

Është e domosdoshme për nxënësit kosovarë të marrin informacion dhe dije në mënyrë sistemike e institucionale nga profesionistë të fushës. Edukimi seksual është temë e cila refuzohet të diskutohet nën idenë që promovon sjellje të rrezikshme e shpeshherë moralizohet nën petkun fetar. Ndërkaq, mosinformimi ka pasoja të jashtëzakonshme, veçanërisht tek vajzat dhe gratë. Mungesa e edukimit seksual ka sjellë shtatzani të padëshiruara, abuzime, e transmetim të sëmundjeve seksuale. Në anën tjetër, edukata seksuale nuk duhet asessi të ndërlidhet vetëm e vetëm me seksin, por si një lëndë e cila, mbi të gjitha, ka për qëllim ruajtjen e shëndetit dhe sigurisë së të rinjve.

You May Also Like

Disinfo

Pretendimi se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ndryshuar pamjen e  flamurit shtetëror të Kosovës, është i rremë dhe i pambështetur në fakte....

Opinion

Qeveria e Kosovës ka deklaruar se këtë verë planifikon ta hapë për qarkullim të veturave Urën kryesore mbi Ibër, duke shqetësuar shumë njerëz –...

Disinfo

Gjatë dy viteve të fundit, Kosova ishte cak i sulmeve kibernetike dhe kërcënimeve me bomba, që kishin për qëllim destabilizimin e vendit dhe krijimin...

Analysis

The memorandum of understanding signed on July 19 between Serbia and the EU, under the close oversight of German Chancellor, Olaf Scholz, has crystallized the EU’s transactional approach...

Copyright © 2024 Të gjitha të drejtat e rezervuara © Sbunker. Materialet e botuara në këtë faqe nuk mund të riprodhohen, shpërndahen, transmetohen, ruhen apo përdoren në mënyra tjera, pa leje paraprake nga Sbunker. Design & Hosting by: PROGON LLC.